Lumturia në familje


Lumturia në familje është një temë shume rëndësishme. Nuk ka rëndësi gjinia, sepse çdo burrë apo grua që është i/e lumtur në familje përhap lumturi në çdo ambient që e rrethon. Ndërsa njeriu që nuk ka lumturi në familje është gjithmonë i mërzitur dhe i shqetësuar.
Allahu (xh.sh.), i ka krijuar të gjitha gjallesat në çift dhe secili ka nevojë për tjetrin. Edhe njerëzit janë krijuar në çift, dhe partneri është gjithmonë pjesë e pandarë dhe plotësuese e partnerit tjetër.
Mendja e një njeri mund të kuptohet duke vëzhguar gjërat që ai dëshiron të arrijë.
Një grua e zgjuar nuk është e dhënë pas rehatisë të kësaj bote dhe pas të mirave që ajo mund të ofrojë, prandaj ajo do të jetë e lumtur edhe në qoftë se jeton në pallate mbretërore, edhe në qoftë se jeton në kasolle.
Sado të bukura të jenë të mirat e kësaj bote një ditë do t’u vijë fundi dhe gjithsesi ato kanë të meta, prandaj nuk mund ta kënaqin kurrë zemrën e një njeriu.
Gjëja e vetme që të jep qetësi është besimi në Allah dhe nënshtrimi para Tij. Asnjë gjë tjetër nuk mund ta lumturojë shpirtin.
Burrat gjithashtu nuk duhet ta kërkojnë lumturinë tek puna dhe karriera. Të dyja këto sjellin me vete shumë ankth dhe vështirësi.
Lumturia në familje vjen në çastin kur bashkëshortët e dëgjojnë njëri- tjetrin dhe përpiqen të kuptojnë se çfarë janë gjërat që mund ta bëjnë tjetrin të lumtur.
Gruaja duhet të kuptojë dëshirat e burrit të vet dhe me aq sa ka mundësi duhet t’i plotësojë ato; kurse burri duhet të gjejë rrugë për të arritur tek zemra e gruas së vet. Gruaja e mirë është si një lule që përhap aromë të këndshme rreth e rrotull. Gruaja duhet të tregohet e zgjuar dhe ta bëjë për vete burrin dhe familjen e tij.
Mënyra më e mirë për ta arritur këtë gjë, është duke qenë e bindur ndaj burrit dhe e kujdesshme me fëmijët. Krenaria dhe kokëfortësia nuk të sjellin asnjë gjë të mirë.
Gruaja e mirë dhe e zgjuar është një thesar i paçmuar. Burri duhet ta dijë vlerën e një gruaje që i njeh Allahun dhe Resulallahun, që e bën më së miri detyrën e vet ndaj fesë, që ka respekt ndaj burrit të vet dhe që e mbështet burrin në punët e tij.
Në qoftë se burri nuk ia di vlerën, le të frikësohet se mund të mbesë pa të, sepse gjërat që nuk ua din vlerën, të merren.
Në martesë burri dhe gruaja duhet të jenë si një mbulesë që fsheh mangësitë dhe problemet e tjetrit. Ata duhet ta mirëkuptojnë njeri- tjetrin dhe të mundohen që t’i falin gabimet. Edhe problemi më i vogël në qoftë se diskutohet shumë, zmadhohet dhe ne jemi dëshmitarë se si janë shkatërruar familje nga një zënkë krejt e vogël.
E kundërta ndodh tek familjet e zgjuara, të cilat edhe problemet më të mëdha i zvogëlojnë aq shumë derisa të zhduken krejtësisht. Fëmijët të cilët rriten në familje në të cilat mbizotëron paqja dhe dashuria janë të lumtur. Ata nuk janë njerëz të stresuar dhe nuk kanë mllef apo urrejtje për njerëzit.
Prindërit në fillim duhet të kenë kujdes sjelljet e tyre, sepse në atë mënyrë do të bëhen shembull i mirë për fëmijët e tyre. Fëmija e mëson në familje dashurinë për nënën dhe babanë, mirësjelljen dhe edukatën ndaj njerëzve të tjerë, respektin ndaj më të mëdhenjve dhe mëshirën ndaj më të vegjëlve.
Shtëpitë tona duhet të bëhen çerdhe në të cilat të mësohet feja jonë. Në to duhet të flitet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij në çdo moment. Nëna dhe babai, që janë mësuesit më të rëndësishëm, nuk duhet të harrojnë që t’u mësojnë fëmijëve të tyre shembullin më të mirë të njerëzimit.
Shkurtimisht mund të themi se lumturia që ndodhet brenda zemrës duhet të përçohet në familje, kurse lumturia në familje duhet të kalojë edhe në rrugë e kudo. Zemra e myslimanëve duhet të jetë e mbushur me mëshirë, dashuri dhe paqe. Allahu i begatoftë edhe shtëpitë tona me këto të mira. Amin.



Zahide Topçu
Etika 138


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta