Humbja e vlerës së kohës


Allahu nuk na ka krijuar për kotë, nuk na e dha moshën e rinisë krejt vitalitet dhe aftësi e fuqi për të bërë çudira që ta harxhojmë pa mos pasur asnjë dobi dhe pa mos lënë asnjë gjurmë në jetën e njeriut dhe në shoqëri.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Dy begati i neglizhojnë shumë njerëz: shëndetin dhe kohën e lirë." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Se koha ka vlerë të madhe është diç që nuk e diskuton askush. Të gjithë, punëtorë e përtacë, jemi të pajtuar se koha është jetë, dhe humbja e saj do të thotë humbje e jetës. Megjithatë, nëse ndalemi dhe bëjmë një krahasim të thjesht dhe të shkurtër në mes nesh dhe gjeneratave që ishin para nesh, do të shohim se ne, me këtë kohë që kishin edhe ata dhe me mundësi që ata nuk i kishin, kemi shumë më pak rezultate në punën tonë se sa ata. Para 700 vitesh kishte dijetar që gjatë jetës së tij përpilonte më shumë se 300 vëllime duke pasur parasysh mundësitë e tij; as shtypshkronje, as fleta, as ngjyrë, as kompjuter, as, as…Ndërsa sot që kemi çdo mundësi që ata ndoshta as nuk i kanë imagjinuar, jo vetëm që nuk arrijmë një gjë të tillë por as nuk lexojmë gjatë tërë jetës sonë një sasi të tillë librash. Problemi i vetëm është tek anashkalimi i rëndësisë dhe vlerës që ka faktori kohë. Ky artikull, qe është përkthim, nuk do të bëjë fjalë për vlerën e kohës por për shkaqet që kohës ia humbin vlerën.
E lus Allahun, paraprakisht, që ju të keni dobi nga leximi i tij dhe mua e autorin nuk do të na harroni në lutjet tuaja të sinqerta!


- Shkaqet e mos përfitimit nga koha

1. Familja që nuk i kushton rendësi kohës

Ndodhe që njeriu të rritet në një ambient familjar që kohës nuk i kushton aspak rëndësi, dhe duke qenë i ndikuar nga kjo klimë skandaloze, kjo gjë sikur i bëhet diç e pandarë prej tij; ec me të deri në varr, përveç nëse Allahu e mëshiron dhe i cakton shoqëri që kohës i kushtojnë rëndësi, kanë rregull, plan, organizim dhe jetë me kohë, që zhdukë rrënjët e kësaj sëmundjeje.

2. Shoqëria e keqe

Kaderi (caktimi i Allahut) njeriun ndonjëherë e hedh (si sprovim për njeriun) në mesin e ndonjë shoqërie të keqe, traditë e të cilës është humbja e kohës dhe kalimi i saj në gjëra të pavlera. Rezultatet negative të shoqërisë së keqe më së pari vërehen tek faktori kohë, të cilën e kalon në gjëra pas së cilave nuk vjen asnjë e mirë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi." (Zuhruf; 67)

3. Prijësit nuk respektojnë kohën e tyre

Allahu ndodhë ta nderojë njeriun me shoqëri të mirë përveçse në atë shoqëri ka njerëz me ndikim dhe që pasohen por vuajnë nga kjo dukuri. Njeriu, e në veçanti ai që nuk i mediton shumë gjërat, thith këto tradita pa analizuar mirë dhe pa dashje apo me të gjendet në radhët e kësaj çete derisa humbja e kohës t'i bëhet dukuri e pashlyer prej tij.

4. Anashkalimi i vlerës së kohës

Njeriu që nuk e di vlerën e kohës, që nuk di se koha është kulm i çdo gjëje; nëse humbet ajo humb jeta, nëse ruhet, ruhet jeta, ai njeri përjeton atë që quhet jetë skandaloze, jetë kaotike, jetë pa ligj e pa program.

5. Keqpërdorimi dhe keqkuptimi i begative të Allahut

Allahu ndodhë ta begatojë njeriun me kohë të lirë, me shoqëri, me rini, por njeriu e keqkupton dhe keqpërdorë në të njëjtën kohë atë. Ai harron se ajo begati ka mundësi të përfundojë brenda çastit dhe se dënimi i Allahut është i befasishëm. Njeriu harron tërë këtë dhe kohën e lirë që e ka e shfrytëzon për gjëra që aspak nuk i sjellin dobi.

6. Mos konsultimi...

Njeriu ndonjëherë punon ashtu siç i vie shansi pa konsultuar askënd dhe asnjë njeri që ka përvojë në atë fushë apo lëmi. Si pasoje koha e tij humb ngase ai merret me gjëra sekondare e harron primaret apo ndodhë që gjërat t'i bëhen komplekse në tru dhe përnjëherë i braktisë të gjitha.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim ata e shpërndajnë"
(Shura; 38)

7. Mos vlerësimi real i vetes

Njeriu, nga mendjemadhësia apo injoranca, shpeshherë harron veten dhe mendon se ai ka mundësi për çdo gjë. Fillon të punojë por sheh se në praktikë nuk ka arritur asgjë. Një fjalë e urtë thotë: "Ai që punon do gjë nuk punon asgjë."

8. Kur llogaria mungon

Njeriu ndonjëherë punon pa mbikëqyrës dhe llogaritës të punës së tij. Rezultati i mungesës së këtij elementi zakonisht shpie në skandal dhe humbje të kohës ngase njeriu do të kryejë punë që janë të padobishme apo të dobishme por nuk janë në kohën dhe vendin e duhur.

9. Mëkati dhe mospastrimi shpirtëror

Njeriu ndodhë të bëjë mëkate, e zakonisht mëkate të vogla, të cilave, nga pakujdesia, nuk ua kushton ndonjë pendim. Ai anashkalon pastrimin shpirtëror, i cili është shkak i bereqetit të kohës dhe rrjedhimisht sprovohet me humbje kohe.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush ka dëshirë qe Allahu t'ia shtoje furnizimin dhe t'ia zgjas jetën le t'i mbajë lidhjet familjare." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Ibn Kajjimi ka përmend domethëniet e zgjatjes së jetës, rezymeja e të cilave është:
"Shkurtimi i jetës së mëkatarit (atij që nuk mban lidhjet familjare në këtë rast) është: Jeta e pa vlerë dhe bereqet. Shkurtimi i jetës së mëkatarit ndodhë konkretisht siç pakësohet furnizimi. Shkurtimi i jetës ka kuptim të shkurtimit të jetës shpirtërore ngase ai që nuk jeton edhe me shpirt ai, edhe nëse e llogarisim të gjallë, ai ka vdekur. Allahu kështu, në kaptinën En-Nahl, ajeti 21, i quajti pabesimtarët."
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Janë të vdekur e jo të gjallë..." (Nahl; 21)

10. Neglizhenca ndaj aktualitetit të armiqve

Derisa ne nuk punojmë, armiqtë tanë vetes nuk ia lejojnë as humbjen e kohës më të shkurtër pa punuar diç, e në të shumtën e rasteve kundër muslimanëve. Muslimani që nuk e shfrytëzon kohën e tij për të mira ai sikur bëhet pa dashje municion dhe fuqi punëtore falas e këtyre armiqve, të cilët shfrytëzojnë dembelinë dhe injorancën tonë për ta pasuruar veten dhe sunduar ne.

11. Neglizhenca ndaj dëmeve të humbjes së kohës

Kur njeriu të mos e dijë rrezikun humbjes së kohës në këtë dhe botën tjetër, ai e kalon atë në gjëra të padobishme ose në gjëra që kanë dobi të pakët. Kur t'i vjen vdekja qan e pendohet, ndien keqardhje e mërzi, por vonë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Po, All-llahu kurrsesi askë nuk e shtyn për më vonë, kur atij t'i vijë afati i vet. All-llahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni."
(Munafikun; 11)

12. Puna pa plan, koordinim dhe strategji

Nëse njeriu punon pa rregulla e parime, ose i mbahet parimit "shkel e shko", ai përveç që nuk do të arrijë suksese e rezultate, ai edhe do ta humbë kohën e tij.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini." (Nahl; 43)

Koha është prej begative më të çmueshme dhe më të mëdha që Allahu ia fali njeriut.

- Rëndësia e kohës
Rëndësia e kohës shihet edhe në faktin se Allahu është betuar në kohën në Kur'anin famëlartë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. ('Asr, 1-3)

Poashtu, edhe i dërguari i Allahut, Muhammedi alejhi selam në disa hadithe ka treguar për rëndësinë e kohës dhe të moshës së re të njeriut në veçanti, sepse kjo moshë është mosha e vitalitetit dhe fuqisë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Dy begati i neglizhojnë shumë njerëz: shëndetin dhe kohën e lirë." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
"Nuk do të lëvizin dy këmbët e robit (njeriut) Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën e tij ku e harxhoi, rininë ku e kaloi, pasurinë nga e fitoi dhe si e shpenzoi dhe diturinë e tij, çfarë punoi me të." (Transmeton Taberaniu)

Pra, koha ka vlerë dhe rëndësi të madhe për njeriun, sepse Allahu nuk na ka krijuar për kotë, nuk na e dha moshën e rinisë krejt vitalitet dhe aftësi e fuqi për të bërë çudira që ta harxhojmë pa mos pasur asnjë dobi dhe pa mos lënë asnjë gjurmë në jetën e njeriut dhe në shoqëri. Nuk ka dyshim se një nga problemet evidente të rinisë Islame në veçanti, po në përgjithësi edhe të disa të rinjve të besimeve tjera, është moskujdesi ndaj kohës dhe shfrytëzimit racional të saj. Një pjesë e të rinjve, mos e teprojmë e ti përfshijmë të gjithë, nuk i kushtojnë kujdes asaj se si e kalojnë dhe ku e kalojnë kohën, nuk janë vigjilent ndaj elementeve destruktive dhe faktorëve negativ të cilët punojnë me të madhe që i riu musliman mos të krijojë shprehi që ta shfrytëzojë si duhet kohën e vet, por ta humbin dhe ta harxhojnë në gjëra të pa vlefshme.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Ai thotë: "E sa vjet keni kaluar në tokë?" Ata thonë: "Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës, pyeti ata që dinë numërimin!" Ai thotë: "Mirë e keni, sikur ta dinit, njëmend pak keni qëndruar!" A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?
(Mu'minun, 112-115)

Është e vërtetë se i riu i rinisë së hershme ndoshta nuk ka shumë preokupime sikur që ka i riu i rinisë së vonshme, për atë duhet ta shfrytëzojë maksimalisht kohën që e ka në disponim, sepse kur do të hyjë në moshë, kur do të krijojë familje dhe kur do t'i shtohen obligimet dhe preokupimet, atëherë do ta kuptojë rëndësinë e kohës së lirë, por atëherë ajo nuk do të jetë në disponim të tij dhe do të jetë e kotë të qajë për të. Disa të rinj, kohën e humbin duke qëndruar pa gjumë deri në orët e vona të mbrëmjes për shkak mbrëmjeve gazmore, zbavitjeve, lojërave të bixhozit, bisedave të pa rëndësishme me shokë, etj. E gjithë kjo do të rezultojë me gjumë deri në mesditë apo edhe më vonë, mosshkuarje në punë, moskryerje e obligimeve të rëndësishme, mosshkuarje në shkollë në tërësi apo humbje e orëve të para rregullisht, e mos të bëjmë fjalë për obligimet fetare të cilat paraqesin anijen e shpëtimit të njeriut nga shtrëngatat e djallit dhe degjenerimit.
Nëse nuk shfrytëzohet koha si duhet, apo më mirë thënë nëse humbet koha kot, nuk mund të kemi një të rinj musliman të gatshëm për kryerjen e angazhimeve që i imponon koha, nuk mund të kemi profesionist të lëmive të ndryshme, shkencëtarë të mirëfilltë, njerëz të penës, politikan të shkathtë dhe punëtorë të sinqertë, njerëz me famë apo thënë shkurt kuadro të shëndosha. Ia si e këshillon rininë një nga mendimtarët bashkëkohor Islam, prof. Mustafa Tahhan: "Brezi i ri islam i cili tenton mbi vete të marrë synimin e reformës dhe ndryshimit rrënjësor të ummetit islam në drejtim të së mirës, medoemos duhet pasur kujdes ndaj çështjes së kohës në veprimin dhe aktivitetin e tij. A thua do të mund të arrijë sukses në rast se në mesin e tyre janë më shumë prej atyre të cilët çështjes së kohës e kanë lënë pas dore? Apo prej atyre të cilët nuk lejojnë hapjen e çështjes së kësaj teme?".
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim." (Zummer; 9)

I riu musliman së pari duhet ta ketë parasysh se Allahu është betuar në kohën, që do të thotë se koha ka vlerë të madhe, për atë duhet të ketë kujdes dhe të mendohet mirë që mos e kaloj kot dhe mos e humb në gjëra të parëndësishme, poashtu së dyti duhet t'i shoh tjerët, ata që arritën më larg se ne në shkencë dhe teknologji si e shfrytëzojnë kohën, gjegjësisht të shoh se a thua vallë e kalojnë kotë dhe a e humbin në gjëra të pa vlefshme, apo mbajnë llogari për çdo minutë të kohës së tyre. Popujt të cilët kanë arritur në shkencë dhe teknologji dhe janë bërë sot për ne mostër që ua kemi lakmi, këtë e kanë arritur duke e respektuar kohën dhe duke mos lejuar që t'u shkojë koha kotë. Nëse ata nuk kishin respekt ndaj kohës, nuk do të mund të arrinin atje ku janë sot.
"O njeri , vërtetë ti je një grumbull ditësh. Sa herë ikën njëra prej tyre, ikën dhe një pjesë e jotja." (Hasan El-Basriu )

Me këtë rast, do t'i përmendi fjalët e mendimtarit bashkëkohor Islam Mustafa Tahhan i cili thotë: "Vetëm njeriu i qytetëruar që i çmon vlerat e veta dhe të kohës, do të mund të bëj mrekullira dhe lehtë të dominojë me ardhmërinë e kohës. Për dhjetë vjet Japonia arriti që nga izolimi vetjak të arrijë në rangun më të lartë të popujve të përparuar industrialë... Kuptohet, Japonia këtë e arriti me anë të vlerësimit dhe respektimit të kohës". Allahu na e fali kohën që ta shfrytëzojmë për të mirën tonë dhe për të mirën e shoqërisë e njerëzimit në përgjithësi, e kjo nuk mund të arrihet nëse humbet dhe kalohet kot, na e fali kohën që të punojmë për këtë dhe për botën tjetër, e nëse e humbim kotë, rrezikojmë ta humbim edhe këtë edhe botën tjetër, ndërkaq duhet të jemi shumë të sigurt se për çdo minutë do të mbajmë përgjegjësi si e kemi kaluar dhe do të pyetemi nga Allahu se a e kemi kaluar kohën si duhet.
I riu musliman nuk guxon për qejfin e shoqërisë ta humb kohën në gjëra të kota, sepse me këtë e ka shkatërruar veten dhe e ka dëmtuar shoqërinë. Ata të cilët e drejtojnë në këtë rrugë, janë armiqtë e jo miqtë e tij, ndërsa ai nuk guxon ta sakrifikojë ardhmërinë e tij për shkak disa qejfeve të kota. Thënë ndryshe, nëse donë që mos të vazhdojë në këtë punë të mbrapsht, ai duhet që ta braktis shoqërinë e këtillë. Është e domosdoshme që i riu musliman ta programojë kohën e vet, të ndajë kohë për mësim, për shoqëri, për vizita, veprime tjera të nevojshme, obligimet fetare, etj. Nëse ai nuk e programon kohën e vet, veç e ka hapur derën për humbjen e saj në gjëra të kota.
I riu musliman, duhet ta ketë parasysh dhe ta dijë se humbja e kohës në gjëra të kota është shkelje e urdhrit të Allahut, humbje e vetvetes, dëmtim i shoqërisë dhe njerëzisë si dhe tradhti ndaj kauzës, sepse jetojmë në kohën kur tjerët me shpejtësi ecin përpara, e ne nëse nuk jemi të aftë që t'u bëjmë ballë, atëherë e komprometojmë jo vetëm veten tonë dhe brezin tonë, por edhe besimin të cilit i takojmë dhe brezat tjerë të kësaj feje, sepse tjerët do të thonë muslimanët janë të prapambetur pa bërë dallim ndërmjet besimit dhe pjesëtarit të besimit, dhe në mes gjeneratave të një besimi.
"Unë e urrej atë njeri që rri kot, nuk bën asgjë as për këtë botë e as për botën tjetër." (Ibn Mesudi )
"Humbja e kohës është më e shtrenjtë sesa vdekja, sepse humbja e kohës të largon nga Allahu dhe bota tjetër, ndërsa vdekja të largon nga kjo botë dhe njerëzit e saj." (Ibn Kajjimi )

Kur pyesim se ku është rinia e ummetit musliman, mund të themi se në përgjithësi është në ato vende ku është edhe rinia e Perëndimit, e cila krijon pamje të tilla të sjelljes dhe veprimit. Në këtë mënyrë harxhohet koha e vlefshme në përtaci dhe punë të kota ndërsa papunësia fillon kur bashkohet rinia dhe koha e lirë. Në perëndim thonë se "koha është paraja", ndërsa Zoti ynë i Madhërishëm betohet në kohën. A nuk është kjo një argument i mjaftueshëm se koha është nga dhuratat më të mëdha në Islam. Në Islam gjithçka është precizuar në mënyrë të saktë. Kur i Dërguari i Allahut alejhi selam u pyet se kush është vepra më e dashur tek Allahu, ai tha: "Namazi në kohën e vet". A nuk e vërejmë se i Dërguari ynë Fisnik në këtë mënyrë na disiplinon dhe na mëson për kryerjen e obligimeve tona në kohën e saktë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ai që i kalon të dy ditët njëlloj është në humbje." (Transmeton Muslimi)
"Duaj sa të duash, një ditë do të ndahesh, jeto sa të duash, një ditë do të vdesësh, vepro si të duash, një ditë do të japësh Llogari." (Transmeton Tirmidhiu)

Për fat të keq, as ne as rinia jonë nuk e vlerësojmë kohën dhe nuk kemi qëllim të qartë në jetë. Shumica e neve mbrëmjen e djeshme e bënë ditë ndërsa ditën natë. Ajo çka ndodh me ummetin muslimanë sot në botë, është pasojë e shkatërrimit të kohës, ndërsa humbja e kohës është e barabartë me krimin. Kur të rinjtë thonë se "ta humbi kohën pak", nuk janë të vetëdijshëm se humbin veten. Kjo është një vetëvrasje e lehtë për të cilën fatkeqësisht askush nuk ka përgjigje. Andaj, na ndodh që të vijnë të huajt të cilët kanë qëllim dhe respektojnë kohën, i shfrytëzojnë begatitë tona në mënyrën më të mirë dhe pasurohen me kapitalin tonë dhe sigurojnë sundimin mbi muslimanët. E si mos ta bëjnë këtë, kur shtëpia e ummetit është në gjumë të thellë, ndërsa dera e saj është e hapur.
Koha ikën dhe pak prej njerëzve përfitojnë prej saj. Sheriati ka vendosur një ligj për mendjelehtin i cili e shpërdoron pasurinë e tij, duke ia ndaluar të drejtën e menaxhimit të pasurisë së tij, dhe për të caktohet një përgjegjës që e mbikëqyr në këtë aspekt. Por ai që humbet kohën e tij, është më mendjelehtë se ai që humbet pasurinë e tij, sepse nëse humbet pasuria, ka shpresë se mund të rikthehet, ndërsa nëse humbet koha ajo nuk kthehet. Kanë thënë se humbja është më e keqe se vdekja, sepse humbja e kohës e shkëput lidhjen me Allahun , dhe me botën tjetër, ndërsa vdekja e shkëput lidhjen ndërmjet kësaj botë dhe banorëve të saj.
Kur biri i Ademit zgjohet në mëngjes i vjen dita dhe i thotë: "Un jam dita e jote e re dhe jam dëshmitar i ditëve të tua, kështu, më shfrytëzo, sepse unë nuk do të vij më deri në Ditën e Ringjalljes."
"O njerëz, ju nuk jeni krijuar për të luajtur, e as nuk jeni lënë pas dore. Ju keni një takim me Allahun, ku Ai do të gjykoj ndërmjet jush. I humbur është ai i cili do të largohet nga Mëshira e Allahut dhe do t'i ndalohet Xheneti, gjerësi e te cilit është më i gjerë se qiejt dhe toka. Ju duhet ta dini se siguria në botën tjetër është për ata që sot frikësohen Allahut dhe që paktën e shesin për më të shumtën (këtë dunja e shesin për ahiretin) dhe atë që kalon për të amshueshmen." (Omer ibën Abdulazizi )
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Mosha e umetit tim qëndron ndërmjet 60 dhe 70 vjetëve." (Transmeton Tirmidhiu)
"Mosha e umetit tim qëndron ndërmjet 60 dhe 70 vjetëve, të paktët do ta kalojnë atë." (Transmeton Muslimi)

Po e marrim moshën e Pejgamberit alejhi selam, i cili jetoi 63 vjet, si një moshë mesatare të umetit, për të parë se sa kohë humbin në përgjithësi.

• Ligji botëror thotë se njeriu duhet të punojë 8 orë në ditë.
• Dita përbëhet nga 24 orë. Kjo do të thotë se nëse njeriu punon 8 orë çdo ditë dhe jeton 63 vjet, 21 vjet nga kjo ai vetëm ka punuar.
• Mjekët pretendojnë se nëse njeriu do ta ruajë shëndetin e tij, ai duhet të flejë 8 orë për çdo ditë.

Kur i mbledhim këto, del se njeriu nga 63 vitet e jetës së tij, 21 vjet ka fjetur. Të gjitha bëjnë 42 vjet, të cilët njeriu i ka kaluar.
Ne e dimë se njeriu deri në moshën 13-15 vjeçare (pubertet) nuk është i detyruar t'i praktikojë ligjet e Allahut Këto vite i kalon duke luajtur.
Ne fund kjo do të thotë se 63 vjet që jeton minus 21 vjet gjumë, minus 21 vjet punë dhe minus 13 vjet lojë, në fund mbesin 8 vjet jetë.
Vëlla i dashur dhe motër e dashur, a je i sigurt në perceptim se këto tetë vjet i ke kaluar apo do t'i kalosh duke adhuruar Allahun ? Përgjigjja ime do të jetë: "Jo, nuk mundesh t'i kalosh duke adhuruar Allahun", si do ta shohësh tani? Së pari, ka muslimanë të cilët nuk falen kur i dëgjojnë ezanin. Ata janë kafshët kur i thërret zotëria i tyre për diçka të mirë që ata nuk e dinë, por vetëm e dëgjojnë zërin e tij dhe nuk i kuptojnë fjalët.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "All-llahu do t'i bënte të dëgjojnë ata (shurdhmemecët) po të dinte (të pritej prej tyre) se do të arrinin ndonjë të mirë, po edhe sikur t'i bënte të dëgjojnë, ata do të zmbrapseshin dhe do të refuzonin." (Enfal; 23)

8 vitet që mbesin tepër i kalojmë me familjen, me të afërmit dhe me kryerjen e nevojave tona njerëzore. Muslimani i cili falet për 5 kohë namaz farz, i nevojiten 1 deri 1.5 orë nga 24 orë e ditës. Vëlla i dashur, motër e dashur, ne kemi bërë një analizë të një jete, tani bëjë një analizë te jetës tënde dhe do të shohësh se ai i cili jeton 63 vjet dhe i fal çdo ditë kohët e namazit, ka kaluar 2 vjet, e 7 muaj e 15 ditë në adhurim ndaj Allahut Merr parasysh, vëreje dhe vërtetoje duke e pyetur veten sesa kohë kalojmë ne duke shfryrë epshet dhe kënaqësitë tona dhe sa kohë dhe orë kalojmë duke adhuruar Allahun !
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (Dharijat; 56)

Është për të ardhur keq që ne e adhurojmë Allahun vetëm 2 deri në 3 vite të jetës sonë të cilën Ai , na e ka dhënë.

Ne folëm vetëm për ata të cilët e falin namazin dhe Allahu e di më së miri cilët namaze pranohen. Ata të cilët nuk falen dhe nuk kalojnë asnjë minutë ne adhurim ndaj Allahut , megjithatë ata e kalojnë kohën duke i mbushur barqet dhe duke i shfryrë epshet dhe qejfet e tyre. Për këtë kohë të shkurtër e dëshirojmë Xhennetin për vete, gjerësia e të cilit është sa qielli dhe toka?!
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Sikur një rob i Allahut prej ditës që lindë, deri në vdekje në një moshë të shtyrë gjendet me fytyrë në sexhde, Ditën e Llogaris do t'i shohë veprat e tij të mangëta. Pasi do ta shohë Xhenetin, do të dëshirojë të kthehet në këtë botë qe t'i shtojë veprat dhe shpërblimin e tij." (Transmeton Ahmedi)

Vëlla i dashur, motër e dashur, duhet ta dish se 2-3 vjet nga 63 vitet e tua, janë jeta jote e vërtet për të cilat do të shpërblehesh! Një burrë punon orë çdo dite dhe merr rrogën e plotë për këtë, or sikur ai të punonte vetëm një or nga ato 8 orë dhe këtë ta shihte shefi i tij, ai do te merrte rrogë vetëm për këtë orë. Po ashtu është edhe njeriu i cili jeton 63 vjet, por vetëm 2-3 vite e adhuron Allahun. Ky do të shpërblehet vetëm për këtë kohë. Sikur punëtori ta kërkonte rrogën e tij të plotë, edhe pse kjo nuk i takon atij, do të hiqej nga puna.
Jeta ime dhe e juaja e vërtet është ajo të cilën e kemi kaluar në dëgjueshmëri dhe ne adhurim ndaj Allahu , për të cilën edhe jemi krijuar. Ti ke mundësinë të zgjedhësh ndërmjet dy jetëve, ose jeta dhe vdekja jot i takojnë Allahut, ose jetën tënde e shfrytëzon për epshet kalimtare.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kush e do dunjanë e tij, dëmton ahiretin e tij dhe kush e do ahiretin e tij, e dëmton dunjanë e tij. Jepini prioritet asaj që mbetet ndaj asaj që zhduket." (Transmeton Buhariu)

Allahu e di se robërit e Tij nuk do të kujdesen për këtë, prandaj Allahu u ka treguar rrugët të lehta nëpërmjet të cilave do të fitojnë shpërblime të mëdha. Ne e kryem analizën, sepse e pamë gjendjen e ummetit. Shumë muslimanë nuk munden të jenë mirënjohës për të gjitha këto të cilat na ka dhuruar Allahu .
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "All-llahu është Ai, që juve ua bëri natën të pushoni në të, e ditën të ndritshme. All-llahu është dhurues ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e falënderojnë." (Gafir; 61)
"I punonin atij çka ai dëshironte: pallate të fortifikuara, skulptura, pjata (të drunjta) sikurse rezervuare, enë (kazanë) të palëvizshme. Veproni duke falënderuar, o familje e Davudit, e nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës." (Sebe'; 13)

Por, kjo analizë nuk është edhe për ata të cilët i lavdëroi Allahu , mbi qiellin e shtate. Ata janë dijetarë, rob të afërt tek Allahu dhe ndershëm. Nuk mund t'i barazojmë ata që dinë me ata që nuk dinë. Po ashtu, nuk mund t'i barazojmë ata që shohin me ata që nuk shohin dhe as dritën me errësirën! Sepse ngritja dhe ulja, ecja ehe ardhja, ngrënia dhe pirja, urdhërimi dhe ndalimi, si edhe gjumi, të gjitha këto lëvizje i takojnë Allahut Zotit të botëve.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë:
"Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve."
(En'am; 162)


- Krimi i humbjes së kohës kot

Ndër krimet më të mëdha që bëhen, janë krimet që i bëjmë në të drejtën e kohës. Shpenzimi dhe humbja më e madhe është humbja e kohës kot, ajo është më e madhe se shpenzimi i pasurisë. E shohim popullin (ummetin) tonë që e humb kohën kot, njerëzit e shkojnë kohën dhe vitet kot. Të paktë janë ata që prodhojnë, të paktë janë ata që punojnë, gjatë natës rrinë zgjuar (papunësi dhe fjalë boshe), e gjatë ditës flasin për nderet e njerëzve, saqë edhe ata që punojnë në punët e tyre zyrtare, gati sa s'punojnë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë:
"Shfrytëzoj pesë gjëra para pesë gjërave tjera: Rininë tënde para pleqërisë tënde. Shëndetin tënd para se të sëmuresh. Pasurinë tënde para varfërisë. Kohën e lirë para se të jesh i nxënë. Jetën tënde para vdekjes." (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej humbjes së kohës.


Përshtati ne shqip: Sedat G. Islami


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë