Myftiu Naim ef. Tërnava takohet me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë, me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë nga pandemia globale ‘Covid-19’ dhe për mundësinë e hapjes së xhamive në 10-netshin e fundit të Muajit të Ramazanit.
Myftiu i vendit, fillimisht ka falendëruar të gjithë besimtarët myslimanë për mirëkuptimin që kanë pasur gjatë gjithë kësaj kohe, duke respektuar, në rend të parë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por në veçanti edhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gjatë konferencës, Myfitu, Naim ef. Tërnava, theksoi se për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë tejet e vështirë pezullimi i faljeve me xhemat i namazeve ditore dhe tubimeve tjera. Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës, në ditët e fundit ka qenë mjaft aktive me kontakte të vazhdueshme që të paktën në 10 netëshin e fundit të muajit të Ramazanit të hapen xhamitë, por gjatë bisedës së sotme me ministrin në detyrë, Arben Vitinë, u bë e ditur se një veprim i tillë është me rrezikshmëri të lartë dhe kësisoj shëndeti i besimtarëve është primar dhe tejet i rëndësishëm.
Në anën tjetër, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falendëruar besimtarët për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fillimisht, ministri në detyrë, vlerësoi lartë kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë kohë pandemie, por edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë e Shëndetësisë. Z. Vitia njoftoi Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për takimin e djeshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetiti Publik dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, ku është konstatuar se gjendja e rrezikut në vend nuk ka kaluar ende.
Ministri tha se planet e institucioneve shëndetësore janë prishur gjatë katër ditëve të fundit ku numri i rasteve të reja me ‘Covid – 19’ është rritur dhe si e tillë gjendja vazhdon të jetë e pasigurt. Po ashtu, ai u bëri thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë rekomandimet në maksimum në mënyrë që të mos ketë valë të re epidemiologjike.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u dakorduan që të jenë në kontakt të vazhdushëm në lidhje me situatën e krijuar në vend nga pandemia, ndërsa së bashku u uruan agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë besimtarëve myslimanë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram