Kandilat e Ramazanit në kohën e pandemisë së koronavirusit

Çdo gjë në ekzistencë ka urtësinë dhe vlerën e vet dhe është detyra jonë që ta njohim atë. Disa gjëra janë të një vlere shumë të madhe, ndërkohë që disa të tjera janë më pak të vlefshme dhe më pak të rëndësishme, mirëpo, nuk ka diçka që ka krijuar Zoti e të mos ketë vlerë, apo që të jetë e parëndësishme.
Është detyrë e njeriut që t’i njohë urtësitë dhe vlerat e gjësendeve, të fenomeneve, të njerëzve, të obligimeve etj. Të kësaj natyre janë edhe urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Madhërishëm, të cilat, s’do mend se janë në dobinë dhe për të mirën e njeriut. Një nga adhurimet më të rëndësishme, të diskutuara dhe studiuara më shumë, është dhe agjërimi në muajin Ramazan.
Që në fillim dua të potencoj se agjërimi nuk duhet të merret si qëllim dhe ideal, por si mjet dhe rrugë, me anë të të cilit arrihet te qëllimet dhe idealet e larta, te devotshmëria dhe kënaqësia e Allahut të Madhërishëm. Ja se ç’ thotë Zoti ynë në Librin fisnik: “O besimtarë. Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat dhe të arrini devotshmërinë…” (El-Bekare, 183).
Ramazani është muaji i cili i shërben njeriut më së shumti për ta rishikuar raportin e tij ndaj Allahut, ndaj vetvetes, familjes, farefisit, bashkësisë dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi. Myslimani mundohet që ta arrijë këtë sidomos në Ramazan, pasi që e di se, pikërisht në këtë muaj, mundësitë për t’u afruar me Allahun janë më të lehta dhe më të realizueshme dhe se, një ditë, përpara Zotit do të shpalosë tërë atë potencial veprash që ka kryer në këtë botë. Përmes muajit të bekuar Ramazan, myslimani dhe myslimania përjeton rilindjen shpirtërore dhe atë fizike.
Ramazani mund të konsiderohet si mjeku më i miri i shtëpisë, i cili vjen për të na e shëruar shpirtin me agjërim, për të na e zgjuar shpirtin me syfyr, të na e gëzojë atë me iftar, të na e këndellë atë me namazin e teravive, të na e zbusë atë me zeqat, të na e hapë atë me anë të bisedave familjare, të na e pastrojë atë nga urrejtja, si dhe të na e shërojë atë nga mendjemadhësia.
Prandaj janë të lumtur ata që do t’i përgjigjën thirrjes së Zotit, që me anë të agjërimit, të gjejnë paqen, qetësinë e rehatinë, duke e bëre këtë me vetveten, familjen dhe me të tjerët. Janë të lumtur se me anë të agjërimit, besimtarët do të forcojnë lidhjen dhe dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve.
Se sa nderime na ka bërë Allahu i Madhërishëm me anë të agjërimit, flet edhe rrëfimi në vijim, të cilin e përcjell dijetari i shquar, hafiz Ibn Rexhebi: “Kur Musait a.s., iu dha rasti të bisedojë me Allahun, ai e pyeti Zotin: “O Zoti ynë, a ka ndonjë njeri tjetër që e ke nderuar më shumë se mua me këtë rast, pasi që unë jam duke biseduar me Ty? Allahu i është përgjigjur: “O Musa, pas teje do të vijnë njerëz, robër të Mi, të cilët do t’i nderoj më shumë sesa të kam nderuar ty tani. Tani, kur Unë po flas me ty, ndërmjet Meje dhe teje ekzistojnë 70 mijë perde, kurse, kur do të agjërojë ummeti i Muhammedit, kur t’ju thahen buzët e kur t’ju zverdhohen fytyrat, Unë, në kohën e iftarit, për ta do t’i heq të gjitha perdet dhe do t’ua pranoj lutjet.” (Ibn Rexheb, Letaiful mearifu).
Në një hadith tjetër të bekuar, Muhammedi a.s. thotë: "U erdhi Ramazani, muaji i begatisë; me të Zoti ju kaplon, ju zbret mëshirë, ua mbulon gabimet tuaja, i përgjigjet lutjes suaj, shikon garat tuaja në të. Pra, tregojani Zotit mirësinë tuaj. Vetëm ai që është i mallkuar privohet nga mëshira e Allahut të Madhërishëm”. (Taberani).
Ramazani me të vërtetë është një muaj nderi për myslimanët, është një muaj që i ngjan diellit që i jep dritë tokës. Në këtë kohë të sprovës së pandemisë së virusit COVID-19, me plot shqetësim e ankth, vjen drita e Ramazanit për të na e dritësuar jetën me shpirtin e agjërimit, me shkëndijat e Kuranit dhe me netët plotë gjallëri fetare.
Ky Ramazan do të jetë i veçantë, si kurrë më parë. Andaj dhe duhet të bëjmë përgatitje specifike. Në këtë muaj agjërimi do ta kemi edhe një betejë më shumë: betejën me koronavirusin. Në vend se ta përhapim apo të biem pre e panikut dhe e frikës, përmes Ramazanit të tregojmë se jemi populli dhe shoqëria më me shpresë në botë.
lusim Allahun xh.sh. që të na dhurojë bekimet e Tij dhe të na mundësojë ta agjërojmë muajin Ramazan.



Dituria Islame 352/353


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli