Vlerat qytetëruese në Betejën e Bedrit

Janë të shumta vlerat qytetëruese të cilat në Betejën e Bedrit janë shfaqur si ngjarjet kryesore gjatë asaj beteje, e cila as që ishte e paramenduar nga ushtria myslimane që kishte dalë me qëllim që të ndiqte një transaksion tregtar të kurejshitëve, që vinte nga Shami, nën udhëheqjen e Ebu Sufjanit, - si një tjetër përpjekje për ta rikthyer pasurinë e myslimanëve, të cilën e kishin konfiskuar kurejshitët më herët.

Mirëpo Allahu xh.sh. caktoi një çështje tjetër nga ajo që donin myslimanët. Ebu Sufjani arriti të arratisej me karvanin e tij nga myslimanët dhe ua dërgoi lajmin në Mekë për një gjë të tillë. Mirëpo kurejshitët mekas ishin hidhëruar shumë dhe, për një kohë të shkurtër përgatitën një ushtri të përbërë prej një mijë ushtarësh, sa kohë që Ebu Sufjani, siç e thamë më herët, u kishte dërguar lajmin udhëheqësve mekas se ai e kishte shpëtuar karvanin dhe nuk kishte nevojë më për luftë. Me atë rast Ebu Xhehli refuzoi dhe nuk pranoi gjë tjetër përveçse ballafaqimin ushtarak me myslimanët. Në rreshtat në vijim, do të përqendrohemi në disa vlera qytetëruese, të cilat mund të nxirren nga Beteja e Bedrit:

Shoqërimi (bashkëpjesëmarrja) I komandantit me ushtarët e tij gjatë momenteve të vështira

Abdullah ibn Mesudi r.a. thotë: Ditën e betejës së Bedrit isha i pranishëm; atë ditë çdo tre persona kishin një kafshë (deve a kalë) të përbashkët. Ebu Lubabe dhe Aliu r.a. ishin shoqërues dhe bashkëpjesëmarrës të Pejgamberit a.s. dhe, sa herë që u dilte ndonjë pengesë në rrugë, ata i thoshin Pejgamberit a.s. - Ne do të ecim, kurse Pejgamberi a.s. u thoshte atyre: “Ju nuk jeni më të fuqishëm se unë, gjithashtu edhe unë kam nevojë për shpërblim sikurse ju”. Komandant i mirëfilltë është ai që shoqëron ushtarët e tij edhe në vështirësi, ai që i stimulon ata edhe me ndonjë veprim të thjeshtë, në mënyrë që të jetë shembull i mirë për ushtarët e tij, sinë lehtësi ashtu dhe në vështirësi. Nuk mund të jetë komandant i mirë ai që qëndron pas ushtarëve të tij nga frika e ndonjë ndodhie, ose ai që bën një jetë të begatshme, kurse ushtarët e tij vuajnë nga uria dhe etja.

Këshillimi-Konsultimi

Në Luginën e Dhefiranit Pejgamberit a.s. i arriti lajmi se karvani kishte shpëtuar, ai ishte i sigurt se konfrontimi a ballafaqimi ushtarak me armikun ishte i pashmangshëm. Me atë rast ai u këshillua me njerëzit dhe i vendosi ata para një situate “status quo”: ose të ballafaqohen me armikun, ose të ikin në Medinë... Ai u tha ushtarëve të tij: “Më këshilloni, o ju njerëz”, dhe kështu vazhdoi Pejgamberi a.s. ta përsëriste këtë thënie derisa njerëzit u ngritën njëri pas tjetrit dhe secili dha mendimin e tij. U ngrit Ebu Bekri r.a. dhe foli fjalë të mira, pastaj u ngrit Omeri r.a., i cili gjithashtu foli fjalë të mira, më pastaj u ngrit el-Mikdad ibn Amr, i cili gjithashtu foli fjalë të mira dhe kështu vazhdoi derisa u ngrit udhëheqësi i njohur i ensarëve, Saad ibn Muadhi, i cili dha një mendim të prerë rreth këtyre këshillimeve,
në favor të zgjidhjes ushtarake. Ja, kjo është shoqëria islame, e cila këshillimin konsultimin e konsideron një prej shtyllave të saj dhe temel të fuqishëm të ndërtesës së saj.

Parandalimi i përdorimit të dhunës me qëllim të marrjes së informacioneve:

Kjo është një tjetër mënyrë e manifestimit të dukurive të qytetërimit në jetën e të Dërguarit a.s.. Ai kishte ndaluar rreptësisht që të nxirreshin informacione nga njerëzit me anë të përdorimit të forcës apo dhunës. Natën e betejës, Pejgamberi a.s. e kishte dërguar Aliun r.a. në një detashment te ujërat e Bedrit me mision të marrjes e të tubimit të informacioneve rreth armikut. Aty gjetën dy djem që u bartnin ujë kurejshitëve. I sollën ata dhe filluan t’i pyesnin kur Pejgamberi a.s.
ishte duke u falur. Ata ishin përgjigjur: Ne u bartim ujë kurejshitëve. Ashabët (shokët) e Pejgamberit a.s. filluan t’i rrihnin derisa ata dy u detyruan t’i tërhiqnin fjalët e tyre. Kur përfundoi namazin, Pejgamberi a.s. u tha atyre duke i denoncuar: Pasha Zotin, ju jeni duke i rrahur ata kur janë duke folur të vërtetën, e po i lini kur po ju gënjejnë... Nëse e thonë të vërtetën, ju po i rrihni, e nëse ju gënjejnë, ju po i lini?! Ata që në fillim e thanë të vërtetën - se u përkasin kurejshitëve. Kështu trajtonte komanda apo udhëheqja islame ata që binin në duart e shërbimit sekret për t’u marrë në pyetje. Komandanti i kishte ndaluar ta përdornin dhunën gjatë marrjes në pyetje, ose që të përdornin forcën për të nxjerrë ndonjë informacion. Kjo ngjarje i kishte paraprirë marrëveshjes së tretë të Gjenevës të vitit 1949, e cila ndalon që robi të detyrohet të japë informacione përveç atyre që mundësojnë identifikimin e tij, siç janë emri i tij, datëlindja dhe grada e tij ushtarake. Pejgamberi a.s. konsideronte krim çdo veprim që përmbante torturim, dhunim ose presion psikologjik a fizik ndaj robit, me qëllimin për të nxjerrë informacione prej tij. Në këtë aspekt mund të themi se mësimet islame u kanë paraprirë këtyre marrëveshjeve të mëvonshme. Pejgamberi a.s. zbatonte me kujdes parimet që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të robit. E sot kemi shtete të cilat pretendojnë se janë praktikueset më të fuqishme të këtyre parimeve, ndonëse në të vërtetë ato veprojë në kundërshtim me këto parime.

Respektimi i mendimeve-pikëpamjeve të ushtarëve

Kur Pejgamberi a.s. lëvizi në drejtim të vendit të betejës, ai së bashku me ushtrinë e tij u pozicionuan te pusi i ujit, që ishte më i afërti për ushtrinë myslimane. Me atë rast el-Hubab ibn Mundhir u ngrit dhe i propozoi Pejgamberit a.s. një vend tjetër më të mirë sesa ai, - propozoi që të pozicionoheshin te pusi i ujit që ishte më i afërti për ushtrinë armike. Atëherë Pejgamberi a.s. i tha atij duke e inkurajuar: “Na ke këshilluar me një mendim të saktë” dhe menjëherë filloi të realizonte idenë e Hubabit dhe nuk ishte këmbëngulës që të respektohej pikëpamja e tij, edhe pse ai ishte komandanti suprem i ushtrisë myslimane. S’ka dyshim që këto pozicione i bëjnë shumë të qarta marrëdhëniet në mes komandantit dhe ushtrisë së tij, marrëdhënie të cilat respektojnë pikëpamjet e pjekura dhe inkurajojnë idetë e reja.

Drejtësia në mes komandantit dhe ushtarit

Të rralla janë rastet, gjatë historisë së luftërave të ndryshme, kur mund të shohim një pasqyrë që tregon për drejtësinë në mes komandantëve dhe ushtarëve. Historia njerëzore është e mbushur me ngjarje ku tregohen tirania dhe padrejtësitë e llojllojshme të komandantëve ndaj ushtarëve të tyre. Ndërkaq, Muhamedin a.s. gjatë qëndrimit të tij në fushën e betejës, e shohim të vendoset para një ushtari të tij, i cili dëshiron të marr hakun (të drejtën) e tij nga Pejgamberi a.s.. Ky ushtar ishte Sevad ibn Gazije. Atë ushtar Pejgamberi a.s. e kishte goditur shumë lehtë në stomak me këllëfin e shpatës së tij për arsye se kishte dalë nga radha, dhe i kishte thënë: “Rreshtohu, o Sevad!”. Ai i tha: “O i Dërguari i Zotit, më lëndove! E Zoti të ka dërguar ty që të thuash të drejtën dhe të jesh i drejtë, prandaj ma mundëso që të hakmerrem”! Me atë rast Pejgamberi a.s. i hoqi rrobat nga stomaku i tij dhe i tha: “Hakmerru”.., ndërsa Sevadi e përqafoi dhe filloi të puthte stomakun e tij! Pejgamberi a.s. i tha: “Çfarë të shtyri të veprosh kështu, o Sevad?” e ai u përgjigj: “O i Dërguari i Zotit, edhe vetë po e sheh se në çfarë gjendjeje jemi, prandaj pata dëshirë që takimi ynë i fundit të jetë duke ta prekur stomakun tënd”! Me atë rast Pejgamberi a.s. u lut për Sevadin.

Dialogu para përplasjes

Pejgamberi a.s. pati dëshirë t’i shterte të gjitha mjetet e pajtimit dhe të paqes para se të futej në betejë, sepse ai nuk ishte dërguar përveçse mëshirë për të gjitha botët. Ai kishte dëshirë të merrte një iniciativë paqësore, në mënyrë që të ktheheshin të dy ushtritë në shtëpitë e tyre dhe të shmangej gjakderdhja. Kur arriti ushtria kurejshite në tokën e Bedrit, Pejgamberi a.s. e dërgoi Omer ibn el-Hattabin te kurejshitët, sepse ai (Omeri) ishte ambasadori i tyre në kohën e injorancës, dhe i këshilloi ata që të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në mënyrë që të shmangej gjakëderdhja. Hakim in Hizami, një njeri i mençur nga kurejshitët, u kishte thënë atyre që ta pranonin atë ofertë, sepse edhe ai e shihte të arsyeshme. Mirëpo Ebu Xhehli kishte thënë: “Për Zotin, nuk kthehemi, sepse ata tashmë i kemi në dorën tonë”. Këtu mund të vërehet përkushtimi i Pejgamberit a.s. që të ruhej e të mos kishte gjakderdhje, kurse Ebu Xhehli ishte i përkushtuar që të kishte gjakderdhje. Nga ky veprim mund të vërehet një vlerë qytetëruese e veprimit të Pejgamberit a.s. gjatë kësaj beteje, që është: Dialogu para përplasjes.

Besnikëria ndaj idhujtarëve kurejshitë

Në lidhje me robërit e zënë gjatë betejës së Bedrit, Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Sikur të ishte gjallë el- Mutam ibn Adij dhe të më fliste në lidhje me këta robër, do t’i liroja për hatër të tij”! E tha këtë Pejgamberi a.s. për arsye se el-Mutam ibn Adije kishte strehuar Pejgamberin a.s. atëherë kur ishte kthyer prej Taifit në Mekë. Në atë kohë, kur të gjithë njerëzit refuzuan ta mbronin Pejgamberin a.s. nga frika që kishin prej Ebu Xhehlit, el-Mutami kishte thënë: “O populli kurejshit, unë e kam strehuar Muhamedin, prandaj mos të e ofendojë asnjëri prej jush”.. dhe Pejgamberi a.s. nuk ia kishte harruar el-Mutamit këtë veprim dhe këtë burrëri. Po në këtë ditë Pejgamberi a.s. gjithashtu kishte thënë: “Ai që e takon Ebul Buhturij ibn Hisham ibnil Harith ibn Esedin, të mos e vrasë; ai që e takon el-Abbas ibnil Muttalibin, të mos e vrasë, sepse ai ka dalë pa dëshirën e tij”. Abbasi në atë kohë në Mekë
kishte detyrë në shërbimin sekret për myslimanët dhe ai ishte mysliman, por fshehtazi. Ndërsa Ebul Buhturiju, sa ishin myslimanët në Mekë, i ndalonte idhujtarët që t’i maltretonin ata, bile në shumë raste u ishte ndihmuar gjatë ditëve të vështira, kur ishin të izoluar, dhe ishte njëri prej atyre që mori iniciativën për ta prishur bojkotin ndaj myslimanëve, dhe për këtë arsye Pejgamberi a.s. deshi ta nderonte në ditën e Bedrit. E pra, komanda islame nuk ua harron njerëzve veprimet e mira dhe qëndrimet burrërore, edhe nëse ata nuk janë nga mesi i tyre.

Mbajtja e premtimeve

Hudhejfe ibnul Jeman r.a. thotë: “Ajo që na pengoi të ishim të pranishëm në betejën e Bedrit, ishte se unë dhe babai im dolëm (prej Mekës) dhe dëshironim t’i bashkoheshim të Dërguarit të Allahut, mirëpo kurejshitët na zunë e na thanë: ju dëshironi të shkoni te Muhamedi, e ne iu përgjigjëm: Nuk dëshirojmë të shkojmë te Muhamedi, por dëshirojmë të shkojmë në Medinë. Ata morën prej nesh një premtim dhe besë që të mos i bashkoheshim Muhamedit në luftë. Kur i kaluam ata, erdhëm te Pejgamberi a.s. dhe i treguam se çfarë na kishin thënë dhe çfarë u kishim thënë ne, dhe kërkuam prej tij të na tregonte se çfarë të vepronim. Ai u përgjigj: “Kërkojmë ndihmën e Zotit ndaj tyre dhe mbajmë premtimin e dhënë”!. Ky qëndrim i Pejgamberit a.s. konsiderohet krenari e sjelljeve gjatë luftërave në historinë njerëzore. Historianët nuk mund të gjejnë, gjatë historisë së luftërave në përgjithësi, një qëndrim të ngjashëm me këtë qëndrim mahnitës. Këtë qëndrim,të cilin e shohim se kishte mbajtur komanda islame me qëllim të respektimit të premtimit në mënyrën më të mirë, edhe pse një premtim i tillë ishte marrë në një mënyrë të dhunshme, - megjithatë Pejgamberi a.s. e kishte respektuar.

Respektimi i robërve të luftës

Pasi Allahu xh.sh. e nderoi ushtrinë myslimane me fitore ndaj kurejshitëve, dhe myslimanët i verifikuan robërit, Pejgamberi a.s. i ndau ata në mes ashabë veshokëve të tij dhe u tha: “Kini kujdes ndaj tyre”! Ebu Aziz ibn Umejr, vëllai i Musabit, na tregon se çfarë kishte parë atëherë kur e kishin zënë rob myslimanët. Ai thotë: Unë isha me një grup të ensarëve, kur u kthyem nga Bedri dhe, sa herë që e sillnin drekën a darkën, mua më veçonin duke më dhënë bukë, kurse ata hanin hurma, për shkak se Pejgamberi i kishte porositur ata që të silleshin mirë ndaj nesh”.Këtë gjendje e përshkruan edhe Kur’ani, ku Allahu xh.sh. thotë: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër”. (El-Insan: 8). Ky moral i lartë, të cilin e kishte ngulitur thellë në zemrat e tyre mësuesi më imirë, Muhamedi a.s., kishte një ndikim të madh që një pjesë e konsiderueshme e robërve të zënë të pranonin Islamin. Gjithashtu ata që u rikthyen në Mekë, filluan t’u tregonin njerëzve për moralin e lartë të Muhamedit a.s. dhe respektin e tij.

Ndalimi i torturimit-gjymtimit të robërve

Në mesin e të zënëve rob ishte edhe Suhejl in Amr, njëri nga paria e Mekës. Kur Omeri r.a. e kuptoi se ai ishte në mesin e robërve, i tha të Dërguarit të Allahut: Më lejo që t’ia nxjerr dy dhëmbët e parë Suhejlit, në mënyrë që ai më kurrë të mos tallet me ty!- sepse ai ishte një orator i njohur që tallej me Islamin. Ndërsa Pejgamberi a.s. iu përgjigj Omerit me butësi, duke i thënë: “ Jo, nuk e torturoj atë, sepse mund të më torturojë Zoti mua, edhe pse jam Pejgamber”. Pejgamberi a.s. nuk veproi ashtu siç veprojnë shumë ushtri me ushtritë humbëse, po përkundrazi ai vendosi një rregull të mirëfilltë gjatë luftërave, dhe atij i takon nderi, respekti dhe përparësia për ndalimin e nënçmimit të robit ose të torturimit të tij.



Muhamed Mes’ad Jakut
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Vedat Shabani.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë