Vlera e shëndetit dhe kohës në Islam (I)

Nga Ibën Abasi r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Dy begati janë të humbura te shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë"(1)

Hadithi tregon se në përgjithësi njerëzit nuk përfitojnë aq sa duhet nga shëndeti dhe koha e lirë, përkundrazi i shpenzojnë aty ku nuk e meritojnë. Begatitë që posedon dhe shfrytëzon njeriu janë të shumta. Ato nuk përkufizohen e as nuk numërohen. Disa prej tyre janë të brendshme shpirtërore, e disa të tjera janë të jashtme-materiale. Të gjitha begatitë janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, dhe secila ka vlerë e rol të veçantë për jetën e njeriut. Filozofia dhe urtësia e kësaj jete është e ngritur mbi këto begati. Nuk mund të paramendohet jeta e njeriut pa këto begati shpirtërore dhe materiale. Në hadithin e lartpërmendur janë theksuar dy begati, që për nga vlera dhe roli që kanë mund të themi se janë dy shtylla që jetën e njeriut e bëjnë të jetë dinamike dhe interesante. Të gjitha sferat dhe fushat e jetës medoemos duhet të varen nga shëndeti dhe koha e lirë. Nëse njeriu orvatet t' i numërojë të mirat dhe begatitë që shihen dhe nuk shihen, do të dështojë ngase Allahu xh. sh. ka thënë: "Po edhe nëse përpiqeni t' i numëroni dhuntitë (begatitë) e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përcaktoni ato." (En-Nahl, 18) Këto begati janë dhunti dhe sprovë për njeriun, që një ditë do t'i nënshtrohet patjetër përgjegjësisë se si i ka shfrytëzuar këto begati dhe sa ka qenë i suksesshëm në këtë sprovim. Njeriu në tërësi në këtë botë është krijuar si sprovë. Në kontekst me këtë Allahu xh. sh. thotë: "Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është i Plotfuqishëm dhe falës i Madh." (El-Mulk,2) Të gjithë njerëzit në këtë hapësirë, në këtë nënqiell, gjenden në një sallë të madhe provimi, të shoqëruar nga përcjellës që regjistrojnë çdo lëvizje të vogël ose të madhe. Allahu xh.sh. thotë: "(Njeriu) Nuk flet ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm." (Kaf,18) Pra, trupi dëshmon, toka dëshmon, njerëzit do të dëshmojnë për njëri-tjetrin. E mbi të gjitha këto, Allahu është Dëshmitar. Kohëzgjatja e sprovës së kësaj bote fillon nga moment i pjekurisë, dhe vazhdon deri në vdekje. Përderisa studenti në provim e di se edhe sa kohë i ka mbetur, njeriu nuk e di se edhe sa kohë i ka mbetur nga jeta e tij. E sikur nxënësi të jetë njoftuar paraprakisht se koha e provimit nuk është e caktuar, po në çdo moment pritet t' i merret fleta e përgjigjeve, ai do të bëjë të gjitha përpjekjet që t'u përgjigjet sa më shumë pyetjeve, dhe asnjë moment nuk do ta humbas, vetëm e vetëm që ta shfrytëzojë kohën e provimit, në mënyrë që ta kalojë me sukses provimin e kësaj jete. Sa u përket mjeteve të provimit, dihet se nxënësi si mjet përdor lapsin dhe fletët e veçanta, ku shkruan, kurse mjetet e provimit te njeriu janë trupi, koha, pasuria, dija dhe çdo gjë që i është dhënë nga energjia dhe fuqia e tij. Provimi i njeriut përbëhet nga pyetje të ndryshme, e ndër to: - obligimet dhe farzet që duhet t' i kryejë; - ndalesat dhe haramet, nga të cilat duhet të largohet; - begatitë për të cilat duhet të jetë falënderues; - sprovat dhe fatkeqësitë për të cilat duhet të bëjë durim. Hadithi i Resulullahit s.a.v.s. na kujton begatitë për të cilat njeriu duhet të jetë falënderues, në mënyrë që të mos vijë koha e të mos pranohet pendimi. Nëse njeriu nuk është në gjendje t'i numërojë begatitë, atëherë edhe më vështirë e ka të jetë falënderues për to, edhe pse të falënderuarit e Allahut xh. sh. për këto dhunti është i domosdoshëm, për t'u arritur lumturia dhe kënaqësia e kësaj bote dhe botës së pastajme. Esenca e këtyre dhuntive është besimi në Allahun xh. sh. dhe gjithçka që vjen nga Ai. Gjithashtu dhunti është mendja, të dëgjuarit, të shikuarit, shëndeti, pasuria, fëmijët etj. Dhunti është edhe secila nga qelizat e trupit, pra kemi shumë dhunti që nuk mund të numërohen. Prej dhuntive kryesore të Allahut për robërit e Tij janë dy: 1. Dhuntia e shëndetit, dhe; 2. Dhuntia e kohës së lirë. Dhuntia e shëndetit përfshin trupin, të dëgjuarit, të shikuarit, zemrën, gjymtyrët. Në këto dhunti mbështetet çdo lëvizje e njeriut. Aty gjendet ekzistenca e tij, të cilat duhet t'i shfrytëzojë dhe jo t'i humbas, ashtu siç porositi i Dërguari i Allahut, kur e këshilloi umetin islam për vlerën e shëndetit dhe të kohës. Ibën Abasi r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s., duke këshilluar një njeri, tha:"Shfrytëzoji pesë gjëra para se të të vijnë pesë të tjera: (shfrytëzoj e) rininë tënde para se të të arrijë pleqëria; shëndetin tënd para se të të arrijë sëmundja; pasurinë tënde para se të të arrijë varfëria; kohën e lirë para se të bëhesh i zënë; jetën tënde para se të të arrijë vdekja.”(2) Ky hadith bën të qartë rëndësinë e shumë begative, por në veçanti atë të shëndetit dhe të kohës së lirë. Në këtë hadith kemi retorikë dhe elokuencë. Në fillim është dhënë ana e përgjithshme e hadithit, pastaj vjen detaj imi i tij për secilin veç e veç. Ky hadith fillon duke përmendur forcën fizike, fuqinë mendore, shëndetin e mire, dhe përfundon duke përkujtuar ato që pasojnë pas tyre: plogështinë, dobësinë, rraskapitjen dhe përfundimin e botës materiale. Pra, nga kulmorja deri tek ajo më e ulëta. Shpeshherë njeriu këto begati nuk i ndien, edhe pse i shfrytëzon vazhdimisht për nevoja jetësore. Këtë mund ta ilustrojmë edhe me një shembull: Njëherë një i varfër po i ankohej një dijetari për varfërinë që e kishte kapluar, duke thënë se Zoti nuk i kishte dhënë asnjë dhunti. Dijetari, pa hezituar fare, e pyet: "O njeri, a e shet të shikuarit tënd për njëqind mijë dërhemë?" I varfri tha: "Jo." - "A e shet të dëgjuarit tënd për njëqind mijë? A i shet këmbët e tua për njëqind mijë? Mendjen tënde, a e shet për njëqind mijë?" Ai thoshte: "Jo. Jo." Atëherë dijetari i tha: "Për çfarë varfërie po ankohesh, për sa kohë që posedon miliona e miliona dërhemë?!" Atëherë ky njeri i varfër kuptoi se dhuntitë jomateriale që ia kishte dhënë Zoti ishin më të mëdha se dhuntia materiale, dhe se dhuntitë e Zotit qenkan të shumta, të panumërueshme dhe të pakufizueshme. Dhuntitë janë sprovë, e jo privilegj dhe shpërblim Dhuntitë e ndryshme, që janë dhuratë prej Krijuesit tonë, për nga ana formale dhe e jashtme mund të kuptohen si privilegj dhe shpërblim për njeriun. Ndërsa e vërteta e tyre është se ato nuk janë privilegj dhe shpërblim, por janë sprovim për njeriun, ngase njeriu këto dhunti i ka të përkohshme e jo të përjetshme. Çdo gjë që është e përkohshme, edhe efektin e ka të përkohshëm dhe nuk mund të llogaritet si privilegj e shpërblim, por vetëm sprovim. Andaj, a do të jetë i suksesshëm në to apo jo? Se dhuntitë janë sprovë e jo privilegj e shpërblim e tregon edhe ky ajet i Kuranit: "E njeriun, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: Zoti im më ka nderuar! Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: Zoti im më ka nënçmuar!" Jo, assesi nuk është ashtu." (El Fexhër, 14-15) Në përgjithësi, dhuntitë materiale në këtë botë janë të përkohshme dhe sprovim për njeriun. se sa vlerë ka kjo botë materiale mund të shihet edhe në hadithin e Muhamedit a.s., i cili thotë: "Sikur të vlente kjo botë sa krahu i mushkonjës (sa mund të bartë krahu i saj), (Allahu) nuk do t'ia jepte jobesimtarit asnjë pikëz ujë."(3) Se kjo botë materiale është e përkohshme, e pavlerë dhe mashtruese, e dëshmon edhe ky ajet i Kuranit: "E sikur të mos ishte se njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t'ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriheshin. Edhe dyert e shtëpive të tyre nga argjendi, edhe kolltukët mbi të cilët do të mbështeteshin. Edhe stoli-dekorime të ndryshme (ari) etj. E të gjitha këto nuk janë gjë tjetër pos kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur (të devotshëm)." (Ez Zuhruf, 33-35) Këto ajete e tregojnë në mënyrë të qartë se pasuria e kësaj bote është e përkohshme, e meqenëse është e përkohshme, ajo nuk është gjë tjetër pos sprovim nga Krijuesi i gjithësisë. Pra, sikur të mos ishte lakmia për pasuri, mashtrimi dhe devijimi nga besimi i vërtetë duke lakmuar stolitë e kësaj bote, mundësitë e Zotit janë që jobesimtarët t'i bëjë të pasur pa masë, ngase përfundimi i kënaqësive të kësaj bote është i shpejtë. E ajo që peshon rëndë janë veprat për botën e pastajme. E, sikur pasuria e kësaj bote të ishte privilegj e shpërblim, atëherë pejgamberët do të ishin njerëzit më të pasur, kurse jobesimtarët nuk do të zotëronin asgjë nga kjo jetë. Ajo që njeriun e bën të privilegjuar tek Allahu nuk është as pozita e as pasuria, por është besimi dhe vepra e mirë. Në kontekst me këtë Allahu xh.sh. thotë: "S'ka dyshim se më i privilegjuari prej jush tek Allahu është ai që ka më tepër devotshmëri." (El Huxhuratë, 13) Shembulli i dhuntive është sikurse shembulli i arsimtarit, i cili i jep secilit nxënës nga një libër. Disa libra janë më të mëdhenj, disa të mesëm e disa të vegjël. Ata që morën librat e mëdhenj u gëzuan, ndërsa ata që morën librat e vegjël u zemëruan. E pasi përfundoi dhënia e librave për secilin nxënës, arsimtari u tha: "Secili prej jush do t'i nënshtrohet provimit në bazë të librit që i është dhënë." Atëherë ata që kishin marrë libra të vegjël u gëzuan, ndërsa ata që morën libra të mëdhenj u zemëruan dhe thanë: "Ah sikur edhe neve të na ishin dhënë libra të vegjël." Kështu do të ndodhë edhe me gjendjen e dhuntive të kësaj bote. Koha si dhunti e pakompensueshme Hadithi bazë menjëherë pas shëndetit vë në pah kohën e lirë, si dhunti themelore për shfrytëzimin e jetës dhe ndërtimin e barazimin e kësaj bote me botën tjetër. S'ka dyshim se edhe koha është begati e dhuruar nga Krijuesi i gjithësisë. Pjesë e kohës është edhe nata edhe dita, të cilat Allahu i ka krijuar që të jenë në funksion, shërbim dhe lehtësim të jetës së njeriut. Jeta do të ishte shumë e mundimshme për njeriun sikur të ishte krejt koha ditë ose natë. Në kontekst me këtë, Allahu xh. sh. thotë: "(Allahu) për ju nënshtroi Diellin dhe Hënën, që në mënyrë të zakonshme udhëtojnë vazhdimisht. Për ju përshtati edhe natën e ditën. Dhe Ai jua dha gjithë atë që kërkuat (që kërkoi nevoja e juaj), edhe në qoftë se përpiqeni t'i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përkufizoni (në numër). Vërtet njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës." (Ibrahim: 33-34) Imam Fahrudin Err-Rraziu, në komentimin e kaptinës El-Asr - Koha, thotë: "Vërtet Allahu xh. sh. në fillim të kësaj kaptine është betuar në kohën, ngase në të ndodhin çudira. Në të ndodh gëzimi, hidhërimi, shëndeti, sëmundja, pasuria, varfëria. Aty gjendet jeta, që është më e shtrenjtë se çdo gjë ... Pra koha, në mënyrë globale është shtylla e të gjitha dhuntive ... Pastaj Allahu xh.sh. na e tërhoqi vërejtjen se nata dhe dita janë një rast që njeriu po e përbuz dhe humb. Për këtë sinjalizon edhe ky ajet: "Ai është që bëri natën e ditën zëvendësuese të njëra-tjetrës, për atë që dëshiron të mendojë apo të falënderojë." (Furkan, 62). Allahu xh. sh. u betua në kohën se ajo është më e lartë dhe më e vlefshme se vendi. Mandej koha është dhunti pa vërejtje, ndërsa humbës dhe me vërejtje është njeriu."(4) S'ka dyshim se jeta është pasuria kryesore, e për këtë njeriu mban përgjegjësi dhe do të pyetet. Do të pyetet se si e programoi, si e kaloi dhe ku e harxhoi. Në kontekst me këtë Pejgamberi a.s. thotë:"Këmbët e njeriut në Ditën e Kiametit nuk do të bëjnë hap pa u pyetur për katër gjëra: - për jetën e tij, ku e harxhoi; - për rininë, ku e kaloi; - për pasurinë, si e fitoi dhe si e shpenzoi, dhe; - për diturinë, se çka ka praktikuar prej saj.”(5) Islami kohën e ka çmuar lart, si në urdhrat ashtu edhe në ndalesat e tij. Me urtësi shumë të lartë ka luftuar pakujdesinë, papërgjegjësinë, e në veçanti ata që kohën e kalojnë kot, duke qenë të pavetëdijshëm se si po luajnë me të. Humbjen e kohës e ka konsideruar shkatërrim për individin dhe për shoqërinë në tërësi. Këtë më së miri e përshkruan ky hadith: Fatimja, bija e Pejgamberit s.a.v.s., tregon se një mëngjes, përderisa ishte në gjumë dhe e shtrirë, erdhi Pejgamberi s.a.v.s. dhe e zgjoi me këmbën e tij, e pastaj tha: "O bija ime, zgjohu dhe dëshmoje riskun (furnizimin) e Zotit tënd, dhe mos u bëj prej atyre që janë të pakujdesshëm (ndaj kohës). Se vërtet Allahu riskun (furnizimin) e njeriut e ndan në mes agimit dhe lindjes së diellit.”(6) Nga ky hadith shihet qartë se çfarë rëndësie ka koha, sidomos ajo e mëngjesit (falja e namazit dhe kërkimi i riskut). Përmes këtyre qëndrimeve Pejgamberi a.s. na e tërhoqi vërejtjen që të mos i humbim këto dy dhunti që shumica e njerëzve nuk po i shfrytëzojnë, po i bëjnë mizori vetes, po e nënçmojnë pozitën e tyre nga pakujdesia dhe mosvlerësimi i tyre. Njerëzit nuk janë falënderues, nuk përfitojnë e nuk i përmbushin normat jetësore të punës duke mësuar nga lëshimet e së kaluarës për të plotësuar të ardhmen. Ata kanë ngecje të mëdha në kryerjen e obligimeve dhe arritjen e mirësive. Pak njerëz shpejtojnë drejt veprave të mira që mbeten edhe pas vdekjes, nuk e kuptojnë se së shpejti vjen moment, e nuk vlen as pendimi por mbetet zhgënjimi. Të paktë janë njerëzit syçelë, largpamës dhe që llogaritin veten, që e ndiejnë përcjelljen e Allahut xh. sh. Këta njerëz largpamës i çmojnë vlerat e dhuntive duke përfituar prej tyre, duke bërë vepra të mira që meritojnë shpërblimin e Zotit xh. sh. Shembulli i atyre që e shfrytëzuan kohën Historia jo rrallë flet edhe për njerëz që e njohën vlerën e kohës, e shfrytëzuan atë dhe përfituan nga ajo. Këta njerëz për moto kishin këtë fjalë:"Dituria kërkohet prej djepit deri në varr." Ndër ta kanë qenë edhe Ebu Hanifja dhe nxënësit e tij. Vlen të përmendet më kryesori i nxënësve të tij, që ishte Ebu Jusufi. Kur ai ishte shumë i sëmurë, në momentet e fundit të jetës së tij, kishte ardhur për vizitë nxënësi i tij El-Kadi Ibrahim bin El-Xherah. Ibrahimi tha: "Ebu Jusufi ishte shumë i sëmurë. Shkova për ta vizituar e ai ishte në gjendje mjaft kritike. Ishte në agoni, dukej si i alivanosur. Kur i çelte sytë, më thoshte mua: "O Ibrahim, çfarë mendon për këtë çështje të jurisprudencës ... " E unë, duke pasur parasysh gjendjen e tij, i përgjigjesha se edhe kjo ka zgjidhje ... Pastaj më tha: "O Ibrahim, çfarë mendon, cila ka përparësi, gjuajtja e gurëve (në haxh) në këmbë apo hipur?" Unë i thashë: "Përparësi ka gjuajtja e gurëve hipur." Ai tha: "Ke gabuar." Unë i thashë: "Pra, në këmbë." Ai tha: "Ke gabuar." - "Pra, më thuaj ti!" Ai më tha: "Nëse ke për qëllim të bësh lutje, atëherë përparësi ka gjuajta e gurëve në këmbë. E nëse nuk ndalesh për lutje, përparësi ka gjuajtje e gurëve hipur. Pastaj u largova nga ai, dhe ende pa arritur te dera e shtëpisë dëgjova një të qarë, nga e cila kuptova se Ebu Jusufi kishte ndërruar jetë."(7) Shembull tjetër kemi edhe Ibën Xherir Et- Taberiun, i cili qëndron në krye të hadithologëve, mufesirinjve dhe historianëve. Ai konsiderohet shembull në përfitimin nga koha. Shkrimet e tij në fushat e fesë dhe shoqërisë janë aq shumë, saqë nëse numërohen ditët e jetës së tij dhe ndahen fletët e shkrimit prej pjekurisë e deri në fund të jetës, që ishin tetëdhjetë e gjashtë vjet, mund të përfundojmë se ai çdo ditë ka shkruar nga katërmbëdhjetë fletë. Tregohet një rast, kur para vdekjes së tij i kishte ardhur për vizitë një mik i tij, Xhafer bin Muhamed, i cili pasi qe ulur ia kujtoi një lutje Taberiut. Ky i fundit menjëherë e kërkoi ngjyrën dhe fletoren e tij, dhe e shkroi atë lutje. Atij iu tha: "Edhe në këto çaste po shkruan?! Taberiu tha: "Njeriu nuk duhet lënë shkrimin deri në vdekje."(8) Po të këtij rangu, që shfrytëzuan çdo minutë të jetës së tyre në kërkim ose shpjegim të diturisë, ishin edhe këta dijetarë: El Gazaliu, Ibën Sina, Ibën Haxheri, Neveviu, Ibën Xhevzij, Es-Sujutij, Ibën Tejmije, Ibën El-Kajjim, El-Menavi, AHj El-Kariju, Abdul Ganij En-Nabulusij etj., të cilët kanë shkruar mbi njëqind e pesëdhjetë tituj librash. Nga kjo që u përshkrua mund të themi se do të ishte mençuri e madhe sikur njeriu ta ruante kohën për përfitim, dobi dhe sistematizim. Pra, njeriu nuk duhet të jetë jashtë këtyre roleve: kërkues i diturisë, mësues, shkrues, lexues, dëgjues, testues, vëzhgues ose adhurues. Ai nuk duhet t'i bëjë padrejtësi vetes së tij, duke vrarë kohën kot, orët, momentet e jetës, e në fund të mbetet humbës për të tjerët dhe i humbur për vetveten. (Vijon) ________________ (1) "Fet'hul Bari, vëll. XI, nr. 6412, f. 229; "Sahihul Buharij", vëll. V, f. 2357, nr. 6049; "Sunen Et- Tirmidhij", vëll. IV, f. 550, nr. 2304. (2) El-Hakim, "El-Mustedrek ales-sahihajni", vëll. IV, f. 341, nr. 7846. (3) "Sunen Et- Tirmidhij", vëll. IV, f. 560, nr. 2320; El-Hakim, "El-Mustedrek alas-sahihajni", vëll. IV, f. 341, nr. 7847. (4) Err-Rrazij, "Et-tefsir el-kebir", vëll. 32, f. 80-81, botimi i parë, Bejrut, 1980. (5) "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. IV, f. 612, nr. 2417; "Sunen Ed-Darimij", vëll. I, f. 144, nr. 537. (6) El-Mutekij El-Hindij, "Kenzul ummali", vëll. XV, f. 814, nr. 42028. (7) Abdul Fetah Ebu Gudde, "Kimetul Vakt", f. 42. (8) Muhamed Alij, "Kunuzul Exhdad", f. 123. Prof.Ass.Dr. Musa Vila

Buy Flagyl Online

Flagyl is a broad-spectrum antibiotic. The drug is taken for diseases such as pneumonia and the like. Buy Flagyl Online and get a 30% discount with free shipping.

BUY AUGMENTIN ONLINE

The bactericidal drug Augmentin is used to treat acute bronchitis, inflammation of the skin and soft tissues, blood infections and various diseases. If you BUY AUGMENTIN ONLINE and tomorrow you will feel better, we guarantee. It is distinguished by universality, that is, children can use it.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.