Bëhu lehtësues, dhuro myzhde!

Ndër hadithet më shpresëdhënëse, që përkufizojnë thelbin e Thirrjes Islame dhe tabanin në të cilin përkundet, është edhe dëshmia shekullore, që vërteton se: “Kur (Resulullahu) dërgonte ndonjërin prej shokëve të tij në ndonjë mision, i thoshte: “Jepni sihariq dhe mos i largoni njerëzit, lehtësoni dhe mos vështirëson.(1)

Hadithi në fjalë na mëson se kur të flasim në emër të fesë, duhet të japim myzhde, të dhurojmë qetësi, prehje dhe shpresë! Pra, njerëzit të kënaqen dhe të gëzohen prej thirrjes së besimit dhe fesë, jo të ngushtohen, të lodhen e të ndihen keq!
Në komentin e këtij hadithi, Imam Mennavi, ndër të tjera thotë:
"D.m.th., lehtësoni çështjet e fesë dhe mos i vështirësoni ato. Mos i largoni njerëzit nga feja duke ua vështirësuar atë ... "(2)
Pra, qëllimi i këtij hadithi dhe i shumë haditheve të ngjashme me thelbin e tij, është nxitja e lehtësimit si frymë, në mesin e myslimanëve. Pra, nuk është e nevojshme që disa koncepte fetare, thirrje të saj a mësime të ndryshme, t'ua vështirësojmë njerëzve, përkundrazi!
Allahu i Madhëruar urdhëron në Kuranin Famëlartë: "Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju ... "(3), sikurse porosit: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij ... "(4), poashtu urdhëron: "Nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi ... "(5), ose: “Allahu dëshiron t'ju lehtësojë (dispozitat) ... "(6).
Ai na mëson se këtë fe e ka bërë të lehtë për njerëzit. Nga këtu, kur flasim për adhurimet në Islam, për të gjitha prej tyre ka lehtësime të mëdha për praktikimin e tyre, sipas rrethanave a mundësive, me të cilat edhe mund të përballemi në jetë.
Pra, nuk ka ngushtim prej adhurimeve në Islam, porse besimtari është ftuar t'i kryejë ato në rehati të plotë! ''Argumentet që vërtetojnë se ky sheriat është ndërtuar mbi bazën e largimit të vështirësisë dhe sikletit janë të shumta!".(7)
Për shembull, po të kthehemi tek librat e jurisprudencës islame (fikhut islam), ose tek librat e hadithit, do të gjejmë se rreth kapitujve të shtyllave kryesore të fesë islame ka nëntituj të shumtë, që në tërësinë e tyre janë vendosur për të lehtësuar praktikimin e këtyre adhurimeve, ose për të treguar se, edhe në të gjallë të Resulullahut (a.s.), njerëzit janë përballur me vështirësi dhe situata të ndryshme, për të cilat i Dërguari i Allahut a.s ka dhënë udhëzimin e tij se si duhen kryer këto adhurime në kushtet e tyre.
Fjala bie, le të lexojmë disa nga nëntemat e kapitullit të namazit, në "Umde-në" e Imam Bedruddin Ajniut, në shpjegimin e veprës "Es-Sahih' të Imam Bukhariut në hadith:
Vëllimi i 4-t, 7- Libri (kapitulli) i Tejemmumit: Nëse nuk gjen as ujë, as dhe (për tejemmum) ...
8- Libri (kapitulli) i Namazit:
Falja e namazit në një rrobë të vetme, mbështjellur me të. - Nëse rroba është e ngushtë - Sa është masa e rrobës së gruas në namaz? - Namazi në shtrat - Namazi mbi rrobë në një ditë shumë të nxehtë - Namazi me shapka - Falja në shtëpi - Papëlqyeshmëria e namazit në varreza - Namazi kur mbërrin nga udhëtimi - Hyrja e idhujtarit në xhami - Ngritja e zërit në xhami - Mbartja në krah e vajzës së vogël në namaz ... (8)
Natyrshëm, këto janë disa shembuj të thjeshtë nga tituj pa fund, që trajtojnë situata e gjendje të ndryshme, me të cilat mund të përballemi në jetë dhe, si mund të kryejmë adhurimet tona në ato gjendje, edhe pse mund të jenë të përkohshme, ose edhe mund të mos përballemi me asnjërën prej tyre.
Allahu i Madhëruar na udhëzon në Kuran për kryerjen e disa adhurimeve, si: agjërimi, namazi, haxhi, etj. Për secilin prej tyre, si në Kuran, ashtu edhe në hadi the të shumta, besimtari gjen lehtësime, për situata e gjendje, me të cilat mund të përballet a sprovohet. Sepse jo të gjithë njerëzit janë njësoj. Jo të gjithë mund të falen në këmbë, sikurse dikë e zë koha e namazit në udhëtim. Udhëtimi mund të jetë me avion dhe për orë të gjata.
Mund të qëllojë që ta nisë ditën e agjërimit në udhëtim të gjatë, si të veprojë? Mund të jetë grua shtatëzënë, ose gjidhënëse, si të veprojë me agjërimin? Mund të jetë i sëmurë kronik, ose i shtruar në spital për një ndërhyrje a kuri m , ndërkohë që ka hyrë muaji i agjërimit. Si të veprojë? A ka zgjidhje?
Mund të jetë nisur për të kryer haxhin dhe rrugës merr një plagë, që e detyron të fashohet, ose të veshë ndonjë rrobë të brendshme, ndërkohë që është në kohën e veshjes së detyrueshme të ihramit. Si të veprojë? A i prishet rituali? A ka dëmshpërblim?
Të gjitha këto, e shumë e shumë të tjera të ngjashme, janë çështje, për të cilat individi gjen zgjidhje dhe merr përgjigje, nëpërmjet këtij rregulli të artë: "Lehtësoni dhe mos vështirësoni!" .
Prandaj kanë thënë: "Dije se Allahu i Madhëruar e ka bërë fenë islame të përshtatshme për ymetin dhe çdo brez të njerëzimit, në çdo kohë dhe kohë, deri në kiamet. Dhe pa dyshim, një fe me këto përmasa, duhet të jetë tolerante, e lehtë për atë që merr në dorë vendimet e saj dhe për nxënësin e bazave dhe degëve të saj. "Resulullahu a.s. thoshte: 'Feja është lehtësim, jo vështirësim!", 'O njerëz, prej jush ka që i largojnë njerëzit, prandaj kush të falet imam në mesin e njerëzve, le ta lehtësojë, sepse pas jush është i madhi, i vogli dhe nevojtari!’...(9)
Feja ka ekuilibra, të dashurit e mi! Dhe, këta ekuilibra janë të ndërtuar mbi bazën e lehtësimit! Pra, si e si feja të vijë sa më e lehtë, e dashur dhe praktike për besimtarin!
Prandaj sot, është e domosdoshme që imamët, thirrësit islamë, myftinjtë dhe krejt myslimanët, ta kuptojmë drejt fenë tonë, të kuptojmë thelbin e saj dhe të jemi lehtësues! T'i japim myzhde njerëzve, që njerëzit të gëzohen e të lehtësohen nga feja, jo të frikësohen prej saj!
Teksa lexojmë këtë hadith, ka shumë rëndësi të kuptojmë se Resulullahu (a.s.) erdhi në mesin tonë si i Dërguar i Zotit të gjithësisë, si mëshirë për gjithësinë!
Ai është dërguar mëshirë për gjithësinë, patjetër që feja e tij dhe udhëzimi i tij është lehtësimi! Për këtë, Nëna e jonë, Hz. Aishe r.a. thoshte: "Sa herë që Resulullahu a.s. kishte mundësi të përzgjidhte në mes dy gjërash, zgjidhte më të lehtën, përderisa nuk ishte e ndëshkueshme ... "(10) Sepse ishte dërguar me lehtësimin!
Me këtë nuk duhet të kuptojmë neglizhencën, papërgjegjshmërinë a indiferencën në marrëdhëniet me fenë dhe adhurimet obligative, kurrsesi! Lehtësimi ka të bëjë me kuptimin e thelbit të asaj çfarë Zoti i gjithësisë kërkon prej nesh!
Resulullahu (a.s.) u dërgua me lehtësimin! Lutju Allahut të Madhëruar të të dhurojë sekretin e lehtësimit dhe të qenët myzhde për të tjerët në jetë, duke nisur nga familja, njerezit përreth dhe shoqëria mbarë!


____________________
1. Hadithi nr. 6612, f. 411, prej haditheve të "El-Xhamius-sagir", të Imam Sujutit. Transmetuar nga Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Ebu Musai (r.a.).
2. Imam Muhammed Abdurrauf El-Mennavi, Fejdul-Kadir; Darul-Fikr, Bejrut, 1996 botimi i parë, vëll. 5, f. 136
3. Kur’ani, El-Bekare: 185.
4. Kurani, El-Bekare: 286
5. Kur’ani, El-Haxh: 78.
6 Kur'ani, En-Nisa: 28.
7. Shejkh Muhammed El-Khudari, Tarikh et- Teshri el-Islami, Darul Kutubil-Ilmijje, Bejrut, 1994, botimi i dytë, f. 12.
8. Me përshtatje dhe përzgjedhje, nga: Imam Bedruddin El-Ajni (v. 855 h.), në Umde-në e tij, (shpjegimi i Sahihul-Bukhariut), botimi i dytë, Liban, 2009, vëll. i 4-t, f. 449-453.
9. Shejkh Ali Ahmed El-Xherxhavi, Darul-Fikr, Bejrut, 1997, vëll. i parë, f. 197.
10. Transmetuar nga Bukhariu.



Autori është myfti i Zonës Shkodër


Artikulli i kaluar
Këshillim, jo paragjykim!
Artikulli radhës
Llojet e shembujve në Kuran

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë