Mungesa e namazit të xhumasë dhe namazeve pa xhematë

Shaban Mavriqi, tashmë 64-vjeçar është duke përjetuar në katër javët e fundit, diçka që nuk e kishte imagjinuar asnjëherë.

Mavriqi edhe sot në mesditën e së premtes ka vizituar xhaminë, por jo siç kishte bërë në të kaluarën e tij – për ta falur namazin e xhumasë. Ai thotë se ndihet jashtëzakonisht keq që namazet ditore nuk mund t’i fal me xhematë dhe nuk mund ta fal as namazin e xhumasë.
“Më shqetëson shumë, sepse me ardh kështu nuk ka qenë kurrë, as në kohët më herët nuk kujtoj që dikush prej të moshuarve ka thënë se ka qenë xhamia e mbyllur sikurse sot. Ja sot vi dhe xhamia është mbyllur është emocionuese sepse mos me mund me hy në shtëpinë e Allahut, duke e ditur që prej kësaj kohe sidomos të xhumave ka filluar me u mbush me njerëz me u lexu Kuran, ma herët vini edhe hoxhallarët fillojshin me ligjërata, por edhe xhematlitë me komente të veta të gjitha me ato aq sa kanë ditë, mirëpo nuk është puna veç një xhumaje, por të gjitha kohët sepse e dëgjon ezanin dhe vetëm i rrudh krahët dhe e fal namazin aty ku je”.
Ai thotë se namazi pa xhematë dallon shumë, por se i mungojnë edhe shumëçka tjetër.
“Dallon shumë, sepse jo vetëm namazi që është na xhami, por edhe ajo koha para namazit mungon sepse xhemati vinin para namazit, janë ato duat dhe më të vërtetë na mungojnë shumë.
Ashtu sikurse për Mavriqin, edhe për Ilmi Sherifin, mungesa e namazit me xhematë është shumë e madhe. Ai thotë se është rëndë, që ftesës për namaz të mos i përgjigjet.
“Ndihem shumë keq kur (myezini) thotë ejani në namaz dhe mos me qenë pjesë e namazit, është një ndjenjë shumë e keqe. Sidomos të xhumave kam një mërzi shumë të madhe sepse subhanAllah kur të mësohet njeriu me iu përgjigj gjithmonë është një ndjenjë shumë e mërzitshme”.
Megjithatë, ai thekson se mungesa e namazit të xhumasë për të është një ndjenjë e pazakontë.
“Prej namazit të xhumasë na mungon pjesa e xhematit, pjesa e hytbes - bashkimi i xhematit”.
Idriz Gjigolli, zv/kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, thotë se namazi me xhematë në veçanti iu mungon edhe imamëve, por thotë se krahas rrezikut është e domosdoshme të respektohen këto rregulla.
“Është shumë e vërtetë se na mungon shumë, por kur e dimë rrezikun mu fal me xhematë dhe çfarë pandemie është, atëherë e shohim të arsyeshëm ma mirë me ndenjtë në shtëpi sesa me i rreziku jetët tona”.
Ai kërkon që të gjithë besimtarët të lutën tek Zoti që të kthehet gjendja përsëri në normalitet.
“Bëjmë dua që sa më shpejtë të kalon kjo pandemi, sepse lutja është shtylla e fesë, është shtylla e besimit, prandaj ta lusim Zotin që sa më mirë dhe sa më lehtë ta kalojmë e veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit”.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram