Robërit e gjuhës se tyre

Njerëzve u pëlqen të flasin. Flasin pandërprerë. U pëlqen të dëgjohen e të lavdërohen për atë që flasin, pasi në të folurit e tyre ka mirësi sipas tyre. Epo, edhe ka, në të folurit e disave e edhe nuk ka në të folurit e disave. Ka përderisa i padituri nuk e këshillon të diturin, dhe i dituri nuk bije pre e këshillave të të paditurit. Ka përderisa njerëzit vlerësohen sipas cilësive të tyre. Por, kur kjo nuk ndodhë mirësia shndërrohet në fatkeqësi dhe pasojat i vuajnë të gjithë. E ai që pranon ta dëgjoj fjalën e të paditurit është edhe më i paditur se i padituri, është i dobët. Në kuvendet tona nuk ka vend për dobësi e të dobët.
Ibn Arabi thotë: "Nëse të duket e komplikuar t'i përgjigjesh pyetjes se dikujt, mos u përgjigj, sepse ena e tij është plot dhe nuk ka vend për përgjigje." Prandaj i komplikuari le të merret me të komplikuarën dhe i thjeshti me të thjeshtën. Secili ta dijë vendin dhe mundësitë psiqike të tjetrit. Nuk është në natyrën tonë të komplikojmë diçka më shumë se sa është e komplikuar, por as të thjeshtësojmë diçka më shumë se sa është e thjeshtësuar. Për aq sa mundemi të lehtësojmë, lehtësojmë, por vetëm aq sa lehtësimi është i lejuar pasi Pejgamberi salallahu alejhi we selem ka thënë: "Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos refuzoni." [Enesi radijallahu anhu, Sahih Buhari dhe Muslimi] Por, nuk do të thotë që për hirë të lehtësimit të hedhim pluhur mbi të vërtetën, të gënjejmë e mbulojmë, të arsyetojmë atë që nuk arsyetohet dhe fajtorin ta bëjmë të pafajshëm. Kjo do i bënte zullum të vërtetës, e e vërteta është sinonim i kësaj feje.
Vërtetë fjalët e bukura që nuk ka të vërtetë në to nuk janë tjetër pos mashtrim. Këto fjalë janë nga të cilat nuk ka dobi dëgjuesi, vetëm folësi. Janë fjalë që shkaktojnë urrejtje e përçarje përmes lavdërimit të dikujt e nënçmimit të dikujt tjetër. Folësit e tyre janë gjarpërinj e fjalët e tyre helm. Të tillët janë bërë re e zezë mbi qiellin islam me shekuj duke shkaktuar fitne, devijim e gjakderdhje vëllazërore. Janë këta që gjuhët e tyre mundohen kinse ta "pasurojnë e avancojnë" besimin e kulturën islame me diçka të huaj, ta "modernizojnë" me risitë e botës moderne. Janë këta që hedhin ujë në gotën e mbushur plot. Korruptojnë zemra të pavendosura e të sëmura nga lakmia me helmin e gjuhës se tyre dhe me arin e huaj për të cilin nuk kanë derdhur asnjë pikë djerse. Sa folës të këqinj janë! Sa bamirës të korruptuar! A po mundohem ta bëjnë më të mirë atë që është e përkryer!? I Gjithdijshmi na paralajmëron për të tillët në Kur'an-in Fisnik: "Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë." [Bekare:204]
Gjuha që udhëhiqet nga ndjenja e superioritetit e arrogancës, e mbështetur në ulesën e arit, ofendimin e nënçmimin i konsideron mençuri dhe provë të superioritetit të saj. Faktikisht një gjuhë e tillë nuk është gjë tjetër pos e shëmtuar, pasi Allahu i Lartësuar në Fjalën e Tij të Përkryer kërcënon gjuhët e tilla: "1. Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit),
2. Që ka grumbulluar pasuri dhe që e ruan të mos i pakësohet. 3. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm." [Humeze: 1, 2, 3] Gjuhë të tilla të shëmtura dëgjojmë ditë e natë në ekranet tona, lexojmë në gazetat e mediat tona. Mbledhin pasuri duke dëmtuar të tjerët me gjuhët e tyre, duke bërë thashetheme e duke thënë të pavërteta. Cënojnë personalitetin dhe moralin e tjetrit. Dëmtojnë dhe turpërojnë njerëz që nuk u ipet fare mundësia ta mbrojnë vetën e tyre. Ndyejnë të ndershmit dhe lartësojnë të pandershmit. Ata e dinë sa e shëmtuar është ajo që bëjnë, por janë aq të këqinj sa këtë e konsiderojnë aftësi e jo paftyrësi. Këto janë gjuhë që mund t'i blesh në ankande të akademive e universiteteve kudo në botë, e te ne padiskutim.
Pastaj janë ata "të gjithëditurit". Të gjithditurit merren me çdo gjë dhe çdo kë. Ditët e tyre kalojnë duke menduar e krijuar prognoza rreth jetës e veprimeve të të tjerëve. Këta duan ta "zhdukin të keqen" duke i gjetur gabimet e të gjithëve dhe duke i përmirësuar ato. Vërtetë ky do ishte veprim i mirë e që duhej ndjekur nga të gjithë po të mos ekzistonte një problem i vogël. Problemi është se këta të gjithditurit duke u marrë aq shumë me gabimet e të metat e problemet e të tjerëve, harrojnë vetën dhe të metat e tyre. Përmirësues të papërmirësuar. Korrigjues të pakorrigjuar. Gabimtar të pagabueshëm. Kritikues të ashpër ndaj të tjerëve e aq të butë e arsyetues ndaj vetës. Të zhytur në humnerën e tyre nga e cila thërrasin për mirësi. Thirrje e trishtuar.
Duhet të kemi kujdes nga gjuha jonë sepse mund të jetë armiku ynë më i madh. Zjarri që do na djegë më së shumti. Të mos flasim kur nuk duhet, ta shkelim egon tonë dhe t'i dëgjojmë të diturit mes nesh pa marrë parasyesh kush janë apo çfarë kanë sepse Allahu i Mëshirshëm e i dhuron kujt të dojë nga Dija e Tij, e kjo Dije është e pafund. Mos të kufizohemi sepse Toka është e gjërë e dituria është e shtrirë në të. Islami na shtyen të rëndim pas dijes kudo. Ne nuk jemi popull i izolimit e vetëpëlqimit. Ne nuk jemi robër të gjuhëve tona. Ne dimë ta vlerësojmë fjalën e bukur e ta shkelim e kundërshtojmë fjalën e shëmtuar. Ne jemi populli i Kur'an-it, e Kur'an-i është Fjala e Bukur dhe e Vërtetë e të Gjithdijëshmit, Mëshiruesit. Elhamdulilah!



Arben Desku - Kosovë


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë