Aspektet e brendshme të agjërimit

Dije që ekzistojnë tre kategori të agjërimit:

1. Agjërimi i masës – saum el’umum
2. Agjërimi i të zgjedhurve – saumu el husus
3. Agjërimi i më të zgjedhurve – saumu hususi el husus
Agjërimi i masës është ai në të cilin agjëruesit, kryesisht, ndalen nga ushqimi, pija dhe akti seksual. Agjërimi i të zgjedhurve është agjërim i atyre që përveç të cekurave, ruajnë veshin e tyre, syrin, gjuhën dhe të gjitha organet dhe shqisat nga mëkatet. Agjërimi i më të zgjedhurve është agjërim i atyre që, përveç këtyre që përmendëm, agjërojnë me zemrën dhe mendimet e tyre, dhe të cilët tërësisht i përkushtohen Allahut të Madhërishëm.
Ky lloj agjërimi ndërprehet në mendimin në çdo gjë, përveç mendimit në Allahun e Madhërishëm dhe Ahiret.
Ky lloj agjërimi ndërpritet me mendimin në dynja, përveç nëse është i lidhur me fenë. Këta që agjërojnë me zemër thonë kështu: “Ai i cili gjatë agjërimit gjatë ditës mendon se me çfarë do të bëjë iftar, ka gabuar, ngase kjo flet për mungesën e fuqisë në fe, në mungesën dhe sigurinë në mirësi dhe në furnizimin e premtuar nga Allahu i Madhërishëm”.
Në këtë kategori të agjëruesve bëjnë pjesë pejgamberët, evliatë dhe njerëzit e mirë. Kjo është rrugë me të cilën kryesisht dëshirohet Allahu i Madhërishëm dhe për të cilët qartë flet Kur’ani fisnik:
“Mandej lëri ata të luajnë në atë kotësinë e tyre!”(1)
Agjërimi i të mirëve dhe të zgjedhurve është i atyre që agjërojnë me shqisat e tyre dhe këtë e plotësojnë me gjashtë mënyrat vijuese:
Shikimin e tyre dhe vëmendjen e largojnë nga çdo gjë që është mëkatare dhe e papëlqyeshme, nga çdo gjë që zemrën e largon nga dhikri dhe përkujtimi në Allahun, xh. sh. Muhammedi, s. a. v. s., ka thënë:
“Shikimi është shtizë helmuese e Iblisit, Allahu e mallkoftë, dhe ai i cili e refuzon duke u frikësuar nga Allahu, xh. sh., Ai do t’i japë iman në atë masë, në të cilën zemra e tij do të jetë e shëndoshë dhe e mbushur me dashuri ndaj Tij”(2)
Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu e ai nga Enes ibn Maliku se Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë:
“Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, përgojimi, denoncimi (të treguarit ndaj tjetrit) betimi rrejshëm dhe shikimi epshor”.(3)

1. Ata të cilët e ruajnë gjuhën e tyre nga të folurit e pamenduar, gënjeshtra, përgojimi, të treguarit (ndaj tjetrit), paturpësia, fjalët e turpshme, grindjet dhe kacafytjet, nga hipokrizia. Këta i vënë gjuhës heshtjen dhe e orientojnë në dhikër dhe lexim të Kur’anit. Ky është agjërimi me gjuhë.
Sufjan eth-Thevriu me një rast ka thënë: “Përgojimi e prish agjërimin”. Këtë nga ai e transmeton Bishr ibn el-Harith. El-Lejs(4) transmeton që Muxhahidi ka thënë: “Dy cilësi tek një person prishin agjërimin: përgojimi dhe gënjeshtra”.

2. Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë: “Agjërimi është mburojë për njeriun. Kur dikush prej jush agjëron, mos të flasë marrëzi (dhe gjëra) të papëlqyeshme, ndërsa nëse dikush mundohet ta nxitë në kacafytje dhe provokim, le të përmbahet nga kjo dhe le të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.(5)
Në një transmetim tjetër thuhet se dy gra, që kanë jetuar në kohën e Pejgamberit, s. a. v. s., një ditë gjatë ramazanit, ndien uri dhe etje të tillë saqë nuk mundën ta mbajnë agjërimin. E dërguan një njeri te Pejgamberi, s. a. v. s., duke kërkuar leje nga ai që ta ndërprejnë agjërimin. Muhammedi, s. a. v. s., nëpërmjet atij njeriu u dërgoi një enë dhe i urdhëroi që ta vjellin atë që kanë ngrënë. Njëra e mbushi gjysmën e enës me gjak që kishte aromën e gjakut të kafshës së prerë, ndërsa tjetra e mbushi tërë enën me të njëjtën përbërje. Njerëzit u çuditën me këtë pamje, ndërsa Pejgamberi, s. a. v. s., tha: “Këto dy gra agjëruan dhe u ndaluan nga ato që Allahu i Madhërishëm i ka lejuar, por nuk u ndalën nga ajo që Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar. Janë takuar dhe i kanë përgojuar njerëzit e tjerë. Ky është mishi i tyre që e kanë ngrënë”.(6)

3. Ata të cilët e ruajnë veshin nga çdo gjë e ndaluar dhe e përbuzur, ngase çdo gjë që e është e ndaluar të flitet është e ndaluar edhe të dëgjohet. Për këtë Allahu i Madhërishëm në rrafsh të barabartë i ka vënë ata që punojnë dhe ata që dëgjojnë të ndaluarën:
“Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe e hanë shumë haramin”.(7)
“E, pse paria fetare (e krishterë dhe hebreje) të mos i ndalin nga ato thënie të tyre të rreme dhe nga ngrënia e haramit”.(8)
Edhe dëgjimi i përgojimit është haram. Allahu i Madhërishëm thotë:
“S'ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh”.(9)
Ka thënë Pejgamberi, s. a. v. s.: “Ai i cili përgojon dhe ai i cili dëgjon – janë bashkëpjesëmarrës në mëkat”.(10)

4. Ata të cilët i ruajnë edhe pjesët e tjera të tyre, sikurse duart, këmbët, barkun, nga ajo që prish agjërimin. Është e pakuptueshme të abstenohet dhe agjërohet nga ajo që është e lejuar, ndërsa të prishet agjërimi me atë që është e ndaluar. Veçanërisht duhet ruajtur nga ushqimi i tepërt dhe pijet gjatë iftarit. Shembulli i këtij njeriu është si shembulli i atij që e ndërton pallatin, ndërsa e rrënon qytetin. Ushqimi hallall dëmton nëse konsumohet për së tepërmi, e nuk dëmton me cilësinë e tij. Agjëruesi duhet të anojë kah mesatarja. Pacienti i cili merr dozën e vogël të ilaçit, duke u frikësuar nga pasojat e dëmshme, nëse e merr jashtë mase (predozim), gabon nëse në të njëjtën mënyrë vepron kur është fjala për konsumimin e helmit. Harami është helm me të cilin shkatërrohet feja. Hallalli është ilaç i cili kur merret me masë, bën dobi; nëse merret jashtë mase, dëmton. Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë:
“Shumë ka prej atyre që nga agjërimi i tyre kanë vetëm uri dhe etje”.(11)
Shpjegohet se këtu bëhet fjalë për ata që bëjnë iftar me haram. Disa pohojnë se këto fjalë të Pejgamberit, s. a. v. s., kanë të bëjnë me ata që duke agjëruar ndalen nga hallalli e nuk ndalen nga harami, ndërsa disa thonë që kjo ka të bëjë me ata që përgjojnë dhe të cilët shqisat e tyre nuk i ruajnë nga harami.

5. Ata të cilët gjatë iftarit kontrollojnë dhe ruhen nga ushqimi i tepërt, sepse për Allahun e Madhërishëm nuk ka enë më të urrejtur se stomaku i stërngarkuar. Si është e mundur që agjëruesi me agjërimin e tij ta mposhtë armikun e Allahut (shejtanin - vër. e përkthyesit) duke mbizotëruar lakminë dhe epshet, nëse me iftarin e tij kompenson të gjitha ato që duhet ngrënë dhe pirë gjatë ditës, dhe ndoshta konsumon ushqim e pije edhe më tepër? Mjerisht, shpesh ushqimi gjatë muajit të ramazanit grumbullohet dhe shtohet, kështu që gjatë këtij muaji hahet dhe harxhohet sa për disa muaj!
Qëllimi i agjërimit është i kundërt - të zvogëlohet ushqimi, të dobësohet trupi, të forcohet shpirti. Nëse, duke agjëruar nga agimi deri në mbrëmje, stomakut i ndërpritet ushqimi dhe pija, është normale që dëshira për të njëjtat gjëra do të jetë tejet e shprehur. Nëse gjatë iftarit i kënaq nevojat e lukthit tënd, por ndoshta i ofron edhe më tepër se nevojat e tij, do të paraqitet oreksi dhe lakmitë të cilat nuk kanë qenë të shprehura në atë masë në ditët para ramazanit! Fshehtësia dhe qëllimi i agjërimit të ramazanit edhe është në atë që forca dhe fuqia e shejtanit të dobësohet dhe thyhet, e kjo nuk mund të arrihet përveçse me konsumim të ushqimit në masë të vogël. Kjo arrihet në atë mënyrë që agjëruesi gjatë iftarit në organizëm do të futë aq ushqim sa ka praktikuar të marrë gjatë darkës së tij para ramazanit. Por, nëse ky, përveç kësaj kompenson edhe atë që më parë e ka praktikuar të hajë gjatë ditës, nuk do të këtë dobi të vërteta nga agjërimi i tij.
Është praktikë e lavdëruar që gjatë ditës (në ramazan - vër. e përkthyesit) të largohesh nga gjumi, që të përjetohet uria dhe etja dhe që fizikisht të dobësohesh. Në këtë rast, zemra pastrohet dhe forcohet, dhe njeriut i ripërtërihet dëshira gjithnjë e më e madhe për zgjuarje dhe ibadet. Shejtani gjithnjë e më shumë lëshon zemrën e njeriut dhe njeriu hyn në fazën në të cilën mund ta mbizotërojë pushtetin qiellor. Nata e Kadrit është momenti në të cilin më së tepërmi mund të zbulohen imazhet e këtij pushteti.
Kur’ani flet për këtë moment:
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit”.(12)
Me siguri, ai i cili në qafën e tij e ngarkon “thesin” përplot ushqim, nuk do të mund ta shohë këtë botë të fshehtë e të përkryer. Nuk është e mjaftueshme që vetëm me pastrimin dhe zbrazjen e stomakut dhe lukthit të lirohemi nga barrierat, të cilat ia bëjnë të pamundur njeriut të depërtojë në botën e padukshme. Njëkohësisht, duhet liruar edhe mendjen dhe vetëdijen nga të gjitha ato që na largojnë nga mendimi në Allahun e Madhërishëm. Zvogëlimi i sasisë së ushqimit i ndihmon njeriut të vijë deri te ajo gjendje e vetëdijes, por për këtë do të flasim gjerësisht në Librin për Ushqimin, inshaAllah!
6. Që gjatë iftarit zemra të jetë në gjendjen e frikës dhe shpresës - frikës për shkak se nuk është i sigurt se agjërimi i tij është i pranuar te Allahu i Madhërishëm, duke e afruar tek Ai, dhe shpresës se agjërimi, prapëseprapë, do të jetë i pranuar dhe që me të do të arrijë kënaqësinë dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm.
Përfundimi i çdo ibadetit tënd duhet të jetë i përcjellur me kësi lloj mendimi dhe disponimi.
Transmetohet se Hasan el-Basriu një ditë ramazani kaloi pranë një grupi njerëzish që qeshnin. U tha: “Allahu i Madhërishëm e ka bërë ramazanin arenë dhe kohë në të cilën njerëzit garojnë në shfaqjen e bindjes ndaj Tij. Në këtë garë, disa do të jenë jo të sinqertë dhe jo të përpiktë, prandaj do të jenë në humbje. Më çudit që lojtari qesh ditën, në të cilën të vlefshmit dhe të shembëllyeshmit e kanë fituar garën, ndërsa të papërgjegjshmit dhe joseriozët e kanë humbur. Betohem në Allahun, që sikur të zbulohej “perdja” njeriu i mirë do të preokupohej me mirësinë e tij, ndërsa njeriu i keq me të keqen e tij. Domethënë, njeriu i mirë do t’ishte i zënë me gëzimin dhe shpërblimin e tij, ndërsa njeriu i keq me fatin e keq të tij, kështu që secili prej tyre nuk do të kishte kohë për gara dhe qeshje”.
Transmetohet se El-Ahnef ibn Kajsit i kanë thënë: “Ti je i moshuar; agjërimi do të të dobësojë dhe molisë”. U përgjigj: “Agjërimi është përgatitja ime për udhëtim të gjatë. Më lehtë është të përballesh dhe durosh në bindjen ndaj Allahut, xh. sh., sesa në dënimin e Tij”.
Por, ndoshta do të thuash: “Nëse njeriu heq dorë nga ushqimi, pija, marrëdhënia seksuale, sipas mendimit të juristëve të sheriatit, ky agjërim është i drejtë. Çfarë të thuhet në këtë?”
Dije se juristët e sheriatit, të cilët shpjegojnë rregullat nëpërmes formës dhe të jashtmes, nuk ofrojnë argumente dhe fakte që i sjellim ne.
Ata flasin për detyrimet në atë masë me të cilën kënaqin njeriun e rëndomtë, i cili është i preokupuar me nevojat e dynjasë. Për ndryshim nga këta, alimët e Ahiretit trajtojnë rregullat nga aspekti i drejtësisë së vetë rregullës, që ajo si e tillë a do të pranohet te Allahu, xh. sh., në mënyrë që me atë të realizohet qëllimi.
Kështu ata shpjegojnë dhe kuptojnë se qëllimi i agjërimit qëndron në faktin që njeriu të rrethohet dhe tregohet si qenia më e zgjedhur e Allahut, që të zbukurohet me karakteristikat që i takojnë vetëm Krijuesit, p.sh. es-samedijje-përhershmëri, përmbajtje dhe paluhatshmëri. Pastaj, që njeriu duke agjëruar, të largohet nga epshet dhe lakmitë, t’u afrohet melekëve. Njeriu, si qenie e kësaj ekzistence, është i begatuar me mend, dhe mund t’i kontrollojë epshet e tij, por është nën nivelin e melekëve, sepse është i ndikuar nga këto epshe, të cilave duhet t’u kundërvihet. Dhe pikërisht në ç’masë ai u nënshtrohet epsheve, ai bie në nivelin shtazarak, dhe në ç’masë ka sukses t’u kundërvihet epsheve dhe të lirohet nga ato, ngrihet në nivelin e melekëve.
Melekët janë në afërsinë e Allahut të Madhërishëm, ndërsa njerëzit të cilët pasojnë shembullin e tyre, duhet ta dinë se kjo afërsi nuk është e lidhur me vend dhe lokacion, por për kualitet, gjegjësisht për cilësi.
Nëse në këtë është qëllimi i agjërimit, e që e pohojnë mendimtarët e orientimit shpirtëror ku qëndron atëherë rëndësia dhe qëllimi i heqjes dorë nga kënaqësitë dhe lakmitë gjatë ditës? Nëse në këtë që u tha është qëllimi, atëherë si të kuptohen dhe shpjegohen fjalët e Pejgamberit, s. a. v. s.: “Sa shumë agjërues të cilët nga agjërimi i tyre nuk kanë asgjë, përveç urisë dhe etjes”.
Për këtë Ebu-Derdai me një rast ka thënë: “Madhështor është gjumi dhe iftari i të mençurve dhe inteligjentëve, kur ata nuk i gjykojnë dhe as nuk i turpërojnë të marrët në agjërimin dhe zgjuarjen e tyre. Një atom i adhurimit të besimtarit të vërtetë dhe të sinqertë është më i vlefshëm dhe më i rëndë në “peshojë” se kodra e ibadetit të atyre që janë të mashtruar dhe të humbur”.
Lidhur me këtë një njeri i ditur ka thënë:
“Ka shumë që agjërojnë, por nuk janë agjërues; ka shumë që nuk agjërojnë, por janë agjërues”.
Jo agjëruesi – agjëruesi – jo agjëruesi ruhet nga mëkatet, ndërkaq agjëruesi – jo agjëruesi është ai njeri i cili agjëron me stomak, por nuk agjëron me veprat e tij.
Shembulli i atij që abstenon nga ushqimi, pija dhe marrëdhënia seksuale, por bën mëkate është si shembulli i njeriut i cili duke marrë abdes, formalisht e ka kryer larjen e një pjese të trupit tri herë, por me atë rast nuk e ka mënjanuar papastërtinë nga ajo pjesë e trupit. Namazi i këtij njeriu nuk është i vlefshëm dhe as që do të jetë i pranuar tek Allahu i Madhërishëm.
Ndërsa shembulli i atij i cili bën iftar me ushqim dhe pije, ndërsa ka agjëruar me veprat e tij, është si shembulli i njeriut i cili duke marrë abdes pjesët e trupit të tij i ka larë vetëm njëherë, por tërësisht e ka mënjanuar papastërtinë nga trupi i tij.
Namazi i këtij njeriu, me dëshirën e Allahut, xh. sh., do të jetë i pranuar, sepse ai e ka kënaqur rregullën, edhe pse jo edhe formën. Natyrisht, më së miri është që të plotësohet edhe njëra edhe tjetra – edhe esenca edhe forma. Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë: “Agjërimi është amanet, andaj secili le ta ruajë atë amanet”.(13)
Kur Pejgamberi, s. a. v. s., e ka cituar ajetin kur’anor:
“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetet të zotëve të tyre…”(14)
i vuri duart e tij në sy dhe vesh duke thënë:
“Sytë dhe veshët (të parët dhe dëgjimi) janë amanete të Allahut, xh. sh., të dhëna njeriut”.(15)
Mos të bëhej fjalë për amanetin, Pejgamberi s. a. v. s., nuk do të thoshte: “...le të thotë: “Unë agjëroj”.
Me fjalë tjera, unë jam betuar që ta ruaj gjuhën time nga mëkati, e si do të përgjigjem në këtë provokim?
Nga kjo që parashtruam është e qartë që secili ibadet ka formën intime dhe ekstreme, bërthamën dhe lëvozhgën. Mbetet që ti vetë të vendosësh me të cilën do të kënaqesh.
Falënderojmë Allahun e Madhërishëm, i Cili robt e Tij i ka mbrojtur nga shejtani i rrezikshëm, i Cili e bëri agjërimin mbrojtës dhe kështjellë për ata që janë të bindur ndaj Tij, i Cili me agjërim u hapi dyert e Xhenetit robve të Tij, i Cili i njoftoi që shejtani zemrat i pushton nëpërmes epsheve, dhe që me fitoren mbi epshet shpirti lirohet nga ai armik dhe bëhet shpirt i qetësuar – en nefsu el-mutmeinne.


__________________
1 El En’amë, 91
2 El Hakmi nga Hudhejfe ibn Jenam dhe thotë që senedi i tij është sahih
3 El – Ezdi “Ed-Du’fa” nga Enes ibn Maliku
4 El-Lejs, pa dyshim Ebu El-Lejs es-Semerkandi, ka vdekur në vitin 985/375. Juristi i njohur, autor i veprës “Tenbihu el-gafilin” - (“Vërejtje për indiferentin”)
5 Buhariu (1894) dhe Muslimi (136/1151), nga Ebu Hurejre
6 Ahmedi (5/431), nga Ubejti (njëri prej të cilëve ka gëzuar mbrojtjen e Pejgamberit, s. a. v. s., ( vër. e përkthyesit) me sened në të cilin gjendet një transmetues i panjohur
7 El Maide, 42
8 El Maide, 63
9 En Nisaë, 40
10 El-Taberaniu nga Ibn Omeri me sened të dobët
11 En NEsai në “El Kubra: (3279); Ibn Maxheh, 1690 nga Ebu Hurejre
12 El Kadr,1
13 El Haraiti (“Mekarimu el-ahleki”) – nga Ibn Mus’udi me sened hasen
14 En Nisaë, 58
15 Ebu Davudi nga Ebu Hurejre, përveç pjesës s



Ebu Hamid el-Gazali – IHJA ULUMID-DIN – LIBRI VI
Përktheu dhe përshtati
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljaz


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë