Promovohet libri “Trashëgimia Islame në Llapushë 1529-2020” e autorit Hoxhë Harun Shabanaj

Sot në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal, nën përkujdesjen e Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, u bë promovimi i librit "TRASHËGIMIA ISLAME NË LLAPUSHË 1529-2020" të autorit Hoxhë Harun SHABANAJ.

Këtë organizim e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i komunës z.Ragip Begaj me bashkëpuntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës z.Fetah Rudi, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame Prof.Dr. Fahrush Rexhepi me bashkëpunëtorë, anëtari i Kryesisë së BIRK-ut dhe kryetari i KBI në Gjakovë Dr. Valon Myrta, studiuesi i historisë Prof. As. Dr. Shkodran Imeraj, kryesuesi i KK në Malishevë z.Rrahim Morina, kryetari i KBI në Suharekë Halim ef Shehu me bashkëpunëtorë, kryetari i KBI në Deçanë Rasim ef Bytyqi me bashkëpuntorë, përfaqësues të shumtë nga institucione të ndryshme lokale dhe qendrore, të mediave dhe të shoqërisë civile.
Pas leximit të Kuranit nga imami Alban Hoxha, takimin e hapi kryetari i KBI në Malishevë Sead Paqarizi, i cili ndër të tjera tha:
"Promovimi i librit me një tematikë të tillë është një aset dhe pasuri e çmuar jo vetëm për Këshillin e Bashkësisë Islame në Malishevë e për kuranotekën islame në Kosovë, mirëpo për gjithë komunën e Malishevës dhe për Kosovën. Kontributi i mulla Harunit në këtë nismë është për tu komplimentuar dhe meriton çdo lëvdatë.
Ne jemi të vetëdijshëm që shumë pak është shkruar në lidhje me lashtësinë dhe rolin e objekteve fetare islame në trojet tona në përgjithësi, e në Llapushë në veçanti. Po ashtu mungojnë hulumtimet dhe studimet e mirëfillta edhe për kontributin e hoxhallarëve të Llapushës në ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar dhe rezistencën ndaj regjimeve të ndryshme duke u bërë lokomotiva të rezistencës dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Gjithashtu, jemi të vetëdijshëm që jo gjithçka është thënë në këtë libër, mirëpo vlera më e madhe e këtij libri qëndron në nismën e shkrimit në këtë tematik, si dhe të bëhet një inspirim për hoxhallarë e shkrimtarë të tjerë që të ndriçojnë e zbardhin kontributin e të parëve tonë, ashtu që të jetë një bazament dhe aset i pasur për brezat që vijnë pas nesh".
Takimin e përshëndetën edhe kryetari i komunës z. Ragip Begaj dhe anëtari i kryesisë së BIRK-ut Dr. Valon Myrta, duke e përgëzuar autorin për punën e bërë.
Më pas para të pranishmëve me një kumtesë vlerësuese u paraqit recensenti i librit Prof. Dr. Fahrush Rexhepi i cili foli për përmbajtjen e librit dhe rëndësinë e tij duke thënë:
''Autori i librit Harun Shabanaj në këtë studim ka trajtuar probleme të trashëgimisë si dhe personalitete të shquara shqiptare të kulturës islame, që nga trojet tona shqiptare, mërgata si dhe në qendër ka personalitetet fetare të trevës së Llapushës, ku e përbashkëta e tyre ishte brumosja me ide për atdhedashurinë dhe shërbimi për popullin pa dallim feje e besimi''.
Më pas prof.ass.dr. Shkodran Imeraj, Bashkëpunëtorë shkencor në Institutin e Historisë- Prishtinë, lexoi fjalën e kryeredaktorit Sabri ef Bajgora, i cili ndër të tjra vlerësoi: ''Monografia që shkruhet me qëllim të ndriçimit të një pjese të historisë së një kombi, treve apo etniteti, kanë vlera të jashtëzakonshme historike dhe kombëtare edhe monografia në fjalë, është e këtij lloji për një rajon legjendar të Kosovës, me një histori të bujshme, siç është treva e Llapushës, ku janë gërshetuar, kultura dhe tradita, burrëria e trimëria, që në kohë të vështira, i dolën zot atdheut dhe idealeve të tyre kombëtare, si në luftën e fundit çlirimtare të udhëhequr nga UÇK, ku kishte edhe personalitete të shumëta të këtyre institucioneve që kontribouan edhe drejtpërdrejt në luftë''.
Në fund, autori, falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në shkrimin e librit dhe familjen të cilën e kishte në çdo moment pikëmbeshtetjen më të fortë.
KBI në Malishevë ndau mirënjohje për autorin si dhe për të gjithë pjesëmarrësit organizoi një koktej rasti.
KBI në Malishevë falenderon Kryesinë e BIRK-ut, FSI-në, Komunën e Malishevës dhe të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit për realizmin e këtij eventi, ndërsa autorit i uron suksese tjera në vazhdim.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës