Në xhaminë e Athinës falet namazi i xhumasë së parë


Në xhaminë e parë të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, është falur namazi i xhumasë së parë, raporton Anadolu Agency.

Muslimanët u radhitën në radhë për faljen e namazit të parë të xhumasë në xhaminë e Athinës e cila u hap për adhurim të hënën më 2 nëntor pas një plani dhe procesi ndërtimi 14 vjeçar.

Numri i besimtarëve ishte i kufizuar me 12 persona prej të cilëve 9 meshkuj dhe 3 gra në namazin i cili u fal në përputhje me rregullat me vendosjen e maskave dhe distancimit në kuadër të masave për koronavirusin e ri (COVID-19).

Në hutben e mbajtur në gjuhën greke, theksi u vendos mbi rëndësinë e xhamive dhe u shpjegua se xhamitë (mesxhidet) në periudhën e Profetit Muhammed nuk kanë shërbyer vetëm për adhurim por në të njëjtën kohë edhe si gjykata dhe shkolla.

Vendimi për ndërtimin e xhamisë në vitin 2006

Vendimi për të ndërtuar xhami në Athinë u mor për herë të parë në vitin 2006, por pengesat burokratike, reagimet nga grupet e ekstremit të djathtë dhe pengesat ligjore bllokuan procesin e ndërtimit për një periudhë prej më shumë se 10 vite.

Ndërtimi i përfunduar në një kampus të braktisur të Komandës së Forcave Detare në lagjen Votanikos, ishte marrë përsipër nga një konsorcium katërpalësh pas vendimit të marrë në Parlamentin e Greqisë në gusht të vitit 2016.

Nuk ka minare

Xhamia e cila nuk ka minare ka një hapësirë prej rreth 850 metër katrorë dhe një kapacitet prej 350 persona.

Administrimi i xhamisë do t’i dorëzohet një bordi prej 7 anëtarësh të përbërë nga 2 zyrtarë shtetërorë nga ministritë e Arsimit dhe Financave, 2 punonjës të bashkisë, një gjyqtar të Gjykatës së Lartë si dhe 2 përfaqësues të komunitetit musliman.

Imami i parë i xhamisë së Athinës është Mohammed Zaki, 49-vjeçar, një shtetas grek me origjinë marokene.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës