KMSH merr vendimin: Rinis aktiviteti fetar në të gjitha xhamitë e vendit, ja masat që duhen marrë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur të rifillojë aktivitetin fetar në të gjitha xhamitë e vendit, pas bllokimit dy mujor nga koronavirusi.

Në një letër drejtuar të gjitha myftinive në vend, të siguruar nga “BalkanWeb”, KMSH bën të qartë edhe protokollin e masave, që duhet të zbatohet nga të gjitha xhamitë.

Sipas KMSH, xhamitë duhet të bëjnë dezinfektimin para se të fillojë frekuentimi, si dhe besimtarët duhet të bëjnë abdesin në shtëpi, të marrin maska e doreza dhe sexhaden personale.

------------------------------

Vendim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në lidhje me rifillimin e aktivitetit fetar në xhamitë e vendit

Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, ka marrë vendim për rifillimin e aktivitetit fetar nëpër xhamitë e të gjithë vendit në bazë të protokollit të mëposhtëm.
Protokolli i masave:

• Dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi.
• Marrja e abdesit në shtëpi.
• Mbajtja e maskës dhe e dorezave.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike.
• Nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç.
• Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, Kur’anë, rafte, etj...
• Hytbeja të mos jetë më shumë se 10 minuta.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.

Ngarkohen të gjitha myftinitë për zbatimin e këtyre masave.

Gjithashtu urdhërohen të gjitha myftinitë që të marrin masat e nevojshme për faljen e namazit të Fitër Bajramit nëpër xhami, duke respektuar të njëjtin protokoll.

H. Bujar Spahiu
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë