Vlera e shëndetit dhe kohës në Islam (II)

Nga Ibën Abasi r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Dy begati janë të humbura te shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë."

S'ka dyshim se jeta e njeriut shpenzohet nga dita në ditë, e ne harrojmë se ajo kalon shpejt. O njeri, mos u trego i pakujdesshëm e të mos përfitosh nga ajo! Një dijetar thotë: "Rinia nuk i përngjet përveçse një gjëje që ishte e shumtë dhe u harxhua (ose e fortë dhe u dobësua)."

Ndërsa një poet thotë:
"Të rrahurat e zemrës sikur njeriut po i thonë
Vërtet jeta është disa minuta dhe sekonda
Lartësoje me një kujtim veten tënde pas vdekjes
Të kujtuarit për njeriun është jeta e pastajme."

Gjithashtu një poet tjetër thotë:
"Gjatë kohës kur je i lirë, shfrytëzoje vlerën e kohës së zënë
Se ndoshta vdekja të vjen papritur.
Sa prej të shëndoshëve kanë vdekur pa qenë të sëmurë?!"

Shkuan pa u vlejtur aspak shëndeti i tyre

Një njeri i tha një dijetari: - "Si je zgjuar sot?" Ai i tha: - "ç' mendon për një njeri që çdo ditë udhëton dhe shkon për në botën e pastajme?"
Një fjalë e urtë thotë: "O njeri, pse të gëzon kjo dynja, ku çdo ditë e harxhon muajin, e çdo muaj e harxhon vitin, e çdo vit e harxhon jetën tënde?"
Fudajl bin Ijadi i tha një njeriu: - "Qe sa kohë je në këtë jetë?" Ai i tha: - "Qe gjashtëdhjetë vjet." Fudajli tha: - "Ti qe gjashtëdhjetë vjet udhëton për të takuar Zotin tënd, e ndoshta tashmë e paske mbushur kohën." Ai tha: "Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun" - "Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi". (El Bekare, 156) Fudajli tha: -"A e di komentin e asaj që the? Pra, kush e di se është rob i Zotit dhe tek Ai do të kthehet, le ta dijë se ai është i përkohshëm. E kush e di se është i përkohshëm, le ta dijë se ai është i ngarkuar me përgjegjësi. E kush e di se ka përgjegjësi, le të përgatitet për pyetjet të cilave do t' u përgjigjet.” Atëherë njeriu tha: - "E cila është zgjidhja?" Ai tha: - "Kjo është e lehtë. Të veprosh mirë dhe ti do të jesh i falur në atë që të ka mbetur (nga jeta). Se vërtet ti sikur të veprosh keq në atë që të ka mbetur nga jeta, do të jesh i humbur në atë që të ka kaluar dhe në atë që të ka mbetur nga jeta.:(9)
Nga sa u theksua, shihet qartë se çdo send në këtë jetë mund të kompensohet, përveç kohës, prandaj shfrytëzimi i saj është gjë e domosdoshme. Sado që të shfrytëzohet koha, ajo prapë nuk është shfrytëzuar sa duhet. Këtë po e themi ngase koha është më e shtrenjtë se çdo gjë. E shtrenjta gjithnjë është e paktë dhe nuk i dihet vlera, përveçse pasi të kalojë. Por, kur kalon, atëherë është vonë. Nëse njeriu dëshiron të jetë i freskët në bamirësinë e tij, çdo herë që vepron ndonjë të mirë, le ta konsiderojë sikur ajo të ishte e fundit në jetën e tij, se kështu mbetet aktiv dhe entuziast në shfrytëzimin e kohës.
Njeriu ngutet për te Zoti dhe çdo rrotullim i Tokës agon me dhembjen e një mëngjesi të ri, i cili nuk është tjetër pos njëri prej stacioneve të rrugës në të cilën nuk ka ndalje. A nuk është mençuri që njeriu ta kuptojë këtë realitet dhe ta ketë çdoherë parasysh, duke shpalosur atë që ka para dhe pas vetes, sepse është mashtrim që ta konsiderojë veten të ndalur kur koha ecën?! Ky është mashtrimi i shikimit. Sikurse udhëtarit në tren që i duket se sendet në natyrë ecin e ai rri në vend. E vërteta është se koha ecën me vetë njeriun në vendqëndrimin e tij të përhershëm.
Islami është feja që e njeh vlerën e kohës dhe e vlerëson riskun e saj, duke e vërtetuar fjalën e urtë dhe të shtrenjtë: "Koha është si shpata, nëse ti nuk e pret (shfrytëzon) atë, ajo të pret." Kur myslimani e kupton këtë të vërtetë dhe i përmbahet kësaj rruge, atëherë kjo konsiderohet argument për besim dhe shenjë për devotshmëri: "Në ndërrimin e natës e ditës, dhe në çka krijoi Allahu në qiej e në Tokë, vërtet ka fakte për njerëzit që kanë drojë." (Junus, 6)
Nata zëvendëson ditën, ndërsa dita, me lëvizje të sferave në hapësirë, të cilat janë në rrjedhë të pandërprerë, zëvendëson natën, e Zoti i botëve nuk i krijoi këto pa ndonjë qëllim. Do të ishte turp për njerëzit që jetën e tyre në këtë hapësirë ta konsiderojnë të ngjashme me kotësitë; në realitet koha është një mejdan që është përgatitur për gara të gjata, gara në të cilat inkuadrohen vetëm ata që e njohin Zotin e tyre, ata që kujtojnë të drejtën e Tij, që falënderojnë për dhuntitë e Tij dhe që në vazhdimësi gjatë viteve bashkëngjisin mundin, përpjekjen e lodhjen për të gjetur qetësinë e mjaftueshme.
Sa u përket të eturve pas interesave të tyre të ngushta, ata nuk janë tjetër pos të marrë që nuk këshillohen me urtësi dhe nuk përfitojnë nga mësimi: “A nuk e shohin ata se për çdo vit sprovohen një herë apo dy herë, e përsëri nuk pendohen, e as nuk marrin mësim." (Et Tevbe, 126)
Nga metodat më efikase për shfrytëzimin e kohës është edhe inkurajimi për vazhdimësinë e veprës, edhe nëse ajo është e paktë, dhe përbuzja e së shumtës së ndërprerë, pasi vazhdimësia e veprës së paktë në kontinuitetin e kohës dhe rrjedhën e pandërprerë e shndërron atë nga e imët dhe e ligshtë, në kodër të madhe, ku as vetë individi nuk arrin ta vërejë. Islami gjithsesi
e urren që njeriu të bjerë në vrullin që do ta shtynte të shtojë dhe të teprojë, kurse pas pak kohe ta kaplojë bezdisja dhe ta ndërpresë veprën.(10)
Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “O ju njerëz, merruni me vepra në bazë të mundësive, ngase Allahu nuk bezdiset derisa ju nuk bezdiseni. Veprat më të dashura për Allahun janë ato që vazhdojnë, edhe nëse janë të pakta."(11)

Njeriu duhet të jetë falënderues për dhuntitë e dhëna

Dhuntia e kohës dhe e shëndetit nuk janë gjë tjetër pos një sprovim për njeriun nga vetë Krijuesi i tij. Për të qenë i suksesshëm në këtë sprovë, njeriu duhet të jetë falënderues për dhuntitë që ka. Falënderimi është disa llojesh.

Falënderimi me zemër

Ky falënderim konfirmohet kur njeriu ka bindje të plotë dhe të patjetërsueshme se këto dhunti rrjedhin nga Krijuesi që nuk ka rival. Në kontekst me këtë Allahu xh.sh. thotë: "Dhe çdo dhunti që e keni, ajo është prej Allahut." (En Nahl, 53). Pra, prej Allahut që është Një, në krijim dhe furnizim.
Në hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi thuhet: "Dije se sikur tërë njerëzit të tubohen për të të dhënë dobi për diçka, ata nuk do të bëjnë dobi përveç sa është përcaktuar nga Allahu xh. sh. për ty."(12)
Njeriu pas kësaj nuk mbetet asgjë përveç një mjet prej përcaktimeve të Allahut. Njerëzit nuk posedojnë dobi për veten, e si të posedojnë për të tjerët?!
Njerëzit i vërejnë ndodhitë, por janë indiferentë ndaj Dërguesit të tyre. Ata i shijojnë të mirat dhe të këqijat, por janë injorues ndaj Atij që ua jep ato. E kur u ndodh ndonjë trazirë, ata fillojnë të mallkojnë ditët që bartin tmerrin. Ky, pa dyshim, është një lloj injorimi ndaj Zotit dhe indiferencë ndaj përcaktimeve të Allahut te robërit e Tij. Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith kudsij (transmeton se Allahu xh. sh. ) ka thënë: "Më fyen biri i Ademit (njeriu), e shan kohën, e Unë jam koha. Në duart e Mia janë të gjitha çështjet, e ndërroj ditën dhe natën." Kjo do të thotë se koha nuk u shkakton njerëzve të mira apo të këqija për të cilat ata do të gëzoheshin apo do të dëshpëroheshin, por ato i sjell Zoti i kohës dhe vendit.(13)
Allahu xh. sh. thotë: "Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi dhe ju ktheheni te Ne." (El Enbija, 35)
Në disa ajete të Kuranit Allahu xh.sh. falënderimin e ka barazuar me besimin. Ai na ka treguar se nuk ka për qëllim t'i dënojë njerëzit nëse janë të gatshëm të falënderojnë dhe të besojnë: "Çfarë ka Allahu me dënimin tuaj? E falënderuat dhe i besuat?" (En Nisa, 147). Pra, nëse e mbani besën se jeni krijuar për falënderim dhe besim, atëherë ju nuk keni pse të frikësoheni nga dënimi.

Falënderimi me fjalë

Ky lloj falënderimi ekspozohet duke lëvizur gjuhën më shpesh me fjalën" Elhamdulilah - Falënderimi i takon vetëm Allahut." Të shprehurit e falënderimit dhe theksimi i tij ka bazë në Kuran: "E me të mirat (dhuntitë) që të dha Zoti yt trego!" (Ed Duha, 11)
Këtu, në këtë ajet, falënderimi nuk duhet të jetë formal (rija), por duhet të jemi mirënjohës ndaj dhuntive të Allahut, që të tjerët të inkurajohen me falënderim. Njerëzit ndahen në dy grupe: falënderues ose mohues të begative. Falënderuesit janë të dashurit e Allahut, ndërsa mohuesit janë të urryerit: "Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë mirënjohës ose përbuzës (mohues)." (El Insan, 3)
Këtë e shpreh Kurani përmes fjalëve të Sulejmanit a.s.: "Kjo është nga dhuntia e Zotit tim, që të më sprovojë mua se a do ta falënderoj apo do ta përbuz. E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush e përbuz, Zoti im është I pa nevojë e Bujar!" (En Neml, 40)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Me të vërtetë Allahu është i kënaqur me atë rob që kur ha, e falënderon Atë, kur pi, prapë e falënderon Atë."(14)
Falënderimi me gjuhë ngërthen çdo fjalë të mirë, si përmendja e Allahut, leximi i Kur' anit, urdhëresa për të mirë, ndalesa për të keqe, shpërndarja e diturisë, këshillat dhe çdo gjë e ngjashme me këto.

Falënderimi me vepër

Derisa falënderimi me zemër nënkupton njohjen dhe dashurinë ndaj Krijuesit, e falënderimi me fjalë nënkupton të shprehurit e kësaj diturie dhe dashurie me fjalë konkrete e të vazhdueshme, falënderimi me vepër nënkupton të përdorurit e gjymtyrëve, forcës, fuqisë, në përkushtimin te Zoti, dhe jo në mëkate.
Allahu xh.sh. e lavdëroi falënderimin e Ibrahimit a.s. për begatitë e dhuruara: "Vërtet Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, respektues i Allahut, i orientuar vetëm tek Allahu dhe nuk ka qenë nga idhujtarët." Ishte falënderues për dhuntitë e Allahut. Ai (Allahu) e zgjodhi atë (për pejgamber) dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë." (En Nahl, 120-121)
Me këtë ajet Allahu xh.sh. na ka informuar se Ibrahimi a.s. ishte shëmbëlltyrë për të mirë, respektues dhe i nënshtruar ndaj urdhrave të Zotit, i orientuar vetëm tek Allahu dhe i diferencuar nga çdo gjë përveç Atij.
Të gjitha këto cilësi u përmbyllën me cilësinë se ai ishte falënderues ndaj dhuntive të Tij, kështu që falënderimi u konsiderua kulmi i asaj miqësie që Allahu kishte me Ibrahimin a.s.(15)
Falënderimi me vepër ndryshon nga falënderimet e tjera. Ai të cilit Allahu i ka dhënë udhëzim, le t' i thërrasë njerëzit në të me tërë forcën që i është dhënë! Atij që Allahu i ka dhënë mendje të mprehtë, logjikë të shkathët, largpamësi, dituri, le ta përdorë atë në veprimtari të mira, duke i mësuar njerëzit, duke i pajtuar dhe duke i zgjidhur problemet e ndryshme të tyre.
Atij që Allahu i ka dhënë trup të zhvilluar e të fortë, le ta përdorë atë për t' i ndihmuar njerëzit dhe për të sakrifikuar në rrugën e Allahut xh. sh. Atij që Allahu i ka dhënë pasuri, ai le ta shpenzojë atë qoftë fshehurazi ose haptazi në rrugën e Allahut. Krejt këtë potencial dhe kapacitet trupor, mendor dhe shpirtëror njeriu e vë në shërbim të Allahut, që i dhuroi këto begati dhe të mira si shenjë falënderimi për ato dhunti që iu dhanë. E kurrsesi këto dhunti t' i lë në shërbim të djallit dhe mëkatit, se ajo është përbuzje, nënçmim dhe shkatërrim i dhuntive.
Se si njeriu duhet të jetë falënderues vazhdimisht më së miri e ilustron vepra e të Dërguarit s.a.v.s.: "Përderisa ai qëndronte në këmbë dhe duke u falur, këmbët i ishin ënjtur nga qëndrimi atij iu tha: - "Po e vepron këtë (po fal ende namaz nafile) kur Allahu t'i ka falur ato që kanë kaluar dhe ato që vijnë?" Ai tha: "E përse të mos jem rob falënderues?!"(16)
Nga ky hadith del në pah se falënderimi në këtë botë është prej begative që njeriu mund të ketë. Madje falënderimi është begati mbi shumë begati të tjera, fjala vjen, mbi pasurinë, pozitën, fëmijët, gruan etj. Allahu xh. sh. thotë: "Nëse falënderoni, do t'jua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi Im është i vështirë." (Ibrahim, 7) Në këtë ajet Allahu xh. sh. e ndërlidh fuqimisht shtimin e të mirave me falënderimin. Ashtu sikurse të mirat dhe dhuntitë janë të pafundme, edhe falënderimi është i pafund.


_____________
(9) Ahmed Ferid, "El-bahru raik fiz-zuhdi verr-rrekaik", f. 256.
(10) Gazaliu, "Hulukul Muslim", f. 230-231, botimi I, 1987, Kajro.
(11) "El-Buhari".
(12) "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. IV, f. 76, nr. 2635.
(13) Gazaliu, "Hulukul Muslim", f. 233, botimi I, 1987, Kajro.
(14) Muslim, vëll. XVII, f. 51; "Sunen Et-Tirmidhij", vëll. VIII, f. 9.
(15) "El-Bahru err-rraik", f. 215.
(16) "Sahihul Buhari", vëll. III, f. 41. Et-tehexhud.



Prof.Ass.Dr. Musa Vila

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.