Familja dhe Islami



Që në kohën më të hershme të historisë njerëzore siç ka thënë S.R. Reiber: ”Feja dhe familja kanë qenë ngushtë. Të dyja kanë ndikim mbi njëra-tjetrën.”1

Islami na mëson se familja është sistemi më i vjetër shoqëror që e ka njohur njerëzimi, sepse ajo arrin deri te familja e parë e Ademit a.s, për të cilën deshi Zoti xh.xh që ajo të ishte bërthama e tërë shoqërisë njerëzore.
Kurani na mëson qartë se Ademi dhe Hava nuk ishin thjesht vetëm burrë dhe grua, apo mashkull dhe femër, por ata ishin bashkëshortë me plotë kuptimin e lidhjes, bashkimit, ndjenjës, dashurisë, mëshirës si dhe përgjegjësive dhe detyrimeve bashkëshortore.
Islami është sistem i plotë i jetës që përfshin të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore dhe ka për qëllim krijimin e një familjeje dhe të një shoqërie të modeluar mbi mësimet e Kuranit dhe mbi porositë e Pejgamberit a.s..
A thua vallë! A nuk e gjejmë në Kuranin famëlartë shprehjen shpirtërore, qetësinë, mëshirën, respektin, dashurinë, të cilat formojnë sistemin familjar.
Sigurisht që po. Allahu xh.sh në Kuranin fisnik thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”2
Andaj Islami ka ardhur për të ndryshuar familjen dhe për të zbukuruar mendjen dhe shpirtin tonë, thjeshte Islami është faktor shumë i rëndësishëm në jetën e njeriut po ashtu në zhvillimin dhe përparimin e tërë familjes.
Nga kjo kuptojmë se përsosmëria e një shoqërie nis nga familja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët e lidhur dorë për dorë për këtë qëllim. Po që se familja nuk është ngritur mbi parimet edukative, as shoqëria nuk mund të mendohet të jetë me edukatë.

Vlera e latë e nënës dhe respekti ndaj saj

Nëna është element më i rëndësishëm i familjes që përgatit një familje. Në Islam ajo është e shenjtë, saqë edhe vetë i Dërguari Muhamedi a.s. ka thënë:” Xhenneti është nën këmbët e nënave!”. Kjo vë në dukje se nëna me vështirësi na lind, me mund na rriti dhe edukoi.
Thënë me mirë, nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb si dhe ngritësja e folesë familjare ku reflektohen gëzimi dhe lumturia familjare. Prandaj, nëna duhet të respektohet dhe t’i falet dashuri më shumë se çdokujt tjetër. Këtë ngrohtësi dhe këtë respekt-dashurie e gjejmë tek mësimet e Pejgamberit a.s i cila na këshillon që ta duam nënën dhe ta respektojmë atë.
Një burrë erdhi te profeti Muhamed a.s dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Kush prej të gjithë njerëzimit e meriton më shumë shoqërinë time?” Ai u përgjigj: “Nëna jote”. Njeriu pyeti përsëri: “Pastaj kush?” Kështu ai u përgjigj: “Nëna jote”. Njeriu pyeti përsëri: “Pastaj kush”? Kështu Pejgamberi a.s u përgjigj: “Nëna jote”. Pastaj njeriu pyeti përsëri: “Po pastaj kush?” Dhe ai u përgjigj:
“Pastaj babai yt”3.
Nga këto fjalë të Pejgamberit a.s shihet qartë se I Dërguari i Allahut u jep përparësi sjelljeve te mira ndaj nënës ndaj atyre ndaj babait.

Edukimi I fëmijëve

Të jesh prind është një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi shumë më e madhe, sepse nuk mjafton vetëm t’i duash fëmijët, por përgjegjësia më e madhe është rritja dhe edukimi i tyre. Ngase edukimi i fëmijëve është një sfidë bukur e vështirë, por jo e pamundur.
Është e vërtetë se sot edukimi i fëmijës është një sfidë gjithnjë e më e vështirë, sepse fëmijët janë mbushur me frymë rebelizmi dhe me shthurje të moralit, prindërit japin maksimumin e tyre, që fëmijët, dhe të rinjtë, që nuk kanë përvojë, të mos infektohen nga ndikimi i keq i shoqërisë dhe rebelizmi që pritet të vijë nga ta.
Atëherë shtrohet pyetja çfarë mund të bëjmë ne si prindër, të dorëzohemi para të gjitha sfidave që kemi me fëmijët tanë? Po t’i hedhim një shikim Kuranit famëlartë do të shohim se Allahu xh.sh na porosit dhe na urdhëron që të kujdesemi për fëmijët tanë.
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”4.
Nga këto fjalë shihet qartë se përgjegjësia bie mbi prindërit që t’i edukojnë dhe orientojnë fëmijët drejt së mirës, ata duhet të gjejnë kohë të përshtatshme për edukimin dhe ndalimin e gjërave shkatërruese.
Prandaj prindërit duhet të jenë të përkushtuar ndaj fëmijëve dhe të kenë dialog të përhershëm me fëmijët e tyre, që të ndajnë kohë së bashku si për shembull, shëtitje, argëtim, ushqim, etj. Po ashtu të gjejnë kohë prindërit për diskutime dhe gjera të rëndësishme të cilat ndikojnë pozitivisht në botën e fëmijës, dhe për të pasur qasje direkt te fëmijët vetëm e vetëm
për t’i larguar nga dembelizmi dhe rebelizmi i mundshëm.

Kurani dhe edukimi i fëmijëve

Sa herë që ne e lexojmë Kuranin famëlartë shohim ngjarje dhe histori të ndryshme për kujdesin e fëmijëve që kanë një peshë dhe rendësi të veçantë në jetën e tyre.
Pejgamberi i Allahut Davudi a.s. shfaqte interesim për t’ia mësuar djalit të tij gjykimin e drejtë. Allahu i Madhëruar në Kuran famëlartë thotë:“(Përkujto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën e Ne ishim ndjekës të gjykimit të tyre.”5
Po ashtu, Allahu thotë në Kuran për bijtë e Ibrahimit a.s:”E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe) e edhe Jakubi. (u thanë) “O bijtë e mi, Allahu jua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë myslimanë”6.
Përmes këtij ajeti, mësojmë se Ibrahimi a.s. shfaqte kujdes dhe edukatë të lartë për fëmijët e tij, që ta adhurojnë të vetmin Zot. Sipas shumë komentuesve dhe interpretuesve të Kuranit famëlartë, përgjegjësi është e babait që t’i edukojë dhe t’i orientojë fëmijët dhe bashkëshorten drejt së mirës.

Edukimi i shoqërisë

Edukimi i shoqërisë sonë në shkollë apo institucione duhet të jetë proces i pandarë, dhe të kujdesimi që t’u hapim dyert e përparimit dhe zhvillimit. Pra, këtë e vërteton edhe vetë fjala e nobelistit i cili thotë: “Edukimi i shoqërisë është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për ta ndryshuar botën”.7
Familja është një faktor tjetër i rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe edukimin e drejtë të shoqërisë, si mjetet e informimit, mediet elektronike,
rrjetet sociale etj, janë mundësit që ndikojnë pozitivisht në edukimin e drejtë të shoqërisë, ngase shoqëria e mirëfilltë me edukim të mirë i bën që veprat e tyre të bëhen të pavdekshme. Edukimi i shoqërisë fillon nga lindja dhe është shumë i rëndësishëm si proces në çdo shoqëri, prandaj nëse i referohemi shoqërisë sonë gjatë viteve të fundit vërehet një zhvillim pozitiv në fëmijërinë e hershme, duke i vënë kështu bazat, themelet e një shoqërie të shëndoshë islame. Nëpërmjet shoqërisë islame ne mund ta bëjmë botën një vend më të mirë për të jetuar.
Shoqëria njerëzorë nuk guxon të shmangë asnjëherë edukimin e brezit të ri, brez ky që është i ndërtuar dhe i mbushur me plot dije dhe vlera islame.
Prindi e ka për detyre të përçojë mesazhin te fëmijët e tij, kurse institucionet
shkollore t’i bëjnë përgatitjet edukative–arsimore. Nëse ekziston një bashkëveprim i frytshëm në mes të prindërve dhe institucioneve shkollore, atëherë shoqëria do të jete një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e brezave te të rinjtë.


________________________
1. Struktura familjare në Islam, Hamude Abdulati, shkup. 1995, f.3.
2. Er-Rrum. 21.
3. Sahih el-Buhari nr. 5971 si dhe Sahih Muslimi nr.2.
4. Et-Tahrim 7.
5. El-Enbija 78.
6. El-Bekare 132.
7. Nobelisti Nelson Mandela.



Hetem Sopjani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli