Vetë fjala “Ashura” në gjuhën arabe d.m.th. “e dhjeta” pra dita e dhjetë e muajit Muharrem.

Është sunet që të agjërohet dita e nëntë dhe e dhjetë e këtij muaji.

Transmetohet nga Abdullah ibni Abbas: “Kur agjëroi i Dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem ditën e dhjetë dhe urdhëroi për të agjëruar, i thanë shokët e tij: Këtë ditë e madhërojnë çifutët dhe të krishterët o i dërguar i Allahut! Ai jua ktheu duke thënë: “Kur të vijë viti i ardhshëm inshaAllahu e agjërojmë edhe ditën e nëntë”, dhe nuk e përjetoi i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem vitin e ardhshëm por nderroi jete. [Muslimi nr.1916].
Megjithatë agjërimi i ditës se nëntë mbetet sunet i të Dërguarit sal-lallahu alejhi we sel-lem për umetin e tij edhe pse nuk e ka përjetuar këtë ditë të agjërimit, sepse po të ishte gjallë e kishte agjëruar këtë ditë.
Shejhul islam Ibn Tejmije thotë: “Kuptohet qartë nga ky hadith se qëllimi i agjërimit të ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem është të dalluarit nga ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) dhe mos përngjarja me ta.”
Allahu xh.sh. ka lehtësuar për robërit e Tij të mirat dhe ka hapur dyert e Tij të mëshirës dhe i ka begatuar me disa kohë që në to ka mundësi të fitohen shumë të mira. E ka bërë shpërblimin e madh për një punë të vogël. Kjo, nga fisnikëria dhe begatia e Tij ndaj nesh, që muslimani të kompensojë atë që i ka kaluar dhe të pastrohet nga gjynahet. Prej kohës që njeriu mund të fitojë shumë të mira është edhe dita e ashurës.
Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi se ka thënë: “Erdhi i Dërguari Allahut sal-lallahu alejhi we sel-lem në Medine dhe i pa çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe tha: Ç’është kjo? I thanë: Kjo është ditë e mirë, në këtë ditë Allahu i shpëtoi Beni Israilët nga armiku i tyre dhe e ka agjëruar këtë ditë Musai alejhi selam.Tha: Unë jam më meritor për Musain alejhi selam sesa ju, dhe e agjëroi këtë ditë dhe ka urdhëruar që të agjërojnë”.
Në transmetimin e Muslimit është përmendur në hadith: “Kjo është një ditë e madhe, në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam dhe popullin e tij, dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij, dhe e ka agjëruar Musai alejhi selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut, prandaj edhe ne e agjërojmë këtë ditë”.Kurse në transmetimin e imam Ahmedit është përmendur kështu: “… kjo është dita kur është ndalur anija (e Nuhit alejhi selam) në kodrën Xhudij dhe Nuhi alejhi selam e ka agjëruar këtë ditë në shenjë falënderimi ndaj Allahut”.
Po ashtu transmetohet nga Buhariu se i dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem i ka thënë shokëve të tij:
“Ju jeni më meritor për Musain alejhi selam sesa ata (çifutët) prandaj agjërojeni këtë ditë”.
Agjërimi i ditës se Ashures ka qenë traditë e njohur edhe në periudhën e injorancës (para shpalljes së Muhammedit sal-lallahu alejhi we sel-lem) dhe transmetohet nga Aisheja radijAllahu anha e cila ka thënë:
“Populli yne e agjëronin këtë ditë edhe para Islamit.”
Thotë imam el-Kurtubi: “Me siguri Kurejshëve iu ka mbetur kjo traditë nga feja e Ibrahimit alejhi selam dhe është vërtetuar se i Dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem ka agjëruar këtë ditë edhe në Mekë para se të shpërngulej në Medine, pastaj ka hasur te çifutët të cilët e festonin këtë ditë, gratë e tyre u stolisnin me rroba të bukura, dhe për t’u dalluar besimtarët nga jobesimtarët, i Dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem nuk iu lejoi myslimanëve kremtimin e kësaj dite, por i urdhëroi besimtarët me agjërim.

Vlera e agjërimit të ditës së ashures

Transmetohet nga Ibn Abbasi radijAllahu anhu se ka thënë: “Asnjëherë nuk e kam parë të Dërguarin sal-lallahu alejhi we sel-lem më të kujdesshëm në agjërim sesa për agjërimin e ditës së Ashures dhe muajit të Ramazanit.” [Buhariu nr.1867].
Po ashtu ka thënë i Dërguari sal-lallahu alejhi we sel-lem:
“Me agjërimin e ditës së Ashures shpresoj tek Allahu të mi fal mëkatet e vitit të kaluar” [Muslimi 1976].
Imam Neueuiu thotë: “Me agjërimin e ditës Ashura falen të gjitha mëkatet e vogla përpos mëkateve të mëdha.”
Është pyetur shejhul-islam Ibn Tejmije [Allahu e mëshiroftë!] për veprimet që veprojnë njerëzit në ditën e Ashures, si p.sh. lyerja e duarve me kanë, larja e trupit, përshëndetjet, zierja e farave (grurit), kremtimet etj, apo duke e shndërruar ditën e Ashurasë në ditë pikëllimi, vajtimi, ku demonstrojnë simbole të injorancës si rrahja e vetes, zhveshja e rrobave, brohoritja me ngushëllime kërcënuese, recitime të poezive pikëlluese si dhe transmetimin e tregimeve të rrejshme e të trilluara ku nuk ka në te asgjë të vërtetë përpos ripërtëritjes së pikëllimit, radikalizmit, revoltimit të urrejtjes, luftës dhe shpikjes së ftneve në mesin e muslimanëve dhe gradualisht arrijnë deri tek sharja dhe ofendimi i sahabeve.
Grupit të injorantëve të cilët të keqes iu kanë përgjegjur me të keqe dhe gënjeshtrës me gënjeshtër dhe bidatit me bidat, kanë shpikur tradita që simbolizojnë gëzimin dhe kremtimin e ditës së Ashures me lyerjen e kanës, harxhimet brenda familjes me zierjen e ushqimeve (ëmbëlsirave) të dalluara nga ditët e zakonshme, e gjëra të ndryshme sikur që bëhen në ditët e bajrameve dhe gëzimeve, pra këta e konsiderojnë ditën e Ashures ditë të bajramit dhe të gëzimit, kurse ata të parët e konsiderojnë ditë zie dhe pikëllimi. Që të dyja grupet janë jashtë sunetit të Muhamedit sal-lallahu alejhi we sel-lem. [El-Fetawel Kubra- Ibnu Tejmijjeh].
Jemi shumë nevojtarë për këto ditë të begatshme të Allahut, që të na falen gabimet dhe gjynahet tona dhe të jemi robër falënderues të Madhit Allah, prandaj së bashku të jemi më të kujdesshëm në shfrytëzimin e këtyre ditëve duke e përkujtuar njeri-tjetrin me agjërim dhe adhurim.
Ibn Haxheri ne sqarimin e Buhariut ka thënë: Transmetohet nga Muslimi se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Dita e ashurës i falë gjynahet e një viti, ndërsa dita e arafatit i falë gjynahet e dy viteve.”
Nga kjo bëhet e qartë se agjërimi i ditës së arafatit është më i vlefshëm se agjërimi i ditës së ashurës.
Është thënë se urtësia e kësaj është se dita e ashurës ka të bëjë me Musain, ndërsa dita e arafatit është prej Muhamedit a.s. dhe për këtë është më e vlefshme.
Po ashtu, ka thënë Ibn Kajimi në librin e tij “Bedai el feuaid”: “Nëse thuhet se pse dita e ashurës i falë gjynahet e një viti, ndërsa dita e arafatit i falë gjynahet e dy viteve, përgjigjja është në dy forma: e para se dita e arafatit është në muajin e shenjtë, për arsye se ky muaj ndodhet në mes të dy muajve të shenjtë, ndërsa e dyta është se dita e arafatit është prej veçorive të sheriatit tonë, për dallim nga dita e ashurës dhe për këtë është bërë dita e arafatit më e vlefshme.”
Ibn Haxher ka thënë në lidhje me hadithin e Pejgamberit: “Nëse jam gjallë deri vitin e ardhshëm do ta agjëroj edhe ditën e nëntë”, se atë që e ka pas ndërmend pejgamberi ta agjërojë ka pas për qëllim që ditës së dhjetë t’ia ngjes edhe ditën e nëntë ose si preferim prej tij ose si kundërshtim i çifutëve sa i përket kësaj dite.
Është prej gabimeve agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë nëse dikush nuk i ka kompensuar ditët e ramazanit që i kanë mbetur. Për arsye se kompenzimi i ditëve të ramazanit që kanë mbetur janë obligim, ndërsa agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë të këtij muaji janë sunet dhe nuk lejohet t’i japim përparësi sunetit para farzit.
Atij që i kanë mbetur ditë të ramazanit pa i plotësuar, duhet t’i kompensojë ato, pastaj të fillojë të agjërojë këto ditë të Muharremit.
Imam Neveviu ka thënë: “I fal të gjitha gjynahet e vogla e jo të mëdhajat.” Po ashtu ka thënë: “Agjërimi i ditës së arafatit i fal gjynahet për dy vite, ndërsa agjërimi i ditës së ashurës i fal gjynahet e një viti.”
Nëse amini i imamit në namaz bashkohet me aminin e engjëjve, i falen gjynahet që i ka bërë më herët. Të gjitha këto veprime vlejnë për faljen e gjynaheve. Nëse ka gjynahe të vogla i falen ato. E nëse nuk ka as të vogla, as të mëdha, Allahu e ngrit në shkall më të lartë, ndërsa nëse ka bërë gjynahe të mëdha e nuk ka bërë të vogla, shpresojmë tek Allahu që t’ia lehtësojë peshën e gjynaheve të mëdha.
Dijetarët hanefitë mendojnë se është e lejuar agjërimi i ashurasë, edhe pse të kanë mbetur ditë të pakopmenzuara të Ramazanit, sepse kompenzimi nuk është obligim momental. Kurse malikitë dhe shafiitët mendojnë se është e lejuar, mirëpo nuk është e pëlqyer, sepse me këtë veprim e vonon obligimin. Kurse hanbelitë janë të mendimit se është i ndaluara agjërmi vullnetar pa e kryer atë obligativ. (“Meusutaul-Fikhije”, vëllimi 28, kapitulli i agjërimit vullnetar).
Nëse agjëruesi i agjëron këto ditë me nijet të kompenzimit, këto ditë i vlejnë në kompenzimin e atyre ditëve që i kanë mbetur.
Imam Gazali thotë: “Për epërsitë e kësaj dite na kanë ardhur shumë informacione. Sipas tyre, në këtë ditë është pranuar pendesa e Hz. Ademit, është ndaluar në malin Xhud anija e Hz. Nuhut, ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Hz. Ibrahimi, është shëruar nga sëmundja e gjatë Hz. Ejubi, ka shpëtuar nga barku i peshkut Hz. Junusi, është ngjitur në qiell Hz. Isai. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni r.a.”[1]. Imam Gazali, Mukashefetu’l-Kulub.
Ashura është vërtet një rast i volitshëm për besimtarët myslimanë, që t’u falen gjynahet dhe të hedhin hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit. Ajo është një mundësi e vyer për njeriun, sepse gjen rastin për t’iu lutur e për ta përmendur Zotin, për mëshirë dhe paqe për Pejgamberin a.s., mendon rreth të metave e gabimeve, si dhe pendohet për mëkatet që i kanë trazuar qetësinë shpirtërore.
Duke marrë si shkas këtë ditë të shënuar, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin e të afërmin, le të frenojmë egon tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame:

“Të gjithë myslimanët janë vëllezër”.




Kryeimami Visar ef.Koshi
Xhamia Hadum Aga 28.08.2020


Artikulli i kaluar
Hytbe për hixhretin
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë