Tregim i dobishëm: Erdha të ankohem për gruan time


Jahja ibn Jahja en-Nejseburi tregon:
"Isha në shoqëri me Sufjan ibn Ujejneh, kur një burrë u afrua dhe tha: "O Ebu Muhamed, erdha të të ankohem për gruan time. Që kur u martova me të, kam përjetuar vetëm poshtërim. Unë jam gjëja më e ulët dhe më e padashur për të".
Sufjani heshti për pak kohë e pastaj tha: "Është e mundur që ti je martuar me atë vetëm për shkak të prejardhjes së saj, që ta ngritësh reputacionin". “Po, e vërtetë është o Ebu Muhamed”, ia ktheu burri.
“Kushdo që kërkon nder, duke u martuar me një grua, do të sprovohet me përulje, dhe kushdo që kërkon pasuri, duke u martuar me një grua, do të sprovohet me varfëri. Ndërsa ai i cili nga një grua kërkon devotshmëri, atëherë Allahu do t’i ndërthur ndershmërinë dhe pasurinë, bashkë me devotshmërinë për të tek ajo”, tha Sufjani dhe vazhdoi:
'Ne ishim katër vëllezër: Muhamedi, Ibrahimi, Imrani dhe unë. Muhamedi ishte më i madhi, Imrani më i riu, ndërsa unë isha në mes. Kur Muhamedi vendosi të martohej, atij i interesonte prejardhja, kështu që u martua me një grua me prejardhje më fisnike se ai, dhe Allahu e sprovoi me përulësi.
Nga ana tjetër, Imranit i interesonte pasuria, kështu që u martua me një grua e cila ishte më e pasur se ai, dhe Allahu e sprovoi me varfri. Ia morën tërë pasurinë dhe nuk i dhanë asgjë.
Duke parë çështjen e tyre, vendosa të veproj ndryshe.
Një ditë, tek ne erdhi Ma'mer ibn Rashid. Unë ia tregova rastin e tyre dhe kërkova këshillë nga ai. Ai më kujtoi hadithet që i transmetuan Aisha dhe Jahja ibn Xhe'deh.
Sa i përket hadithit të Xhe'des, Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë:
"Një grua martohet për katër gjëra: për fe (devotshmëri), për prejardhje, për pasuri dhe për bukuri. Martohuni me atë që është e devotshme dhe do të jeni të suksesshëm".
Kurse hadithi i Aishes është siç vijon: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë:
"Gruaja më e bereqetshme është ajo me mehrin (prikën) më të vogël".
Unë e dëgjova këshillën e tij, zgjodha devotshmërinë dhe mehrin e vogël, duke pasuar kështu të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selam, dhe Allahu i bëri bashkë për mua nderin, pasurinë dhe devotshmërinë"


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë