Nuk është lehtë të shkruaj për ty, o dritë e Allahut Mëshirëplotë


** Përsiatje eseistike për profetin arketip të Ummetit islam, Muhamedin a.s.


Të shkruhet për ty ia vlen çdoherë e në çdo kohë të shkruhet, por nga kush se? Nga unë që jam një rob i dobët i Allahut, nje mysliman modest i fesë së Tij të pastër e një ndjekës modest i jetës dhe praktikës profetike - synetit të të Dërguarit të Tij më të dashur, Muhamedit a.s. (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin me të!)!
Nga ai i cili nuk është në pozitën të ultë apo nga ai i cili mund të shkruajë për ty por, në të vërtetë, është larg teje. Nga ai i cili është gjynahqar! Nga ai i cili është i pambrojtur prej gabimeve e të marrë guximin që të shkruajë për dikë që është i pastër si loti, i pagabueshëm. Të shkruhet për ty nga një i dobët i pakompletuar për një të fortë të kompletuar. Të shkruhet për ty nga një i mangët për një që është më i zgjuari, më i lavdëruari e më i përzgjedhuri nga krijesat e Zotit fuqiplotë. Të shkruhet për ty, që fjalët nuk kanë të përfunduar e që do të shkruhet e do të thuhet sa të jetë jeta e të ekzistojë universi, nga një njeri që nuk dihet, nuk njihet e nuk flitet për të.
Të shkruaj për ty është nga dashuria, të shkruaj për ty është nga pasioni, të shkruaj për ty, madje, është që ta vërtetoj dobësinë time karshi madhështisë tënde. Të shkruaj për ty është nga mallëngjimi, përkushtimi dhe dashuria kulminante. Të shkruaj për ty është që ta bind vetveten që je një dhe i vetmi shembull për ne. Të shkruaj për ty për arsye se ti je shpëtimtari ynë. Të shkruaj për ty që do të jesh ndërmjetësuesi (shefat për ne) në botën e amshimit. Të shkruaj për ty që ishe komandant suprem i shtetit, udhëheqës suprem i ummetit tonë dhe një bashkëshort i mirë e njeri i moralit më të përkryer. Të shkruaj për ty që ishe udhëheqës i mirë, kryetar i denjë, i përkushtuar dhe i përgjegjshëm. Të shkruaj për ty që ishe ilaç për ata të cilët ishin të sëmurë. Të shkruaj për ty që ishe, je e do të jesh e do të mbetesh çelës i dyerve të mbyllura e zgjidhës i problemeve e melhem për plagët e Ummetit. Të shkruaj për ty që na mësove se si duhet të adhurohet Zoti, se si duhet jetuar në këtë botë dhe si duhet përgatitur për botën tjetër. Të shkruaj për ty që nuk të pashë, nuk të shikova, nuk të përkëdhela dhe nuk të përqafova në jetën time reale edhe pse shumë të doja. Nuk e pashë nuri n tënd, fytyrën, shtatin, qëndrimin. Zërin nuk ta dëgjova. Me ëndje të thellë e pres një ditë të të shikoj. Me ëndje të thellë e pres që të të përqafoj. Me ëndje të thellë e pres që të të përkëdhel. Me ëndje të fortë e pres të ta shtrëngoj dorën fort e mos ta lëshoj. Me ëndje të thellë dua ta dëgjoj zërin tënd melankolik e të butë. Ti je ai që na mësove, na këshillove dhe na udhëzove në rrugë e drejtë. Ti je ai që na mësove që ta duam Krijuesin e gjithësisë, prindërit, të afërmit, farefisin, fqinjët, madje edhe të largëtit. Ti je ai që na mësove mirësinë, butësinë, mëshirën, solidaritetin. Ti je ai që na mësove si ta duam jetimin dhe të përkujdesemi për të. Ti na mësove t'i duam të vjetrit dhe të rinjtë. Ti na mësove t' i respektojmë mësuesit, profesorët dhe intelektualët në përgjithësi. Ti vetëm dhe vetëm ti, o Muhamed, o i dashuri ynë, o mëshira e botëve ...
Ti u mësove përsosmërinë njerëzve në përgjithësi, të eksplorojnë në tokë, në gjithësi, në planet, me qëllim të gjetjeve që nuk kanë qenë të zbuluara deri më tani.
Njohuritë vetëm sa rriten e shtohen ndërsa fatlum është ai i cili hulumton dhe kërkon me qëllim të zgjerimit të njohurive dhe ngritjes së vetëdijes drejt formimit të personalitetit të vet. Njohuritë janë të shumta dhe ato marrin formë varësisht prej vetë përzgjedhjes së kërkuesit apo hulumtuesit.
Hulumtoni te një gjigant, njeri i jashtëzakonshëm e ai ishte Muhamedi a.s. do të mahniteni se çka do të gjeni te ky njeri dhe nuk do jeni pishman edhe as për një moment më të vogël që keni kërkuar nga dhe tek ky njeri. I përmasave të papara, që ende asnjë njeri nuk është zhgënjyer nëse e ka pasuar me gjithë shpirt e me gjithë zemër. Shembull i përsosmërisë, i pagabueshëm, dy miliardë të duan e të pasojnë, emër i madh, i lavdëruar Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin me ty dhe për ty.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës