Interesi personal dhe interesi i xhematit


Me anë të këtij shkrimi do të meditojmë për disa detaje dhe shembuj nga kaptina Et-Teube, në të cilën Allahu i Madhërishëm potencoi dhe favorizoi interesat e xhematit mbi interesin e individit.

T’i kushtosh vëmendje, kryesisht interesit personal dhe privat d.m.th. të jesh egoist, të jetosh vetëm për vete dhe çdo gjë ta vlerësosh nëpër prizmën personale dhe private. Me fjalë tjera, të pasosh epshet dhe instiktet. Të anashkalosh interesin e shoqërisë, bashkësisë dhe xhematit është karakteristikë jonatyrale e njeriut, sepse, sipas islamit, njeriu asnjëherë nuk është vetëm dhe nuk mund të ekzistojë vetëm. Vetvetiu, njeriu është i parëndësishëm, ndërsa vlerën e vërtetë e ka vetëm si individ aktiv në mozaikun e bukur të shoqërisë.
Brenga për interesin e bashkësisë më së qarti ka ardhur në shprehje në kohën e zbritjes së Kuranit, kur sahabët interesin e tyre personal ia kanë përcaktuar interesit të bashkësisë. Kanë nxituar të dëgjojnë çfarë e re ka zbritur nga Shpallja. Veçanërisht këtë e ka treguar hixhreti i besimtarëve prej Mekkes në Medine kur lënë çdo gjë që patën, pronat, shtëpitë, plantazhet, bile edhe anëtarët e familjes së tyre.
Në Medine arritën të zhveshur e të zbathur dhe aty filluan jetën e re në shoqëri kompakte.
Principi i vëllazërimit e flaku privatizimin dhe egoizmin individual.
Natyrisht ka pasur të tillë që interesi personal ka qenë më rëndësishëm se interesi i shoqërisë, bile edhe deri në vitin e dhjetë pas hixhretit, kur nevojitej që Bizantit të fuqishëm, fuqisë së atëhershme botërore, t’i bëhej e ditur se nuk mund të luajë me islamin dhe myslimanët.
Kjo nxitje në histori është e njohur si Lufta e Tebukut. Për këtë kjo luftë në Kuran është quajtur “Sa’atul usreh” (Momenti i zjarrtë)!
Tebuku është 1000 km nga Medina. Pejgamberi s.a.v.s. ka qenë i lajmëruar (d.m.th. ka qenë i vëmendshëm) që Bizanti po përgatitej për sulm. Në këtë kohë ishte:
- Koha e korrjes dhe mbledhja e frutave. Pra, secili kishte interesat personale dhe obligimet ekzentenciale.
- Largësia dhe vapa e madhe. Duhet ecur 1000 km, e pastaj me luftuar. Kundër kujt? Kundër fuqisë më të madhe ushtarake në botë.
- Varfëria dhe mungesa e mjeteve. Tre veta ndërroheshin në një deve.
Por, Allahu është i Mëshirshëm, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. e di që secili që punon për interes personal, armiku do ta shkatërrojë në çdo gjë hasë.
Për këtë Allahu thërret besimtarët duke u thënë:
“O ju që besuat, ç'është me ju, që kur ju thuhet: "Dilni në (luftë) rrugën e All-llahut!", ju u rënduat në vend (si të ishit të gozhduar). A mos ishit më të kënaqur me jetën e kësaj bote, se sa me atë të ardhmen? Përjetimi i jetës së kësaj bote ndaj asaj të ardhmes, nuk është asgjë.
Nëse nuk dilni (në luftë), Ai do t'ju dënojë me një dënim të rëndë, ju zëvendëson me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet farë dëmi. All-llahu është i gjithfuqishëm për çdo gjë.” (Et - Teube, 38-39)
Kësaj thirrje i shtohet edhe një mesazh nga i cili ndalet fryma dhe rrënqethet lëkura:
“Thuaj (o i dërguar): "Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” (Et - Teube, 24)
Si ishte përgjigjja ndaj thirrjes?
E ndryshme. Shumica e kupton, është e vetëdijshme dhe i përgjigjet thirrjes. Por, ka edhe dezertues. Kështu ka qenë dhe gjithmonë do të ketë.
Pejgamberi s.a.v.s. pyet: “Kush do ta përgatit ushtrinë?” Askush nuk paraqitet, ndërsa Othmani r.a. ngritet dhe thotë: “I Dërguar i Allahut, nga unë keni njëqind deve me ushqim dhe përgatitje!”
Tre herë Pejgamberi s.a.v.s. përsëri të njëjtën pyetje, ndërsa Othmani r.a. në tre herët i shtonte nga njëqind deve, për çfarë Resulullahi tha: “Ma darr-rre Othmane ma fe’ale ba’de dhalike!” (Othmanit nuk do t’i bëjë asgjë dëm që bën pas kësaj)!
Çfarë paraqiti për bashkësinë Othman b. Affani dhe kapitali i tij?! Omeri r.a. me gjysmën e pasurisë u mundua ta kalojë Ebu Bekrin r.a., por Ebu Bekri e solli tërë pasurinë! Në pyetjen e Pejgamberit s.a.v.s. çfarë u lë familjes, Ebu Bekri r.a. përgjigjet: “Ua lashë Allahun dhe Pejgamberin!”
Pra, anashkalimi i interesit kolektiv d.m.th. me mbetur në interes personal.
Si gjithmonë hipokritët përqeshin besimtarët e sinqertë, ndërsa Allahu këtë e përmend në Kuran për të ditur se të tillë gjithmonë ka, që do të pengojnë dhe mbjellin ngatërresa, vetëm për shkak të interesit personal. Allahu thotë:
“Ata (hipokritë) që i përqeshin besimtarët, që me vullnetin e vet japin lëmoshë, i përqeshin edhe ata të cilët nuk kanë më shumë se çka është e domosdoshme për jetesën e tyre, e njëkohësisht tallen me ta, All-llahu u dha shpërblimin e talljeve të tyre - dënimin më të rëndë.” (Et - Teube, 79)
- Aliu r.a. mbetet të kujdeset për Medinën. Hipokritët mezi presin që të konstruktojnë dredhi dhe ngatërresa.
- Ulbeh b. Zejdi ka qenë i varfër dhe nuk kishte çfarë të jep, por vetëdija për interesin kolektiv ishte shumë e lartë, andaj natën i drejtohet Allahut duke i thënë: “O Allah, Ti ke urdhëruar që të luftojmë, e Ti e di se unë nuk kam asgjë, për këtë si sadakë jap çdo zullum (dëm) që më kanë bërë cilido mysliman qoftë, të gjithëve ju bëj hallall!” Në mëngjes Pejgamberi s.a.v.s. pyet: “Ku është ai që mbrëmë ka dhënë më së shumti?!” Pasi që Ulbeh u paraqit, Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, mbrëmë je shënuar në mesin e atyre që ju ka pranuar sadakaja!”
- Ebu Kajsemeh, në momentin e caktuar shejtani e mbizotëroi dhe mbeti. Më me rëndësi kishte interesin personal, kënaqësinë në hijen e palmave dhe oborrit, në mesin e jastëkëve me gratë e tij, por shpejtë bëri llogari me vetveten dhe arriti Pejgamberin.
- Zejd b. Kajsin e karakterizon ashpërsia dhe paturpësia. Arsyetimi i tij që mbetet është dobësia e tij ndaj grave bizantine! Ja karakteri! Bile edhe në kohën e Pejgamberit. Edhe atë e përshkruan Kurani për çdo kohë:
“Dhe prej tyre ka të tillë që thonë: "Më lejo mua (të mos shkoj në luftë) e mos më vë në sprovë!" Ja, ata mu në sprovë kanë rënë (më parë). Xhehennemi gjithsesi i përfshin nga të gjitha anët jobesimtarët.” (Et - Teube, 49)
- Tha’lebe b. Hatib el-Ansarij ka marrëdhënie komerciale ndaj Allahut. Ai kërkon nga Pejgamberi s.a.v.s. që t’i lutet Allahut që t’i jep nafakë të madhe dhe do të ndajë nga ajo, por posa morri atë që dëshiroi, ngadalë filloi t’i lë namazet ditore, falte vetëm xhumanë, e pastaj edhe këtë e lë, bile e lë edhe zekatin, të cilin kur e solli më vonë nuk ia pranoi as Pejgamberi, e më pastaj as Ebu Bekri dhe Omeri r.a.. Ndërsa Kurani e shënon edhe këtë që gjeneratat e ardhshme të marrin mësim dhe përvojë:
“E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën All-llahut që: "Nëse na jep (All-llahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve".
Kur ju dha (All-llahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zbrapsën nga respekti ndaj All-llahut.” (Et - Teube, 75-76)
Mesazhi i përhershëm dhe urdhëri kuranor ndaj tyre është:
“A nuk e ditën ata se All-llahu e di fshehtësinë e tyre (në zemra), bisedën e tyre, dhe se Ai (All-llahu) i di të gjiha të fshehtat.” (Et - Teube, 78)
- Ka’b b. Malik ngeci pas luftës. I ri, i shëndetshëm, i fuqishëm, i pasur. I dha përparësi interesit personal ndaj interesit të xhematit. Dëshiroi të jetojë për vete. Edhe të tjerët patën projektet e tyre private, por ...
Pas kthimit të Pejgamberit s.a.v.s. dhe shokëve nga Tebuku pasoi izolimi i plotë i dezertorëve dhe hipokritëve. Nuk ka as selam. Nuk ka kurrfarë komunikimi me ata. Kur Ka’bit (edhe dy dezertorëve tjerë, bile pjesëmarrës në Bedër!) Toka iu ngushtua, iu ankua xhaxhait të tij: “Xhaxha Katade, ti e di se unë e dua Allahun dhe Pejgamberin!”
Ky pa dhembshuri i përgjigjet: “Këtë më së miri e di Allahu!” Që nënçmimi të jetë më i madh, njeriu nga Shami i sjell letër nga mbreti i cili i ofron azil! Paramendoni kur ai i cili “ndaj besimtarëve është i ndijshëm dhe i mëshirshëm” nuk ia kthen selamin, bile edhe kokën e kthen anash! Në fund kur Pejgamberi s.a.v.s. e pyet përse ngeci, ai (Ka’bi) pranon: “I Dërguar i Allahut, asnjëherë nuk kam qenë më i fuqishëm, me më shumë pasuri dhe i përgatitur për luftë, por ja, ngeca, pendohem dhe turpërohem për këtë!” Pejgamberi s.a.v.s. përsëri nuk lëshon pe, por thotë: “Prit derisa Allahu nuk sjell vendim për ty!”
Atëherë zbritin ajetet e faljes dhe mesazh i qartë për të gjithë që bijnë në këso sprova:
“(Ai u fali) Edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë aq (pranimi i pendimit) saqë toka u bë e ngushtë për ta, përkundër gjerësisë së saj, kur u ngushtuan edhe shpirtrat e tyre saqë u bindën se nuk ka strehim prej All-llahut (tjetërku) pos te Ai. Prandaj edhe atyre ua fali Ai, në mënyrë që të pendohen. All-llahu pranon pendimin se është mëshirues.” (Et - Teube, 118)
“O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të drejtit.” (Et - Teube, 119)
Çfarë pendimi (teube) këtu është në pyetje? Çfarë mëkati është bërë?
Pendimi (teubeja) nga interesi privat (individual, personal). U anashkalua interesi shoqëror (i xhematit).
Pejgamberi pastaj e thirri dhe i tha: “Gëzohu o Ka’b, kjo është dita më e lumtur që kur të ka lindur nëna!” Pra, ditëlindja nuk është dita e martesës, dita e lindjes së fëmiut, kjo apo ajo ditë, por dita kur pranohet pendimi! Dita e çmuar e jetës!
Ka’b b. Maliku e kuptoi tradhtinë e interesit të xhematit, andaj e dha gjithë pasurinë, duke lënë vetëm shtizën për Hajber.
Talha b. Ubejd - vetëm ky e përqafoi, e askush tjetër. Më vonë Ka’bi thoshte: “Këtë Talhas nuk do t’ia harroj kurrë!”
Vëllezër dhe motra, këto janë vetëm disa detaje nga kjo kaptinë medinase e shpallur pa besmele. Kjo kaptinë është rentgen i vërtetë për vetëkontrollim dhe revizion të imanit. Kjo kaptinë na ndihmon ta dallojmë interesin privat ndaj interesit të xhematit.
Ne kemi projektin tonë dhe jo vetëm një!
Për çdo projekt duhet sinqeritet dhe gadishmëri e individit për sakrificë, vetëdije e individit për përkatësinë e xhematit, bashkësisë, komunitetit, vetëdija e individit që duhet pasur dhe respektuar EMIRI (Udhëheqësi), nëse është i bindur ndaj Allahut dhe pejgamberit dhe që interesin e tij privat t’ia përcaktojë xhematit, shoqërisë dhe komunitetit.
E dimë që mëkati i parë në Tokë ka qenë kodi i shejtanit: “Unë jam më i mirë se ai”, pastaj pason mëkati, zilia, refuzimi i sexhdes dhe bindjes e pastaj përgojimi dhe kryelartësia.
Padyshim SHKATËRRIM I HAPUR DHE PËRULJE!
Lutemi Allahut të na ruajë nga çdo fatkeqësi, të na mbushë zemrat me iman të sinqertë, të na forcojë këmbët në sirati mustekim dhe të na dhurojë udhëheqës të ndershëm, të sinqertë dhe të aftë. Udhëheqës që do t’i duam dhe do të na duan!
- Amin -



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës