Mbështetja te Zoti

"Vetëm Zotit të tyre i mbështeten" (En Nahl: 42)

Kush e kalon mbështetjen me zemër te mbështetja me gjymtyrë dhe ngatërron procesin, ai nuk është mbështetur në të vërtetë, por thjesht është justifikuar vetë, pasi punët e zemrës në këtë rast kanë kaluar tek ato të trupit. Ndërsa parimi i saktë është se zemrës i takon të mbështetet, kurse gjymtyrëve të punojnë.

Çfarë është tevekul-i (Mbështetja te Zoti)?

Në kuptimin gjuhësor tevekul do të thotë të besosh se ti ke një përfaqësues, i cili kryen punët e tua në vendin tënd. Në rastet kur ti nuk ke mundësi të kryesh një çështje të caktuar, dërgon një përfaqësues të cilin e cakton të kryejë atë çështje në vendin tënd. Dhe pasi cakton dikë si përfaqësues të çështjeve të tua, je i qetë dhe i sigurt mbi kryerjen e asaj çështjeje me sukses.
Pra, kuptimi i tevekul-it është t'u delegosh punë të cilat nuk mund t'i kryesh personave të besueshëm dhe të aftë, të cilëve u keni besuar çështjen tuaj duke marrë për bazë interesin që keni nga ky delegim. Le ta shpjegojmë më qartë: Zoti i Madhëruar ka krijuar universin dhe bashkë me të ka krijuar edhe shkaqe të cilat na dërgojnë te pasojat. Shkaku 'është zanafilla, ndërsa pasoja është rezultati. Zoti ka lënë dhe çështje që janë përtej shkak-pasojës, derisa të kuptohet se shkaktari kryesor është Zoti xh.sh. Për ndonjë çështje që kalon kapacitetet e mundësisë së shkakut, mos mendo se nuk do të ndodhë. Sepse kjo është çështje e lidhur me shkaqet, por ajo që duhet të kuptojmë është fakti se ka një Zot, i Cili i krijoi shkaqet dhe i Cili i nënshtron ligjet dhe rregullat.
Shumë njerëz nuk janë të qartë në dallimin mes punëve të zemrës, punëve të gjymtyrëve dhe të trupit. Disa mendojnë se tevekul-i do të thotë që të mos të punosh dhe thonë: "Unë i mbështetem Zotit." Këta persona duhet ta kenë të qartë se tevekul-i në të vërtetë është prej punëve të zemrës dhe jo të gjymtyrëve. Prandaj, ai besimtar që e ka pranuar metodologjinë hyjnore, e cila i ka dhënë rëndësi rolit të shkaqeve dhe pasojave dhe e ka të qartë faktin se Shkaktari i gjithçkaje është Zoti xh.sh., ai bëhet aktiv nën hijen e parimit "Gjymtyrët dhe trupi punojnë ndërsa zemrat mbështeten."
Trupi punon tokën dhe ne zgjedhim farën më të mirë duke treguar kujdesin e duhur për të gjitha proceset e punës që i takon kësaj fushe, këto quhen shkaqe. Pas gjithë kësaj përpjekjeje nuk duhet të ndalojmë vetëm tek këto shkaqe, por, duhet të themi dhe të kemi bindjen se mbi të gjitha këto qëndron Shkaktuesi i shkaqeve, Allahu i Plotfuqishëm. Sepse mund të ndodhë që ti i plotëson të gjitha shkaqet dhe papritmas të vjen një shi i rrëmbyeshëm, një zjarr i madh apo një tufan dhe të shkatërron gjithçka. Kush e kalon mbështetjen me zemër te mbështetja me gjymtyrë dhe ngatërron procesin, ai nuk është mbështetur në të vërtetë, por thjesht është justifikuar vetë, pasi punët e zemrës në këtë rast kanë kaluar tek ato të trupit.
Ndërsa parimi i saktë është se zemrës i takon të mbështetet, kurse gjymtyrëve të punojnë. Personat që e kanë keqkuptuar tevekul-in, kanë rënë në grackën e justifikimit të vetes me anë të pretendimeve të gabuara. Ata nuk punojnë me pretendimin se i janë mbështetur Zotit. Por, në këtë mënyrë ata thjeshtë po gënjejnë veten e tyre pasi i kanë braktisur të gjitha shkaqet duke qenë të mundur fizikisht dhe mendërisht për t'i marrë në konsideratë këto shkaqe. Nëse kjo logjikë do të ishte e saktë, atëherë u themi këtyre personave se, nëse do të përgatiti m për ju një ushqim të këndshëm dhe ta vendosim para jush, lëreni atë të vijë vetë te goja juaj dhe thoni 'unë i jam mbështetur Zotit'.
Përse, për ushqimin që dëshiron, i aktivizon menjëherë gjymtyrët e trupit tënd dhe e vendos ushqimin në gojën tënde? Këtu kuptojmë se tevekul-i që pretendohet në këtë rast është një vetëmashtrim dhe asgjë më shumë. Ti po i mbështetesh Zotit në atë punë për të cilën të ka kapur përtacia.ndërsa në atë që të intereson, siç ishte shembulli i ushqimit, i aktivizon gjymtyrët menjëherë. Ky është tevekul-i i atyre që gënjyen vetët e tyre. Po shkaqet, krijesa të kujt janë? Shkaqet janë krijesa të Zotit dhe nëse i merr ato në konsideratë, atëherë ti je i orientuar drejt Zotit. E nëse plotësimi i shkaqeve është përtej kapaciteteve të tua njerëzore, atëherë dije se Allahu është Shkaktuesi i çdo shkaku. Dhe Zoti thotë: "Vetëm Zotit të tyre i mbështeten" (Nahl:42).



Shejh Muhamed Esh Sharavi
Përshtati: Vladimir KERA


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi