Disa aspekte të Kuranit

"Gjuhët njerëzore nuk mund t'i konsumojnë fjalët kur’anore”(1)

Rreth të kuptuarit dhe të perceptuarit të Kuranit janë dhënë ide qysh në kohën e Pejgamberit a.s., që është përcjellësi i Mesazhit dhe komentuesi i parë i tij. Te' kuptuarit e Kuranit buron nga të kuptuarit e Zotit. Shpjegimet e ndryshme rreth tij gjatë gjithë historisë kanë ndihmuar në thjeshtësimin e mesazheve dhe bërjen të kuptueshme për të gjitha shtresat shoqërore, pa pretenduar se janë përfundimtare; ato nuk e zbehin vlerën dhe as nuk thonë gjithçka rreth tij.

Kurani dhe dija e ardhur në tokë buron nga dija absolute e Allahut xh.sh. Kuptimet e tij janë me karakter universal, absolut, edhe pse forma është e pandryshueshme. Gjithmonë forma e jashtme është thirrje drejt kuptimeve të brendshme, sikurse arti dhe kaligrafia janë gjuha e imagjinatës në botën konkrete. Prandaj, kufizimi i Kuranit brenda dy kopertinave përbën kufizimin formal lëndor, dhe jo atë kuptimor. Kufizimi kuptimor i tij nënkupton kufizimin e dijes hyjnore, e si e tillë do të ishte një qasje e gabuar ndaj tij.
Në fillimet e para të zbritjes së tij në Mekë ai themeloi normat e para të besimit, ajete këto që shpjegonin ekzistencën e Zotit dhe atributet e Tij, për të vazhduar pastaj me pjesën morale, e me vonë edhe me atë normative dhe ligjore. Kështu, Kurani për myslimanët ishte epiqendër drejt të cilës orientoheshin për çdo zgjidhje. Meqenëse shoqëria e asaj kohe nuk ishte shumë e zgjeruar, edhe kërkesat e saj ishin minimale. Kishin të bënin vetëm me çështjet elementare fetare, të cilat i zgjidhte Pejgamberi a.s.. Njëherit, shpjegimet e Pejgamberit a.s., konsiderohen bazat e para të komentimit të Kuranit, konkretisht bazat e shkencës së Tefsirit dhe Fikhut. Pas vdekjes së Pejgamberit a.s., fillon koha e sahabëve. Në etapën e tyre shteti islam filloi të zgjerohet edhe më shumë, dhe me zgjerimin e tij lindën edhe kërkesa të reja, prandaj edhe kërkoheshin zgjidhje të tjera. Me zgjerimin e shtetit islam filloi edhe kalimi në Islam i popujve të ndryshëm, sikur mongolët apo persianët, të cilët ishin zjarrputistë dhe kishin një qytetërim të lashtë. Duke sjellë qytetërimet dhe besimet, ata filluan të krahasonin mësimet e tyre me mësimet islame. Pyetjet e tyre drejtoheshin rreth natyrës së Zotit, Kuranit si Fjalë e Tij, problemeve eskatologjike etj.
Problem tjetër ishte edhe përkthimi i librave filozofikë grekë, të cilat sollën me vete edhe shumë paqartësi. Kjo bëri që në mesin e myslimanëve të lindin pyetje të ndryshme. Ky ishte një faktor që ndikoi në lindjen e shkencave si Kelami dhe Filozofia. Këto shkenca ishin masat mbrojtëse të besimit islam, i cili veç ishte kultivuar deri në atë kohë. Kurani përbën të folurit e Allahut xh.sh. Ai ishte shënjestër e bisedave të ndryshme filozofike, sepse në një formë ai simbolizonte Qenien. Me qenë se në esencë qenia e Zotit është thesar i fshehur, dhe për njeriun përbën një sekret të panjohur që nuk mund të njihet, pyetjet dhe polemikat u drejtuan rreth Kuranit. Këto polemika shkaktuan ndalje sektare brenda myslimaneve. Problematika e parë të kësaj natyre ndodhën në mes mu`tezilinjve dhe muhadithinjve, kur të parët pohonin krijueshmërinë e Kuranit, e të dytët në pakrijueshmërinë e tij. Sikur grupi i parë, ashtu edhe i dyti, qëndrimet e veta i argumentonin me tekste fetare. Problemi i pakrijueshmërisë së Kuranit, që është fjalë hyjnore e Zotit, automatikisht umetin islam e dërgonte në të besuarit dhe pranuarit e hyjnitetit të Isait a.s., i cili njihej si "Shpirt i Zotit”, pasi që në të dy rastet hyjniteti inkarnohet brenda të krijuarës.(2) Në anën tjetër, të besuarit se Kurani është i krijuar, abstragonte elementin hyjnor brenda Kuranit. Nevojitej të kuptuarit drejt të elementit hyjnor, i cili përmes materies arrin ta shfaqë vetveten, sikurse shpirti i cili e konkretizon materien (trupin), i jep formë, dhe me të e prezenton veten. Fjala e Allahut në mes hyjnores dhe tokësores (Kurani), si dhe shpirti hyjnor (Njeriu), kanë burim të njëjtë nga "Qenia" Absolute. Në frymën e këtij debati, shkolla mesatare e Ehli Sunetit triumfoi duke e harmonizuar hyjnoren me tokësoren, dhe secilës duke i dhënë vendin meritor. Ata thanë se Kurani është të folurit e Allahut, cilësi e pafillim dhe e pafund, kurse konkretizimi i saj i përket natyrës së krijuar, e cila është tokësore, ashtu sikur thotë edhe poeti: Të folurit është në zemër, ndërsa gjuha është krijuar të tregojë se çka ka në zemër.(3)
Sipas tyre, të folurit e Allahut ka karakter metafizik dhe kuptimor. Fjala e Kuranit e zbritur në gjuhën arabe u bë qendër e bisedave dhe debateve teologjike dhe filozofike. Si problematikë tjetër ishte edhe përkthimi i tij në gjuhët e tjera. Meqë ai është i zbritur në gjuhën arabe, kuptimi i tij origjinal është vetëm në gjuhën e zbritjes, dhe, shtrohet pyetja se si i tillë a mund të bartet me besnikëri edhe në gjuhët tjera? Rreth kësaj problematike ka mendime të ndryshme, ndërsa dijetarët janë ndarë në dy grupe:
Përkrahësit e përkthimit - Ata që e përkrahen mendimin se Kurani përkthehet, argumentoheshin në atë se feja islame është universale, dhe Kurani nuk lexohet vetëm nga arabët, por edhe nga popujt e tjerë.
Thuhet se Selman Farisiu ishte përkthyesi i parë i sures Fatiha, në persishte.

Kurtdërshtarët e përkthimit. – Argumetoheshin në atë se Kurani përmban retorikë dhe stil të përkryer, i cili është i tillë vetëm në gjuhën arabe dhe jo në gjuhët tjera. Si i tillë ai e ka bukurinë në gjuhën me të cilën ka zbritur, dhe nuk mund të jetë në gjuhët tjera. Për ta ruajtur stilistikën e tij, nuk duhet përkthyer.

Kelamistët bëjnë një ndarje tjetër. - Ata thonë se Kurani përmban kelam nefsij (të folurit e brendshëm), që vjen nga Pllaka e ruajtur mirë, e cila është e papërkthyeshme, dhe kelam lafdhij (të folurit e jashtëm), e që edhe mund të përkthehet.(4)
Kurani, përveç aspektit teologjik dhe letrar, përmban edhe dimensione tjera shkencore, e që me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë veç sqarohet edhe më shumë.
Ne do t'i përmendim vetëm disa nga ato, si: aspekti historik, gjeografik, biologjik etj.

Të dhënat për të shkuarën

Kurani përmban të dhëna të sakta historike, të cilat dita ditës po vërtetohen, dhe po mposhtet teza e orientalistëve që pretenduan se Kurani është vepër e Muhamedit a.s.
Një nga të dhënat e tij është përmendja e emrit "Haman”. Haman është bashkëkohës i Musait a.s.. Emri i tij në Torë nuk përmendet, edhe pse historia e Musait a.s., e përmend në detaje. Pas deshifrimit të alfabetit hieroglif egjiptian, rreth 200 vjet më parë, dhe në shkrimet e lashta, u gjend emri ”Haman”. Në këtë mënyrë u përfituan mjaft njohuri mbi qytetërimin, fenë dhe jetën sociale të Egjiptit të lashtë. Të gjitha këto të dhëna zënë fill në Kuran.

Të dhënat për të ardhmen

Nga të dhënat e përmendura në Kuran mbi atë që do të ndodhte në të ardhmen gjendet edhe në ajetet e para të sures Er-Rrum, që i referohet Perandorisë Bizantine apo pjesës lindore të Perandorisë Romake. Në këto ajete është shpallur se Perandoria Bizantine, pas disfatës së rëndë që kishte pësuar nga ushtria perse, do të triumfonte shumë shpejt.
"Elif, Lam, Mim. Bizantinët (romakët) u mundën në tokën më të ulët (afërt), por pas disfatës së tyre ata do të triumfojnë brenda pak viteve.” (Er-Rrum 1-3).
Këto ajete u shpallën rreth vitit 620 e.s., gati shtatë vjet pas humbjes së thellë të ushtrisë kristiane bizantine nga ushtria idhujtare perse. Pra, në Kuran u shpall se shumë shpejt bizantinët do të triumfonin mbi rivalin e tyre. Dhe kështu ndodhi, pas disa vitesh bizantinët triumfuan.

Të dhënat për krijimin e universit

"Ai është Krijuesi fillestar i qiejve dhe i tokës (pa pasur asnjë shembull)...” (El-En' am 101).
Përfundimi në të cilin ka arritur astrofizika sot është se i tërë universi, së bashku me dimensionet e lëndës dhe të kohës, erdhi në ekzistencë si rezultat i një shpërthimi të madh, i cili ndodhi menjëherë. Ky fenomen, i njohur me emrin "Big Beng”, vërtetoi se universi ishte krijuar nga asgjëja, si rezultat i një shpërthimi në një pikë të vetme. Qarqet shkencore moderne janë të një mendimi në lidhje me faktin se Big Bengu është i vetmi shpjegim i arsyeshëm dhe i vërtetuar i zanafillës së universit dhe i mënyrës së krijimit të tij. Para Big Bengut lënda nuk ekzistonte. Nga kjo gjendje mosekzistence, në të cilën as lënda, as energjia, madje as koha nuk ekzistonin - dhe kjo mund të përshkruhet vetëm në mënyrë metafizike - arrijmë në përfundimin se lënda, energjia dhe koha janë të tëra të krijuara. Ky argument është një nga zbulimet e fundit të fizikës bashkëkohore, e që në Kuran është shpallur1400 vjet më parë.(5)

Të dhënat për krijimin e njeriut

"Ne ju kemi krijuar juve; përse pra nuk e pranoni të vërtetën?! A keni menduar ndonjëherë për farën (spermën) që nxirrni? Mos vallë ju e krijoni atë, apo jemi Ne krijuesit e saj?" (El Vakia 57-59).
Krijimi i njeriut, bashkë me mrekullitë e shumta që përmban, është theksuar në mjaft ajete të tjera. Disa pjesë të informacionit të përmendur në disa ajete kuranore janë kaq të hollësishme, saqë është e pamundur që një njeri që ka jetuar në shekullin VII të kishte njohuri për to. Disa nga këto pika janë si më poshtë:
1- Njeriu nuk është krijuar nga e tërë fara, por nga një pjesë mjaft e vogël e saj;
2- Është mashkulli ai që luan rol në përcaktimin e gjinisë së fëmijës, dhe jo femra;
3- Embrioni njerëzor ngjitet në mitrën e nënës si një shushunjë, dhe;
4- Embrioni zhvillohet brenda tri errësirave (shtresave) në mitër. Këto të dhëna u vërtetuan në mënyrë shkencore vetëm në shekullin XX.(6)
Pa u zgjatur shumë po e mbarojmë, sepse edhe po të donim t`i përmendim të gjitha mrekullitë e tij nuk do të mund të arrinim. Ai është libër hyjnor dhe kushtetutë jashtëkohore dhe jashtëhapësinore, e zbritur te njeriu më i ndershëm në sipërfaqen e tokës, Muhamedi a.s.. Me zhvillimet e fundit shkencore vetëm po vërtetohen ato që i thotë Kurani tash e 14 shekuj. Gjithashtu, sa vjen e shtohet interesimi i tij si libër teologjik dhe shkencor. Me të drejtë Mulla Sadra thotë: ”Kur`ani dhe qenia janë anët e ndryshme të së njëjtës monedhë.” Sepse ai e bën prezent të folurin e Allahut metahistorik brenda historisë. Ai ka zbritur për ta ngritur shpirtin e përvuajtur, i cili ka rënë dikur. Për atë arsye Kurani thotë: "Kapuni të gjithë për litarin e Allahut", garanci kjo që njeriun e kthen drejt origjinës, dhe i siguron lumturinë e përjetshme.


__________________
(1) Ibrahim Kalin ”Islami dhe perendimi”, Sh.B. Logos A, Shkup, f. 100.
(2) Ramadan El-Buti, "Të vërtetat e patundshme të besimit islam”, Sh.B. ASR, Tetovë, 2004, f. 110.
(3) Këto vargje i përshkruhen poetit Ahtali. Imam Sabuni, "Akaidi Maturidi”, përkthyer nga Orhan Bislimaj, Sh.B. "Dituria Islame”, Prishtinë, 2011. f. 72.
(4) Nexhat Ibrahimi, "Dimensione kuranore”, Logos A, Shkup, 2003, f. 32 33.
(5) Harun Jahja "Mrekullitë e Kuranit” , Sh.B. "Furkan ISM”, Shkup, Nëntor. 2002 f. 64.
(6) Po aty.



Ramazan Fetahu

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.