Ndikimi psikologjik nga izolimi

“Ai është që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret duke ia larguar të keqen e juve ju bëri mbizotërues të tokës. A ka Zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni”. En-Neml, 62.
Në këto ditë të vështira të përballjes me epideminë COVID- 19, që ka goditur botën, është detyrë të qëndrojmë më pranë njëri-tjetrit se kurrë, si për mbështetje morale ashtu edhe për këshilla shkencore apo religjioze. Kjo sëmundje nuk njeh as moshë, as ngjyrë, as fe. Ajo i godet të gjithë pa dallim.
Në këtë kohë, të gjithë, ai që beson dhe ai që nuk beson i drejtojnë duart dhe sytë drejt qiellit, me lutje Zotit që t’i ruajë e t’i shpëtojë nga kjo e keqe, në një kohë që nuk e prisnim. Zoti thotë në Kuran: “E kur e godet njeriun ndonjë e keqe (dëm), ai e lut Zotin duke kërkuar ndihmë prej Tij, e kur nga ana e Tij i jep ndonjë të mirë (ia largon të keqen) ai harron se më parë i është lutur Atij dhe i përshkruan shokë Allahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij...” Ez-Zumer, 8.
Gjatë muajit të fundit është pothuajse e pamundur të lexosh lajme, të hysh në media sociale, të zhvillosh një bisedë ose të përfshihesh në aktivitete të rregullta ditore, pa dëgjuar për koronavirusin.
Sipas shkencëtarëve dhe mjekëve epidemia mbarëbotërore është e rëndë dhe mund të përhapet me shpejtësi. Për këtë arsye këshillohet të ndiqen rreptësishtë këshillat e mjekëve, si në zbatimin e rregullave higjeno-sanitare ashtu edhe në reduktimin e lëvizjeve apo të grumbullimeve derisa gjendja të kthehet në normalitet.
Për më tepër që në këtë rast nuk është më çështja se po infektohemi nga virusi por se, çdo i infektuar shërben si një burim për të infektuar të tjerët. Kjo është një epidemi që duhet të merret seriozisht. Sidoqoftë, histeria mediatike dhe hezitimet apo ndryshimet e shpeshta të vendimeve, në kohë të shkurtra, të kryetarëve të qeverive si dhe masat paraprake duket se nuk po ndihmojnë shumë. Në të kundërt, ato po rrisin tensionin tek popullsia e cila edhe pa këtë histeri tashmë është e terrorizuar.
Në javët e fundit vihet re se shumë e kanë krahasuar koronën me murtajën. Por, sipas shkencëtareve këto dy epidemi janë të ndryshme nga njëra tjetra përsa i përket shkallës së vdekshmërisë. Ndërkohë që forma pneumonike e pamjekuar e murtajës (që thithet në mushkëri) ka një shkallë vdekshmërie afër 100% dhe mund të vrasi brenda 24 orëve, (murtaja ka zhdukur 1/3 e Evropës në mesjetë) shkalla e vdekshmërisë së korona virusit është 0.04% dhe prek më shumë moshën e tretë si dhe të sëmurët që vuajnë nga sëmundje kronike. Kjo nuk do të thotë se moshat e tjera janë të përjashtuara prej saj, por rreziku tek këto mosha është shumë më i ulët.
Duket se këto dy epidemi kanë një burim të përbashkët, ato transmetohen nga kafshët tek njerëzit. Ndërsa murtaja bartet prej brenjtësve, si p.sh minjtë si dhe prej qenve dhe transmetohet tek njerëzit nëpërmjet pleshtave, shkencëtarët thonë se edhe korona virusi është transmetuar nëpërmjet kafshëve të tilla si gjarpëri dhe lakuriqi i natës. Si rezultat i gjithë kësaj, sot kudo në Evropë sheh rrugë të zbrazura, aeroporte të mbyllur, shkolla, universitete, kompani, restorante të mbyllura, por kjo nuk do të thotë se jeta ka ndaluar. Pas dyerve të mbyllura të shtëpive gjallëron jeta. Kjo kohë i ngjan dimrit të ashpër që sado i gjatë të jetë ndiqet nga pranvera e ngrohtë plot gjelbërim, jetë e gjallëri. Prandaj të mbajmë shpresë se "Pas vështirësisë vjen lehtësimi". (El-Inshirah, 5)
Por, si po ndikon kjo epidemi dhe izolimi apo “vetë-izolimi” në shëndetin mendor të njerëzve? Gjendja e izolimit apo vetëizolimit të individit ndikon në rritjen e stresit, frikës dhe ankthit. Këto shkaktojnë emocione të forta tek të rriturit dhe fëmijët, të cilat shpesh çojnë në depresion. Çdo individ reagon në mënyra të ndryshme ndaj situatave stresuese. Reagimi mvaret nga komponentë të shumtë të cilët mund të jenë; grupmosha, gjendja e përgjithshme mendore dhe shëndetësore, shkalla e besimit fetar, përvoja në jetë si dhe ato aftësi që e bëjnë një individ të ndryshëm nga individët e tjerë dhe komuniteti ku jeton.
Sipas psikologëve, stresi i krijuar gjatë një epidemie mund të përfshijë:
- Frikë dhe shqetësim për shëndetin individual, të anëtarëve të familjes së ngushtë apo të rrethit më të gjerë farefisnor dhe shoqëror.
- Ndryshim të regjimit të gjumit dhe të koncentrimit në aktivitetet e përditshme.
- Ndryshim të regjimit ushqimor. Në përgjithësi njerëzit reagojnë ndaj stresit duke konsumuar ushqime të panevojshme, gjë që çon në shtimin në peshë.
- Përkeqësim të sëmundjeve kronike.
- Rritje të përdorimit të alkoolit, duhanit apo drogave të ndryshme.
- Rënie në gjendje depresive. Individi shikon vetëm anën e errët të fenomeneve dhe humbet dëshirën për të marrë pjesë në aktivitete të rutinës së përditshme apo aktivitete të tjera. Si mund të ndihmojmë veten dhe të tjerët për të reduktuar stresin? Përballimi i stresit në këtë situatë do t'ju bëjë më të fortë ju, njerëzit që ju interesojnë dhe komunitetin tuaj. Për të ndihmuar vetveten dhe të tjerët me të cilët jetoni është mirë që të ndërmerrni disa veprime, ndër të cilat mund të jenë:-
- Reduktoni sa më shumë shikimin apo dëgjimin e lajmeve që përmbajnë kronika të sëmundjes. Epidemia është në pikun e saj dhe ky është një fakt i pamohueshëm por, dëgjimi pa ndërprerë i lajmeve që japin statistika mbi sëmundjen rrit panikun e brendshëm dhe stresin tek individi.
- Lexoni libra dhe shikoni apo dëgjoni emisione që ngjallin kënaqësi dhe rrisin ndjenjën pozitive. Po ashtu, shfrytëzojeni kohën për të lexuar libra dhe informacione që ndikojnë në edukimin dhe ngritjen tuaj shoqërore dhe profesionale.
- Kryeni aktivitete fizike që mund t’i realizoni në kushte shtëpie.
- Shtoni numrin e namazeve (faljeve) sepse çdo namaz është meditim i cili çliron energjitë negative dhe rrit ato pozitive.
- Përfitoni nga koha që keni në dispozicion për të kryer ato punë të cilat nuk keni patur mundësi t’i kryeni gjatë kohës së mbingarkesës së përditshme.
- Shndërrojeni shtëpinë tuaj në një vend konkursi, ku secili garon në punë të mira dhe adhurim.
- Shfrytëzojeni kohën për t’u përgatitur për Ramazan, psiqikisht dhe shpirtërisht.
- Fshijeni pluhurin që ka zënë Kurani, të cilin një numër i konsiderueshëm nuk e kanë prekur me dorë që prej Ramazanit të fundit. Lexoni pjesë nga Kurani sepse çdo pjesë e tij është udhëzim dhe ngjall shpresë. - Bëni sa më shumë lutje për veten dhe të tjerët pasi kështu ushqeni shpirtin me energji pozitive dhe rritet ndjenja e shpresës. Zoti thotë në Kuran:- “Ai është që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret duke ia larguar të keqen e juve ju bëri mbizotërues të tokës. A ka Zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni”. (En-Neml, 62).
- Hani vakte të shëndetshme dhe të balancuara
- Bëni gjumë të rregullt
- Largohuni nga përdorimi i alkooleve dhe drogave, pasi këto ndikojnë në prishjen e ekuilibrit emocional dhe mendor.
- Mendoni gjithmonë pozitivisht.
- Mbajeni veten dhe fëmijët të angazhuar. Kështu as ata dhe as ju nuk do të keni kohë të mendoheni për epideminë.
- Mbani fëmijët larg nga lajmet dhe i drejtoni në tema që kanë ndikime pozitive. I angazhoni ata me aktivitete edukative dhe sportive si lexim, vizatim, lojëra matematikore apo gjuhësore etj. Ushtrime sportive të cilat mund t’i realizoni në kushte shtëpie.
- Nëse fëmijët angazhohen në biseda të gjata me shokë e shoqe, kjo do t'ua rrisi më shumë tensionin dhe stresin, pasi do të bisedojnë po për të njëjtat tema që shohin në media. Prandaj këshillohet që këto biseda të reduktohen gjatë kësaj kohe. Këtë periudhë të rëndë le ta shohim si periudhë sprove. Zoti thotë në Kuran:- “Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj ... “(Al-Imran, 186) Ndërkohë, mesazhet që vijnë nga grupe të ndryshme të komunitetit mbarëshqiptar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Franca, Austria, Suedia, Italia, etj. tregojnë një rritje të vazhdueshme të stresit, ankthit, frikës dhe në shumë raste tregojnë një gjendje depresioni, jo vetëm tek individët por tek grupe të tëra. Edhe pse deri në këto moment vëmë re se ndër shqiptarët, kudo që janë, numri i vdekjeve është tepër minimal (deri tani në Shqipëri dhe Kosovë ka patur raste minimale vdekje) krahasuar me pasojat që sjell një epidemi mbarëbotërore, prapë shqiptarët janë të tmerruar. Po sikur të përballeshim me pasoja dramatike të përmasave të tilla si Italia, si mund të reagonim vallë? A thua kaq të dobët jemi ne në besimin sa të harrojmë se asnjë e keqe nuk na gjen po qe se Zoti nuk e ka shkruar atë për ne? Në Kuranin Fisnik thuhet: “Neve nuk na godet (gjen) asgjë e keqe, përveç asaj që ka shkruar Allahu për ne. Ai është ndihmëtari ynë. Prandaj, vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët”. (Et-Teube 51). “Kudo që të jeni vdekja do t'ju kapë, edhe në qofshi në pallate të fortifikuara” (En-Nisa, 78). Besimi tek Zoti dhe tek caktimi i Tij nuk do të thotë që të injorojmë këshillat mjekësore dhe masat parandaluese administrative që kanë vënë qeveritë e shteteve të prekura nga epidemia. Ndërkohë, të mos harrojmë se epidemia është akoma në pikun e saj dhe askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja dhe kur mund të mbarojë kjo gjendje. Qytetarët e kanë humbur durimin që tani, por si do të reagojnë vallë nëse karantina zgjat për një periudhë të gjatë kohore? Si do të jetë gjendja e tyre mendore dhe shpirtërore në ditët në vijim? Për këtë arsye kërkohet nga të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe arsyen. Zoti i gjithësisë qoftë me ne, na ruajtë nga sprova, na forcoftë në sprovë nëse ajo na godet, i shëroftë të sëmurët tanë dhe na bëftë prej atyre që me forcë e besim përballen me situatat e nuk e lenë veten të bien pre e depresionit dhe ta humbin shpresën! Zoti është më i madhi. Nuk ka forcë tjetër veç Allahut.



Dituria Islame 352/353


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli