Në karantinë zbulova se bashkëshortja ime qenka gruaja e ëndrrave të mia!

Me gruan time u njohëm para gjashtë vjetëve. Ajo ishte pjesëmarrëse në çdo aktivitet që zhvillohej në universitet dhe gjithmonë e kisha admiruar për zellin dhe energjinë që nuk i shteronte asnjëherë. Ishte e hareshme, punëtore dhe shumë modeste.
Anipse studionim për të njëjtin profesion nuk më rastiste shpesh të bisedoja me të, edhe atëherë kur mund të bisedoja, ajo gjithmonë kishte një punë për të bërë. Thjesht ishte e paarritshme për mua! E shihja si motiv dhe si të pathyeshme. Për mua ishte femra më e ndershme dhe njëherit më e suksesshme që kisha takuar ndonjëherë.
Me kalimin e ditëve na rastisi të punonim në të njëjtin projekt. Projekt ky që u bë shkak i afrimit tonë. Rrodhi si rrodhi dhe pas tre muajsh unë e martova këtë vajzë të mirë. Por duke e parë si gruan time dhe duke e njohur edhe më shumë, filloi të zbehej në mua gjithë ajo madhështi e saj, gjithë ai vlerësim i mirë që kisha për të. Krahas energjisë pozitive që përhapte ndër të tjerë, fshihej shëndeti i saj i dobët, krahas sukseseve të mëdha fshiheshin një mijë dështime dhe, krahas asaj fytyre të buzëqeshur, fshiheshin qindra lot.
Dhe unë, në vend se ta vlerësoja për forcën që e gjente nga nëntoka dhe për arritjet e saj, përkundër sfidave e sprovave të mëdha, fillova ta konsideroja si një femër të dobët dhe të padobishme. Pata jetuar në një rreth të tillë shoqëror që mendoja se njerëzit e fortë nuk posedonin as edhe një pikë të dobët dhe se nuk do duhej të kishin ndjenja lodhjeje e mërzie.
Unë e doja shpirtin luftarak të saj, por e vrava atë. E vrava me xhelozinë time duke e izoluar dhe shkëputur nga bota, e vrava duke nënvlerësuar çdo përpjekje të saj, duke mos ia vlerësuar as edhe një fjalë apo vepër. Dhe pasi ne u bëmë me dy fëmijë, ajo tashmë u distancua plotësisht nga profesioni dhe nga ambiciet e saj. Atëherë edhe filluan zënkat tona, të shpeshta dhe të gjata. Ajo filloi të mos kujdesej aq shumë për veten, nuk e shihja duke u marrë me librat e as duke bërë ndonjë punë tjetër, vetëm pastronte gjithë ditën dhe merrej me fëmijët.
Por, përkundër kësaj, unë sa herë kthehesha nga puna, i gjeja dhjetëra gabime, si në mirëmbajtjen e shtëpisë ashtu edhe në kujdesin e fëmijëve. Anipse i kisha thënë se unë e doja shpirtin e saj të mirë dhe se më pëlqente natyrale, unë lakmoja vajzat e tjera. Përderisa gruaja ime kujdesej për familjen, shtëpinë dhe nderin tim, unë nuk vëreja ndonjë të mirë tek ajo. Dhe sa herë shihja arritjet e një gruaje tjetër, thosha me vete: "Pse gruaja ime nuk është e tillë?!".
Sa herë shihja femra të zbukuruara në rrugë dhe në rrjete sociale, unë bëja krahasimin me gruan time dhe seç më dukej e shëmtuar. Kështu fillova ta nënvlerësoja pothuajse totalisht. Edhe atëherë kur qëndroja në shtëpi unë pjesën më të madhe të kohës e kaloja në telefon, pa ia dhënë vëmendjen e merituar. Ndërsa kur isha jashtë shtëpisë, nuk interesohesha fare në mund të ia dilte e vetme.
Megjithatë ajo nuk u ankua. Ishte shumë e durueshme me mua dhe asnjëherë nuk më rëndoi me fjalët që në fakt i meritoja. Kjo gjendje vazhdoi deri më tani, kur në botë u përhap pandemia. Mua më liruan nga puna dhe po qëndroj më gjatë në familje.Zoti deshi të ma hapte gjoksin dhe ta kthjelloj mendjen time. Arrita ta shihja përsëri atë femrën e fuqishme dhe të pathyeshme.
Gruaja ime zgjohet e para në mëngjes dhe bie e fundit për të fjetur. Ajo kujdeset për ushqimin tim, për pastërtinë, për edukimin e fëmijëve të mi. Një ditë vendosa t'i analizoja më imtësisht punët e saj. Ajo u zgjua para orës gjashtë dhe pasi bëri namazin e sabahut, doli jashtë dhe e pastroi oborrin, pastaj erdhi në shtëpi dhe na përgatiti kafe. E pastroi shtëpinë dhe e përgatiti mëngjesin, kur u zgjuan fëmijët, i veshi e u dha për të ngrënë. Pasi hëngrëm mëngjes na shërbeu me çaj, pastroi tavolinën dhe enët, pastaj i pastroi fëmijët dhe u ndërroi rrobat, nxori nga lavatriçja rrobat e lara dhe i vendosi për t'u tharë, futi rroba të tjera për t'u larë. Pastaj i mësoi fëmijët matematikë, tutje i nxori në oborr për të luajtur.
Më pastaj erdhi dhe i hekurosi rrobat e thara dhe i vendosi në dollap, ndërsa të tjerat i nxori për t'u tharë. Fëmijët të cilët ishin zhytur duke luajtur i pastroi dhe ua ndërtoi rrobat, pastaj i vuri në gjumë. Dhe gjersa fëmijët ishin në gjumë, ajo u mor me ca fatura të shtëpisë dhe kontrolloi ushqimet në kishim mjaftueshëm, ndërkohë e përgatiti një ëmbëlsirë të cilën ma shërbeu me kafe. Pasi pastroi enët e ëmbëlsirës dhe filxhanët e kafes ajo u fut në kuzhinë për të përgatitur darkën. Dhe ende pa mbaruar darkën, u zgjuan fëmijët. Meqë ishin djersitur, ua ndërroj sërish rrobat, më pas rrobat e thara i hekurosi dhe i vendosi në dollap, futi të tjera për t'u larë.
Na shërbeu darkën, çajin, pastroi enët... Më pas i ndërroi çarçafët dhe na shtroi për të fjetur. Dhe vetëm kur fëmijët i zuri gjumi, ajo u mbyll në dhomën e punës. E ndoqa nga prapa pasi dera e dhomës së punës ngeli gjysmë e hapur. Ajo u ul në kolltuk, duke i mbajtur duart në mes nga dhimbjet, nxori një libër të cilin e kishte në përfundim dhe pasi e mbylli, e nxori një fletore në të cilën shkroi titullin e librit. Nga këtu kuptova që për një muaj i kishte lexuar njëmbëdhjetë libra.
Më mbërtheu vaji. E vështrova nga majat e gishtërinjve gjer në maje të kokës. Pas gjashtë vjetëve u dashurova me të sërish. Sa më shumë po e sodisja, aq më e bukur më dukej ajo. Fytyra e pagrimosur dhe e zbehur sikur bënte dritë, dritë kjo që m'i paska verbuar sytë dhe nuk kisha parë qartë.
Flokët e zeza që lëshoheshin supeve sikur fije mëndafshi dukeshin plot hijeshi. E veshja e saj reflektonte modesti dhe pastërti. U ndjeva kaq i turpëruar për veten, për të. M’u duk kaq e paarritshme sikur dikur.
Pata frikë se ishte mësuar me sjelljen time arrogante dhe, kur të përmirësohesha, nuk do të mund të më duronte dot. Sa situatë e sikletshme kjo, sa shumë distancë kisha krijuar me të duke e pasur kaq afër, sa shumë e kisha nënvlerësuar duke qenë kaq e ngritur.
Bashkëshortja ime qenka gruaja e ëndrrave të mia. M’u desh kjo karantinë për ta zbuluar këtë fakt. Ajo qenka heroina e ditëve të mia të vështira, qetësia e ditëve të zhurmshme dhe hareja e ditëve plot zymti. Ajo qenka nderi dhe krenaria ime.
I kërkova falje me shumë sinqeritet e pendesë dhe falë Zotit e gjeta falëse dhe të mirëkuptueshme. E tillë është ajo, e tillë ka qenë gjithmonë. Por unë isha verbuar. Ah, sa pendohem..!
Tani po përpiqem çdo ditë për të rregulluar gabimet e mia dhe për t'i zëvendësuar me kujdes dhe dashuri.



Marigona Krasniqi
DITURIA ISLAME 352/353


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Programi Festiv për Fitër Bajram