Këshilla ime për çdo musliman dhe muslimane



Vëlla musliman,
Po të jap një këshillë, jo për diturinë a për gradën time, thjesht për të fituar prej teje Vëlla musliman,

Po të jap një këshillë, jo për diturinë a për gradën time, thjesht për të fituar prej teje një lutje të sinqertë, se mos All-llahu më fal gjynahun e më fshin gabimin. Me këtë dua gjithashtu që kur ta takoj All-llahun, ta kem kryer të drejtën që ke mbi mua; këshillën, edhe nëse nuk të kam takuar personalisht.
Kjo është këshilla ime e shkurtër, po e paraqes para duarve tua, me shpresën që të të bëjë dobi: Po të këshilloj me këshillën e All-llahut robëve të Tij: “Ne ju patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga All-llahu”[1] .

Vëlla musliman,
Devotshmëria është ruajtja nga çdo gjë e dëmshme, fetarisht dhe materialisht. Prej këtu, çdo gjë e dëmshme, gabim a rrëshqitje që feja islame ka ndaluar, të larguarit prej saj quhet devotshmëri! Pra, devotshmëria është të ruajturit nga çdo gjë që e bën All-llahun të zemërohet me ty. Ajo është çdo derë që të afron me Zotin tënd dhe e bën Atë të jetë i kënaqur me ty.

Devotshmëria është nënshtrimi para urdhrit të All-llahut në adhurime dhe largimi nga ndalesat e Tij në punët e këqija. Prandaj, bëhu i devotshëm pasi nuk do të kesh mjerim pas saj.
Le të shoqërohet devotshmëria jote me dashurinë a frikën e All-llahut. Nëse do të shoqërohet me dashuri, dije se i dashuruari turpërohet nëse i dashuri e sheh në një gjendje që atij nuk i pëlqen, e nëse shoqërohet me frikë, dije se i cilësuari me të frikësohet që Dëgjuesi, i Dituri, Vëzhguesi ta shohë në një gjendje të ndryshme nga urdhëresa e Tij.

Dhe dëgjo këshillën e të dashurit tënd, Resulull-llahit (a.s), i cili thotë: “Të këshilloj të jesh i devotshëm ndaj All-llahut në të fshehtë dhe haptas. Kur të gabosh, kthehu dhe bëj mirë! Mos kërko kurrë diçka prej dikujt! Mos e prek amanetin dhe mos gjyko në mes dy vetave!”[2], sikurse porosit: “Të këshilloj të jesh i devotshëm ndaj All-llahut, pasi ajo është koka e çdo gjëje. Të këshilloj xhihadin, pasi është murgëria e Islamit. Të këshilloj ta përmendësh All-llahun dhe ta lexosh Kuranin, pasi është shpirti yt në qiell, përkujtimi yt në tokë”[3]

Të këshilloj të kesh turp prej All-llahut, pasi turpi qëndron pranë besimit. Të kesh turp prej Tij do të thotë të bindesh dhe të ndjesh se All-llahu është me ty dhe të sheh, dëshmon punën tënde, të dëgjon fjalën, di qëllimin tënd dhe asgjë nuk është e fshehtë për Të! Ruaju që të vëzhgojë me dijen e Tij dhe të gjejë në gjynah, kështu do t’i shkaktosh vetes ndërprerjen nga lidhja e Tij, mbulimin nga frika e Tij, largimin nga mbikëqyrja e Tij.., nefsi do të të marrë, më pas, nga e keqja, elementi i së mirës në veten tënde do të vdesë, nuk do të ndjesh më pendim, nuk do të ndjesh më asgjë, që do të thotë vdekje e zemrës para All-llahut, Zoti na ruajt!

Në hadithin e tij (a.s) thuhet: “Turpërohuni prej All-llahut siç duhet, pasi Ai ka ndarë mes jush moralin, siç ka ndarë edhe rizkun!”[4] Gjithashtu thotë: “Turpërohu prej All-llahut, siç turpërohesh nga njerëzit e mirë të fisit tënd”[5], sikurse thotë: “Kur All-llahu zemërohet me robin e Tij, ia merr turpin. E kur ia merr turpin nuk do ta gjesh veçse urryes dhe të urryer. I merr edhe amanetin. E kur ia merr edhe amanetin, i merr edhe mëshirën. E kur ia merr edhe mëshirën, i merr edhe Islamin. E kur ia merr edhe Islamin nuk do ta gjesh veçse një shejtan të dëbuar!”[6]

Të këshilloj të jesh i moralshëm, pasi morali i mirë i shkrin gabimet, i shton të mirat dhe bën që në mesin e njerëzve të kesh një pozitë të lartë vlerësimi dhe nderimi! Pastaj, morali i mirë është cilësia më e mirë që mund të ketë njeriu, ai është natyrë e të dërguarve të All-llahut, të cilët u dërguan për plotësimin e moralit të njerëzve, për të arritur gradët e mirësisë dhe të plotësisë relative. I dërguari i All-llahut (a.s) ka thënë: “Jam dërguar për të plotësuar moralin”[7], sikurse ka thënë: “Morali i mirë i shkrin gjynahet si uji akullin, sikurse morali i keq e prish punën si uthulla mjaltin”[8], sikurse ka treguar se: “All-llahu i reveloi Ibrahimit: “O miku Im, të jesh i moralshëm, qoftë edhe me femohuesit që të hysh në dyert e të ndershmëve, pasi e kam vendosur: Ai që është i moralshëm do ta kem në hijen e Arshit Tim, do të banojë në rrethinat e Hyjnisë Sime, do të jetë pranë Meje”!”[9]

Të këshilloj të jesh bamirës ndaj prindërve të tu, edhe nëse të bëjnë padrejtësi, pasi ata të dy janë porosia e All-llahut për ty! Thotë All-llahu i Madhëruar: “Ne e urdhëruam njeriun t'u bëjë mirë prindërve të vet...”[10] e në veçanti me nënën tënde, e cila ka gdhirë net të tëra, ka errur ditët e saj, të ka mbajtur brenda saj, vështirësi pas vështirësie. Jepi asaj atë që i takon nga respekti, bindja dhe sakrifica për t’i shërbyer.

Kujdesu që të mos e ngresh zërin tënd mbi prindërit e tu! Mos të qëndrosh i vrenjtur para tyre, mos të largohesh prej tyre ndërsa flasin, mos u nervozo me ta kur të këshillojnë dhe të mësojnë, “dhe shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues.. .”[11], pasi ata të dy janë si dy miq pranë teje, që ta shtojnë thesarin e pasurisë tënde me lutjet e tyre. Ata të dy e lartësojnë gradën e fisnikërisë tënde me pëlqimin e tyre ndaj teje. Ata të mbulojnë nën hijen e mbarësisë me gëzimin e tyre, të largojnë mjerimin dhe pesimizmin me lumturinë e tyre. Prandaj, sakrifiko sa të mundesh në atë që bën, duro dhe mbaj çdo gjë prej tyre, “mos u thuaj atyre as "uf"”[12] asnjëherë, pasi ajo është shprehje e mjerimit të jetës!

Dhe dije me plot bindje se ashtu si vepron sot me prindërit, do të të kthehet llogaria e saj nesër nga fëmijët e tu, sepse “Siç bën ta bëjnë dhe me peshoren që peshon, peshohesh”!


Shejkh Rexheb Dib
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed Sytari



[1] Kur’ani: 4:131.
[2] Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 5: 181 nga Ebu Dherri (r.a).
[3] Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 3:82 nga Ebu Said Khudriu (r.a).
[4] Bukhariu në Tarikhun e tij nga Ibni Mes’udi (r.a).
[5] Ibni Adijj nga Ebu Umame (r.a).
[6] Bejhakiu nga Abdull-llah ibn Amr ibnul-As (r.a). Shih: “Kenzul-ummal” , 3: 128, nr. 5798.
[7] Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 2: 381, Bukhariu në Edeb, Hakimi dhe Bejhakiu në Shuab nga Ebu Hurejra (r.a).
[8] Tabaraniu në el-Kebir nga Ibni Abbasi (r.a).
[9] Hakim Tirmidhiu dhe Tabaraniu në el-Eusat nga Ebu Hurejra (r.a).
[10] Kur’ani: 46:15.
[11] Kur’ani: 17:24.
[12] Kur’ani: 17:23.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta