Më mirë në shtëpi por të bashkuar dhe të dashur mes veti

“Dhe ik nga lebrosa siç ik nga luani.” (Ahmedi)

Ka filluar të ngrihet pluhur qysh në fillim të pandemisë por sidomos janë intensifikuar pyetjet (llafet) nga të “urtët e kohës”: duhet apo nuk duhet të mbyllen xhamitë dhe tani së fundi, duhet apo nuk duhet të hapen xhamitë? A po bën mjaft Bashkësia Myslimane që ato të hapen, a janë të aftë për këtë etj.?
Pyetje të ngjashme iu shtruan edhe Hasan Benës, ndërsa ai duke parë se çdo përgjigje (pozitive apo negative) do të përkeqësojë gjendjen, shtroi pyetjen tjetër: “Taravia a është farz apo sunet?” Të pranishmit u përgjigjen: “Sunet”! Atëherë Hasan Bena shtoi: “Por, uniteti i myslimanëve është farz! A do ta shkelim farzin, që ta mbrojmë sunetin? Shumë më mirë është të falemi në shtëpi, ndërsa ta ruajmë unitetin dhe dashurinë vëllazërore mes veti.”
Në këto rrethana dhe në këto kohë të “pakohë”, në të cilat jetojnë myslimanët, është pyetje kyçe se kush e rrënon unitetin ndër myslimanët, duke shkelur farzin (detyrën rigoroze), me justifikimin e aplikimit të disa suneteve, e bile edhe duke imponuar si obligative zakonet dhe traditat e disa zonave gjeografike të huaja! Çfarë është statusi moral dhe shkalla e mëkatit të atyre që me qëllim thyejnë farzin – ruajtjen e unitetit të Bashkësisë – dhe me vetëdije, përkundër paralajmërimit e qortimit, në vazhdimësi mëkatojnë. Gjithashtu, nëse qëllimisht shkelet farzi dhe të qenit këmbëngulës në këtë mëkat është mëkat i madh, vallë personat e tillë mund t’u bëhen dikujt model, yrnek, shëmbëlltyrë në fe e besim dhe njerëz që meritojnë vëmendje, pos disa mëkatarëve dhe ngatërrestarëve, që do t’i kenë pas vetes!?
Na bëhet e qartë që mes myslimanëve ka njerëz që shfaqim dyshim dhe nuk kanë mirëkuptim për porositë bazike dhe përparësitë elementare të fesë, vendit dhe kohës dhe në anën tjetër janë këmbëngulës madje agresiv në imponimin e të kuptuarit të tyre të fesë islame. Kjo mënyrë e jetës së tyre tregon që kokat e tyre janë përplot rrëmujë e çrregullime, të cilat çrregullime përpiqen t’i mbjellin edhe përreth. Kjo gjendje nuk është e mirë dhe e pranueshme. Kjo gjendje kërkon diagnostikim, terapi përkatëse dhe mjekim. Me fjalë të tjera, të tillët tashmë janë të sëmurë por diagnozën dhe terapinë e kanë përcaktuar vetë, që ka dhe do të ketë pasoja fatale. Kjo ngjanë me atë thënien se luftërat fillojnë shumë më herët në kokat e njerëzve se të fillojnë shkrepjen e plumbave dhe se luftërat tek ata mbarojnë shumë më vonë se të shkrepen plumbat e fundit.
Te personat dhe grupet që shfaqin shenja të sëmundjeve të caktuara, si terapi paraprake duhet të mbëltojmë arsyeshmërinë, moralitetin, dijen, drejtësinë, aftësinë e dallimit të drejtës nga e shtrembëta, besimdrejtësinë nga besëtytnitë etj.
Natyrisht, me këtë nuk mohohet e drejta në mendim të lirë, por të drejtë për mendim të lirë ka vetëm eksperti, ndërsa “mendimet” tjera quhen llafe, llafologji çajtoresh. Por, edhe nëse ndonjë ka të drejtë në mendim, ai nuk ka të drejtë ekskluzive në fakte dhe në të vërtetën. Sepse, kjo kërkon plotësimin e kërkesave dhe fakteve të sakta shkencore dhe metodologjike. Në të kundërtën, do të kemi një bashkësi pa synime të qarta, një bashkësi që jeton prej rrëmujës, dhe që fshihet prej hijes së vet.
Allahu xh.sh. thotë lidhur me ata që bëjnë turbullira dhe arsyetohen me dashuri ndaj fesë:
“Ka prej njerëzve fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote të mahnitin, dhe mendojnë se Allahun e kanë dëshmitar për atë se ç’kanë në zemrat e tyre, e në fakt ai është kundërshtar i përbetuar.
Dhe posa ndonjëri prej tyre të kthehet nxiton të bëjë rrëmujë në Tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do rrëmujën (fesadin).” (El-Bekare, 204-205).
Dashurinë ndaj fesë nuk guxojmë ta bëjmë në stilin e partive politike, të cilat për “ideal” kanë “të majtën” apo “të djathtën”, por do të ndjekim rrugën e “mesme” dhe yrnekun e Muhamedit a.s. Ai tha:
“Kur dëgjoni që është shfaqur mortaja në një vend, mos shkoni atje! E nëse sëmundja shfaqet në vendin në të cilin gjendeni ju, atëherë mos dilni nga ai vend, duke ikur nga sëmundja.” (Hadith)
“Kur zotëron murtaja në një vend, kurse ju ndodheni aty, mos ikni nga ai vend; e nëse mortaja shfaqet në vendin ku nuk jeni ju, atëherë mos shkoni atje.” (Buhariu e Muslimi, hadith)
Duhet të dallojmë të mençurin prej budallait edhe nga thënia e Platonit se “njerëzit e urtë flasin sepse kanë të thonë diçka, ndërsa budallenjtë flasin sepse duhet diçka të thonë.”
Ne kemi institucione, ne kemi njerëz në krye të institucioneve, ne kemi myfti në krye të institucioneve, i cili është modest, i thjeshtë, por mjaft i përgjegjshëm të marrë vendime me rëndësi për besimtarët.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës