Për herë të parë në historinë moderne Arabia Saudite drejt një Haxhi të pamundur

Përshkak të rritjes së numrit të infektimeve me covid 19, Arabia Saudite pritet të zvogëlojë numrin e haxhinjëve ose të anulojë krejtësisht Haxhin e këtij viti, që do të ishte hera e parë në historinë moderne.
Bota islame është duke shtuar presionin ndaj Riadit që të vendosë nëse Haxhi i këtij viti do të funksionojnë sipas planit në fund të muajit korrik.
Por ndërsa Mbretëria po negocion një vendim që kushtëzohet nga rreziqe politike dhe ekonomike, koha për të organizuar një nga tubimet më të mëdha në botë po mbaron, shkruan AFP.
Haxhi, ku vitin e kaluar morën pjesë afro 2.5 milion haxhinjë, duket se këtë vit nuk ka gjasa pasi që në fund të marsit autoritetet i këshilluan muslimanët të shtyjnë përgatitjet për shkak të pandemisë globale.
“Eshtë një vendim midis organizimit të një Haxhi nominal dhe mosmbajtjes së tij,” tha një zyrtar aziatik që është në kontakt me zyrtarët sauditë për AFP-së duke potencuar se vendimi do të merret dhe njoftohet së shpejti.
Indonezia, vendi më i populluar musliman në botë, ka marrë një vendim që besimtarët e këtij vendi nuk do të udhëtojnë këtë vit në Haxh, “vendim shumë i hidhur dhe i vështirë”, i quajtur nga ministri i linjës së Indonezisë.
Vendimi i Indonezisë u ndoq edhe nga Malajzia, Senegali dhe Singapori.
Shumë vende tjera si Egjipti, Maroku, Turqia, Libani dhe Bullgaria janë duke pritur vendimin e Riadit.
Në vende si Franca, zyrtarët fetarë u kanë bërë thirrje muslimanëve të “shtyjnë” planet e tyre të Haxhit deri vitin tjetër, për shkak të rrezikut të koronavirusit.
Vendimi për anulimin e Haxhit do të ishte i pari që nga themelimi i mbretërisë në 1932.
Arabia Saudite ka arritur të mbajë pelegrinazhin gjatë epidemive të mëparshme si Ebola dhe MERS-i.
Pas anulimit të Umras, anulimi i Haxhit këtë vit ose organizimit me një numër të përgjysmuar të haxhinjëve do të paraqiste një humbje të madhe për mbretërinë, e cila tashmë po ndjen efektet e rënies së të ardhurave për shkak dhe të rënies së çmimeve të naftës.
Sipas shifrave të qeverisë, Umrah dhe Haxhi sjellin 12 miliardë dollarë në ekonominë saudite çdo vit.
Një vendimi negativ do të zhgënjejë edhe miliona besimtarë muslimanë në mbarë botën, të cilët në shumicën e rasteve investojnë kursimet e jetës së tyre dhe vuajnë listat e gjata të pritjes për të udhëtuar për në vendet e shenjta, Mekë dhe Medine.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli