Leximi i Kuranit në ramazan




(Shembuj praktikë nga jeta e të parëve tanë)

Falënderimet qofshin për Allahun që ia zbriti Kuranin Pejgamberit a.s., dallues mes hallallit dhe haramit, së vërtetës dhe së kotës. E bëri atë udhërrëfyes për njerëzit në përgjithësi dhe për të devotshmit në veçanti, i nxori me të njerëzit prej errësirave të pabesimit, mëkatit dhe injorancës për në dritën e besimit, devotshmërisë e diturisë.
E bëri Kuranin shërim për zemrat nga lajthitja e dyshimi nëpërmjet të cilit ajo pasurohet me udhëzim dhe dëlirësi. E shpalli Kuranin përmes melekut Xhibril, i cili ia lexoi dhe ia mësoi Pejgamberit a.s. e ky ua kumtoi shokëve e prej atëherë ka vazhduar të përcillet prej brezit në brez deri te ne.
Nuk ka dyshim se leximi i Kuranit është ibadet që i shpërblehet lexuesit të çdo shkronje të tij me dhjetë sevape. Pejgamberi alehissalatu veselam ka thënë: “Kush lexon një shkronjë prej Kuranit, do të shpërblehet me një të mirë, ndërsa e mira shumëfishohet për dhjetë. Nuk po them se ‘Eliflammimi’ është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami një shkronjë dhe mimi një shkronjë.”
Pejgamberi alehissalatu veselam jo vetëm që e lexonte vet Kuranin, por edhe i porosiste shokët e tij që ta lexonin atë. Ai ka thënë: “Lexojeni Kuranin se me të vërtetë ai në Ditën e Kiametit do të vijë si ndërmjetësues për lexuesit e tij.” Në një transmetim qëndron: “Kush e lexon Kuranin dhe punon me të...” Në një hadith thuhet: “Kurani do të dëshmojë për ty ose kundër teje.”
Nisur nga këto transmetime kuptohet se lexuesit e Kuranit ndahen në dy grupe:
1. Ata të cilët e lexojnë e nuk punojnë sipas tij; të tillët janë ata për të cilët Kurani do të dëshmojë kundër tyre në Ditën e Kiametit;
2. Ata të cilët e lexojnë Kuranin, i besojnë dhe punojnë sipas tij; të tillët janë ata për të cilët Kurani do të dëshmojë dhe ndërmjetësojë në Ditën e Kiametit.
Gjithashtu, nga këto hadithe kuptohet se gjëja më e rëndësishme në lidhje me Kuranin është përfitimi prej tij. Allahu i Lartësuar thotë: “(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mendje.” (Sad: 29). Pjesa “që t’i studiojnë argumentet e tij” na fton t'i kuptojmë ajetet dhe qëllimet prej tyre, kurse fjalia “që të marrin mësim prej tij ata që kanë mendje” nënkupton të punojmë sipas tij. Përmendet puna pas studimit, sepse puna e mirëmenduar vjen si rrjedhojë e diturisë.
Aq shumë i kushtoi rëndësi Pejgamberi alehissalatu veselam leximit të Kuranit dhe meditimit të tij sa që ai e kalonte zakonisht një pjesë të natës me namaz vullnetar, lexonte Kuranin, e ndonjëherë kur meditonte mbi një ajeti e përsëriste në përlotje. Tregohet se ai kishte kaluar njëherë tërë natën duke përsëritur ajetin: “Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robërit e Tu e nëse ua fal atyre, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Urti.” (El-Maide: 118).
Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Pejgamberi a.s derisa një natë falej përsëriti këtë ajet derisa gdhiu mëngjesi, ai bënte ruku e sexhde dhe thoshte: “Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robërit e Tu e nëse ua fal atyre, Ti je i Gjithëfuqishmi, i Urti.” I thashë: "O i Dërguari i Allahut! Vazhdove së lexuari derisa gdhiu mëngjesi, bëje ruku dhe sexhde (me këtë ajet)!?" I Dërguari i Allahut u përgjigj: "Me të vërtetë unë kërkova prej Zotit tim që të më jepte shefatin (të drejtën e ndërmjetësimit) për umetin tim dhe Ai ma dha atë. Do ta gëzojë këtë ndërmjetësim secili që nuk i bën shok Allahut të Lartësuar."
Në një transmetim tjetër: “…(Muhamedi a.s.) i ngriti duart lart dhe tha: "O Zot, umeti im!" Dhe filloi të qante. Allahu i Lartësuar i tha Xhibrilit: "O Xhibril, shko te Muhamedi dhe pyete atë përse qan", edhe pse Allahu e di më së miri. Kur erdhi Xhibrili e pyeti dhe Pejgamberi e lajmëroi, pastaj Allahu i Lartësuar i tha Xhibrilit: "O Xhibril, shko te Muhamedi dhe lajmëroje se me të vërtetë Allahu do të të bëjë të kënaqur me umetin tënd, e nuk do të të zhgënjejë.”
Ai falej natën aq gjatë, duke lexuar Kuranin, saqë ndonjëherë i ënjteshin edhe këmbët, veçse donte të ishte rob falënderues. E kur vinte muaji i Ramazanit, ai e shtonte recitimin e Kuranit në namaz dhe jashtë tij. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton: “Kur hynin dhjetë ditët e fundit (të Ramazanit), Pejgamberi alehissalatu veselam e shtonte ibadetin, e ngjallte natën me namaz dhe zgjonte edhe familjen."
Dijetarët dhe njerëzit e mirë të këtij ymeti, duke pasuar shembullin e të Dërguarit të Zotit e bënin zakon namazin e natës dhe kur lexonin ajetet që përmendin Xhenetin ose Xhehennemin, i përsëritnin ato dhe qanin me lot, luteshin për mbrojtje nga dënimi dhe kërkonin të jenë të falur e të shpërblyer nga Zoti. Një natë, doli Umeri nëpër Medinë që të shohë si është gjendja e banorëve dhe derisa kalonte pranë shtëpisë së një myslimani qëlloi ta dëgjonte duke u falur. Umeri ndaloi për të dëgjuar leximin e tij të Sures Et-Tur dhe kur lexuesi arriti te fjala e Allahut: “... është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd patjetër do të ndodhë, atë nuk ka kush që mund ta largojë.” (Et Tur: 8-9), Umeri tha: "Pasha Allahun, Zotin e Qabesë, dënimi i Allahut është i vërtetë." Zbriti prej gomarit dhe u mbështet për muri i prekur thellë, qëndroi pak ashtu dhe pastaj u kthye në shtëpi, ku qëndroi një muaj (në atë gjendje). Njerëzit e vizitonin për të sëmurë, e nuk e dinin se prej çfarë vërtet ankohej.”
Nëse i referohemi gjendjes së leximit të Kuranit në Ramazan, do të çuditemi nga praktika e të parëve tanë. Hudhejfe tregon: “Në një natë prej netëve të Ramazanit jam falur me Pejgamberin dhe ai recitoi suren El Bekare, më pas suret En Nisa dhe Alu Imran. Nuk ka kaluar ndonjë ajet frikësues e të mos ndalej për të lutur Allahun e Lartësuar." Hudhejfe shton: "Sapo plotësoi dy rekate, erdhi Bilali dhe thirri për namaz (të Sabahut).”
Ubej ibën Kabi dhe Temim Ed-Dari udhëheqnin namazin e Teravisë, me emërim prej Umerit, e secili prej tyre lexonte njëqind ajete në një rekat, sa që kishte edhe të tillë që nga lodhja prej qëndrimit të gjatë në këmbë mbështeteshin në shkop. Arrinin ta mbaronim namazin vetëm pak para kohës së sabahut. Abdullahu, djali i Ebu Bekrit, rrëfen se e ka dëgjuar babanë e tij duke thënë: “Derisa ne përfundonim namazin në Ramazan, shërbëtorët duhet të nguteshin për të përgatitur syfyrin nga frika se mos po agonte dita.” Disa prej dijetarëve të hershëm e bënin Kuranin hatme në namazin e natës gjatë muajit të Ramazanit për çdo të tretën natë, e disa prej tyre në çdo të shtatën, e disa të tjerë në çdo dhjetë net. Ata e lexonin Kuranin në namaz dhe jashtë tij. Për shembull, Esvedi e lexonte njëherë në dy net gjatë Ramazanit, ndërsa Nehaiu këtë e vepronte vetëm gjatë dhjetë netëve të fundit, ndërsa në pjesën tjetër të muajit e lexonte një herë në tre net. Katade zakonisht e bënte hatme Kuranin çdo shtatë ditë, ndërsa gjatë Ramazanit e bënte hatme për tre net, përveç dhjetë netëve të fundit kur e bënte hatme për çdo natë. Imam Shafiu në muajin e Ramazanit bënte hatme gjashtëdhjetë herë jashtë namazit dhe një gjë e tillë përmendet edhe për imam Ebu Hanifen, Allahu i mëshiroftë të gjithë!
Kur vinte muaji i Ramazanit, Zuhriu thoshte: “Me të vërtetë ky muaj është për lexim të Kuranit dhe ushqim të të varfërve.” Shumë nga të parët tanë kanë qenë ata të cilët kur vinte muaji i Ramazanit, linin hadithet dhe tubimet e dijes për të lexuar Kuranin. Sufjan Eth-Thevri linte anash çdo ibadet dhe kushtohej leximit të Kuranit.
Edhe pse ka ndalesë që të bëhet zakon leximi i Kuranit në më pak se tri ditë, në kohë të bekuara siç është muaji i Ramazanit, sidomos netët kur kërkohet nata e Kadrit, dhe në vende të vlefshme siç është Meka për jo mekasit, preferohet leximi i shumtë i Kuranit, për të shfrytëzuar kohën dhe vendin e vlefshëm.
Pagjumësia është e lodhshme, por jo edhe atëherë kur çudirat mbajnë mendjen zgjuar dhe sytë hapur. Kur është pyetur një lexues i dhënë pas Kuranit, si nuk fle?", është përgjigjur: "çudirat e Kuranit më largojnë gjumin.”
Për fund, e përmend përshkrimin e Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, për lexuesit e Kuranit. Ai thotë: “Duhet që lexuesi i Kuranit të njihet me lexim nate kur njerëzit flenë dhe agjërim kur njerëzit hanë e pinë...me devotshmëri kur njerëzit mëkatojnë, me heshtje kur njerëzit flasin fjalë të kota, me butësi e frikërespekt kur të tjerët tregohen mendjemëdhenj...”



Mr. Bali M. Sadiku
Dituria Islame nr. 341


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram