Vërejtje për atë që nuk agjëron muajin e Ramazanit

1. Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Kush prish (nuk agjëron) një ditë të muajit Ramazan pa ndonjë arsye dhe pa ndonjë sëmundje, ajo ditë nuk kompensohet edhe nëse agjëron tërë vitin”.
2. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Lidhjet e Islamit dhe bazat e fesë, mbi të cilat është themeluar Islami, janë tri, e kush lë ndonjërën prej tyre duke e mohuar atë, ai është pabesimtar, lejohet gjaku i tij, e ato janë: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, namazi farz dhe agjërimi i muajit të Ramazanit”.
Ramazani në jetën e myslimanëve
1. Muaji i Ramazanit është muaj adhurimi, muaj në të cilin lexohet Kurani më tepër se në çdo muaj tjetër. Ramazani është muaj i përkujtimit dhe përmendjes së Zotit pandërprerë, dhe i zbukurimit të xhamive me xhemat.
Transmetohet se Ebu Hanifja, Shafiu etj., në muajin Ramazan bënin hatme (leximin e Kuranit në tërësi) nga 60 herë, një hatme ditën e një natën, dhe hatmen e fundit e lexonin natën e Bajramit.
2. Në Ramazan nuk shfaqen kundërshtimet as punët e këqija, pranohet leximi i Kuranit dhe namazi për hir të agjërimit të Ramazanit, edhe prej atij që nuk është falur tërë vitin; ka shumë raste që në këtë muaj mbyllin lokalet e alkoolit dhe në popull vërehen shenjat e devotshmërisë, madje femrat e zbuluara mbulohen dhe pakësohet muzika e pamoralshme dhe dëgjimi i saj.
3. Në këtë muaj vërehen shenjat e vëllazërisë, gëzimit dhe kënaqësisë në fytyrat e njerëzve në përgjithësi, pavarësisht, të pasur apo të varfër qofshin. Në këtë muaj forcohen lidhja shpirtërore, dashuria e ndihma për hir të Zotit dhe për të arritur pëlqimin e Tij.
4. Në muaj të Ramazanit shtohen vizitat dhe gazmendet në mes të afërmve e të dashamirëve dhe ndihmat për të varfrit, duke ditur se në Ramazan shumëfishohet shpërblimi për punët e mira, siç është vizita e farefisit, futja e gëzimit në zemrat e besimtarëve islam, dhe sidomos për shkak se e dinë se atij që ushqen një agjërues, i takon shpërblimi sikurse agjëruesit pa i munguar agjëruesit asgjë nga shpërblimi i tij.
5. Gjatë këtij muaji shtohen ndihma, sadakaja dhe raste gëzimi të nevojtarëve, ngase prej vëllezërve të tyre të pasur, u jepet zekat, sadaka ose dhurata të ndryshme.
6. Myslimanët në këtë muaj jetojnë me ndjenja të përbashkëta, sikurse është heqja dorë prej ushqimeve dhe pijeve, madje ka raste kur edhe pabesimtarët nuk hanë as nuk pinë haptazi në mesin e myslimanëve, në shenjë respekti ndaj ndjenjave të myslimanëve. Në këtë muaj gjatë ditës restorantet mbyllen, kafiteritë e hapura nuk u shërbejnë atyre që rrinë në to, dhe as ata nuk kërkojnë ndonjë gjë. Zaten, as në rrugë nuk sheh njeri duke ngrënë apo duke pirë, edhe nëse është fëmijë ose e ka të lejuar për ndonjë arsye.
7. Ndaj atij që prish rendin dhe rregullin e agjërimit të Ramazanit duke ngrënë ose pirë haptazi, aplikohen masat ndëshkuese të Sheriatit. Omeri r.a. të dehurin në Ramazan e dënonte me 100 kamxhikë, pra ia shtonte numrin e kamxhikëve për 20 më shumë, sepse me dehje ai nënçmonte shenjtërinë e muajit Ramazan dhe atij i thoshte: “E fëmijët tanë agjërojnë?!” Nuk ka dyshim se dënimi fizik është dënim rehabilitues e përmirësues, sepse, së pari, e prek atë që bën shkelje të dispozitave të Sheriatit islam, dhe, së dyti, ndikon edhe tek të tjerët.
Për sa i përket dënimit me burgosje deri ditën e Fitër Bajramit, të atij që nuk agjëron në Ramazan, edhe pse është ndëshkim i kufizuar ndaj tij, ai është një dëm për të dhe familjen për të cilën është përgjegjës, si në pikëpamje materiale, ashtu edhe edukative dhe për atë tek i cili ai punon, ngase ia lë punën. Prandaj kjo shkakton sjellje të këqija dhe varësi të tyre nga të tjerët…
8. Në muajin e Ramazanit burrat, gratë dhe fëmijët falin namazin e teravive në xhami me 20 rekate të plota. Me qëllim të lehtësimit për faljen e jacisë dhe namazit të teravive në xhami, bëhet shtyrja e ezanit të jacisë derisa të kalojnë dy orë pas perëndimit të diellit. Kjo traditë edhe sot e kësaj dite praktikohet në dy xhamitë kryesore - në Mekë (Qabe) dhe në Medinë (Xhamia e Pejgamberit a.s.), po edhe në tërë Arabinë Saudite. Kjo traditë dikur ishte edhe në shumë vende të ndryshme të Botës Islame, madje dhe në Shqipëri, në ish-Jugosllavinë, në Bullgari, Greqi etj..
9. Ata që kanë mundësi, në këtë muaj bëjnë Umren (vizitë e Qabesë jashtë kohës së Haxhit), për arsye se Pejgamberi a.s. nxiste për Umre në përgjithësi, dhe sidomos në muajin e Ramazanit.
Transmeton Ibni Abasi se Pejgamberi a.s. iu drejtua një gruaje, e cila quhej Umu Sinan, dhe i tha: Çfarë të pengoi që ta bëje haxhin me ne? Ajo i tregoi shkaqet që e penguan dhe, në fund, Pejgamberi a.s. i tha: “Umra në Ramazan është Haxh (e ka sevabin e Haxhit) ose Haxhit me mua”.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram