Përballja me sfidat për të jetuar si praktikante myslimane në mes të "liberalizimit" perëndimor (2)

Diskursi/debatet medietike

Mediat janë një nga përcaktuesit më të fuqishëm të opinionit publik botëror. Disa studime akademike tregojnë se mediet perëndimore forcojnë fuqimisht një pikëpamje hegjemone ndaj femrave myslimane.
Nga njëra anë, në medie mbizotëron ideja se gjendja e myslimaneve sot lidhet me shtypjen dhe pasivitetin. Nga ana tjetër, mediet rregullisht shprehin shqetësime rreth mbulesës si shenjë kulturore-fetare që nuk përputhet me "vlerat" dhe "normat" e botës perëndimore. Në të njëjtën kohë, mediet debatojnë dhe i lidhin ngjarjet e fundit me shqetësimet dhe diskutimet rreth integrimit të pakicave myslimane në Perëndim.
Sidoqoftë, jo të gjitha mediet e trajtojnë mbulesën në kontekste negative. Në vend të kësaj, ato përdorin aftësinë dhe fuqinë e tyre për të përshkruar imazhe që pasqyrojnë realitete që lidhen me jetën e grave myslimane. Ekzistojnë disa degë që u japin zë grave myslimane dhe një hapësirë për të shpjeguar zgjedhjet e tyre dhe ndjenjat pozitive në veshjen e mbulesës apo edhe të burkës. Artikujt e fundit në "The Guardian" dhe "Aljazeera" janë shembuj.

Përplasja e kulturave

Kultura popullore perëndimore e sheh mbulesën si diçka të rrënjosur në kulturën "patriarkale" të Islamit, e cila gjatë shekujve ka synuar t'i privojë gratë nga të drejtat themelore të njeriut, siç është e drejta për të vendosur për trupin e saj. Prandaj, gratë myslimane konsiderohen si "të shtypura" dhe njerëz të nënshtruar, që duhet të "ndriçohen" dhe "të shpëtohen' Në këtë rast, perëndimorët dënojnë fenë islame si shkak për mohimin e lirisë së grave myslimane në shumë aspekte, për shembull lirinë e veshjes dhe të lëvizjes.
Edhe pse shoqëritë perëndimore janë në krizë të thellë për shkak të fenomeneve negative që i kanë tronditur këto shoqëri, të tilla si droga, prostitucioni, alkolizmi, kriza e familjes etj., sulmi mbi femrat myslimane është gjithnjë në rritje.
Ndërsa emigrantët nga vendet myslimane vazhdojnë të vendosen në Evropë, qeveritë po fillojnë të vënë në pikëpyetje nocionin e multikulturalizmit, modelin e emigracionit që ka mbizotëruar për dekada në pjesën më të madhe të kontinentit. Ky model shpesh ka çuar në krijimin e shoqërive paralele të ndara, të cilat kanë injoruar njëra-tjetrën si dhe në krijimin e një nënklase të madhe myslimane.
Avokatja berlineze Seyran Ates, një aktiviste e të drejtave të grave turko-gjermane thotë se në Evropë "ekzistojnë dy shoqëri me dy sisteme të vlerave të ndryshme që jetojnë krah për krah, por të ndarë nga njëri-tjetri."

Kurikulat asimore

Zyrtarët në Evropë, tani po fillojnë të përqëndrohen në statusin e femrave; ekziston një besim në rritje se fuqizimi i femrave është një faktor kyç për të ndihmuar komunitetet e tyre të integrohen në shoqërinë e vendit. Por, në të njëjtën kohë, pjesa dërrmuese e rinisë myslimane (femra dhe meshkuj) edukohen në shkolla me kulturë laike evropiane, gjë që bën që ata të largohen shumë nga traditat dhe familjet e tyre, një dilemë kjo që shpesh çon në vetmi dhe tjetërsim. Të përfshirë në shkolla me kurikula arsimore që çojnë në kahe të kundërta nga edukimi islam dhe të përballur në shtëpi me traditën familjare, ku të paktë janë ata prindër që arrijnë të bëjnë dallimin ndërmjet udhëzimeve islame dhe traditës e zakoneve të vendit të origjinës, brezi i ri i lindur në emigracion ndodhet në udhëkryq dhe ndihet totalisht i çorientuar.
Ndërkohë, ata të paktë që kanë mundësi të ndjekin një arsim me kurikula arsimore islame, ndihen të huaj në shoqëri pasi arsimi i ofruar në shkollat islame, në Perëndim, shpesh përcillet sipas koncepteve tradicionale të vendit të origjinës duke bërë kështu shkëputjen e nxënësit nga realiteti ku jeton.
Si rezultat, mund të themi se brezi i ri i myslimanëve tëhiqet nga kahe të kundërta pa ditur si të veprojë dhe cilën udhë të zgjedhë; atë të familjes e cila e drejton drejt Islamit, por që nuk ia qartëson dot atë dhe nuk e bën të ndihet komod në fe apo atë të shoqërisë e cila përdor metoda nga më të sofistukuarat për ta tërhequr drejt asaj rruge që ka projektuar për të dhe që është shumë larg Islamit.

Sfida e punësimit

Një tjetër sfidë më të cilën përballen myslimanët në Përëndim është punësimi. Sipas një raporti të parlamentit britanik të përpiluar më 2017, myslimanët e Britanisë vuajnë disavantazhin më të madh ekonomik krahasuar me grupet e tjera të popullsisë. Shkalla e papunësisë ndër myslimnët është mbi dy herë më e madhe se ajo e përqindjes së përgjithëshme të pjesës tjetër të popullsisë (12.8% krahasuar me 5.4%) ndërkohë që 41% e myslimanëve janë ekonomikisht inaktivë krahasuar me 2l.8% të pjesës tjetër të popullsisë.
Sipas raportit të Parlamentit britanik, arsyet e kësaj gjendjeje janë të ndryshme, ato përfshijnë: diskriminimin dhe islamofobinë, stereotipet, presionin e familjeve tradicionale që ndalojnë veçanërisht femrat nga edukimi dhe punësimi, mungesën e këshillave të domosdoshme në përzgjedhjen e arsimit të lartë dhe mungesën e modeleve për t'u marrë si shembull për edukimin dhe punësimin.
Sa u përmend më lart, migrimi nga një vend në një vend tjetër, i detyron emigrantët e brezit të parë, të përballen me papunësinë ose punësimin në nivele më të ulta, të papërshtatëshme për përgatitjen e tyre arsimore dhe profesionale. Atyre u duhet të bëjnë shumëhapa pas, me gjithë eksperiencën profesionale që mbartin me vete. Kjo rrit zemërimin brenda tyre pasi ata nuk e gjejnë veten dhe në këtë mënyrë ndihen të paintegruar në shoqëri.
Sfida e martesës

Martesa është një sfidë me të cilën përballen femrat e origjinës myslimane si dhe ato të konvertuara në Islam. Duke qenë se martesa është gjysma e fesë dhe nuk duhet vonuar dhe njëkohësisht është edhe burimi i stabilitetit në jetë, i respektit dhe dashurisë reciproke, njeriu përpiqet të gjejë në jetë shokun apo shoqen që i përshtatet nivelit social, arsimor dhe ideor të tij.
Por, për femrat në përgjithësi dhe për femrat e konvertuara në veçanti, martesa nuk është aspak diçka e thjeshtë. Si do ta gjejë dikë të përshtatshëm në jetë dhe nëse e gjen një person potencialisht të pranueshëm si do të mund të përshtatet me dallimet kulturore? Kur një femre të arsimuar myslimane të origjinës apo të konvertuar, i flitet për martesë ajo natyrshëm do të pyesë: - "Me cilin do të martohem që të mund të kuptojë dijet dhe botëkuptimin tim?". Kjo pasi meshkujt myslimanë praktikantë, të arsimuar dhe të integruar, nuk janë aq me shumicë sa mendojmë. Kjo na bën të rekomandojnë me urgjencë arsimimin e meshkujve gjithashtu.
Si pasojë e këtyre faktorëve dhe të atyre që thamë më lart mbi mënyrën e trajtimit të femrës nga bashkëshorti, të mungesës së përgjegjësisë nga ana e burrit dhe hedhjen e kësaj barre mbi supet e gruas, lindin divergjenca të cilat kapërcehen me vështirësi ose nuk arrijnë të kapërcehen, gjë që po çon në një rritje të frikëshme të numrit të divorceve ndërmjet myslimanëve.

Rekomandime

Duke përfunduar mund të themi se myslimanët në përgjithësi dhe femrat myslimane në veçanti, përballen me sfida nga më të ndryshmet në vendet e origjinës dhe në vendet ku migrojnë.
Sipas Pew Research Centre, Islami nuk është vetëm feja e dytë më e madhe në botë pas krishterimit, por popullsia myslimane është gjithashtu grupi më i madh fetar në rritje. Ky studim vlerëson se popullsia globale myslimane do të rritet nga 1.6 miliardë në vitin 2010 në rreth 2.8 miliardë në vitin 2050. Bazuar në parashikimet e kësaj qendre, popullsia myslimane në Evropë do të rritet nga rreth 43 milionënë vitin 2010 në gati 71 milionë në vitin 2050 për shkak të disa faktorëve duke përfshirë strukturën e moshës, migracionin dhe normat e larta të fertilitetit të myslimanëve të rinj.
Lind pyetja: -Me këtë rritje në popullsinë myslimane, si do të ndryshojë paragjykimi i gjatë dhe ktimet e urrejtjes ndaj myslimanëve dhe grave myslimane në Evropë?
Ndryshimi i sjelljes, diskriminimit, paragjykimeve dhe islamefobisë që nxiten nga Perëndimi kundër Islamit dhe myslimanëve janë pika e nisjes në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Islamit dhe Perëndimit.
Politika dhe mediet duhet të gjejnë rrugët dhe mënyrat për uljen e tensioneve dypalëshe dhe zvogëlimin e ndryshimeve ndërmjet kulturave. Për të arritur këtë, nuk është nevoja të kemi një numër më të madh diplomatësh e gazetarësh që merren në këtë fenomen por duhet që diplomatët dhe gazetarët ta njohin Islamin dhe ta kuptojnë atë drejt.
Arsimimi i të dy gjinive është një tjetër hallkë kyçe për inicimin e zgjidhjes së problemit. Nuk mjafton të kryesh një punë krahu për të siguruar ushqimin e përditshëm të familjes, por duhen bërë të gjitha përpjekjet për ngritjen arsimore dhe kulturore të të dy gjinive. Vetëm kështu do të mund të ndërtojmë një Islam bashkëkohor dhe të suksesshëm, i cili të mund të përballet me sfidat e kohës dhe të tregojë vlerat e vërteta por, të keqkuptuara, të Islamit në Perëndim dhe jo vetëm.
Luftimi i patrialkalizmit dhe ndarja e zakonit dhe traditës nga legjislacioni islam është një tjetër fushë në të cilën duhen bërë përpjekje të mëdha. Islami është i vjetër sa vetë bota dhe do të vazhdojë të jetë në këtë tokë deri në fund të
jetës së shoqërisë njerëzore. Nisur nga ky këndvështrim nuk ka Islam të ri e Islam të vjetër, nuk ka Islam përparimtar dhe të prapambetur, tolerant apo terrorist. Islami ka vlera të pakundërshtueshme civilizimi, por që dijetarët, studiuesit dhe thirrësit në fe, duhet të dinë dhe të ndërgjegjësohen për të arritur qartësimin dhe lidhjen e dispozitave fetare me realitetin bashkëkohor si dhe të mundësohet rritja e rolit të femrave në interpretimin bashkëkohor të Islamit.
I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është fakti se kuptimi i lirisë dhe i një jete më të mirë ndryshon nga individi tek individi dhe nga kultura në kulturë. Për të zvogëluar konfliktet në shoqëri, hapi më i rëndësishëm dhe ndoshta më i vështirë është të zhvillohet mirëkuptimi dhe pranimi i ndryshimeve individuale dhe kulturore. Neni 4 i Deklaratës së OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit Bazuar në Religjion ose Besim shprehimisht përcakton: "Shtetet duhet të marrin masa efektive për të parandaluar dhe eliminuar diskriminimin në bazë të fesë ose besimit ... "
Në këtë dritë, qeveritë dhe mediet duhet të luajnë rol vendimtar përmes edukimit për të nxitur pranimin dhe mirëkuptimin reciprok të rritjes së diversitetit në shoqëritë perëndimore.



Mr.Sc. Myzejen Myftari


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram