Hixhreti i Umerit r.a. dhe vendosmëria e tij në luftë

Umeri r.a. ka qenë personalitet i fuqishëm dhe autoritativ. Ndaj tij ndienin respekt burra, gra e fëmijë, madje edhe vetë shejtani.

Pejgamberi i Allahut, Muhamedi a.s. një ditë i kishte thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse shejtani do të ndodhej në drejtimin nga shkon ti, do të kalonte në anën tjetër”.(1)
Muhamed ibn S`ad ibni Vekasi, nga babai i vet, transmeton: “Njëherë Umer ibni Hattabi kishte kërkuar leje për të hyrë te Pejgamberi i Allahut, gjersa tek ai ishin gratë e tij nga fisi Kurejsh, të cilat po kërkonin furnizimin që u jepte si grave të tij. Gjatë bisedës ato ishin bërë më të zëshme se Pejgamberi a.s.. Kur Umer ibni Hattabi kërkoi leje të hynte, ato u ngritën dhe nxituan t’i vinin hixhabet (mbulesat). Pasi Pejgamberi i Allahut ia lejoi Umerit të hynte, ai e pa Pejgamberin a.s. duke qeshur, prandaj tha: “Po çuditem me këto gra tek unë, kur dëgjuan zërin tënd, nxituan të vinin hixhabet”. Atëherë Umeri tha: “O Pejgamber i Allahut, ti je më i merituar të të frikohen”. Pastaj shtoi: “O ju që jeni armiq të vetvetes, si mund të frikoheni nga unë dhe nuk frikoheni nga Pejgamberi i Allahut, a.s.?”(2)
Umeri ishte përcjellës i Pejgamberit a.s., siç e pohonte ai vetë, prandaj ishte i patundur në vërtetësi dhe për hir të Allahut xh.sh., nuk frikohej nga asnjë qortim. Nga ngjarje të tilla veçojmë edhe këtë:

1. Përpjekja e prijësit të mynafikëve, Ibni Selulit, që të fuste përçarje ndër myslimanë gjersa po ktheheshin nga beteja e quajtur “Dhatur-Errika”, kur kishte deklaruar: Nëse kthehemi në Medinë, me siguri më i forti do të largojë nga atje të dobëtin!”. Pas kësaj, Umeri r.a. shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O Pejgamberi i Allahut, më lejo t`i shkurtoj kokën këtij mynafiku”.(3)
2. Ditën kur Hatib ibni Ebi Belte kishte gabuar sepse u kishte lajmëruar banorëve të Mekës për ardhjen e Pejgamberit të Allahut xh.sh. në mesin e tyre, ky e kishte marrë në pyetje. Mirëpo, Umeri nuk mundi të përmbahej, po kërkoi: “Më lejo, o Pejgamberi i Allahut, t`ia shkurtoj kokën me shpatë”. Mirëpo Pejgamberi a.s. u përgjigj se Hatibi kishte marrë pjesë në betejën e Bedrit…
3. Ditën e arritjes së marrëveshjes në Hudejbije, Omeri r.a. në fillim nuk ishte i kënaqur me të, prandaj shkoi te Pejgamberi a.s. dhe e pyeti: “O Pejgamberi i Allahut, a nuk jemi ne në rrugë të drejtë, e ata në devijim?” Pejgamberi iu përgjigj: “Natyrisht”. Atëherë ai pyeti sërish: “Po a nuk janë shehidët tanë në Xhenet, e të vdekurit e tyre në Xhehenem?” Ai iu përgjigj: “Natyrisht”. Umeri vazhdoi: “Në bazë të çkaje po poshtërojnë fenë tonë? Si të kthehemi nëse Allahu nuk ka gjykuar midis nesh dhe atyre?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “O Umer, vërtet unë jam Pejgamber i Allahut dhe Ai kurrë nuk më lë të gaboj”. Atëherë Umeri shkoi te Ebu Bekri dhe ai iu përgjigj njësoj.(4)
4. Transmetohet që ishin grindur një munafik dhe një çifut, dhe kërkuan që dikush të gjykonte midis tyre. Munafiku foli: “Të shkojmë tek Abdullah ibn Ubeje bin Seluli”, kurse çifuti kërkoi: “Jo, por të shkojmë te Muhamedi”. Shkuan te Pejgamberi a.s. dhe ai gjykoi në favor të çifutit. Atëherë munafiku kërkoi: “Të shkojmë te Umeri!” Shkuan tek ai dhe kërkuan të gjykonte, sepse nuk ishin të kënaqur me gjykimin e Pejgamberit a.s.. Umeri nxori shpatën dhe e vrau munafikun, duke deklaruar: “Ky është gjykimi im për atë që nuk pranon
gjykimin e Pejgamberit të Allahut xh.sh!”(5)

Konfirmimi (përputhja) i qëndrimeve të tij me Kur’anin –Kerim

Umeri r.a. ishte njeri me intelekt të zgjuar, mendjehollë dhe vrojtues i mirë. Qëndrimet e tij perceptuese në shumë raste përputheshin me normat e Kur’anit. Imam Buhariu nga Umeri r.a. transmeton të ketë deklaruar: “mendimi im ka qenë në harmoni me atë që ka dashur Allahu xh.sh., në tri raste: kur kam deklaruar: “O Pejgamberi i Allahut, e morëm vendin në të cilin ka qëndruar Ibrahimi si hapësirë, ku do ta kryejmë namazin. Pastaj u shpall ajeti: “Vendin ku qëndroi Ibrahimi, pranojeni si vend për falje”.(6)
Rasti i dytë është ajeti që bën fjalë për hixhabin, kur kam deklaruar: “ O Pejgamberi i Allahut, sikur të urdhërosh që gratë e tua të mbulojnë trupin me hixhab, ngase me to bisedojnë të devotshmit por edhe të pacipët”. Atëherë u shpall ajeti lidhur me hixhabin: “O Pejgamber, thuaju grave të tua, edhe bijave të tua, edhe grave të besimtarëve, - le të vënë shami (mbulojë) mbi trupin e vet. Kështu është më lehtë të njihen (dallohen) dhe të mos ofendohen. Allahu fal gabimet dhe është mëshirues.”(7)
Rasti i tretë është kur gratë e Pejgamberit a.s. ishin xheloze ndaj tij, dhe u thashë: “Nëse ai ju lëshon, Zoti i tij në vend tuajin do t`i japë gra më të mira”. Ndërkohë u shpall ajeti kur’anor: “Nëse ai ju lëshon, Zoti i tij do t`i japë gra më të mira se ju”.(8)
Mendimi i Umerit ishte në pajtim me Kur’anin edhe në disa ngjarje të tjera, si për shembull, me robërit në Bedër, pastaj me ngjarjen lidhur me faljen e xhenazes së mualikëve, si dhe në rastin e ndalimit të alkoolit. Ibni Haxheri thotë: “Numri më i madh që është arritur në këtë (çështje), sipas traditës, është pesëmbëdhjetë ngjashmëri”. Ndërsa Es-Sujuti thekson: “Në librin Fedailul-Imamejni kam hasur të transmetohet nga Ebu Abdullah Esh-Shejbani të ketë deklaruar: “Mendimi i Umerit ka qenë në pajtim me atë që ka dëshiruar Zoti i tij në njëzet e një raste”. Përfundimi që mund të nxjerrim nga kjo, është se mendja dhe zemra e Umerit ishin të lidhura me kur’anin. umeri r.a. intencat e sheriatit i kuptonte me shpirtin e vërtetë, me zemrën, me mendjen dhe talentin e lindur, që është në harmoni të plotë me frymën e Sheriatit. Prandaj ai ndiente se cilat janë veprimet ose fjalët që nuk pajtohen me Sheriatin, e cilat janë në pajtim me natyrën e pastër të njeriut, prandaj kërkonte që për këtë të vinte një përcaktim i Allahut xh.sh., i cili ishte ilaç për rastet që ndodhnin. Edhe Pejgamberi a.s., për Umerin r.a., ka thënë: “Me të vërtetë Allahu ka bërë që e vërteta të qëndrojë në gjuhën e Umerit dhe në zemrën e tij”.(9)

Hixhreti i Umerit r.a.

Ibn Asakiri transmeton nga Ali ibn Ebi Talibi r.a., i cili ka thënë: “Të gjithë ata që kanë emigruar, janë larguar nga Meka fshehurazi, me përjashtim të Umerit, i cili, kur deshi të emigronte, mori shpatën e harkun me vete bashkë me shigjetat, dhe shkoi në Qabe, ndërkohë që paria e Kurejshëve qëndronte aty. Pasi u soll shtatë herë rreth Qabesë, fali edhe dy rekate pas Mekami Ibrahimit , shkoi te çdonjëri prej kuvendeve duke iu drejtuar: Qofshi të shëmtuar! Kush dëshiron që nëna e tij t`i lërë fëmijët jetimë dhe gruan e tij të ve, le të vijë me mua pas asaj lugine”. Mirëpo asnjëri nuk i shkoi pas. (Kështu është shënuar në “Muntehab”, Kenzul- Ummal).(10)
Në një version tjetër thuhet: “Umeri mori shpatën, shigjetën dhe shtizën e tij, sikur bëhej gati për luftë. Doli në kohën kur Kurejshët dilnin në Qabe, bëri tavafin dhe fali dy rekate pranë Mekami Ibrahimit. Pasi fali namazin, iu drejtua banorëve të Mekës e u tha: “Fytyra të deformuara, Allahu ju shkatërroftë, o ju të humbur!” Pastaj shtoi: “Kush dëshiron ta lërë jetim fëmijën e tij dhe nënën pa djalë, ose dëshiron ta lërë gruan e tij të ve, le të më dalë pas kësaj lugine. Unë po nisem muhaxhir (shpërngulem) nesër”.(11)
Derisa askush nuk foli, të nesërmen Umeri emigroi dhe, bashkë me të, emigruan edhe njëzet myslimanë të ligj, të cilët hynë nën mbrojtjen e Umerit. Ky ishte numri më i madh i emigrantëve myslimanë që hynë në Medinë për një ditë. Umeri r.a. kishte një shok që quhej Ajash bin Ebij Rabia, i cili emigroi me të. Kur vëllai i tij, Harithi, dhe Ebu Xhehli morën lajmin për emigrimin e Ajashit, u hidhëruan shumë dhe vendosën të shkonin e ta kthenin në Mekë. Kur arritën, i thanë: “Nëna jote është betuar që të mos hyjë nën hije asnjëherë dhe as të lahet, derisa të kthehesh”. Pasi i dëgjoi fjalët, Ajashi nisi të mendonte për t’u kthyer në Mekë. Umeri kishte dëgjuar për këtë, prandaj i kishte thënë: “Duan të të kthejnë nga feja jote. Mos u frikëso për nënën tënde, nëse lodhet, ajo do të ulet dhe do të hyjë nën hije”. Ajashi tha: “Në Mekë kam pasuri, dua të shkoj ta marr pasurinë time, të shoh nënën e pastaj të kthehem”. Umeri i tha: “O Ajash, nëse shkon, nuk do të kthehesh”. Ajashi i tha: “Do të shkoj ta marr pasurinë time dhe do të kthehem”. Umeri atëherë i tha: “Ti e di, o Ajash, se unë jam më pasaniku në Mekë. Ja, po e ndaj pasurinë time në mes nesh përgjysmë”. Ajashi nuk pranoi dhe vendosi të kthehej në Mekë, e atëherë umeri i tha: “merre devenë time e ndoshta t’i kujton myslimanët dhe kthehesh”. Ajashi mbeti në Mekë derisa zbriti ajeti i Kur’anit: “Thuaj (o Muhamed): “O robërit e mi që i keni bërë padrejtësi vetes pa kufi, mos këputni shpresat në mëshirën e Allahut, vërtet Allahu fal të gjitha mëkatet”. Umeri r.a. ia shkroi Ajashit në një letër atë ajet dhe ia dërgoi në Mekë. Ajashi në fillim nuk e kuptoi domethënien e ajetit. Pas sqarimit të ajetit nga ana e Allahut, ai e kuptoi se çfarë kishte për qëllim Umeri. E kuptoi se mund të kthehej ende në Medinë, se dera e pendimit ishte ende e hapur, prandaj vendosi të kthehej atje si muhaxhir.

Roli i Umerit në luftën e Bedrit

Kur Muhamedi a.s. kuptoi situatën e krijuar për Luftën e Bedrit, thirri mbledhjen e organit këshillues ushtarak dhe paralajmëroi përkitazi me gjendjen reale e me pasojat e mundshme të kthimit në Medinë apo për mbetjen në Bedër. Pasi u konsultuan në mes tyre, udhëheqësit ushtarakë problemin e parashtruan para tërë ushtrisë dhe prijësve të saj. Atëbotë një grup i vogël prej tyre u frikësuan nga përleshja. Për sa u përket prijësve ushtarakë, ata kishin këto mendime: Ebu Bekri r.a. i pranoi të gjitha propozimet e Pejgamberit a.s. dhe e lavdëroi atë. Pastaj u deklarua Umeri r.a., i cili i pranoi të gjitha ato. Një përkrahje të gjithanshme, Pejgamberit a.s. i dha edhe El-Mikad bin Amri. Këta të tre prijës ushtarakë ishin nga radhët e muhaxhirëve, ndërsa Pejgamberi a.s. dëshironte të dëgjonte edhe mendimin e ensarëve. Në emër të ensarëve foli Sa`d b. Mu`adhi, i cili tha: “të tërën e kemi thënë atëherë kur të pranuam se ti je Pejgamber…”(12)
Se sa i ashpër ishte umeri r.a. në luftëra kundër pabesimtarëve, këtë e dëshmon edhe rasti kur Pejgamberi a.s. e kishte pyetur Umer ibnul Hattabin: “O Umer, a mos vallë Ebu Hudhejfe bin Utbe do ta mbytë xhaxhain e Resulallahut me shpatë?” Umeri r.a. u përgjigj: “O Pejgamberi i Allahut, më lejo që unë t`ia heq kokën me shpatë. Pasha Allahun, është bërë munafik (hipokrit)”.(13)
Umeri r.a. në fakt ishte shprehur me këtë agresivitet, edhe pse Pejgamberi a.s. kishte kërkuar që shumë njerëz nga familja Benu Hashim të kurseheshin në Luftën e Bedrit, pasi nuk ishin nisur në betejë me vullnetin e tyre. Gjatë zhvillimit të luftës së Bedrit, Umeri r.a. ecte në mesin e mushrikëve duke i kërkuar të afërmit e tij që të luftonte kundër tyre dhe, më në fund, hasi në dajën e tij, El-As bin Hishamin, të cilin e vrau. Said bin El-asi ishte hidhëruar për vrasjen e babait të vet, që ishte në kufër (mosbesim), dhe kishte dyshuar se atë e kishte bërë Umeri r.a.. Umeri e ndjeu këtë dhe shkoi e i tha: “E shoh se ke diçka ndaj meje. Mendon se ta kam vrarë babain? Pasha Allahun, o Said, unë e kam vrarë dajën tim. Pasha Allahun, sikur ta kisha vrarë, nuk do të të kërkoja falje, sepse ai ishte mosbesimtar”. Saidi e pa dhe i tha: “Pasha Allahun, edhe nëse e ke vrarë, ti je në të drejtën e ai ishte në gabim”.(14)
Në Betejën e Bedrit ishte zënë rob Suhejl bin Amri, i cili më parë inkurajonte Kurejshët kundër myslimanëve. Kur e pa Umeri, i tha Pejgamberit a.s.: “Më lejo, o i Dërguari i Allahut, t`ia nxjerr dhëmbët ose t`ia pres gjuhën, të mos flasë më kundër myslimanëve?” Pejgamberi a.s. i tha: “Ku e di ti, ndoshta do të vijë një ditë që ai do të marrë një qëndrim që do ta falënderosh, o Umer”.(15)
Pejgamberi a.s. e tha të vërtetën, sepse në kohën kur njerëzit (murtedët) filluan të largoheshin nga Islami, ai Suhejl bin Amri u tha Kurejshëve: “O paria e Kurejshëve, ishit të fundit që pranuat Islamin, prandaj mos u bëni të parët që e lini atë”.


___________________
1)Sahihul-Buhari, 7/41.
2)Sahihul-Buhari, 7/41.
3)Sahihul-Buhari, Kitabut-tefsir, shih: Fet`hul-bari, 8/648.
4)Menakibu emril mu`minin, Umer Ibni-Hattabi, Ibn El-Xheazi, f.45.
5)Sahihul-Buhari, 1/504, 8/660
6)(El-Bekare, 125)
7)(El-Bekare, 59).
8)Et-Tahrim, 5.
9)Imam Ahmed, Kitabu fedailis-sahabe, 1/431, me sened të drejtë.
10)Hasan Ejub, Katër Halifët e Drejtë, Shkup, 1424 h.-2003, F.90. (Titulli origjinal: El-hulefaurrashidun, përkthyer nga Flori Kala, Alban Kodra).
11)Amër Halid, Katër Halifët e Drejtë, Prishtinë, 2009, f.63.
12)(Ez-Zumer, 53).
13)Mahmud Shakir, Tarihul Islam pjesa 3, botimi i shtatë, 1991 1411,f.128.
14)Safijurrah man El-Mebarekfuri, Er-Ralikul Mahtum, 1996 m-1416 h. f.222.
15)Amër Halid, Katër Halifët e Drejtë, f.65,66.
16)Po aty,f .66.



Dr. Fahrush Rexhepi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë