Koncepti Islam për zgjidhjen e krizës ekologjike

Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë). Bekare 22

“Muslimanit që mbjell drithë apo mbjell fidan dhe nga frutat e tyre ushqehen shpezët, njeriu apo ndonjë shtazë, kjo do t’i llogaritet atij sikurse sadaka.” Muhammedi (a.s.)
Titulli i këtij shkrimi një pjesë të lexuesve në shikim të parë do ta dëshpërojë. Ky grup do të mendojë se fjala është për një nga shkrimet e shumta të natyrës pamfletiste, propaganduese, që jemi mësuar të lexojmë gjatë shekullit XX, e sidomos gjatë disa dekadave të fundit. Kjo periudhë karakterizohet me ‘vërshimin’ e këtij lloji shkrimesh, të natyrës inferiore, të shkruajtura nga entuziastët muslimanë, me qëllim identifikimin e Islamit me arritjet shkencore, shpesh të dyshimta. Pjesa tjetër e lexuesve, sigurisht e zënë në zgrips, do ta befasohet, e papërgatitur për një shkrim të tillë, meqë dimë se ekologjia është shkencë e re, aktuale, e kohëve të fundit, kurse Islami, siç e lexojmë e dëgjojmë shpesh, është fe e Mesjetës, arkaike, prapanike. Pjesa e tretë e lexuesve as do të dëshpërohet, as do të befasohet, por do të përforcohet në rrugën e besimit të tyre. Ky grup lexuesish, pak a shumë, posedon njohuri për Islamin dhe për përmasat e tij dhe këtë titull e pret thuajse normalisht, madje të vonuar.
Por, përse, nga buron dëshpërimi, befasia apo edhe skeptika ndaj këtij shkrimi?
Ka shumë shpjegime dhe shumë faktorë për një përgjigje përkatëse përse një pjesë e lexuesve, së paku në shikim të parë, do të dëshpërohet ose të paku do të befasohet. Ata mendojnë se ruajtja e mjedisit, ekologjia, vetëdija ekologjike, ekosistemi, ekuivalenti ekologjik, valenca ekologjike e shprehje të ngjashme me këto janë shpikje të kohëve të fundit të Perëndimit. Dhe vërtetë, disa nga shprehjet e përmendura janë shpikje e Perëndimit përballë sfidave, rrezikut dhe kërcënimit nga zhvillimi bashkëkohor që kanos natyrën dhe mjedisin që na rrethon. Sidoqoftë, deri sot është bërë pak në studimin e mirëfilltë të shkaqeve të lindjes së krizës së mjedisit jetësor. Akcesi aktual është parcial dhe evrocentrist. Kryesisht veprimet janë të tipit të fushatave, e jo sistematike dhe profesionale. Poashtu, akcesi aktual orientohet kah pasojat e jo shkaqet e krizës, akces ky që nuk premton lumturi të plotë. Megjithatë, dalja në skenë e shumë partive të gjelbra, të shumë fondacioneve, shoqatave e individëve, që ofrojnë ndihmën e tyre, jep shpresa për një të ardhme më të mirë. Kontributi ynë le të jetë në mesin e atyre që nxisin të gjitha palët për trajtim të gjithanshëm dhe konstruktiv: ku të gjitha fetë, kulturat, qytetërimet duhet ta japin angazhimin e tyre. Për të trajtuar krizën ekologjike para së gjithash duhet ta njohim ç’është ekologjia. Ndaj, ekologjia është shkencë e cila më mënyrë interdisiplinare merret me hulumtimin e raporteve të njeriut por edhe të qenieve të tjera ndaj natyrës. Disa ekologjinë e përkufizojnë si “ekonomi të natyrës së gjallë, shkencë mbi prodhimin dhe shpërndarjen e materies organike në natyrë dhe mbi ekzistencën e botës së gjallë përgjithësisht. Ndërgjegjja ekologjike e njeriut dhe ekologjia, në kuptimin figurativ, janë të pranishme në jetën e njeriut në këtë botë qysh nga fillimi i historisë. Në kulturat arkaike njeriun e gjejmë në bashkëpunim të plotë me natyrën si një organizëm të madh. Në kulturat e larta qëndrimi i njeriut ndaj natyrës sillet në bazë të diturisë dhe teknikës, që, megjithatë, i ngjasojnë natyrës. Në traditat shpirtërore lindore natyra përjetohet në vertikalen metafizike të manifestimit hyjnor. Në qytetërimin modern, të mbështetur mbi bazat e shkencës moderne e teknikës, që nuk ngjason më as me njeriun as me natyrën, njeriu sillet ndaj natyrës si ndaj objektit të thjeshtë, në mënyrë rrënuese. Sot në botë kriza ekologjike konsiderohet si një prej problemeve më të mëdha para së cilës ndodhen njerëzia, natyra dhe jeta. Ndër karakteristikat më të rëndësishme të krizës ekologjike para së cilës gjendet njeriu është ajo e natyrës planetare. Ajo i përket jetës së tërë njerëzisë dhe tërë planetit. Mirëpo, për kërcënimet e tmerrshme të krizës ekologjike di vetëm numër i kufizuar njerëzish. Këtë gjendje e shkaktojnë vendet më të fuqishme dhe më të pasura në botë. Shpesh njeriu, i ballafaquar me seriozitetin e krizës ekologjike, qëndron para dilemës se a ka fare rrugëdalje! Disa thonë se paradigma ekonomike e shekullit XX do të zëvendësohet me paradigmën ekologjike në jetën ekologjike të shekullit XXI. Shumica e faktorëve relevantë krizën ekologjike e shohin në krizën morale të botes. Dalja nga kriza sipas tyre qëndron në kthimin jetës së moralshme kundrejt vetë njeriut, mjedisit ku jeton etj. Kështu, Simons, në Konferencën e OKB-së për ruajtjen e mjedisit jetësor, më 1972, ndër të tjera pohoi: “Ka ardhur koha kur do të duhej të bashkohen morali dhe shkenca që të sigurojnë udhëzim përkatës për veprim dhe sjellje të individëve dhe grupeve, d.m.th. udhëzim që nuk është i bazuar ekskluzivisht në prodhimin e sa më shumë të mirave në vendet e zhvilluara”. Disa krizën ekologjike e shohin në: shkatërrimin dhe zhdukjen e mijëra llojeve biologjike, në urbanizim dhe stërpopullim, në ngrohjen globale, në vrimat e ozonit, në shkatërrimin e pyjeve, ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, në mungesën e ujit të pijshëm, të teknologjinë rrezikuese, kontaminimin radioaktiv, dioksidin e karbonit etj. Qysh në vitin 1970, nga tubimi në Mentoni, 2200 shkencëtarë me famë botërore i bënë apel njerëzisë: “Edhe pse gjeografikisht jemi gjerësisht të ndarë, me kultura, gjuhë, pikëpamje, me përkatësi politike dhe religjioze mjaft diversitive, ne jemi të bashkuar në kohën tonë për shkak të rrezikut të përbashkët, deri tash joekzistues. Ky rrezik, çfarë njeriu nuk ka takuar, ka lindur me takimin e shumë dukurive të ndryshme. Secila prej tyre na vë para problemeve të pazgjidhshme, kurse marrë së bashku, ato nuk do të thonë sigurisht vetëm rritje të gjerë të vuajtjeve njerëzore në ardhmërinë e drejtpërdrejtë, por mundësinë e zhdukjes, ose zhdukjes virtuale të jetës njerëzore në tokë.” Pra, burimet e krizës ekologjike janë të ndryshme, por ato para së gjithash duhet kërkuar në zhvillimin e diturisë moderne të privuar nga kuptimi dhe nga vlera. Mbi baza të diturisë së këtillë, të liruar nga përgjegjësia morale dhe nga ideali i urtësisë, merr hov rritja e tmerrshme e fuqisë teknologjike të njeriut. Kjo fuqi përplaset në mënyrë të pakontrollueshme në natyrë në shoqërinë industriale të ngritur në dituri, teknikë dhe ekonominë kapitaliste. Historikisht, njeriut i është dashur t’i përshtatet mjedisit ku jeton, të ndryshojë sjelljen e tij, të ruhet nga rreziqet, por edhe të ndryshojë mjedisin për ta bërë atë më të përshtatshëm për ekzistencën e tij. Pikërisht në këtë proces të ndërsjellë ndryshimet njeri dhe mjedis linden problemet ekologjike. Revolucioni industrial, progresi i vrullshëm i shkencës dhe teknikës, prodhimi dhe konsumi në përjetësime të mëdha, prish ekuilibrin në biosferë, ndryshon ekuilibrin natyror ndërmjet njeriut dhe mjedisit.
Meqenëse kriza ekologjike në botë është pasojë e shumë faktorëve, për zgjidhjen e saj duhet të marrin pjesë të gjithë: filozofët, politikanët, shkencëtarët, poetët, teologët, lindorët dhe perëndimorët, të zhvilluarit dhe të pazhvilluarit dhe të gjithë të tjerët të cilët këtë tokë e konsiderojnë shtëpi të tyren. Ofrimi i konceptit islam për kontribut në zgjidhjen e krizës ekologjike në botë duhet të përfillet dhe seriozisht të punohet në të. Leximi me kujdes i Kur’anit dhe Hadithit dhe i literaturës relevante islame, përkundër ofensivës dhe atakut agresiv të Perëndimit, tregon se Islami megjithatë vazhdon të jetojë si forcë e fuqishme religjioze dhe shpirtërore në mendjen dhe shpirtin e pjesëtarëve të tij. Islami ndihmon të kuptojmë se këto mësime në mënyrë aktive e mbrojnë mjedisin e njeriut, duke ruajtur harmoninë e krijesave në natyrë, duke ruajtur harmoninë ndërmjet njeriut dhe natyrës dhe njeriut dhe resurseve në natyrë, Islami ndihmon që muslimani i përkushtuar t’i kundërvihet diktatit të makinës. Nga Kur’ani dhe Hadithi shohim se kujdes i meritueshëm i bëhet vetë njeriut, pastaj faunës dhe florës sikur edhe katër elementeve shumë të rëndësishme: tokës, ujit, zjarrit dhe ajrit. Për ekologjinë islame me rëndësi të madhe është perceptimi islam i Natyrës. Sipas burimeve islame Natyra është vend i manifestimit dhe veprimit të emrave dhe atributeve hyjnore. Natyra është libër i Zotit i hapur njeriut në mënyrë analitike. Në faqet e saj Zoti i shkruan shenjat (ajetet) e veta. Në traditën islame jeton mendimi për Natyrën si Kur’an që hesht dhe për Kur’anin si Natyrë që flet. Natyra është gjithnjë e gjallë. Ajo e lavdëron Krijuesin e saj: “… po secili noton në një galaktikë.” (Jasin, 40).
Për etikën ekologjike islame është me rëndësi vitale fakti se në islam nuk ekziston ndarja në botën sakrale dhe profane. E tërë bota është e përshkuar me Shenjtëri. Shenjtërinë e botës, të natyrës e përshkruan në mënyrë të shkëlqyeshme, mendimtari islam Friçof Shuon duke pohuar: “Natyra e virgjër e paprekur posedon vetvetiu dinjitetit e vendit të shenjtë dhe të këtillë e konsideron shumica e popujve nomadë dhe gjysmë nomadë, e sidomos Indianët e kuq … Për Indianët pylli është vendqëndrim natyror i urtakëve, kurse respekt të ngjashëm të pozitës së shenjtëruar të natyrës ndeshim në të gjitha traditat që kanë, madje edhe tërthorazi, karakter primordial apo mitologjik.” Këto përgjegjësi, këto detyrime ndaj natyrës Islami i rregullon me ligj; nëpërmjet fikhut detyrimet morale sanksionohen dhe bëhen të shenjta. Kjo nënkupton edhe angazhimin politik. Lufta politike për vetëdije ekologjike dhe për politikë ekologjike legjitimizohet. Muhammedi a.s., edhe nga kundërshtarët edhe nga përkrahësit është konsideruar si respektues i madh i përdorimit të arsyeshëm të tokës, të ajrit, të ujit, i trajtimit të kafshëve, shpezëve dhe bimëve. Është tejet interesant konceptimi bashkëkohor i mjedisit nga ana e Muhammedit (a.s.), udhëzime këto që janë aktuale deri sot dhe do të jenë deri në Ditën e fundit. Filozofia Islame (ajo e Kur’anit dhe e Hadithit) para së gjithash është holistike, që do të thotë se nënkupton lidhshmërinë bazore dhe ndërvarshmërinë e të gjitha elementeve natyrore dhe doktrinën e vet e mbështet mbi premisën se nëse njeriu abuzon apo ekzagjeron një element natyror, bota si tërësi pëson pasoja të drejtpërdrejta. Njeriu në vend që ta nënshtrojë dhe dominojë natyrën, ai duhet të miratojë normat dhe ritmet e saj. Për natyrën nuk duhet biseduar nga pozicioni i dobisë së njeriut, i gllabërimit të natyrës, i eksploatimit të saj të vrazhdë, por me natyrën duhet sjellë dhe vepruar sikur prindi i mirë me fëmijën e tij. Sipas Islamit Toka ka rëndësi të veçantë. Kjo shprehje është ndër të frekuentuarat në Kur’an në raporte të ndryshme, materiale dhe fizike, të dukshme dhe të padukshme. Miratimi i faktit se Allahu është Fillimi dhe Fundi, d.m.th. se për njohjen e botës nevojitet t’i drejtohemi Atij. Është vështirë të numërohen të gjitha rendësitë e tokës, por pacenueshmëria e dheut dhe tokës si vend i pastër, vend i namazit dhe dheu si mjet i pastrimit, që është rast me tejemumin, këtë më së miri e dëshmojnë. Muhammedi a.s., tokën e konsideronte të nënshtruar për njeriun, por konsideronte se toka nuk duhet eksploatuar pa masë. Edhe bimët edhe toka kanë të drejtat e tyre, të cilat njeriu duhet t’i respektojë sipas masës së tyre e jo sipas masës së vetë njeriut. Për këtë qëllim, Muhammedi a.s., ka mbrojtur territore të caktuara, pyje dhe botën e egër, duke formuar zona të mbrojtura si hima apo si harem (ndalesë), në të cilat begatitë nuk bën të preken. Këto zona të ndaluara kanë qenë kryesisht afër puseve dhe burimeve të ujit. Hima janë ato vende të egra dhe male, ku prerja e drunjve, kullotat dhe gjahu është i kufizuar në kohë dhe në lloje. Muhammedi a.s., jo vetëm që ka nxitur shfrytëzimin e matur të tokës pjellore, por pasuesve të tij u ka urdhëruar edhe kultivimin e tokës jopjellore, mbjelljen e drunjve, mbjelljen e drithërave dhe pemëve dhe ujitjen e tokës së thatë. Të gjitha këto janë konsideruar sadakë. Me një rast Muhammedi a.s., ka thënë: ‘’Kush e gjallëron një tokë të vdekur (të papunuar), ky njeri do të shpërblehet për të”, kurse me një rast tjetër e bën pronar të saj. Në rrethanat shkretinore, në të cilën ka jetuar edhe Muhammedi a.s., uji ka qenë sinonim i jetës.
Imam El-Gazaliu shpreh habi se si njerëzit e caktuar kur është fjala për ujin “janë neglizhentë kundrejt kësaj begatie.” Edhe sipas Kur’anit, uji është dhuratë e Zotit dhe burim i jetës në Tokë: “…dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi …” (el-En-b?a, 30)
Muhammedi (a.s.) gjithnjë kishte për prioritet mbrojtjen e ujit. Për këtë arsye, burimet e ujit dhe ambientin e tij në shumë vende i bëri zota të pacenueshme (haram). Madje, edhe kur uji është me bollëk, kursimi i ujit është domosdoshmëri. Kursimi i ujit është edhe në çështjet më elementare, si pastrimi, abdesti etj. Po ashtu, është detyrim fetar të ruhet pastërtia e ujit. Për këtë arsye ndalohet ndotja e ujit, hedhja e fekaleve në ujë, urinimi në ujë të mbledhur etj. Pajtueshmëria e njeriut me mjedisin e tij është nevojë dhe domosdoshmëri. Kjo pajtueshmëri, harmoni në të cilën insiston Islami, e të cilën Imam El-Gazaliu “si lidhje të pakushtëzuar ekzistenciale ndërmjet Shpalljes dhe krijimit apo ndërmjet Fjalës dhe Aktit, apo ndërmjet Dijes dhe Sajimit (krijimit) apo ndërmjet Fjalës dhe Natyrës e sheh brenda perspektivave shpirtërore të emrave të bukur të Allahut” gjatë historisë është përdhosur, thyer. Për pasojë kemi degjenerimin dhe bastardimin e natyrës, të njeriut, të faunës dhe florës. Është e qartë së mësimi Islam krijon lidhjet e nevojshme për bashkëpunim, vendos rregullat për qëndrim të drejtë të njeriut kundrejt Tokës, ndërmjet botës shtazore dhe bimore, dhe me këtë për qëndrim të drejtë kundrejt Krijuesit dhe botës së padukshme: engjëjve, xhinëve dhe djajve. Kjo gjendje e shprehur me gjuhë të metafizikës do të thoshte se “natyra e cila pakusht është reduktuar në kuantitet, kurse mikrokozmosi njerëzor ka humbur strukturën e tij tre veprues të frymës (ruh/spiritus), të shpirtit (nefs/anima) dhe të trupit (xhism/corpus)”, duhet kthyer në një substancë të afruar dhe të bashkuar, në natyrën e tyre origjinale. Kriza ekologjike është me karakter global dhe muslimanët duhet të inkuadrohen në këtë çështje seriozisht. Por, në këtë aksion duhet të inkuadrohen edhe judaistët, kristianët, budistët, konfuqionistët etj., nga një anë dhe shekullaristët, laicistët, nga ana tjetër.
Kriza ekologjike e natyrës kërkon kujdes global dhe mësimet islame do të ndihmonin dhe udhëzonin në zgjidhjen e krizës së mjedisit. Perëndimi po ashtu, duhet ta kuptojë se kulturat e lindjes, sidomos ajo islame, mund të ofrojë “çelësin” për zgjidhjen e problemit. Perëndimi, duke iu falënderuar fesë primordiale ibrahimiane, ndër të cilat gjendet edhe Islami, këtë çelës e ka poseduar, por tashmë një kohë të gjatë e ka humbur. Kur’ani pohon: “Dhe thuaj: ‘Erdhi e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra’. Vërtet gënjeshtra gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (El-Isra`, 81).
Ligji i Allahut (sheriati) qartë ka përcaktuar detyrat dhe obligimet e njerëzve kundrejt sistemit dhe mjedisit natyror. Njeriu është i obliguar t’i ndihmojë njerëzit tjerë dhe t’i zgjidh problemet e të varfërve por edhe mos ta ndotë ajrin, ujin, token. Njeriu ka obligime edhe ndaj botës së xhinëve dhe engjëjve, shtazëve dhe shpezëve, bimëve dhe çdo gjëje qe e rrethon. Fakti se të gjitha këto janë krijuar për njeriun nuk i jep të drejtë atij t’i eksploatojë këto të mira në mënyrë joracionale. Njeriu drejton me të gjitha krijesat sipas udhëzimeve të Kur’anit kurse sipas shembullit të Muhammedit a.s.. Ai duhet të bëhet rob (abd) i Allahut dhe vullnetin e tij (ibadet) t’ia dorëzojë Allahut, me Tokën dhe qiej, dhe mjedisin natyror të jetojë në paqe, rehati dhe harmoni të plotë.



Nexhat S. Ibrahimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hapen xhamitë për besimtarë