Myftiu Tërnava dhe ambasadori i Turqisë z. Sakar vizituan objektet e restauruara në Gjakovë


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, së bashku me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çagri Sakar, kanë vizituar Medresenë e Vogël të Gjakovës dhe tri xhamitë e restauruara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve. Myftiu Tërnava dhe ambasadori Sakar u shprehën tejet të kënaqur me rezultatin dhe me punën që është bërë në të gjitha objektet, të cilat, përveç restaurimit, kanë ruajtur origjinalitetin së bashku me trashëgiminë e tyre që bartin në vete.

Myftiu Tërnava falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, e cila ka mundësuar restaurimin e këtyre monumenteve, siç janë xhamitë dhe Medreseja e Vogël, së cilës i është shtuar edhe qendra profesionale për trajnimin e imamëve dhe nëpunësve fetarë.

Nga ana e tij, ambasadori i Turqisë në Kosovë, z. Çagri Sakar, u shpreh tejet i kënaqur me punën e kryer, duke falënderuar kështu Bashkësinë Islame të Kosovës për mundësinë dhe bashkëpunimin e ofruar. Me këtë rast, ai falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin që ka treguar në realizimin e këtyre projekteve dhe u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për këtë bashkëpunim.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Gjakovë janë restauruar një sërë monumentesh të trashëgimisë sonë kulturore islame, siç janë Biblioteka e Hadum Agës, Medreseja e Vogës, Xhamia e Sefës, Xhamia e Kusarëve, Xhamia e Mulla Jusufit, ndërsa që ende po vazhdojnë punimet në restaurimin e Xhamisë së Mahmut Pashës.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli