Mrekullia që shëron


Vogëlushja tetëvjeçare, hyri me nxitim në dhomën e saj të gjumit, nxori kutinë ku mbante kursimet e saj dhe i derdhi përdhe.

Mandej, filloi të mbledhë gjithë kujdes një shumë prej tyre, të cilën e numëroi dy tre herë për t’u siguruar. Pasi u sigurua se kishte marrë aq sa duhen, pëshpëriti me vete: ”Kaq mjaftojnë.”
Gjithë kujdes, e ktheu pjesën tjetër të kursimeve në kuti dhe e vuri kutinë në vendin e saj. Mandej, si vjedhurazi doli nga dera e pasme e shtëpisë dhe u nis drejt farmacisë. Farmacisti, dukej tepër i zënë me klientët e tij. Ai i hodhi një sy vogëlushes dhe vazhdoi sërish me angazhimet e veta. Vajza, u orvat më kot t’i tërheqë vëmendjen, po pa dobi. Duke parë se as që ka ndërmend t’ia varë, vajza hodhi një monedhë metali mbi banakun e farmacisë. Vetëm atëherë farmacisti e pa në sy dhe e pyeti gjithë bezdi: ”Çfarë do moj çupë?
”Me një zë të mprehtë, ajo iu përgjigj: ”Vëllai im i vogël është shumë i sëmurë dhe i nevojitet një ilaç që quhet “mrekulli” për t’i shpëtuar jetën. Prandaj kam ardhur ta blej këtë ilaç, sado të kushtojë.”
Farmacistit iu rrëqeth mishi nga ato fjalë dhe e pyeti sërish sikur të mos kishte kuptuar asgjë: ”Më fal, po si the?!”
Vajza iu përgjigj gjithë seriozitet: ”Vëllai im i vogël, është shumë i sëmurë dhe babi thotë se ai ka një tumor në kokë, nga i cili nuk e shpëton veçse një mrekulli. A më kupton tani? Prandaj erdha ta blej atë dhe dua të më tregosh sa kushton.”
Farmacisti, i shokuar nga ato fjalë, e ndryshoi tonin e zërit, duke e bërë më të butë dhe i tha: ”Më fal vogëlushe, por unë nuk shes ilaç mrekullie në farmacinë time.”
Vajza ia ktheu gjithë siguri: ”Më dëgjo mirë! Unë kam aq para sa ta blej këtë ilaç, prandaj dua të më tregosh sa kushton.”
Këtë bisedë e dëgjoi dhe vëllai i farmacistit, i cili iu drejtua vajzës duke e pyetur: ”Cila është mrekullia që i lipset vëllait tënd për t’u shëruar?”
Vajza, të cilës tashmë i kishin shpërthyer lotët, u përgjigj: “Nuk ia kam idenë. Gjithçka që di është se im vëlla është shumë i sëmurë dhe mami më tha se duhet t’i nënshtrohet një operacioni. Por, babi tha se nuk ka aq para për të mbuluar shpenzimet e spitalit. Prandaj, unë mora kursimet e mia dhe vendosa t’i shpenzoj për të shpëtuar jetën e vëllait.”
Vëllai i farmacistit, duke treguar interes për fjalët e vajzës, e pyeti: ”Po mirë, sa është shuma që ke me vete dhe që je gati ta japësh për shërimin e vëllait?”
Me një buzëqeshje fëminore që i zbukuroi fytyrën e saj të njomë, ajo u përgjigj duke treguar monedhat që mbante në dorë: ”Një dollar e njëmbëdhjetë cent zotëri. Po të duhen më shumë, mund të sjell edhe të tjera derisa të plotësohet shuma e duhur.”
Vëllai i farmacistit, duke buzëqeshur i tha: ”Uau çfarë rastësie. Është fiks shuma e duhur për operacionin e vëllait të vogël.”
Me njërën dorë, ai ia mori monedhat, kurse me dorën tjetër kapi dorën e vajzës dhe i kërkoi ta çojë në shtëpinë e saj që të takohet me prindërit dhe të vizitojë vëllain e vogël.
Vëllai i farmacistit ishte doktor Carlton Armstrong, specialisti i njohur në neurokirurgji. Ai e operoi falas djaloshin e vogël dhe operacioni doli me sukses.
Disa ditë më vonë, dy prindërit ishin ulur dhe po kujtonin zinxhirin e ngjarjeve të atyre ditëve, që ditën që ishin prezantuar me doktor Carlton, operacionin dhe kthimin e djalit në shtëpi, të shëruar. Ata flisnin gjithë gëzim dhe të ngazëllyer nga gjithçka që kishte ngjarë ato ditë dhe si pa dashje shtruan pyetjen: ”Vallë sa mund të ketë kushtuar i gjithë ky operacion?” Vogëlushja vizatoi një buzëqeshje në buzët e saj të njoma. Vetëm ajo e dinte saktësisht sa kishte kushtuar kjo mrekulli; Një dollar e njëmbëdhjetë centë. Apo jo? Kur dashuria për të tjerët është e sinqertë dhe buron nga thellësitë e zemrës, atëherë ndodhin mrekullitë.



Perktheu: Elmaz Fida


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë