Besimtarët myslimanë në Shqipëri falën sot namazin e Kurban Bajramit


Ceremonia kryesore, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu u zhvillua në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri), Tiranë.
Ashtu si falja e Fitër Bajramit edhe Kurban Bajrami këtë vit u zhvillua në të gjithë vendin duke respektuar një protokoll të caktuar në kuadër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Ceremonia filloi me lexim Kurani nga hafizi i nderuar Enes Hyka për të vijuar më tej me ligjëratën e rastit të mbajtur nga Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërsë, z. Taulant Bica, i cili në fjalën e tij u fokusua mbi simbolikën e kësaj feste duke ndarë me besimtarët e pranishëm ngjarjen e dy profetëve të Zotit, Ibrahimin (a.s) dhe Ismailin (a.s) dhe mesazhet që duhet të nxjerrim prej saj.
“Sot është një ditë e madhe feste për të gjithë besimtarët por Kurban Bajrami nuk është vetëm dëfrim e gëzim, ai duhet shoqëruar gjithashtu me adhurim e lutje, me bindje e sakrificë ndaj Allahut (xh.sh). Mishi, Sadakaja, lëmosha dhe dora e ndihmesës do të bëjë që sot të gëzojnë e festojnë të gjitha shtresat e shoqërisë pa dallim besimi, mendimi dhe origjine, por të vëllazëruar, bashkuar, unifikuar të jetojnë së bashku bukuritë e këtij besimi.”- tha ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, ceremonia vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Pas faljes së namazit, Kryetari Spahiu vijoi me hutben e bajramit, ku foli mbi kushtet në të cilat besimtarët në Shqipëri por edhe anë e mbanë botës po e festojnë këtë ditë të madhe. Sipas tij Kurban Bajrami është gëzimi i individit dhe i shoqërisë, është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Është ndarja e këtij gëzimi mes njerëzve dhe është hyrje në klimën e ndjenjave pozitive shpirtërore. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit.
“Jemi në ditën e parë të festës së madhe të Kurban Bajramit. Falënderojmë Zotin që, megjithëse në kushte të vështira, na e bëri të mundur t’i presim me gëzim dhe shpresë edhe njëherë këto ditë të mëdha të kësaj feste. Të kremtuarit e këtyre ditëve na inkurajojnë në angazhime më të vendosura, për detyra më të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhmeje solide.” – theksoi ai gjatë hutbes.
Më tej ai shprehu edhe një falënderim dhe mirënjohje për të gjithë stafin mjeksor që gjatë kësaj kohe ka qenë në pararojë të luftës kundër COVID-19.
Të pranishëm në ceremoninë e faljes së Kurban Bajramit ishin gjithashtu Kryegjyshi i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe krerë të tjerë të tarikateve Islame të vendit.
Në përfundim të kësaj ceremonie, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre. Ndërkohë e njëjta atmosferë festive ka shoqëruar faljen e Kurban Bajramit në çdo xhami të vendit.








Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta