Dhjetë porositë e të Dërguarit a.s. për Ebu Dherrën r.a.

Transmetohet nga Ebu Dherre r.a., i cili i kishte thënë të Dërguarit a.s..:

“O i Dërguari i Allahut, më këshillo”. Ai i tha: ”Të këshilloj për devocion ndaj Allahut, sepse ajo është kurora e zgjidhjes (çështjes) sate”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”.Ai tha: “Të rekomandoj leximin e Kur’anit dhe përmendjen e Allahut, një gjë e tillë për ty është dritë, në qiej dhe në tokë sjell dritë për ty”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”. Më tha: “Mos qesh shumë, qeshja e tepërt e mbyt zemrën dhe e largon dritën (nurin e imanit) nga fytyra jote”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër”.Më tha: Të rekomandoj luftën e shenjtë (xhihadin), ajo është murgëria (sakrifica) e pasuesve të mi (ymetit tim)”. I thashë: “O i Dërguari i Allahu, më shto (këshillë tjetër)”.Më tha: “Për ty është që të heshtësh përveçse në mirësi, ajo largon nga ti djallin (shejtanin), të ndihmon ty në çështjet e fesë sate”.I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”.Ai tha: “Shiko atë që është poshtë-nën ty, e mos e shiko atë që është mbi ty, sepse ai është në gjendje ta përbuzë begatinë e Zotit që ke ti”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”. Ai më tha: “Ki kujdes ndaj të afërmve (farefisit tënd) tuaj, edhe nëse ata nuk mbajnë marrëdhënie farefisnore me ty”.I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”.Më tha: “Për Zotin mos u frikëso nga kërcënimet e kërcënuesve”.I thashë: “O i Dërguari i Allahut, më shto (këshillë tjetër)”.Ai më tha: “Dëshiroju të tjerëve atë që dëshiron për vete”.Pastaj më ra në gjoks dhe më tha: “O Ebu Dherre, nuk është logjika sikur të menduarit ose të kuptuarit, dhe as ndalimi sikur të përmbajturit, dhe as të llogariturit e vetvetes sikur morali i lartë.

Porosia e parë. “Të këshilloj për devocion ndaj Allahut, sepse ajo është kurora e zgjidhjes sate”.

I Dërguari, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të, e këshilloi Ebu Dherrën, Allahu qoftë i kënaqur me veprat e tij, dhe i këshilloi gjithashtu tërë besimtarët, që të jenë të devotshëm ndaj Allahut të Madhërishëm. Të njëjtën porosi e gjejmë edhe për shokët e tjerë, kur në një thënie drejtuar dikujt tjetër, thotë: “Për ty është devotshmëria ndaj Allahut”; dikujt tjetër i thoshte: “Bëhu i devotshëm, ki frikë Allahun”, sepse, siç vazhdon në porosinë e parë që ia drejton i Dashuri i Allahut Ebu Dherrës, “ajo është kurora e çështjes “ së besimtarit, ajo është mirësia që shton mirësinë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.”(El-Bekare 197).
El-Xherxhaniju, lidhur me përkufizimet për fjalën Et-Takwa, që do të thotë “devotshmëri”, ndër të tjera, sqaron dhe thotë: Kjo shprehje rrjedh nga fjala El-Itikaau dhe ka kuptimin parambrojtje ose parandalim, përderisa te dijetarët e fesë merr kuptimin e kujdesit dhe rigorozitetit në respektimin e Allahut, për të shpëtuar nga ndëshkimi i Tij, përndryshe merr kuptimin e përgatitjes dhe edukimit të vetvetes ose egos personale në drejtim të asaj që meriton masë shpërblimi dhe ndëshkimi nga veprat që i punojmë ose i anashkalojmë. Kur është fjala për devotshmërinë ndaj urdhrave të Allahut, ajo do të thotë thjesht zbatim dhe përfillje e urdhrave në mënyrë të sinqertë. Përderisa, kur është fjala për frikën e vërtetë nga mëkati, kjo ka të bëjë me largimin dhe kujdesin ndaj punëve të ndaluara.
Thuhet që përkufizimi për devotshmërinë është: Kur robi ka frikë-respekt ndaj asaj që e ka caktuar Allahu për zbatim. Një përkufizim tjetër thotë: Kujdesi i jashtëzakonshëm i besimtarit ndaj normave edukative të Sheriatit. Një thënie tjetër thotë: Mënjanimi i besimtarit nga çdo gjë që e largon nga Allahu i Lartmadhërishëm.
Ka edhe shumë e shumë thënie, një ndër të cilat është edhe përkufizimi: Përkushtimi ndaj Synetit të Pejgamberit a.s.w.s. dhe udhëzimi sipas tij, me fjalë dhe vepra.
Ekspertët e gjuhës arabe, kur ndalen në sqarimin e shprehjeve që përfshihen në këshillën e Pejgamberit a.s., thonë: Ekziston dallimi në mes fjalës Takwaa dhe Tukaa. Fjala Takwaa ka kuptimin: Arritje e një pjese të kënaqshme nga devotshmëria që i mundëson besimtarit të shpëtojë nga ndëshkimi. Ndërsa fjala Tukaa ka kuptimin: - e vetë cilësisë lavdëruese të devotshmërisë, me të cilën nuk etiketohet askush tjetër përveç atij që ka merita në këtë drejtim. Ndërsa dallimin në mes fjalës devotshmëri (takwa) dhe fjalës bindje, përkushtim ose përfillje (ta’atu) gjuhëtarët e bëjnë në këtë mënyrë dhe thonë: Etta’atu ose bindja dhe përkushtimi është: Dorëzimi i besimtarit ndaj asaj që i cakton Sheriati, urdhër qoftë për zbatim të domosdoshëm, qoftë për të dëshirueshëm. Përderisa devotshmëria merr kuptimin e ndalimit të vetvetes nga çdo gjë e ndaluar nga Sheriati, qoftë haram- vepër e ndaluar rreptësisht, qoftë mekruh- vepër e rrejtur.

Fjala takva në origjinën e saj ka kuptimin e kujdesit, të jesh i kujdesshëm.

Më pastaj është përdorur në kuptimin e frikës ndaj Krijuesit Allah. Kështu e sqaron Shafije ibnul-Haxhib në librin e tij “Hamishu sherh”(Pauza e sqarimit).
Fjala Takwa ka kuptimin e cilësisë që shpreh njeriu në praktikimin e veprave të urdhëruara nga Allahu, dhe në ndalimin e vetvetes nga ato punë që ka ndaluar Allahu të veprohen. ky është sqarimi që hasim në fjalorin “Muaxhem lugatul-fukahaau”(Fjalori i gjuhës së mendimtarëve).Në Kur’anin madhështor, fjala Takwa merr këto kuptime: komentatorët ose interpretuesit e Kur’anit thonë se fjala Takwa domethënëë: deklarata La ilahe ilahe ilellah (S’ka zot tjetër përveç Allahut); të tjerët thonë: Ka kuptimin e deklaratës së sinqeritetit, e cila shprehet në disa forma në Kur’an, siç është: La ilahe ilaallah vahdehu la sheriike leh, lehul mulku ve lehul-hamdu, ve huve ala kulu shej’in kadiir.(S’ka zot tjetër përveç Allahut, Ai është i Vetmi, nuk ka rival, Atij I takon pushteti mbi çdo gjë dhe Atij I takon lavdi. Ai mbi çdo gjë ka pushtet.), pastaj ka edhe shumë nga ajetet kur’anore që flasin për devotshmërinë, sinqeritetin, frikën dhe respektin ndaj Allahut, që manifestohet te besimtarët.
Ibni Xheuzija, kur flet në mënyrë figurative për petkun ose veshjen e Takvallëkut ose të devotshmërisë, thotë se interpretuesit e Kur’anit kanë përmendur dhjetë shprehje dhe kanë thënë se petku i devotshmërisë është: Prekje e mirësisë, vepër e mirë, besim, frikë nga Zoti, turp, mbulim i pjesëve të turpshme gjatë lutjeve, mburojë, butësi, kujdes nga të nxehtët dhe të ftohtët, veshja e xhenetit por edhe më e bukur për besimtarin në këtë dynja. Dijetari i famshëm El-Menawi, në librin e tij “Fejdul-Kadiir” thotë se fjala e të Dërguarit a.s. :”Të këshilloj për devocion (devotshmëri) ndaj Allahut” ka kuptimin që të respektosh Allahun e të mos e refuzosh, ta falënderosh e të mos E mohosh. Devocioni është bazamenti i të gjitha sukseseve në dynja e Ahiret. Imam Gazaliu thotë se nuk ka vepër më të përkryer që përfshin brenda vetes të gjitha veprat e mira të besimtarit sesa devotshmëria. Ajo të nxit të bësh punë të përkryera, dhe të largon nga çdo punë e keqe, është shumësi i të mirave të dynjasë dhe Ahiretit. Fjala takwa përfshin shumësinë e së vërtetës për të Vërtetin.
“...dhe kini frikë All-llahun që ashtu të gjeni shpëtim”. (El-Bekare 189)
Frytet e devotshmërisë, janë shumë dhe do të ishte e pa mundur t’i përkufizojmë, por po i përmendim disa prej tyre:
- Devotshmëria dhe frika ndaj Allahut mundësojnë shpëtimin nga ndëshkimi i Allahut. Lidhur me këtë ja se ç’thotë Allahu:
“...dhe kini frikë All-llahun që ashtu të gjeni shpëtim”. (El-Bekare 189)
- Është shkaktar për mëshirim (rahmet),për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (El-Huxhurat 10).
Është shkaktar për dalje nga kriza dhe furnizim të mjaftueshëm. Lidhur me këtë, Allahu thotë: “...e kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare”.(Et-Talak 2-3).
Me devotshmëri dhe frikë ndaj Allahut, besimtari ka mundësi t’i shlyejë mëkatet dhe të rrisë nivelin e shpërblimit. Allahu xh.sh. për këtë thotë: “... e kush E ka frikë All-llahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.” (Et-Talak 5).
Devotshmëria mundëson edhe shumë e shumë të mira dhe favore për besimtarin, mjafton që besimtarët e devotshëm mund të fitojnë dashurinë e Zotit ndaj tyre. Allahu thotë:“ S’ka dyshim se Allahu i do të devotshmit”. (Et-Teube 4).
Dhe, si përfundim, po cekim se Madhëriploti Allah ka premtuar shumë vende të mira dhe Xhenete për besimtarët e devotshëm që kanë bërë vepra të mira në këtë botë mashtruese. Lidhur me këtë, ja se ç’thotë Allahu i Plotmëshirshëm: “Atyre që patën frikë nga (dënimi) All-llahu, u thuhet: “Ç’është ajo që shpalli Zoti juaj?” Ata thoshin: “Shpalli çdo të mirë!” Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë, por shpërblimi i tyre në Botën tjetër është shumë më i mirë, e sa vend i mirë është ai i të devotshmëve”. ( En-Nahl 30).
O Zoti ynë ! Na bëj ne prej atyre që kanë frikë Madhërinë Tënde dhe janë të devotshëm, e na mbro me to nga ndëshkimi yt! Amin!



Fitim Flugaj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hapen xhamitë për besimtarë