Ramazani në epokën e re të njerëzimit

Përhapja me shpetësi të madhe e Covid-19, ishte një goditje e rëndë për rrjedhat nëpër të cilat kalonte bota. Kjo pandemi shkaktoi një kaos të madh global. Ky kaos pa dyshim se reflektoi në përditshmërinë e shoqërisë njerëzore, veçanërisht në vendet ku virusi Korona kishe shkaktuar vdekje të shumta.

Pandemia Covid-19, krijoi një shqetësim real në mbarë botën. Pasojat vazhdojnë të mbesin të mëdha dhe fatale. Miliona njerëz të infektuar dhe qindra mijëra të vdekur në nivel global. Aktualisht, mbi gjysma e popullsisë së botës (rreth 4.5 miliard) janë në vetizolim-karantinë. Kjo në fakt krijoi një epokë të re për njerëzimin.
Shpresojmë se masat e ndërmarra në parandalimin e përhapjes së virusit Korona, të na shpiejnë drejtë rifillimit të jetës normale në nivel botëror. Sidoqoftë, ky momentum i ri, krijoi një sfidë të re edhe për muslimanët e këtij nënqielli. Rreziku nga pandemia akoma nuk ka kaluar, andaj Covid-19 mbetet një sfidë e vërtetë edhe në të ardhmen.

- Islami përballë sfidave

I nderuari lexues! Islami në vazhdimësi inkurajon njerëzit të kuptojnë faktin se: "Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria, nga jeta,…"(1)
Fletët e Kur’anit janë të mbushura me shembuj të shumtë që pasqyrojnë realitetin e përballjes së muslimanëve me sfida e vështirësi të natyrave të ndryshme. Rrjedhimshit, edhe ne do të sprovohemi në vazhdimësi me sprova të shumta, për të na e testuar i Madhi Allah besimin dhe përkushtimin tonë ndaj Tij.
Në këtë kontekst, legjislacioni Islam është ndërtuar mbi themelet e besimit dhe durimit, duke rrënjosur thellë në mendjen e besimtarit, se në të gjitha këto momente dhe situata të pakëndshme, muslimani duhet të mbështetet në Allahun xh.sh., dhe me vigjilencën e durimin e tij t’i tejkalojë sa më lehtë vështirësitë e jetës.
Muslimanët jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen do të përballen me fatkeqësi të papritura, ngase botëkuptimet islame gjithnjë janë të gërshetuara me udhëzimet hyjnore të Krijuesit Absolut kur na thotë: "A menduan njerëzit të thonë: "Ne kemi besuar e të mos vihen në sprovë?"(2)

Vëlla e motër e nderuar!
Një vit më parë, muslimanët e botës me gëzim dhe mallëngjim prisnin muajin e bekuar të Ramazanit; muajin e mëshirës, muajin e qetësisë, muajin e vëllazërisë, muajin e unitetit, muajin e përkushtimit dhe të devotshmërisë ndaj Krijuesit të qiejve dhe të tokës. Porse këtë vit, të gjithë muslimanët, agjërimin e muajit të Ramazanit do ta nisim në kohën kur bota përballet me pandeminë globale.
Jemi në prag të muajit të Ramazanit, por, virusi Korona (Covid-19) natyrshëm ka për ta zbehur madhështinë e këtij muaji mubarek. Edhe në këto rrethana aspak të lehta pandemie, të jemi krenarë me islamin, të përkushtuar në zbatimin e detyrave islame, duke përfshirë këtu edhe agjërimin e Ramazanit, ngase nga feja jonë buron e vërteta dhe na këshillon për durim.
Pavarësisht faktit se ky Ramazan nuk mund të na jepë një atmosferë të atillë çfarë jemi mësuar ta kishim më parë, megjithëatë, agjërimi i këtij muaji madhështor është obligim për çdo besimtarë e besimtare. Allahu urdhëroi agjërimin e Ramazanit përmes citatit kur’anor: “O ju besimtarë, agjërimi është bërë obligim për ju ashtu siç ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush…”(3)
Praktikisht, agjërimi i Ramazanit në esencë, do të mbetet adhurim ashtu siç ishte në të kaluarën, madje ashtu siç ishte praktikuar nga i Dërguari i Allahut pesëmbëdhjetë shekuj më parë. Rrethanat e reja të krijuara në mbarë globin, kanë bërë që muaji Ramazan të mos jetë i rëndomtë sikur viteve të kalaura.
Muaji i Ramazanit në kohën e pandemisë Covid-19, pritet dhe përjetohet ndryshe nga vitet e kaluara, duke krijuar një atmosferë të zbehtë për besimtarët e besimit islam. Kjo situatë e krijuar do të ndikojë dukshëm në agjendën e besimtarëve në raport me adhurimet dhe aktivitetet e tyre, si në aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv.
- Përjetimet tona gjatë muajit Ramazan në karantinë
Agjenda jonë gjatë këtij muaji do të pësojë ndryshime të thella. Nuk mund t’i gjallërojmë ditët dhe netët e Ramazanit, siç vepronim në të kaluarën. Nuk është fare e lehtë për ne, kur kemi parasysh mospërmbushjen e të gjitha ritualeve fetare në Ramazanin e kohës së pandemisë.
- Është fakt se do të mungon atmosfera e këndshme e ibadeteve (adhurimeve) të përbashkëta, madje, duke qenë e pamundur bashkimi dhe tubimi i besimtarëve në namazet ditore dhe në namazin e xhumas.(4)
- Falja e namazeve në shtëpi për besimtarët e sinqertë, do të jetë një brengë e papërshkruar. Si do ta ndiejmë aromën e Ramazanit, kur na mungojnë xhamiat-shtëpitë e Zotit!
- Falja e namazit të sabahut në xhami kolektivisht, ishte gjëja e parë me të cilin fillonim ditën e agjërimit, veprim të cilin nuk mund ta realizojmë gjatë këtij muaji madhështor.
- Leximi i Kur’anit (mukabelet) në namazin e drekës dhe të ikindisë, do t’i mungojnë xhematlinjëve tanë në këtë muaj mubarek.
- Xhamitë do jenë të zbrazura në këtë Ramazan, do të jenë të zbrazura si asnjëherë më parë gjatë jetës sonë.
- Vizitat familjare dhe ngrënia e përbashkët e iftareve vëllazërore do të jetë një mundësi jashtëzakonisht e kufizuar.
- Panorama e bukur e iftareve në rrugë dhe sheshe të ndryshme të qyteteve, do të mbetet vetëm nostalgji për ne.
- Mosfalja e namazit të teravive do të jetë një brengë e vërtetë, brengë për fëmijët të cilët loznin në hapësirat e xhamisë, për të rinjtë të cilët e prisnin me padurim faljen e teravive, madje, edhe për të moshuarit të cilët nuk kishin menduar asnjëherë se do të përjetonin diçka të tillë.
- Duatë- lutjet gjatë këtyre netëve të bekuara të këtij muaji madhështor, do të jenë vetëm brenda rrethit të familjes së ngushtë.
- Do të na mungojë gjallëria e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, nuk do të përjetojmë kënaqësinë e Kur’anit në mënyrë kolektive, e as aromën e namazit të natës në xhamitë e qyteteve tona.
- Si do të jenë përjetimet tona në Natën e Kadrit?! Vitin e kalaur të bashkuar i dëshironim mirëseardhje Xhibrilit a.s., e tani të vetmuar e në vetizolim do ta presim ardhjen e këtij musafiri të bekuar. Eh, sa qenka e vështirë të shkruash për këtë moment. Vërtet loti i rrjedhur nga syri, ka arsye si asnjëherë më parë. Tani po e kuptoj peshën e sprovës me të cilën përballemi. Qenka vërtet një fillim i opokës së re.
- Po dita e Bajramit si do të manifestohet te ne!? Sigurisht jo si dikur më parë!
Lexues i dashur! Feja islame është besim i përkryer qiellor, ngase ka përcaktuar rregulla, parime e dispozita për çdo rrethanë, madje edhe për situatën tonë aktuale Covid-19.
Rrugëtimi ynë në jetën e dynjasë është përplot sfida e vështirësi. Por, muaji i Ramazanit është një mundësi e mirë për të fuqizuar besimin dhe përkushtimin tonë, me qëllim që sa më parë të tejkalojmë situatën me virusin Korona. Historikisht është dëshmuar se muaji Ramazan ishte muaj i fitoreve dhe sukseseve të mëdha.
Dilema se ekziston mundësia për shtyrjen e Ramazanit për shkak të pandemisë, e them me përgjegjësi se, urdhëri i Allahut për agjërimin e Ramazanit në kohën e përcaktuar mbetet në fuqi deri në ditën e fundit të kësaj bote.
Është fakt se Ramazani këtë vit do të manifestohet ndryshe, për shkak të rrethanave të pandemisë Covid-19. Megjithëatë, agjërimi është obligim individual. “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!”(5) Në rastin konkret, personi i sëmurë me Covid-19, domosdoshmërisht duhet të konsultohet me mjekun e tij të besueshëm dhe të kërkoj opinionin e tij.
Në rast se sëmundja e përkeqëson shëndetin e personit, atëherë : ”Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar”.(6)
Në këtë kontekst duhet të kemi parasysh se prej kushteve të agjërimit është edhe shëndeti i mirë i njeriut. Fatmirësisht, agjëruesit të cilët nuk janë të prekur me Covid-19, nuk përbëjnë ndonjë rrezik në përhapjen e virusit Korona.
Qëndrimi i OBSH-së i publikuar ditë më parë në raport me muajin e shenjtë të Ramazanit ishte: “Njerëzit e shëndetshëm duhet të jenë në gjendje të agjërojnë gjatë këtij Ramazani si në vitet e kaluara. Çdo informacion tjetër që e lexoni, thjesht injorojeni!”(7)
Edhe Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) sqaron këtë fakt, ku shprehet se: ”Sipas njoftimit, nga informacionet e marra nga ekspertët e fushës, agjërimi i individëve të shëndetshëm nuk përbën rrezik të veçantë në aspektin e përhapjes së COVID-19”.(8)
Sidoqoftë, rreziku i pandemisë mbetet akoma i lartë, andaj udhëzimet dhe këshillat e ekspertëve të mjekësisë duhen ndjekur domosdoshmërisht. Të qëndrojmë në ambiente familjare (vetizolim) për faktin se shtëpia është hapësira më e mirë e mbrojtjës dhe sigurisë, me shpresë se kjo sprovë të kalojë në një të ardhme sa më të afërt.
Në këtë rrafsh shprehet edhe Dr. Sohail Abbas: ”Për të ndihmuar në luftimin e Koronavirusit, veprimi i vetëm më i rëndësishëm që mund të bëjmë të gjithë është të qëndrojmë në shtëpi në mënyrë që të mbrojmë mjekët dhe të shpëtojmë jetë”.(9)
Të shpresojmë më të mirën për shoqërinë tonë dhe mbarë njerëzimit. Ibn Rexhebi thotë :”Pritja e lirimit nga sprova është ibadet, sepse sprova nuk do të mbetet përgjithmonë”.(10)
Përfundimisht, vëlla dhe motër e respektuar: “Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin Allahut, Zotit të botëve”.(11)
O Zot! Na mundëso ta arrijmë Ramazanin, na e prano namazin, agjërimin, leximin e Kur’anit dhe çdo vepër që e bëjmë për Ty !
O Allah! Largo sa më parë prej nesh këtë pandemi vrastare!
Amin!


1. Kur’an, el-Bekare: 155.
2. Kur’an, Ankebut : 2.
3. Kuran, El-Bekare: 183.
4. Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, duke vlerësuar situatën e krijuar nga pandemia CORONA, mori disa vendime me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Në mesin e tyre ishte edhe pezullimi i namazit të Xhumasë si dhe namazeve të tjera ditore me xhemat në xhami.
5. Kuran, El-Bekare: 185.
6. Kuran, El-Bekare: 185.
7. Organizata Botërore e Shëndetësisë, për Agjerimin e Ramazanit në kohën e Pandemisë, më: 15. 04. 2020.
8. Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) më: 14.04.2020, ka sqaruar rrethanat në lidhje me muajin e Ramazanit dhe pasojat e agjërimit gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
9. Dr Sohail Abbas, zëvendës kryetari në klinikat Bradford District dhe Craven Clinical Comming Group (CCG).
10. Ibn Rexhebi, “Mexhmu'u Er-Resail”, 551/3.
11. Kur’an, El-En’am: 161.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë