Britaniku nis sfidën e vrapimit 260 km për bamirësi në Ramazan

Një britanik ka vendosur që të vrapojë 260 kilometra gjatë Ramazanit, duke bërë 10 km vrapim çdo natë, pas agjërimit prej rreth 16 orëve.

Haroon Mota, 34-vjeçar nga Coventry, Britani e Madhe, kishte planifikuar që të realizonte 4 maratona të mëdha botërore brenda 5 javësh, mirëpo pandemia ia bëri këtë të pamundur, raporton BBC-ja.

Mota ka mbledhur tashmë 18.000 funte, nga 25.000 sa kishte planifikuar gjithsej, për organizatën bamirëse “Penny Appeal”.

Ai tha se po merr mbështetje “të jashtëzakonshme”, mirëpo sfida duket se është më e vështirë sesa që e priste, transmeton "Zeri.info".

Motas, i cili filloi sfidën e tij më fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, në fund të prillit, i kanë mbetur edhe përafërsisht 130 km për t’i kaluar.

Ai fillimisht planifikoi që të vraponte në maratonat e Berlinit, Londrës, Çikagos dhe New Yorkut, por u detyrua t’i shtynte këto plane pasi pandemia mori përhapje ndërkombëtare dhe të gjitha tubimet u ndaluan.

Mota është në krye të ngjarjeve sfiduese të “Penny Appeal” dhe u inspirua t’i hynte vrapimit në distancë 260 km si pjesë e sfidës 2.6, e cila u krijua për të mbledhur para për organizata bamirëse, të cilat kanë humbur mundësinë e mbledhjes së fondeve për shkak të anulimit të ngjarjeve madhore.

“Teksa po i afrohemi fundit të Ramazanit, po ndihem edhe më i lodhur”, tha ai. “Gjëja më e vështirë ishte të qenit vazhdimisht i motivuar për të vrapuar, ne hamë (syfyr) para lindjes së diellit dhe nuk konsumojmë asgjë deri në perëndim të tij.

Ka qenë vërtet sfiduese të qëndroj i hidratuar”.

Mota, zakonisht, ka vrapuar rreth orës 19:00 çdo natë, duke u munduar të përshtatej që të përfundonte vrapimin në kohën e iftarit.

“Shumë njerëz, nga e gjithë bota, më kanë mbështetur dhe kjo më inkurajon shumë”, u shpreh ai.

“Mezi pres që kjo sfidë të mbarojë dhe të festoj për Bajram”.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)