Tematika për gratë në revistën "Zani i Naltë"

Feja islame është përfundim i mësimeve hyjnore dhe Kurani nuk e veçon krijimin e njeriut sa i përket gjinisë, por sqaron se krijimi është bërë nga një vete (Nefsun Vahide) që do thotë se dituria, besimi, adhurimi, bamirësia etj., nuk janë të veçuara vetëm për një gjini.

Kuran i nuk ka ardhur ta përkrahë teorinë e feminizmit e pamend, siç thekson revista "Zani i Naltë", por ka ardhur ta garantojë nderin e moralin e njerëzisë. Revista "Zani i Naltë" i lë hapësirë të konsiderueshme trajtimit real të gruas në përgjithësi. Në shkrimin "Ku e ka vendin gruaja" duke bërë krahasime me bindje të tjera fetare, që gruan e konsideronin si plaçkë të ndyrë që nuk meriton nderim, siç janë romakët e anglezët, ku burrat ishin zotëruesit të pasurive të grave, si dhe arabët që varrosnin femrën për së gjalli dhe përdornin si mjet dëfrimi, "Zani i Naltë" sqaron se Kurani e shpëton femrën nga tirania e skllavëria. Ai ka ndaluar që gratë të jenë trashëgim i babait apo i djalit, kurse të drejtat të cilat iu mohuan gruas për adhurim nga kohërat e lashta sidomos në Japoni, Kinë e Indi dhe qëndrimet biblike, Kurani i demanton.
"Gruaja duhet të respektojë Kuranin ma tepër se mashkulli, ngase në pikëpamje të drejtës dëfton me të tanë qartësinë e vet se mashkulli e femna janë dy njerëz të përngjashëm e se janë dy elemente që peshojnë sa njeni tjetri.(1)
Revista Islame shqiptare e viteve 1923-1939 "Zani i Naltë", që në ato kohëra i qaset tematikës për trajtimet e të drejtave të gruas, duke sqaruar të drejtat që i ka në Islam si dhe përpjekjet për avancimin e saj. Gjithashtu shtjellon qëndrimet e gabuara se: "gruaja e shtyri burrin drejt mëkatit. "me argumentimin se ata dy janë prehje për njëri-tjetrin. Islami kërkon që gruaja për burrin të jetë mjeti i lumturisë dhe anasjelltas. Muhamedi a.s në hytbenë lamtumirëse, bëri një thirrje për respekt të ndërsjellë, kurse para vdekjes tha: "Vijoni në namaz, silluni mirë me gratë e juaja.” Rryma të kohës në Shqipëri po shkaktonin çrregullime të shumanshme, sidomos në këndin shoqëror moral, politik e fetar, "mund të jenë agjent të ndonjë elementi intrigant që kërkon me luajt nëpër këtë çështje që shtrohet (femra, gruaja shqiptare)-vëren "Zani i Naltë" duke sjellë ajete e hadithe e thënie për njeriun me të shtrenjtë në botë - Nënën.
Më tej "Zani i Naltë" argumenton se Nëna është ajo që vendos gurin e parë të edukatës së fëmijës e pastaj do t'ia dorëzojë shkollës, ambientit e natyrës për të ngritur ndërtesën edukative.
Gjithashtu "Zani" sjell një lajmërim kur një princeshë angleze Gladys Palmer ndër gratë më të pasura në botë duke qenë protestante e mandej katolike, zgjodhi Islamin për fe të vet dhe mori emrin Hajru Nisa.(2)
Revista në fjalë sjell fjalimin e mbajtur në Hajdarabad nga zonja Halide Edib ish-ministre e Arsimit në Kabinetin e Turqisë moderne, e cila theksonte se: Kishat kristiane e zbritën statusin e gruas, ia këmbyen qendrën shoqërisë familjare me atë të manastirit dhe të gjitha ato gra që nuk e kishin dedikuar veten e tyre për jetën fetare, e konsideruan krijesa të mallkueme, Islamizmi e ndryshoi këtë pozitë.(3)

Komuniteti Mysliman Shqiptar kërkon të drejta dhe aktivitete të femrave

Pjesëmarrja e femrës myslimane shqiptare në aktivitetet shoqërore kishte përkrahjen e duhur në ato kohëra sidomos nga prijësit fetarë Islamë (Hoxhallarët), Këshilli i përgjithshëm i KMSh-së përmes "Zanit" sqaron se Atdheu ka nevojë që gruaja të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shoqërore, ngase siç theksohet; "nuk kemi asnjë ndalim fetar që të veprojmë si gjithë bota e qytetëruar për interesat e kombit tonë. "Gruaja muslimane shqiptare të mos ketë asnjë pengim në aktivitetin shoqënor dhe roli i saj të mos pengohet prej disa dispozitave të caktuara shumë shekuj më parë, të cilat nuk pajtohen aspak me gjendjen e sodshme dhe rregullat e bukura qi mbretërojnë në vendin tonë."(4)
Pasimi i verbër ndaj modës dhe largimi nga tradita, janë elemente që dijetarët tanë i kushtuan kujdes. Duhet ndihmuar (me i pri) që femra të marrë një rrugë të sigurt e të ndershme e brenda gardhit fetar që të mos bjerë në greminë. Me tutje, autori H. Ali nuk shfajëson edhe myslimanët për gjendjen e krijuar, thotë: "Por faji është i neve muslimanëve që nuk jemi mysliman si duhet. Kurse ata që thonë se grat e muslimanve janë skllave, kjo është përrall. Në fenë tonë burrat janë robët e shtëpisë e gratë mbretëreshat e tyre.(5)

Ballafaqimi më propaganda

Në ato kohëra bëhej propagandë se femra shqiptare nuk mund të integrohej ashtu siç është, pra duke qenë praktikuese e veshjes islame. Revista u kundërvihet propagandave të shtypit të kohës sa i përket integrimit të gruas myslimane, veçanërisht pjesëmarrjes së saj në aktivitetet shoqërore ashtu si është - me veshjen Islame. Propaganduese e tillë ishte Revista katolike "Ora e Maleve" që kërkonte nga qeveria që t'i ndalonte gratë më çarçaf në qytet. Kurse "Zani" i kundërvihet kësaj propagande me shprehjen "Disa oksidentalofilë thonë se femra muslimane me perçe e me çarçaf qenka pengimi i mos përparimit tonë." Ndër të tjera citon: "Thohet se feja Islame e pengon gruen shqiptare qi të përparojë. Po pse s'na diftohet se çe pengon gruan e Shalës atë të Mirëditës e atë të Shpatit të Elbasanit e të tjerat qi sjan muslimane?(6)
Revista tjetër "Bota e re" vazhdon me propagandën anti-islame me pseudonimin Harbuti. Por duke i pa qëllimet e tij të liga, "Zani" këshillon vëllaznit musliman e të krishter të ruhen nga të këtillë mikrobë qi përpiqen me na shembë moralin.(7)
Edhe Tajar Zavalani në "Bota e re" propagandonte kundër gruas myslimane, por revista në fjalë i përgjigjej : "Zani" i din gradën zero që ka ai për islamin nuk e shef të udhës të hyjë në polemikë. " Gjithashtu zhvillohej edhe një debat i gjerë mes z. Mehdi Frashërit, i cili kërkonte reforma sikurse fetë e tjera, dhe Hafëz Ismet Dibrës, i cili i përgjigjej në mënyrë brilante: "Principet fetare nuk preken, krahasimi i reformave në kristianizëm të M. Luterit, apo shpikja e trinitetii në Koncillin e Nices, me shumicën e votave, në Islam ka ajete e hadithe jo vota." Vazhdon debatin duke shtuar argumente të tjera se për mbulesën, "nuk është një ajet, por janë katër". Duke i tërhequr vërejtjen se ai mbështjell ajetet e hadithet kur thotë për fjalën profetike "në Kuran" dhe Kuranit i thotë fjalë profetike. Si edhe nuk respekton Muhamedin a.s., apo e shkruan e shoqja e lajmëtarit Ajshja. Duke përfunduar debatin në mënyrë të kulturuar.(8)
Por z. Mehdi Frashëri përsëri me anë të revistës "Minerva", cek një libër islam, ku potencohet se gruaja është si një plaçkë dhe duhet të ndalohet nga "të nxanunit me shkrue", kurse hfz, Aliu përmes revistës "Zani i Naltë" i përgjigj et: "Kanë qenë shokët e tij që se kanë kuptua të vërtetën e shpirtit Islam.”(9)

Ruajta e traditës

Fenomeni i pasimit verbërisht ndaj modës dhe largimi nga tradita gjithashtu janë elemente që dijetarët tanë i kushtuan kujdes. Shkrimi i A. Vasfit ngre zërin për fenomenin e ndjekjes së modës duke u varfëruar sidomos me pajën për nuset, ai thotë: "Por prodigaliteti (Israf) ma i madh që po e shtyp këtë të gjorë popull asht paja e gocave, pastaj imitimi zgjerohet duke iu shmangur rrobave kombëtare e duke vrapuar pas modeleve të shtrenjta të huja nga mëndafshi." Ndjekja e modës sidomos me pajën për nuset, me lënien e rrobave kombëtare pas modeleve të shtrenjta, të huaja nga mëndafshi, ishte risi e kohës. Autori e ngre zërin për fenomenin që në ditët e sotme po e quajnë; "Duaje tënden" ku thuhet:" "Përse nuk po u pëlqen shajaku e petka e vendit kombëtar po veshin komashet e djekme të huaj". "Zani i Naltë", përmes shumë autorëve-ulemave, sqaron se Islami është feja e vërtetë që i përket modernes dhe nuk ka të meta.


__________________
1. KM.SH. "Zani i Naltë'; 1929-1930, Vol. III, Tiranë, 2015, f. 1027, 1029. Nr.8 muaji maj 1930 vjeti VI.
2. K.M.SH., Zani i Naltë, 1931-1932-1933, Vol. IV, Tiranë, 2015, f.336
3, K.M.SH., Zani i Naltë, 1933-1934, Vol. V, Tiranë, 2015, f.314-318, Përkthyer nga Ejup F Kraja.
4. K.M.SH., Zani i Naltë, 1936, Vol. VII, Tiranë, 2015, f.71. "Sistemi i tanishëm i mbylljes së grues ka hye në veprim në kohën e Velidit II mbret i fundit i pa fuqishëm i Emevive të cilen qe detyrue me ba mbi influenca e bizantinve dhe persianve.
5. H.Ali, Muslimanizma dM riforma, Zani i Naltë, nr. 7 pril viti I, Tiranë, 1924,
6 Se femra shqiptare ka mbajtë shami SI muslimanja si katolikja e përmende edhe Edith Turhami.
7, K.M.SH., Zani i Naltë, 1936, Vol. VII, Tiranë, 2015, f, 143,145.
8. Zani i Naltë, 1926-1927-1928, Vol, Tiranë, 2015, f.780-185, "Nuk pretendoj se edhe unë nuk kam gabime ju falemnderes qysh tash atyne që kan pas mirësin për më mi diftue".
9. K.M.SH., Zani i Naltë 1933-1934, Vol. V, Tiranë, 2015,f 47,48, dhe 63.



Fetije Gashi Gerbeshi
Dituria Islame 349


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta