Beteja e madhe e Bedrit

"Allahu ju ndihmoi në Bedr, kur ju ishit të paktë në numër dhe të pafuqishëm, andaj frikësojuni Allahut, për të qenë falënderues!"

Muaji i madhërishëm i Ramazanit, krahas aspektit adhurimor, ai është i përmbushur edhe me shumë ngjarje të cilat kanë ndodhur gjatë tij. Ndër ato ngjarje të rëndësishme për myslimanët, pa mëdyshje, është edhe Beteja e Bedrit.
Beteja e madhe e Bedrit është zhvilluar me17 ramazan të vitit të dytë të hixhretit, që korrespondon më datën 13 mars 624, sipas llogaritjes sonë.
E ka marrë këtë emër, sepse ajo është zhvilluar në vendin e quajtur Bedr, afërsisht 150 km. në jug-perëndim të Medinës. Ajo është fitorja e parë e myslimanëve në historinë islame, e cila, me shumë të drejtë, konsiderohet si kthesa vendimtare për myslimanët dhe Islamin.
Ditën e dymbëdhjetë të Ramazanit, Pejgamberi (a.s.) pasi ia dha flamurin e bardh të riut nga ensarët, Mus'ab bin Ymerit dhe pasi Amr b. Ummi Mektumin e la në qytet për t'iu prirë në namaz atyre që kishin ngelur pa shkuar në betejë, të tjerëve ndërkaq iu tha."...Kush ka kafshë, le t'i hipe dhe le të vijë me ne..!"

Shkaqet e kësaj beteje

Meqenëse myslimanët u detyruan ta braktisnin Mekën e tyre të dashur dhe të emigronin për në Medinë, nuk patën mundësinë që të shisnin ose të merrnin me vete diçka nga pasuria e tyre, kështu që ajo ngeli në duar të idhujtarëve mekas. Këtë pasuri ua kishin marrë mekasit, të cilët, duke përfituar nga kjo pasuri, kishin marrë udhë për në Sham me qëllim tregtie. Pasi që kishin bërë allishverish me pasurinë e huaj, ata, të udhëhequr nga Ebu Sufjani, dhe me një mijë deve të ngarkuara plotë, po ktheheshin për në vendlindje, në Mekë.
Për kthimin e tyre ishin vënë në dijeni myslimanët. Pejgamberi (a. s.) i kishte konsultuar as'habët e tij dhe së bashku kishin marrë vendimin që karvanit duhet t'i dilnin përpara në prit. Ndërsa myslimanët po zinin pozicionet, erdhi lajmi se karvani i Ebu Sufjanit, me të marrë vesh për planet e myslimanëve, kishte thyer rrugë, dhe kështu ishin shmangur anës së bregdetit goxha shumë. Ndërkohë, idhujtarët mekas kishin nisur përgatitjet për t’i dalë në ndihmë karvanit të tyre dhe për ta luftuar Pejgamberin (a. s.) dhe myslimanët që ishin me të.
Njëri nga as'habët e Pejgamberit, i quajtur Habbab bin Mundhiri, i kishte propozuar Pejgamberit që të përqendroheshin tek burimi i ujit dhe ta rrethonin atë, në mënyrë që idhujtarët kurejshit, në momentin kur më së shumti do të kenë nevojë për ujë, të mos mund t'i afrohen burimit. Ky propozim i pëlqeu Pejgamberit (a.s.) ndaj dhe mori miratimin e tij.
Mushrikët që gjendeshin në Mekë, të armatosur mirë me shigjeta, shpata e mburoja, me afër një mijë luftëtarë dhe me mbi një qind kuaj, shtatë qind deve dhe përgatitje tjera të nevojshme, tashmë ishin nisur për luftë...
Myslimanët ndërkaq, përveç se ishin shumë më të paktë në numër, ata edhe për nga armatimi ishin shumë hollë dhe, edhe atë që e kishin, ishte i dobët... Sipas historianëve, që këtë betejë e kanë studiuar deri në finesa e detaje, në radhët e myslimanëve ishin jo më shumë se 313 luftëtarë me 70 deve dhe vetëm 2 kuaj.

Në mejdanin e betejës

Para se të fillonte përballja në fushën e betejës, Pejgamberi (a.s.) iu drejtua njerëzve të tij me një fjalim me të cilin i porositi ata se si do të vepronin. Pas tij, atyre iu drejtuan edhe Ebu Bekri, Ymeri dhe Mikdadi (i biri i Amrit), i cili, ndër të tjerash, tha: "Ja Resulullah, betohemi në Zotin, se ne nuk kemi për të të thënë ashtu siç Benu-israilët i thanë Musait a.s.: “Shko ti bashkë me Zotin tënd e luftoni, ndërsa ne po rrimë këtu”. Jo, jo! Ne do të luftojmë me ty, në krah tëndin, para e prapa teje”.
Pejgamberi u gëzua nga këto fjalë, por edhe një herë pyeti: “Më tregoni, o vëllezër, se ç'mendim keni për gjithë këtë?” Në atë moment u ngrit në këmbë Sa'd bin Muadhi, i cili, si autoriteti më i lartë i ensarëve që ishte, tha: "Më duket sikur po na drejtohesh neve (ensarëve), ja Resulallah!... Pasha Atë Që të ka dërguar me të drejtë, edhe sikur të na urdhërosh që të hyjmë në det, ne kemi për ta bërë këtë pa hezitim që të gjithë. Nesër jemi të gatshëm bashkë që t'i bëjmë ballë armikut. Prandaj, marsho, ja Resulallah, bashkë me ne drejtë begative të Allahut." Kur Pejgamberi i dëgjoi këto fjalë edhe nga Sa'di, fytyra i shndriti dhe tha: "Vazhdoni dhe po ju përgëzoj se Allahu ma ka premtuar njërin grupim"..."
Ebu Sufjani, i lumtur se duke ndërruar rrugën ia kishte dalë që ta shpëtonte karvanin, akoma pa arritur në Mekë kishte kërkuar që ushtria e bërë gati dhe e nisur për luftë, të mos vazhdonte rrugën tutje, por të ktheheshin. Mirëpo, Ebu Xhehli e kundërshtoi këtë kategorikisht, sepse ai ishte shumë i bindur se me një ushtri kaq të fortë që kishin, kanë për t’i deklasuar myslimanët dhe një e herë e mirë kanë për t’i zhdukur, kurse emri i Muhamedit s’ka për t’u përmendur më!!!
Ndonëse karvani tashmë ishte kthyer në Mekë, Pegamberi dhe myslimanët, megjithatë, nuk u kthyen në Medinë. Kjo sepse qëllimi i myslimanëve për të dalë aty nuk ishte thjesht vetëm karvani, por edhe arsye të tjera, siç ishte dhuna dhe zullumi që i detyroi ata që të bënin hixhret, pastaj planifikimi i mushrikëve për ta likuiduar Pejgamberin e arsye të tjera. Gjithashtu, Pejgamberi (a. s.) dëshironte që, meqë gjendeshin aty, në mos do të lidhte ndonjë marrëveshje me fiset e atyre anëve.
Ndërsa myslimanët ishin në Bedr, Allahu lëshoi një shi nga qielli që i freskoi ata, e zbuti tokën dhe e hoqi pluhurin dhe bashkë me ato pika shiu sikur zbritën edhe melaqet...
...Ishte dita e 17 e muajit Ramazan. Myslimanët ishin edhe agjërueshëm. Të dy palët kundërshtare u vunë në gjendje gatishmërie dhe ballë për ballë njëra-tjetrës. Edhe me sy të thjesht shihej dallimi i madhe në mes të dy palëve, si në njerëz po ashtu edhe në armatim. Pejgamberi (a. s.) me parzmoren e ngjeshur në trup, ua hodhi një vështrim mushrikëve dhe më pastaj u kthye në tendë dhe nga thellësia e shpirtit, iu drejtua Fuqiplotit: "O Zoti im! Të lutem ta përmbushësh besën Tënde dhe premtimin Tënd! O Zoti im, (nëse dëshiron shpartallimin e besimtarëve) atëherë prej sot e tutje nuk do të adhurohesh!" Dhe ndërsa lutej me kaq ashk, xhybeja i ra nga krahët, ndaj dhe kur e pa Ebu Bekri, ia ngriti atë mbi supe dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, mjafton kjo lutje ndaj Allahut!" Pas kësaj, Pejgamberi e shqiptoi ajetin e Kuranit:
"E ai iu drejtua Zotit të vet: "Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!"
...dhe duke dalë nga tenda, deklaroi:
"Pasha Atë Që e ka në dorë shpirtin e Muhamedit, sot nuk ka njeri që i lufton ata, që edhe ndoshta vritet, që duron e përballet me ta dhe që nuk ua kthen shpinën atyre, e që Allahu të mos e fus atë në Xhenet."
Allahu i Lartëmadhërishëm e dëgjoi lutjen e më të dashurit të Tij, dhe e ndihmoi me ndihmën hyjnore. Ja si e përshkruan Kurani fisnik këtë:
"E kur kërkuat ndihëm prej Zotit tuaj, e Ai iu përgjigj: Unë do t'ju ndihmoj me një mijë melaqe që vijnë njëri pas tjetrit!"
Nga ana tjetër, Allahu e porositi Pejgamberin që t'i inkurajonte besimtarët për luftë dhe që të jenë të durueshëm:
"O Pejgamber, inkurajoj besimtarët për luftë. Nëse prej jush janë njëzetë të durueshëm, do t'i mundin dyqind, e nëse janë njëqind do t'i mundin një mijë nga jobesimtarët, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë (pse luftojnë). Allahu tash ju bëri lehtësim duke e ditur se jeni dobësuar. Kështu që, nëse prej jush janë njëqind të durueshëm, do t'i mundni dyqind, e nëse prej jush janë një mijë, me ndihmën e Zotit do t'i sfidoni dy mijë. Allahu është me durimtarët!"
Në sheshin e luftës i pari doli Utbe bin Rebia, që ishte prijësi i mushrikëve, ndërsa pas i shkonin i biri dhe vëllai dhe i cili, duke ngritur zërin pyeti se, kush nga myslimanët ka për të dalë në dyluftim.
Nga ana tjetër, Pejgamberi i nxori për dyluftim më të afërmit e tij: Hamzain, Aliun dhe Ubejde bin Harithin. Hamzai shkoi në drejtim të Utbes, Aliu në drejtim të Shejbes dhe Ubejdi drejt Velidit. Dyluftimi filloi! Hamzai dhe Aliu i mposhtën kundërshtarët e tyre, kurse Ubejdi dhe Velidi ishin plagosur rëndë që të dy. Kjo i frikësoi shumë mushrikët, kurse myslimanëve u dha kurajë e forcë. Pasi mushrikët nisën një rrebesh shigjetash në drejtim të myslimanëve, të dy palët u vërsulën kundër njëra-tjetrës, aq sa u zhvillua një betejë e paparë. Pejgamberi i inkurajonte njerëzit e tij:, duke u thënë "Çohuni! Xheneti është i gjerë sa yjet dhe krejt toka!" Beteja vazhdoi me tërë fuqinë e saj me moton "Ehad, Ehad" (Allahu është Një, Allahu është Një). Hazreti Hamzai bënte namin, sepse Zoti i kishte dhënë fuqi, kurse për vrasjen e Ebu Xhehlit, që ishte njëri nga komandantët dhe autoritetet e ushtrisë armike, u kujdesën dy djelmosha të rinj, Muadh bin Amr dhe Muadh bin Afra, të cilët e kishin plagosur rëndë, ndonëse goditjen e fundit ia dha Abdullah ibn Mes'udi.
Pejgamberi (a.s.) nuk reshte së luturi Allahun (xh. sh.). E, Allahu i Lartësuar ia pranonte lutjet dhe, kohë pas kohe, si përforcim për ushtrinë myslimane, dërgonte melaqet, fillimisht një mijë e më pastaj tre mijë, të cilëve u thoshte:
"Edhe kur Zoti yt u kumtoi melaqeve se: "Unë jam me ju, prandaj mbështetni ata që besuan...!"
Dhe jo vetëm kaq, por Allahu iu kishte thënë besimtarëve që të bëheshin të durueshëm dhe të qëndrueshëm, sepse ndihma e Tij nuk do t'ju mungojë:
"Po gjithsesi! Por nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm e të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t'ju dërgojë në ndihmë pesë mijë melaqe, me shenja të dalluara."
Ndihma e Allahut ishte e shumanshme: ushtria e myslimanëve në sytë e mushrikëve dukej shumë e madhe, dhe, e kundërta, ajo e mushrikëve në sytë e myslimanëve dukej fare e vogël.

Pas betejës...

Në fund të betejës u pa se nga ana e mushrikëve, krahas Ebu Xhehlit qenë vrarë edhe 69 mushrikë të tjerë, ndërsa 70 qenë zënë robër. Nga luftëtarët myslimanë ranë 14 shehidë. Lidhur me robërit e Bedrit, Pejgamberi u konsultua me Ebu Bekrin dhe Ymerin. Ebu Bekri ishte i mendimit se pasi mushrikët të paguanin një dëmshpërblim në kundërvlerë prej 1000-4000 dërhemëve të liroheshin, sepse me këtë myslimanët do të kishin njëfarë dobie dhe mbase ndonjëri prej tyre edhe do ta pranonte fenë islame, e ata që s’kishin mundësi për të paguar këtë shumë, secili prej tyre t’ua mësonte shkrim-leximin dhjetë fëmijëve myslimanë. Ndonëse Hazreti Ymeri kishte mendim tjetër, Pejgamberi zgjodhi idenë e Hazreti Ebu Bekrit. Mirëpo, ky vendim i Pejgamberit, u kritikua në Kuran dhe mendimit të hz. Ymerit iu dha të drejtë:
"Asnjë pejgamber s’ka të drejtë të ketë robër për vete deri sa të arrijë fitore të plotë në Tokë. Ju dëshironi të mira kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Sikur të mos ishin urdhërimet e mëparshme të Allahut (për lejimin e plaçkës së luftës), do t'ju godiste një dënim i madh për atë që keni marrë!"
Pas mbarimit të betejës, Pejgamberi edhe tri ditë qëndroi aty. Ai vet u kujdes që të gjithë të rënët nga të dy palët në Bedër të varroseshin, natyrisht ndaras, dhe më pastaj e kërkoi devenë e tij për t’u nisur për në Medinë. Myslimanët e pranishëm i porositi që secili nga ata të merrte në mbikëqyrje nga një të zënë rob dhe me ta të silleshin në mënyrë korrekte... Kështu më 23 ramazan, Pejgamberi me luftëtarët e tij u kthyen triumfalisht në Medinë. Luftëtarët mushrikë, ndonëse tre fish më shumë në numër dhe shumë të armatosur, pësuan disfatë të thellë. Kjo, sepse myslimanët i kishte ndihmuar Allahu Fuqiplotë. Kurani kështu e përshkruan këtë:
"Sigurisht, nuk ishit ju që i vratë ata, por i vrau Allahu! Kur gjuajte, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuajte, por ishte Allahu Ai që gjuante, me qëllim që t'ju bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtetë Allahu dëgjon dhe di çdo gjë!"
Kësisoj, Bedri qe më shumë se një fitore në rrugën e Zotit, me besim dhe me mbështetje tek Ai. Pejgamberi dhe myslimanët vërtet i ishin lutur Allahut dhe Ai ua mundësoi një fitore të ndritshme. Ai u dhuroi myslimanëve më shumë se ç'kishin kërkuar prej Tij, jo vetëm karvanin, por edhe:
"Allahu u premtoi fitoren mbi njërin prej dy grupeve, që ai të ishte i juaji. Ju dëshironit që grupi i paarmatosur të ishte i juaji, ndërsa Allahu dëshironte të përmbushte premtimin e Tij dhe t'ua zhdukte rrënjët mohuesve!"
Pas kësaj disfate, kaloi kohë dhe mushrikët e Ebu Lehebit assesi nuk mund ta merrnin vetën. Nga ana tjetër, për çdo ditë shumë nga “ithtarët e librave të shpallura më herët” e pranonin fenë islame, kurse numri i myslimanëve sa vinte e shtohej.

Mesazhet e Betejës së Bedrit

Beteja e madhe e Bedrit, përfundimisht, hapi një faqe të re në historinë e myslimanëve. Dhe jo vetëm kaq, ajo qe "jeumu 'l-furkan" - dita kur u dallua e vërteta nga gënjeshtra, drita nga errësira, e mira nga e keqja, imani nga kufri, besimi nga idhujtaria:
"...ditën dallimtare (ditën e Bedrit), ditën e konfrontimit të dy grupeve..."
Atë ditë luftoi djali kundër babait, vëllai kundër vëllait, i afërmi kundër të afërmit... dhe se besimi ishte ai që e bënte dallimin, diferencën: njëri ishte myslimanë e tjetri mushrik-politeistë, idhujtarë.
Beteja e madhe e Bedrit ka, prandaj, rëndësi të veçantë, sepse aty iu vunë themelet shtetit të ardhshëm islam, shoqërisë myslimane, ardhmërisë së Ymmetit, kulturës dhe qytetërimit të mëpasshëm islam.
Duhet thënë edhe këtë se, Beteja e madhe e Bedrit tregoi se fitoren e garanton vetëm Allahu (xh.sh), Ai e ndihmon, Ai e sjell atë, dhe vetëm Ai ju gëzon me të. Kur ne kemi besim të sinqertë, kur e duam Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë, vështirësitë, pengesat, barrierat, janë të parëndësishme, siç qenë numrat dhe armatimi i kurejshtitëve në Betejën e Bedrit. Kjo sepse, imani mposhtë çdo gjë.
Një cilësi tjetër që kësaj here i karakterizoi myslimanët dhe që praktikisht iu siguroi fitore qe edhe uniteti i paparë në radhët e tyre. Prandaj, aty ku dominon uniteti, bashkimi, aty ku ka mirëkuptim e razi, aty nuk mungon as ndihma e Zotit.
Beteja e Bedrit edhe sot duhet të troket në ndërgjegjen e myslimanëve për të parë se ku janë myslimanët sot?!
Myslimanët sot nuk qëndrojnë keq numerikisht, edhe për nga aspekti material një pjese të tyre bota tjetër ua ka lakmi. As me shkollë, shkencë e dije nuk janë për t'u nënçmuar, mirëpo ata sot nuk paraqesin ndonjë autoritet të cilët duhet respektuar. Shumë vende islame sot janë vatra lufte. Në të shumtën e vendeve ku ka myslimanë, aty ka luftë. Shumë myslimanë sot gjithandej nëpër botë jetojnë për të vdekur, dhe jo edhe për të mbijetuar. Një numër i tyre, madje me miliona kanë mbetur të hutuar si refugjatë gjithandej nëpër botë, e shumë prej tyre vdesin ose edhe i mbysin rrugëve si të shkretë. Në mes të myslimanëve fatkeqësisht sot nuk ka unitet, përkundrazi vetëm përçarje!
Thënë ndryshe, Betejën e Bedrit sot secili prej nesh mund ta bëjmë në rrafshin individual. Si mund të bëhet kjo? Kjo mund të bëhet duke luftuar kundër të keqes, kundër egos, kundër shejtanit dhe të këqijave që vijnë prej tyre. Dhe nëse kjo luftë bëhet me nijet të pastër me angazhim konkret, me vendosmëri dhe sinqeritet, atëherë fitorja është e sigurt, sepse atë e garanton Allahu xh.sh.
Këtë vështrim timin për Betejën e madhe të Bedrit dëshiroj ta përmbyll, -ndonëse mesazhet e kësaj ngjarje të madhe në historinë e myslimanëve e ndodhur në Ramazan, nuk përfundojnë dot, - me hadithin e Pejgamberit (a. s.), i cili, sipas transmetimit të Sehl bin Hunejf, ka thënë: "Kush i kërkon Allahut me sinqeritet me ra dëshmorë, Allahu do ta shpërblej me pozitën e dëshmorit edhe sikur të vdes në shtratin e vet".



Literatura e konsultuar:

Kur'ani Fisnik, përktheu H. Sherif Ahmeti, botoi: “Kompleksi i Mbretit Fehd për shtypjen e Kur'anit të ndershëm, Medinë, pa v. b.
Kur'ani i Madhërishëm, përktheu Prof. Hasan I. Nahi, botim i përkthyesit, Prishtinë, 1988.
Muhammad Fu’ad ‘Abdul-Bâkî, al-Mu’?am al-mufahras li alfâz al-Kurân al-Kerîm”, 1987, Kajro.
Shpjegimi i kuptimeve të Kur'anit të lartë në gjuhën shqipe, përkthyer nga një grup përkthyesish pranë Darusselam, Shtëpia botuese dhe shpërndarëse “Darusselam”, Rijad, 2000.
Kurani dhe hija e tij shqip, përktheu dr. Feti Mehdiu, “Llogos-A”, Shkup, 1999.
Ibni Hishami, Es-sire en-Nebevijje, përgatitur për bot. nga Mustafa Es-Seka etj., Kajro, 1936.
Grup autorësh të përzgjedhur të "Al-Az'harit", Hutabu 'l Xhu'ati vel idejni, “Dar el-Mearif”, bot. i dytë, Kajro.
Grup autorësh, Islami nëpërmjet haditheve, “Kryesia e Çështjeve fetare të Turqisë- Dijaneti”, bot. i dyrë, Ankara, 2017.
Grup autorësh, Muhammedi a.s. – vështrim bashkëkohor, botoi: “el-Muessesetu ‘l-‘arabijjetu li d-dirasati ven-neshr”, Bejrut, 1972.
Hamidullah, Muhammed. Muhammed a.s. – život i djela, vëll. I-II, botoi: “Kryesia e BI e BeH, Kroacisë e Sllovenisë”, Sarajevë, 1983.
Harun, Abdusselam. Tehdhib Siret Ibn Hisham, botoi, “Dâr ef-fikr”, pa vit dhe vend botimi.
Hiti, Filip. Istorija Arapa, bot. "Veselin Maslesa", nga anglishta Petar Pejcinovic, Sarajevo, 1967.
Mustafa Spahic, Povijest Islama, bot. Bashkësia Islame në Gjermani, 1996, shtyp Travnik.
Muhamed Husejn Hejkel, Jeta e Muhamedit, bot i 13-të, "En-Nehda el-misrije", 1968, Kajro.



Resul ef.Rexhepi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë