Shtatë pyetjet më të shpeshta të shtatzënave për virusin Covid 19

PYETJE: A janë shtatzënat më të rrezikuara për t’u sëmurë rëndë ose për vdekshmëri të rritur si pasojë e COVID 19?

PËRGJIGJE: Momentalisht nuk e dimë se a janë shtatzënat më në rrezik që ta marrin COVID-19 krahasuar me popullatën e përgjithshme ose se a do të kenë si rrjedhojë sëmundje serioze. Shtatzënat kanë ndryshime në organizmin e tyre të cilat (ndryshime) e rrisin rrezikun për infeksione serioze. Studimet që janë bërë gjatë epidemive tjera me infeksionet me coronavirus (SARS-CoV, MERS-CoV) si edhe te influenca kanë treguar se shtatzënat janë më të rrezikuara për sëmundje serioze. Sido që të jetë, deri më tash, të dhënat nga Kina nuk kanë treguar rrezik të rritur nga COVID-19 tek shtatzënat krahasuar me adultët tjerë. Të dhënat nga studimi i 9 shtatzënave me COVID-19 në tremujorin e tretë tregojnë se infeksioni i rëndë në fund të shtatzënisë mund të ndikojë në kohën e kryerjes së lindjes dhe në mënyrën e lindjes.

PYETJE: A mund t’ia bartin shtatzënat fetusit COVID-19 gjatë shtatzënisë?

PËRGJIGJE: Nga një studim me një numër të vogël të rasteve të shtatzënave me COVID-19 nuk është gjetur virusi te të sapolindurit dhe as në lëngun amnial dhe në qumështin e gjirit. Ndonëse nuk ka të dhëna të bollshme për transmetimin intrauterin të koronavirusëve tjerë (MERS-CoV and SARS-CoV), as për këto infeksione nuk është raportuar se ka ndodhur transmetimi i virusit nga nëna tek fetusi. Transmetimi i COVID-19 nga nëna tek i sapolinduri përmes spërklave nga rrugët e frymëmarrjes është një çështje shqetësuese dhe janë raportuar vetëm disa raste të tilla të të sapolindurve disaditësh të infektuar. Në këto raste mjekët mund të rekomandojnë që përkohësisht nëna të ndahet nga i sapolinduri për ta ulur rrezikun e bartjes së infeksionit.

PYETJE: Jam shumë e merakosur se a është rrezik nëse dal në vende ku ka shumë njerëz si p.sh. në dyqan ku blej gjëra ushqimore ose kur takohem me shoqe. A duhet t’i shmang këto situata?

PËRGJIGJE: CDC rekomandon që gjithsecili duhet ta bëjë të ashtuquajturin distancimin social që do të thotë ta ulin mundësinë që t’i ekspozohen virusit dhe ta zvogëlojnë përhapjen e sëmundjes. Rrjedhimisht, çdokush pêrfshirë shtatzënat duhet ta evitojë kontaktin me njerëz, duhet ta mbajë higjienën e duarve dhe të mos e prekë fytyrën.

PYETJE: Isha në një dyqan afër një personi që kollitej. A duhet të testohem për COVID-19?

PËRGJIGJE: Jo, nuk keni nevojë që të testoheni. Momentalisht, testimi për COVID-19 rekomandohet për personat në varësi të simptomave që kanë si dhe ekspozimit potencial të tyre ndaj virusit. Ka mundësi që këto rekomandime të ndryshojnë ditë dhe javët në vijim.

PYETJE: Jam shtatzënë dhe kam ethe, kolli, dhimbje muskujsh, dhimbje fyti dhe kokëdhimbje. A mund ta kem COVID-19?

PËRGJIGJE: Ka mundësi që të jetë grip ose ndonjë virus tjetër respirator dhe jo COVID-19, por patjetër kontaktoni me mjekun!

PYETJE: Nëse e marr COVID-19 a do të mund ta ushqej beben me qumësht gjiri?

PËRGJIGJE: Qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për beben. Ndonëse nuk dihet shumë për COVID-19, deri më tash nuk është gjetur coronavirusi në qumështin e gjirit. Nëse dyshohet ose vërtetohet se keni COVID-19 , duhet t’i ndërmerrni të gjitha masat që ta ulni mundësinë e bartjes tek bebja, që nënkupton mbajtjen e maskës dhe larjen e duarve përpara se ta prekni beben. Mos e ndërpreni gjidhënien pa u konsultuar me mjekun!

PYETJE: A ndikon infeksioni me COVID-19 në mënyrë e kryerjes së lindjes?
PËRGJIGJE: Jo, lindja mund të kryhet edhe me rrugë vaginale edhe me prerje cezariane. Ekziston një arsye se përse duhet shmangur prerja cezariane dhe kjo është për shkak të qëndrimit më të gjatë në spital.



Memli Morina, Gjinekolog Obstetër


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta