Agjërimi dhe disa nga dispozitat sheriatike të tij (II)

Kushtet e detyrueshmërisë së agjërimit

Sikurse tek adhurimet e tjera, për ta pasur agjërimin të detyrueshëm, natyrisht që lypsen plotësuar disa kushte:

1. Islami - Që dikush ta ketë farz-detyrim agjërimin, duhet që paraprakisht ta ketë pranuar fenë islame, pra, të jetë mysliman, sepse agjërimi nuk është i detyrueshëm për jomyslimanin.

2. Duhet ta di se ç’bën, ta ndjejë përgjegjësinë për adhurimin që bënë, duhet ta di se, - si mysliman që është, - e ka për detyrë agjërimin.

3. Të jetë moshërritur-në pubertet. Ç’është e vërteta, për shumicën e ibadeteve kushtëzohet plotësimi i moshës madhore, kështu që ai që nuk e ka arritur këtë moshë, nëse agjëron, ka sevape dhe shpërblehet, e në qoftë se nuk agjëron, nuk dënohet.

4. Të jetë fizikisht i aftë, gjegjësisht të mos jetë njëkohësisht shurdhmemec dhe i verbër sa që nuk e kupton të folurit, se të tillët nuk janë të obliguar me ibadete dhe as edhe me agjërim. Gjithashtu, edhe gjendja psikike e personit merret parasysh, sepse agjërimi është detyrim për të mençurin e jo edhe për të çmendurin.

5. Kusht është edhe me e dijtë se agjërimin e ka të detyrueshëm. Kjo vlen për personin i cili jeton i izoluar në shkretëtirë, ose në pyll të pashkelur ose që e ka pranuar fenë islame duke jetuar edhe më tej në shtet joislam dhe pa e ditur se agjërimi është detyrim. Kjo e fundit mund të ilustrohet edhe me shembullin e personit që e pranon fenë islame në një shtet ku nuk ka myslimanë dhe fillon muaji i Ramazanit e ai nuk e din se të agjëruarit është detyrim-nëse plotësohen kushtet e parapara sipas Sheriatit.

Duhet pasur kujdes se agjërimi e kërkon shëndetin e mirë, kështu që të sëmurit i lejohet të mos agjëroj gjatë Ramazanit, pikërisht për shkak të sëmundjes së tij, por se aq ditë sa nuk ka agjëruar, ai do t’i kompensojë pasi të jetë shëruar.
Gjithashtu, nga agjërimi i Ramazanit lirohet edhe personi që është udhëtar, sepse udhëtimi paraqet vështirësi në vete, prandaj mëshira e Allahut ka dashtë që personin që është duke udhëtuar ta lehtësoj, dhe ditët e paagjëruara të ramazanit do t’i kompensojë kur të ketë mundësi pasi të kthehet nga udhëtimi.
Ndërkaq, kusht i vlefshmërisë së kryerjes së këtij detyrimi është nijeti nga ana e personit të aftë si dhe pastërtia e femrës nga hajzi dhe nifasi, d.m.th. nga fillimi i agjërimit nga imsaku (agimi).

Nijeti – qëllimi për të agjëruar

Një kusht tjetër i rëndësishëm i agjërimit është edhe nijeti, sepse duke qenë se agjërimi është ibadet, e ibadeti duhet të ketë edhe nijetin (qëllimin) për t’u llogaritur i saktë.
Për agjërimin e Ramazanit, agjërimin e ditëve të premtuara e të caktuara në kohë dhe ato që janë synet e nafile, nijeti bëhet nga akshami që i paraprinë ditës e deri pak para mesditës së ditës që e agjëron. Nijeti në këto raste mund të bëhet edhe para agimit, por edhe deri pak para drekës së ditës kur agjëron. Në fakt, nijeti i bërë në mbrëmje është më i pëlqyer. Në qoftë se pas imsakut personi nuk ka ngrënë, nuk ka pirë si dhe nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin e nuk e ka bërë nijet, i lejohet ta bëjë nijetin deri në drekë (kur dielli arrin në zenit).
Ndërkaq, për agjërimin e ditëve të prapambetura të ramazanit, të gjitha llojet e agjërimit kefaret, agjërimi nafile i prishur dhe ai i premtuar (i përcaktuar në kohë), - për të gjitha këto nijeti bëhet natën para imsakut.
Për agjërimin e ramazanit, nijeti mund të bëhet nga akshami që i paraprinë ditës që e agjëron deri pak para mesditës së saj. Nijeti, normalisht, më mirë është sikur të bëhet pas ngrënies së syfyrit. Mirëpo, në qoftë se një person nuk arrin të zgjohet në syfyr dhe dita ka zbardhur, ai ka të drejtë që nijetin ta bëjë deri në drekë, me kusht nëse nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin.
Personi që nuk dëshiron të ngritët në syfyr, nijetin duhet ta bëjë paraprakisht në mbrëmje dhe kështu nuk ka nevojë të zgjohet (në syfyr) vetëm sa për ta bërë nijetin. E mjaftueshme për te është që me zemër ta vendos se do ta agjërojë ditën e nesërme, dhe nijeti i tij është i vlefshëm. Edhe vetëm zgjimi për të ngrënë syfyr, është, në vete, nijet dhe konsiderohet i saktë dhe i mjaftueshëm.
Nijeti i agjërimit vetëm me zemër është i mjaftueshëm, e në qoftë se ai shoqërohet edhe me gjuhë, është ku e ku më i vlefshëm. Prandaj, agjëruesi duhet ta bëjë nijetin edhe me zemër edhe me gjuhë, duke thënë: “Vendosa për hir të Allahut me e agjërua ditën e nesërme të ramazanit”. Këtë e bënë për çdo ditë të ramazanit.

Koha e agjërimit

Se kur fillon dhe kur mbaron një ditë e agjërimit, kjo është përcaktuar me Kuran. Allahu i Madhërishëm, lidhur me këtë, ka thënë:
“… dhe hani e pini deri sa qartë të dallohet peri i bardhë (bardhësia e agimit) nga peri i zi (errësira e natës) në agim, e pastaj agjërimin plotësone deri në mbrëmje...” (El-Bekare, 187).
Allahu i Madhërishëm në këtë ajet kuranor në mënyrë alegorike e ka përmend fijen e bardhë dhe fijen e zezë. Pra, bardhësia e ditës dhe errësira e natës, gjegjësisht momenti kur në kushte normale ato dallohen, është koha e fillimit të agjërimit, i cili duhet të zgjas deri sa të bjerë mbrëmja. Mirëpo, në kohën më të re, mjetet tekniko teknologjike aq shumë kanë avancuar sa që na e tregojnë shumë saktë, deri në sekonda, se kur duhet filluar dhe kur duhet mbaruar një ditë të agjërimit.

Agjërimi farz/ i detyruar:
Agjërimi i muajit të Ramazanit

Sipas kalendarit hënor, muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i vitit. Është muaji i vetëm të cilin Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kuran:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin është zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E pra, kushdo nga ju që përjeton këtë muaj, le të agjëroj!” (El-Bekare, 185).
Nga tradita pejgamberiane duhet ta përmendim faktin se Muhamedi (a.s.), në veçanti nga koha kur agjërimi u bë farz, ardhjes së Ramazanit i gëzohej tej mase, madje as'habët e tij sikur i sihariqonte duke u thënë:
“Ju erdhi Ramazani, muaji me plotë begati, Allahu ua ka bërë obligim agjërimin e tij, për gjatë tij hapen dyert e Xhenetit ndërkaq mbyllën ato të Xhehenemit, në të mbyllen (lidhën) shejtanët. Në të ka një natë që është më e vlefshme se sa një mijë muaj tjerë!” (Transmeton Nesaiu, Bejhekiu dhe Ahmedi nga Ebu Hurejreja).
Dhe jo vetëm kaq, por ky muaj, krahas begatisë së agjërimit që iu dhuron besimtarëve, ai cilësohet edhe si muaj i lutjeve dhe i pendimit, muaj i shpërblimeve, i paqes dhe dashurisë mbarënjerëzore. Ai dhuron dritë e bujari, rahmet e njerëzi. Besimtari kurrë nuk është më i sinqertë, më bujar dhe më i dëlirë se sa në këtë muaj!
Kështu, po qe se dikush nuk agjëron ose e prish atë sepse është i sëmurë ose duke udhëtuar, do t’i zëvendësoj ato ditë pas ramazanit në një kohë të përshtatshme një për një ditët e pa agjëruara. Njëjtë vepron edhe femra e cila gjatë Ramazanit është me të përmuajshme ose lehonë. Lidhur me këtë, në Kuran, thuhet:
“(Jeni të obliguar për të agjëruar) ditë të caktuara, e kush ka qenë i sëmur ose në udhëtim (e nuk ka agjëruar), atëherë ai letë agjëroj më vonë po aq ditë...”. (El-Bekare, 184).

Agjërimi i kushtimit ose përgjërimit (nedhr) dhe i kundërshpërblimit (keffaretit) janë të kategorisë vaxhib.

Agjërimi i kushtimit është kur personi e merr përsipër veprimin e lejuar me qëllim madhërimin e Allahut (xh.sh.) dhe pëlqimin e Tij. Ky veprim është shkak për fitimin e sevapeve. Nganjëherë ai mund të bëhet në këtë formë: “Nesër do të agjëroj me qëllim fitimin e kënaqësisë (razisë) së Allahut”. Ose “nga nesër do t’i ushqejë kaq të varfër për riza të Zotit xh. sh”. E pra, personi që bënë një premtim (përgjërim ose kushtim) të tillë, e ka për vaxhib ta plotësoj kushtimin. Kjo është e vërtetuar në Kuran:
“... dhe t’i plotësojnë kushtimet (premtimet) e veta...”. (El-Haxh, 29).
Ndërkaq, agjërimi i mbajtur si kundërshpërblim për prishjen e agjërimit të muajit të ramazanit pa ndonjë arsye, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme është obligim që duhet kryer. Kohëzgjatja e agjërimit për kundërshpërblim është dy muaj radhazi (pandërprerë).



Resul ef. Rexhepi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram