Agjërimi dhe disa nga dispozitat sheriatike të tij (I)

Në kuptim të heshtjes, për shembull, përmendet në këtë ajet të Kuranit fisnik:
“...Thuaj: Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj (do të heshtë), kështu që sot nuk do të flas me njeri”. (Merjem, 26)
Ndërkaq, në kuptimin terminologjik të Sheriatit, “agjërim”-“saum”, do të thotë: “ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe e marrëdhënieve seksuale nga koha e agimit të hershëm e deri në mbrëmje (në perëndim të diellit), me qëllim të bërjes adhurim - ibadet”.
Agjërimi është një nga pesë kushtet-shartet e fesë islame. Është bërë obligim-farz në vitin e dytë të hixhretit, para betejës së Bedrit.
Lidhur me agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm, e ka zbritur ajetin:
”O ju që keni besuar, ju është bërë detyrim agjërimi ashtu siç qe bërë edhe për popujt para jush, ashtu që të jeni të devotshëm!”. (El-Bekare, 183)
Pra, shprehja “...ju është bërë detyrim”, do të thotë se është bërë farz.
Allahu xh.sh., lidhur me këtë, gjithashtu, ka zbritur edhe ajetin tjetër:
“...e kush prej jush e përjeton këtë muaj (Ramazanin), le të agjëroj...” (El-Bekare, 185), e që është mënyrë urdhërore për të vepruar, me këtë rast për të agjëruar.
Nga Syneti i Pejgamberit (a. s.), veçojmë:
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabesë për ata që kanë mundësi”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Termidhiu).
Me rastin e “Haxhit Lamtumirës”, Pejgamberi (a.s.), para të pranishmëve, pati deklaruar:
“O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, faleni pesë (kohët e namazit) tuaj, agjëroni muajin (Ramazanin) tuaj, vizitoni shtëpinë e Zotit tuaj, jepni zekatin e pasurisë tuaj për ta pastruar dhe fisnikëruar shpirtin tuaj, se (vetëm atëherë) do të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj”.
Se agjërimi i muajit Ramazan është farz është argumentuar edhe me “ixhma” – konsensus të dijetarëve. Në fakt, të gjithë dijetarët, të hershëm e të vonshëm, janë të një mendimi se agjërimi i ramazanit është farz dhe se këtë nuk e ka mohuar askush, përveç atyre që janë qafirë. Prandaj, kush mohon detyrueshmërinë e agjërimit konsiderohet pabesimtar (qafir).

Rëndësia e agjërimit

Duke qenë se agjërimi, -siç u tha,- është një prej pesë kushteve të fesë islame, kjo më së miri tregon për vlerën dhe rëndësinë që ka ky lloj adhurimi/ibadeti. Me një hadithi kudsij, i Madhi Zot na ka mësuar shumë kohë më parë duke thënë:
“Çdo vepër e njeriut është e vet atij, me përjashtim të agjërimit, sepse atë e bënë vetëm për Mua dhe Unë do e shpërblej për atë. Për agjëruesin ka dy momente të gëzuara: njëri kur gëzohet me iftarin e tij dhe tjetri kur e takon Zotin e tij gëzohet me agjërimin e tij. Aroma e gojës së agjëruesit është më e lezetshme te Allahu se sa aroma e miskut”. (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Nesaiu).
Përmes këtij lloj ibadeti, njeriu sikur e braktis përkohësisht aspektin trupor dhe i përkushtohet më shumë atij shpirtëror. Ai e lenë ushqimin, pirjen, dëshirën epshore dhe kështu sikur lirohet nga lidhjet materiale të kësaj bote dhe synon t’i afrohet sa më shumë Allahut (xh.sh.). Në këtë mënyrë, ai synon të arrij gradë të lartë të devotshmërisë dhe të përkushtimit ndaj Të Gjithëmëshirshmit. Më pastaj, duhet thënë edhe një fakt tjetër se agjërimi e cilëson në masë të madhe besnikërinë e njeriut ndaj Allahut të Lartësuar, ngase kur besimtari i jep besën Allahut se do agjëroj, ai do ta bëjë këtë edhe pa e vërejtur njeri. Durimi është cilësi e besimtarit të sinqertë, e agjërimi nuk mund të bëhet pa durim të bollshëm. Prandaj, kur njeriu vendos të agjëroj, ai brumoset me durim dhe me sukses e përballon agjërimin, kurse sevapet e pakrahasueshme i vijnë nga Ai për të Cilin ka agjëruar- pra nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Sahabiu i quajtur Ebu Umame (r.a.) thotë: “Me një rast i kërkova Pejgamberit (a.s.) që të më thoshte për ta bërë një punë të domosdoshme, me të cilën do të kisha shpërblime. Më tha: “Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë”. Unë e pyeta së dyti, dhe Pejgamberi (a.s.) më dha të njëjtën përgjigje. Unë insistoja edhe për të tretën herë, e Pejgamberi (a.s.) prapë ma dha po atë përgjigje: “Agjëro, sepse agjërimi nuk krahasohet me asgjë!”. (Transmeton Nesaiu).
Me një rast tjetër, përsëri për agjërimin, Pejgamberi (a.s.) kishte thënë: “Te Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi“. (Transmeton Nesaiu). Madje, Pejgamberi (a.s.) kishte shtuar se “Në Xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që agjërojnë”. Ajo quhet “babu rejjan” e dedikuar, nga i Gjithëmëshirshmi, ekskluzivisht vetëm për ata që agjërojnë.

Dobitë e agjërimit

Nuk ka dyshim se agjërimi i muajit të Ramazanit ka dobi të shumëfishta dhe nga shumë aspekte, e mbi të gjitha në atë shpirtëror dhe trupor.
Aspekti shpirtëror i njeriut ia kujton atij qëllimin e krijimit, kështu që ai e shtynë njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, të përshpirtshme, ta luftojë të keqën duke u larguar gjithmonë nga ajo. As edhe një herë nuk ka qenë qëllimi i besimtarit vetëm si me ngrënë e me pi, dhe asgjë më shumë. Ai që e njeh Krijuesin e tij, ai që i bënë ibadet Atij, ai që e di se pse është krijuar dhe pse ka ardhur në këtë botë, rëndësi meritore i kushton edhe kënaqësisë shpirtërore e jo epshit dhe egos së tij të sëmurë. Mbi të gjitha, agjërimi i kujton njeriut takimin me Allahun e Gjithëmëshirshëm.
E pra, agjëruesi gjatë tërë kohës së agjërimit i kujton të mirat dhe dhuntitë e agjërimit dhe sidomos kënaqësinë më të madhe-takimin me Zotin-Krijuesin e gjithësisë. Në të vërtetë, kjo e bënë njeriun që duke e paramenduar dhe duke shpresuar në takimin me Zotin, të harrojë vështirësitë e urisë dhe etjes, kështu që ai në fund të ditës as që e heton se është me bark të uritur ose se ka etje. Kjo mbase edhe njeriun e ngre në shkallë engjëllore.
Qarqet mjekësore tashmë kanë vërtetuar se sistemi i tretjes, i cili fillon të funksionojë sapo foshnja të vij në këtë botë, ka nevojë që herë pas here të pushojë, kështu që një muaj në vit do ta mundëson agjërimi. Nxënësit, pas mësimit disa mujor, shkojnë në pushim meritor. Edhe punëtorët që kanë punuar në mënyrë permanente, a nuk e meritojnë një pushim vjetor?! Gjithsesi po. Ndryshe, nuk do të mundnin gjatë që të mbanin ritmin e punës ose të mësimit. Sot në botë janë një kategori e njerëzve që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga obeziteti, sa kohë që mjekësia e ka pranuar se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e ngadalshëm të trupit. Kurse, tashmë dihet se agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, edhe pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim. Pastaj, gjatë agjërimit ushqimet e depozituara në organizëm harxhohen, më pas zëvendësohen me të reja dhe në këtë mënyrë në tërë trupin ndodh një rinovim, gjë që vërteton se agjërimi është i dobishëm për trupin. Gjithashtu, duhet theksuar se gjatë agjërimit sistemi nervor është në një qetësi absolute. Kënaqësia që na jep kryerja e një adhurimi, i shuan të gjitha tensionet dhe pakënaqësitë tona. Në këtë mënyrë, shmangën streset, të cilat janë problemet më të mëdha të ditëve të sotme. Agjërimi është rruga më e efektshme për të siguruar sundimin e shpirtit mbi trupin, me qëllim që njeriu të mos bëhet robi i prirjeve materiale, që të bëjë një jetë ku t’i ketë në duar frerët e nefsit. Nuk duhet harruar se “agjërimi e rrit rezistencën e trupit ndaj sëmundjeve. Këtë të vërtetë mjekësore të rëndësishme, Islami e ka zbatuar duke e bërë agjërimin të detyrueshëm, kurse mjekësia e sotme moderne e përdorë agjërimin si mbrojtës dhe ilaç kundër sëmundjeve. Megjithatë, ndonëse dobitë e agjërimit janë të shumta dhe nga shumë aspekte, e edhe për shëndetin e njeriut, ne nuk duhet të agjërojmë me qëllim të përfitimeve shëndetësore, por për të zbatuar urdhrin e Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij dhe për të arritur shkallë sa më të lartë të devotshmërisë.
Agjërimi, krahas dobive të përmendura më sipër, ai në veçanti e mbron njeriun nga mëkatet, sepse njeriu është i disponuar për të bërë mëkate vazhdimisht. Gjithsesi, njeriut i duhet një vullnet i fortë për ta mbrojtur nga mëkatet. Prandaj, përballë këtij rreziku të përhershëm, agjërimi e ka vlerën e një garantuesi dhe vepron si mburojë që e mbron të zotin për të mos bërë mëkat. I Dërguari i Zotit ka thënë:
“O djelmosha! Kush nga ju të ketë mundësinë për t’u martuar, le të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtëse për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara, është ruajtës i vetes nga prishja e nderit). E kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, le të agjëroj, sepse agjërimi është për të një mburojë”. (Transmeton Buhariu, Nesaiu dhe Ibni Maxhe).
Besimtari gjatë kohës sa agjëron, përveç tjerash, fiton përvojë për t’iu kundërvënë dëshirave negative trupore. Kështu që duke arritur që t’i braktisë këto dëshira duke agjëruar, atë më lehtë do ta bëjë edhe kur nuk agjëron, sepse agjërim nuk do të thotë vetëm ta lësh stomakun e uritur, përkundrazi, do të thotë që edhe pjesët e tjera të trupit, si: sytë, veshët, zemrën, dorën, këmbën, imagjinatën, mendjen etj. t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre ta shtysh drejtë përjetësisë sipas veçorive të secilës. Prandaj, personi që agjëron në këtë mënyrë, bënë një jetë me veprime të lejuara-hallall e të bekuara. Pejgamberi (a.s.) me një rast ka thënë: “Kush më jep garanci se do ta ruaj gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj Xhenetin!” (Transmeton Buhariu).
Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur fenë nën kontroll, detyrimet fetare i kryen me kënaqësi e sinqeritet dhe nga ana tjetër e ndalon nefsin nga fjalët dhe veprimet e këqija. Prandaj, Pejgamberi (a.s.) ka rekomanduar: “Në ditët kur dikush nga ju është duke agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtas. Po që se dikush e shanë ose e godet me dorë, le t’i thotë, “unë jam duke agjëruar!” (Transmeton Buhariu, Nesaiu dhe Ahmet b. Hanbeli). Pejgamberi (a.s.), gjithashtu, ka porositur:
“Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë agjërueshëm, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta lënë ngrënën dhe pirjen!” (Transmeton Buhariu).
Agjërimi është manifestim i njeriut për besën e dhënë, madje, ai është adhurimi më i bukur tek i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë, sepse ai është besëlidhje mes Allahut dhe robit të Tij. Njeriu, duke hequr dorë në kohë të caktuar nga gjëra të caktuara, më së miri e tregon se i rri besnikë fjalës së dhënë, se e respekton premtimin e dhënë. Kështu, besnikëria, bëhet, - përmes agjërimit, - pjesë e pandarë e karakterit të njeriut, përkatësisht agjëruesit.
Dobi tjetër e agjërimit, gjithashtu, është edhe skalitja që i bënë njeriut për të duruar. Me anë të këtij ibadeti, njeriu merr mësime durimi, sepse po të jetë i uritur, nuk ha, po të jetë i etur nuk pi ujë, e përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron duke thënë: “unë jam agjërueshëm”. Agjërimi ia mëson njeriut se si është ndjenja e skamnorit dhe të varfrit, që nuk kanë me se të ushqehen, me se të ushqejnë familjet e tyre, fëmijët dhe prindërit e tyre. Kështu që, kur njeriu agjëron, kur stomaku i tij i uritur, i zbrazët, kërkon të ushqehet, më se miri e ndjenë se sa vështirë e ka ai që në vazhdimësi e ka stomakun e uritur. Përmes agjërimit, njeriu mbase e bënë edhe një lloj solidariteti me ta.

(Resul ef. Rexhepi)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram