Për vepra të mira, rrugët janë gjithmonë të hapura

Jemi në ditët e fundit të muajit të fundit të kalendarit hënor, pra në muajin Dhul-Hixhxhe, muaj në të cilin është caktuar të kryhet edhe një nga adhurimet më të mëdha në fenë tonë, Haxhi. Ky vit do të mbahet mend për çrregullimet që shkaktoi virusi korona, e që edhe në aspektin fetar ka ndikuar në ndryshimin e shumë gjërave. Andaj duhet durim, forcë dhe reflektim, për ta tejkaluar këtë sprovë të madhe që ka goditur mbarë njerëzimin.

Ky virus vërtetë na ka ndaluar prej disa aktiviteteve, por nuk mund të na ndalojë që të bëjmë mirë dhe vepra të dobishme, qofshin ato të vogla apo të mëdha.

Zoti jonë, All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë na thotë:

“Pra, ju bëni gara në punë të mira. Kudo që të gjendeni, All-llahu do t’u tubojë të gjithëve; se All-llahu, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm.” (Bekare, 148).

“Çka të përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te All-llahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh, e kërkoni falje prej All-llahut, se All-llahu është mëkatfalës, mëshirues!” (Muzzemmil, 20).

Ebu Hurejre r.a. përcjell një hadith të Muhammedit a.s. në të cilin thuhet: “Një burrë pa një pemë mbi rrugë dhe tha: ‘Betohem në All-llahun se do ta heq nga këtu, në mënyrë që të mos shqetësojë muslimanët.’ E hoqi atë dhe për këtë arsye u fut në xhenet.” (Muslimi)

“Nëse dikush merr një jetim, që gjendet ndërmjet muslimanëve dhe e çon në shtëpinë e tij për ta ushqyer, përderisa të mos bëjë ndonjë mëkat të pafalshëm, All-llahu xh.sh. e fut atë në xhenet.” (Tirmidhiu)

Vëllezër e motra, vargu i ajeteve dhe haditheve do të ishte më i gjatë po të zgjeroheshim edhe më shumë në këtë temë, por ne, në mënyrë të përmbledhur, do të thoshim: Besimtari dhe besimtarja gjithnjë mundohet të jetë i dobishëm për vetveten dhe për të tjerët, duke kërkuar mundësi dhe raste për të kontribuar dhe ndihmuar në fusha të ndryshme. Besimtarët i tërheqin gjithmonë punët e mira dhe të bukura.

Pejgamberi a.s., duke i numëruar degët e imanit, tha se imani përbëhet nga shtatëdhjetë e disa pjesë, ku në mesin e tyre kishte përmendur edhe largimin e pengesës nga rruga. Pra, kur është në pyetje puna e mirë, ajo asnjëherë nuk mund të klasifikohet si e vogël apo e imët. Përkundrazi, ekziston detyrimi që të veprojmë mirë dhe të jemi në të drejtën kurdo që na kërkohet dhe na mundësohet.

Në kohën e Muhammedit a.s., në qytetin e Medines, ishte një grua e cila, herë pas herë, kujdesej për xhaminë, për pastërtinë dhe rendin e saj. Kishin kaluar disa ditë e Muhammedi a.s. nuk e kishte parë dhe pasi që kishte pyetur për të, ishte informuar se ajo kishte ndërruar jetë. Për këtë nuk e kishin informuar Muhammedin a.s., duke menduar se nuk kishte qenë ndonjë grua me famë, e që ta ftonin me çdo kusht edhe Pejgamberin. Për një gjest të tillë ishte revoltuar Pejgamberi a.s., pasi kishte dashur që t’ia falte namazin e xhenazes. Me këtë rast kishte thënë: “Gruaja është në xhennet dhe përjeton kënaqësitë e xhennetit për faktin se, sa ishte gjallë, kujdesej për pastërtinë e xhamisë.” Kjo ishte mundësia e saj, dhe për këtë të mirë fitoi Ahiretin.

Secili nga ne ka mundësi të angazhohet dhe të jetë në rrugën e mirësisë, në rrugën e veprave të drejta dhe të mbara. Duke qëndruar në mesin e veprave të mira, ne kemi siguruar të dy botët: lumturinë në dynja dhe shpëtimin në Ahiret.

Ibn Mesudi r.a. përcjell një hadith të Muhammedit a.s. ku thuhet: “Pejgamberi a.s. bëri një vijë të drejtë e tha: “Kjo është rruga e Zotit”, pastaj bëri disa vija në të djathtë dhe në të majtë të saj e tha: “Këto janë rrugë që në krye të secilës është nga një shajtan që të thërret të hysh në të!, pastaj e lexoi ajetin e Kur’anit: “Kjo është rruga ime e drejtë, ndiqeni atë! Mos ndiqni rrugicat që t’ju largojnë nga rruga e drejtë. Kështu All-llahu ju porosit që të jeni të devotshëm!” (Ahmedi).

Për vepra të mira, rrugët gjithmonë janë të hapura. Andaj të përpiqemi, me sa mundësi të kemi, të jemi në anën e së mirës dhe të veprave të bukura e të dobishme!


Artikulli i kaluar
Bëhu lehtësues, dhuro myzhde!
Artikulli radhës
Llojet e shembujve në Kuran

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë