Analiza e udhëzimeve të së drejtës islame për trajtimin e mbetjeve të viktimave të koronavirusit


Hyrje

Përhapja e pandemisë globale të koronavirusit (COVID-19) po shkakton kriza globale ekonomike e humanitare të paprecedentë. Pjesë e sfidave me të cilat po përballemi është edhe trajtimi i kufomave të viktimave të COVID-19.
Sipas së drejtës islame, si në shumë kultura dhe fe, menaxhimi i kufomave është objekt i rregullave specifike që synojnë ta sigurojnë dinjitetin dhe respektin për të vdekurit dhe për të afërmit e tyre të gjallë. Prandaj, situata e tanishme po sjell një numër pyetjesh në vendet myslimane dhe komunitetet myslimane në mbarë botën. Për shembull, në disa vende viktimave po u mohohen funeralet apo edhe varrosja për shkak të frikës se kufomat mund ta përhapnin infeksionin në qendrat e populluara në afërsi.(1) Preokupimet e tjera kanë të bëjnë me respektimin e ritualeve dhe praktikave të së drejtës islame. Në të vërtetë, nëse këto të fundit çojnë në mosrespektimin e udhëzimeve shëndetësore adekuate që jepen nga autoritet, kjo mund ta shkaktojë rrezikun e infektimit të mbajtësve të kufomave të viktimave të COVID-19 gjatë cilitdo rit islam të varrimit. Në këtë përmbledhje të hulumtimit është dhënë një analizë e shkurtër e udhëzimeve islame për trajtimin e kufomave të individëve që kanë vdekur nga COVID-19 dhe janë trajtuar një varg sfidash që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe me të cilat po përballen delegacionet e KNKK-së.

Ligjet islame për varrosjen

Në islam, varrosja e të ndjerit është farz kifaje (obligim kolektiv) ndaj komunitetit mysliman, i cili përbëhet nga:

a) gusli, larja rituale e kufomave;
b) kefeni, mbështjellja me qefin; dhe
c) namazi i xhenazes.

Rregullat islame të sotshme që janë hartuar nga juristët islamë dhe autoritetet islame si reagim ndaj trajtimit të kufomave të viktimave të COVID-19 bazohen në dy çështje kryesore që duhet të merren në konsideratë: Së pari, jeta e mbajtësve të kufomës dhe pjesëtarëve të tjerë të komunitetit nuk duhet të vihet në rrezik. Kjo për arsye se mbrojtja e jetës (hifz el-nefs) është e para nga pesë objektivat përfundimtare të së drejtës islame (maqasid al-shari'ah) dhe për këtë arsye e tejkalon çdo obligim tjetër. Së dyti, këto rite islame të varrosjes, dinjiteti i të vdekurve dhe emocionet e të dashurve të tyre duhet të respektohen aq sa është praktikisht e mundur në situatat e jashtëzakonshme siç janë konfliktet e armatosura, epidemitë dhe fatkeqësitë natyrore apo fatkeqësitë e tjera. Kjo qasje pragmatike është karakteristikë e së drejtës islame, siç është dëshmuar në një numër maksimash juridike islame2, dhe është relevante për situatën aktuale të COVID-19:

• Dëmtimi duhet të evitohet (Al-darar juzal);
• Pas vuajtjes vjen lehtësimi (Al-mashaqqah taxhlib al-tajsir);
• Domosdoshmëria i heq ndalesat/ domosdoshmëria e bën të paligjshmen të ligjshme (Al-darurat tubih al-mahdhurat);
• Nevoja - domosdoshmëria matet sipas proporcionit të saj (Al-darurah tukaddar bikadariha ); dhe
• Çështjet gjykohen sipas qëllimeve të tyre (Al-umur bimakasidiha).

Në përmbledhjen e mëposhtme janë paraqitur ligjet dhe praktikat aktuale islame të varrimit në lidhje me tri aspekte të menaxhimit të kufomave, si në shtetet me shumicë myslimane, ashtu edhe në ato jomyslimane:

a. Gusli, larja rituale e kufomave:

Bërja e guslit (pastrimi) është e nevojshme si normë. Në udhëzimin mjekoligjor këtu përmendet vënia e të gjitha pajisjeve mbrojtëse personale (PMP-ve, përkatësisht dorëzave, pelerinës, përparëses së papërshkueshme nga uji, mburojës së fytyrës, syzave dhe maskës), duke iu shmangur kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun apo lëngjet e trupit që mund të rrjedhin nga kufoma – duke u siguruar që plagët të mbulohen me fashë të papërshkueshme nga uji – si dhe kontaktit me fytyrën dhe gojën si dhe ushqimin, pijet apo enët për ngrënie dhe pirje. - Shembuj të vendeve ku gusli bëhet për kufomat e viktimave të COVID-19 janë Egjipti, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.(3)
Në fakt, udhëzimi procedural më i hollësishëm për varrosjen e viktimave myslimane të COVID-19 tani është nxjerrë nga Këshilli Kanadez i Imamëve dhe Shoqata Mjekësore Myslimane e Kanadasë.(4) Një manual tjetër udhëzues është duke u hartuar aktualisht nga Qendra Botërore e Fetvave në Al-Azhar.(5) Nëse autoritetet shëndetësore konfirmojnë se gusli i rëndomtë, i cili nënkupton fërkimin e kufomës, mund të çojë në infeksion, atëherë mjafton vetëm që mbi kufomë të derdhet ujë apo që ajo të spërkatet me ujë.
- Më 19 mars të vitit 2020, Këshilli i Fetvave i Jordanisë e ka nxjerrë Rezolutën Nr. 283, në të cilën është përshkruar qasja islame pragmatike dhe praktike ndaj çështjes që po shtjellohet këtu. Në këtë rezolutë bëhet e qartë se duhet të merren të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme për ta parandaluar infeksionin dhe se, për aq sa është e mundur, ritet e varrimit duhet të kryhen vetëm me kusht që të mos mund të transmetohet asnjë infeksion. Përndryshe, mjafton vetëm spërkatja e kufomës me ujë apo fërkimi i saj.(6)
- Në të njëjtën mënyrë, në udhëzimet për trajtimin e kufomave të viktimave të konfirmuara ose të mundshme të COVID-19 që janë nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë në Marok, thuhet: "/.Le rituel du lavage du corps, que ce soit à la morgue de l’hôpital ou la morgue municipale, doit être supervisé par l’équipe de gestion locale (réduire au minimum l’usage de l’eau, les projections de l’eau et les rituels appliqués)" Përkthimi: "Rituali i larjes së trupit, qoftë në morgun e spitalit apo atë të komunës, duhet të mbikëqyret nga ekipi menaxhues komunal (përdorimi i ujit, spërkatja me ujë dhe ritualet e aplikuara duhet të reduktohen në minimum"). Kësisoj, të gjitha hapësirat duhet të dezinfektohen, duke përfshirë karrocën, tavolinën etj. si dhe pajisjet për një përdorim që trajtohen si mbeturina mjekësore. Nëse edhe spërkatja e ujit mund të çojë në infeksion, atëherë disa shkolla të së drejtës islame kanë rekomanduar që të bëhet tejemumi (pastrimi i thatë me dhe).(7) Nëse asnjëra nga të lartpërmendurat nuk lejohet nga autoritetet shëndetësore, kufoma duhet të varroset pa gusël apo tejemum.(8) Ky nuk është qëndrim i ri islam. Në fakt, juristët e vjetër myslimanë e kanë lejuar varrosjen pa e bërë guslin në rastet kur numri i madh i kufomave që kanë rezultuar nga ndonjë epidemi e ka bërë atë të pamundur. Sipas Këshillit Mysliman të Britanisë, nëse as tejemumi, as gusli nuk janë të mundur, mjafton që i tërë thesi i kufomës të fërkohet me dorë të lagur.(9) Shembuj të vendeve në të cilat nuk lejohet asnjëra nga metodat e lartpërmendura janë Tunizia, Algjeria dhe Franca.

b. Mbështjellja me qefin:
Duke e ndjekur qasjen e njëjtë sikur me guslin, mbështjellja me qefin bëhet nëse nuk ka rrezik nga infektimi.

c. Namazi i xhenazes:
Kushti për faljen e namazit të xhenazes nuk duhet të paraqes problem në situatën me COVID-19, sepse namazin e xhenazes mund ta falin dy individë, apo madje edhe një, edhe pse në rrethana normale rekomandohet që këtë namaz ta falin sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Për më tepër, falja e namazit të xhenazes mund të bëhet tek varri, pas varrosjes së të vdekurve. Në anën tjetër, namazi i xhenazes nga distanca për të munguarit (salat al-ga?’ib) mund të kryhet mbi viktimat e COVID-19, siç avokohet në një fetva të fundit të dhënë gjatë një seance të drejtpërdrejtë në Facebook nga Shejh Ahmed Wisam, Sekretari i Fetvave në Muftininë e Egjiptit.(10) Shumica e vendeve me shumicë myslimane i kanë mbyllur xhamitë dhe kanë këshilluar se namazi i xhenazes mund të bëhet në hapësira të hapura apo varreza. Ata po ashtu kanë këshilluar që numri i atyre që e falin namazin e xhenazes të viktimave të COVID-19 të minimizohet(11) dhe se varrimi mund të bëhet në të njëjtën ditë.(12)

Sfidat e mbrojtjes

Këta disa shembuj të sfidave të mbrojtjes që po i shkakton pandemia COVID-19 në kontekstet myslimane e bëjnë të domosdoshme një qasje ndërdisiplinore dhe brenda disiplinore të tërthortë:

a. Mohimi i varrimit të viktimave të COVID-19
Disa autoritete të varrezave kanë refuzuar që t'i varrosin kufomat e viktimave të COVID-19 për shkak të perceptimit të gabuar se kufomat mund ta përhapnin infeksionin në qendrat e afërta të banuara me popullatë.

• Shembull: Ndonëse zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut ka konfirmuar se nuk ka prova shkencore që dëshmojnë se kufomat e viktimave të COVID-19 mund ta përhapin virusin, "personalitet fisnore e kanë penguar një ekip të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që t'i varrosnin katër kufoma në një varrezë që shteti e kishte caktuar enkas për viktimat e COVID-19".(13)
Kjo situatë është një shembull ku bashkëpunimi midis autoriteteve, institucioneve islame dhe organizatave humanitare – veçanërisht ekspertëve të mjekësisë ligjore humanitare – është i domosdoshëm për ta siguruar varrimin dinjitoz të të vdekurve. Përhapja e njohurive dhe komunikimi janë të domosdoshme si për provat shkencore, ashtu edhe për varrosjen e të vdekurve duke e kryer obligimin kolektiv (farz kifaje) në Islam.

b. Varret kolektive Në të drejtën islame përcaktohet se:
- çdo kufomë duhet të varroset në një varr individual; por juristët myslimanë pajtohen se varret kolektive lejohen në rast nevoje, siç janë konfliktet e armatosura apo fatkeqësitë natyrore;
- kufomat e meshkujve dhe femrave duhet të varrosen në varre të ndara; nëse nevoja dikton ndryshe, juristët klasikë myslimanë shtojnë se një barrierë dheu duhet të vendoset midis kufomave. Juristët klasikë myslimanë po ashtu pajtohen se myslimanët duhet të varrosen në varre të ndara nga jomyslimanët.(14) Për shembull, në Tunizi, kufomave të emigrantëve në brigjet e Mesdheut u mohohet varrimi dinjitoz në varrezat myslimane pjesërisht për shkak se nuk dihet identiteti fetar i tyre.

c. Djegia:
Në të drejtën islame dhe në kulturat myslimane, varrosja e të vdekurve në tokë vlerësohet si mënyra e duhur e respektimit të kufomave, ndërsa djegia ndalohet, sepse konsiderohet përdhosje e dinjitetit të trupit të njeriut.(15) Prandaj, djegia e kufomave të viktimave të COVID-19 ka qenë shqetësim i madh për komunitetet myslimane në disa vende jomyslimane. Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria është duke e bërë amendamentimin urgjent të një projektligji për COVID-19 për ta ndaluar djegien kundër dëshirës së familjeve myslimane dhe hebreje, meqë djegia ndalohet rreptësishtë në të dyja fetë.(16) Në Shrilankë, komuniteti mysliman i ka bërë thirrje Presidentit Gotabaya Rajapaksa që ta ndjekë shembullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe ta ndalojë djegien e kufomave të myslimanëve viktima të COVID-19.(17)

Përfundime dhe rekomandime

Ligjet islame për varrosjen dhe udhëzimet e autoriteteve shëndetësore në shtetet me shumicë myslimane për trajtimin e kufomave të individëve që kanë vdekur nga pandemia e COVID19 kanë marrë trajtë në shkallë të konsiderueshme nga dëshmitë mjekësore dhe udhëzimet mjekoligjore në dispozicion. Me fjalë të tjera, e drejta islame mund t'i përshtatet realitetit të një pandemie dhe, për këtë arsye, është reale që të ndiqen udhëzimet mjekësore të autoriteteve, duke i respektuar ligjet islame për varrosjen. Sidoqoftë, trajtimi i kufomave të viktimave të COVID-19 mund ta përkeqësojë krizën aktuale globale nëse, së pari, nuk ka bashkërendim adekuat midis autoriteteve shëndetësore, mjekësisë ligjore humanitare dhe autoriteteve fetare islame, dhe nëse, së dyti, udhëzimi për varrosjen e viktimave myslimane të COVID-19 nuk i komunikohet dhe shpjegohet publikut mysliman përmes hoxhallarëve lokalë, mediave dhe krerëve të kësaj bashkësie, në mënyrë që të shmangen konceptimet e gabuara dhe të mos përhapen thashetheme. Në këtë proces të bërjes së ligjeve islame, juristët myslimanë i përdorin disa burime dhe mjete juridike islame për të hartuar ligje që e rregullojnë trajtimin e kufomave të individëve që kanë vdekur nga COVID-19, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të individit dhe komunitetit dhe ruajtjes së dinjitetit të të vdekurve. Prandaj, këtu mund të jepen disa rekomandime: së pari, për realizimin e këtyre qëllimeve lipsen njohuri themelore për qëndrimet- parimet islame të lartpërmendura në radhët e shkencëtarëve mjekoligjorë dhe delegatëve të mbrojtjes dhe rrjetëzimit që do të ndihmojnë në komunikimin e mesazheve kryesore dhe do ta lehtësojnë diskutimin në interes të përbashkët. Së dyti, ca njohuri themelore për sistemin juridik islam si dhe për burimet dhe mjetet juridike të tij do t'u ndihmojnë shkencëtarëve mjekoligjorë dhe juristëve të së drejtës ndërkombëtare humanitare që të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet e tjera aktuale dhe të ngjashme. Së treti, familjarizimi me praktikat e ndryshme në kultura dhe kontekste myslimane të ndryshme do të jetë i nevojshëm për ta ndjekur një qasje të ndjeshme ndaj kulturës.


____________________
1. https://www.rudaw.net/english/middleeast/ iraq/30032020.
2. Sa u përket maksimave ligjore islame, shih për shembull Luqman Zakariyah, Maksimat ligjore në të drejtën penale islame: Teoria dhe zbatimet (Brill Nijhoff: Leiden; Boston: 2015).
3. https://mcb.org.uk/community/ covid-19-muslim-burial-resources/.
4. https:// canadiancouncilofimams.com/202Q/03/13/cciannouncements-regarding-covid-19/
5. https:// www.facebook.com/fatwacenter.en/
6. https:// www.aliftaa.io/Decision.aspx?Decisionld=636#. XoEXn0xuLwq
7. https://mcb.org.uk/community/ covid-19-muslim-burial-resources/; https://www. icna.org/washing-ghusl-of- coronavirus-victim/
8. https://www.sistani.org/arabic/archive/26406/
9.https://mcb.org.uk/community/covid-19muslim-burial-resources/
10. https://www.youm7. com/stor
11. https://www.aliftaa.io/Decision. aspx?Decisionld=636#.XoEXn0xuLwq.
12. https://mcb.org.uk/community/covid-19-muslimburial-resources/
13. https://www.rudaw.net/ english/middleeast/iraq/30032020.
14. Ahmed Al-Dawoody, "Menaxhimi i të vdekurve nga këndvështrimi i së drejtës islame dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare: Çështjet e mjekësisë ligjore humanitare", Revista Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq, (2017), 99 (2), faqe 769-770.
15. Mbi qëndrimin islam për djegien në përgjithësi dhe një fetva nga Myftiu i Egjiptit për djegien e kufomave të viktimave të Ebolas, shih po aty., faqe 774.
16.https://www.theic.com/news/uk-news/governmentto-amend-emergencv-coronavirus-bill-to-stopcremation- against-families-wishes-1.498364.
17.https://www.colombotelegraph.com/index. php/issue-of-corona-cremations-mr-presidentplease-respect-the- dëshirat-e-muslimanët / Shih po ashtu në https://www.amnestv.org.uk/pressreleases/sri-lanka-muslim-covid-19-victims- të krijuara-kundër-familjeve-dëshirave.



Dr. Ahmed Aldawoody
Përktheu nga anglishtja: Rrahim Beqiri
DituriaIslame 352/353


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë