Porositë specifike të ruajtjes së shëndetit sipas Muhamedit, a.s.

Ibn Sinai (Avicena, 980-1036) e ka përkufizuar mjekësinë (et-tibb) si dituri e gjendjes së organizmit të njeriut rreth shëndetit dhe tërë ajo që ka të bëjë me shëndetin; qëllimi i saj është ruajtja e shëndetit dhe përpjekja e saj që ta rikthejë shëndetin sa herë që ai humbet.(1)
Në shëndet zakonisht shikohet si një gjendje natyrale e jetës sonë, ndërsa sëmurja është një formë e gjendjes jonatyrale e cila godet trupin e njeriut e që mund të mposhtet dhe shërohet me përdorimin e medikamenteve përkatëse.
Sëmundja, pa dyshim, i shkakton shumë pakënaqësi atij që është goditur me të, por në asnjë mënyrë myslimani nuk e sheh durimin e dhimbjes si mallkim, hidhërim apo dënim të Allahut të Madhërishëm. Myslimani është i përgatitur që dhembjen e secilës sëmundjeje ta vështrojë si sprovë, e cila në realitet e liron nga mëkatet.
Transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: "Asnjëherë besimtari nuk goditet me pakënaqësi, vështirësi, sëmundje, dhembje, bile edhe brengë mentale e që të mos i falen mëkatet."(2)
Por, njëkohësisht, duhet të kemi ndërmend që myslimanët janë të udhëzuar të kërkojnë kujdesin mjekësor, kurdo që sëmuren e këtë nga Kurani dhe hadithi - të klasifikuar si Mjekësia e të Dërguarit Muhamed, a.s. (Et Tibb en Nebevi).
Rëndësia e kërkimit të shërimit mjekësor është paralajmëruar me versetin kuranor, në të cilin përshkruhet mjalti, i cili në vete përbën cilësi shëruese:
" .... Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz ... "(3)
Për këtë është e kuptueshme që kompilimet e hadi theve të ndryshme përfshijnë kaptinat e "Mjekësisë së të Dërguarit të Allahut, a.s.", ku janë të përshkruara me mjeshtëri hadithet për sëmundjen, shërimin e saj, të sëmurin dhe mënyrat e parandalimit të sëmundjes, etj.
Dr. Sejjid Husejn Nasr rëndësinë e kësaj literature e ka shprehur në këtë mënyrë: "Pasi hadithet janë udhërrëfyes i jetës së myslimanit të mirëfilltë, edhe pse ato që bëjnë fjalë për mjekësinë nuk përmbajnë një sistem mjekësor të shprehur qartë, ato kanë luajtur rolin kryesor në përcaktimin e atmosferës së përgjithshme në të cilën është zhvilluar dhe kultivuar mjekësia islame. Udhëzimet e tyre janë pasuar me shekuj nga secili brez i myslimanëve. Ato kanë përcaktuar shumë shprehi dietetike dhe higjienike të myslimanëve. Më tej "Mjekësia e Muhamedit, a.s." ka qenë libri i parë i cili është studiuar nga studentët e mjekësisë, para se ata të' merrnin detyrën e studimit të paraqitjeve të shkurtra të shkencës së mjekësisë. Në këtë mënyrë hadithi gjithmonë ka luajtur rolin vendimtar në formimin e botëkuptimit të përgjithshëm që myslimanët i ka motivuar për studimin e mjekësisë."(4)
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i nxiste pasuesit e tij që të kërkojnë përkujdesjen mjekësore, që të ishin të shëndetshëm. Rasti që pason është i shënuar në literaturën e hadithit:
"Një beduin erdhi te Pejgamberi, s.a.v.s., dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, a duhet të kurohemi? Ai u përgjigj: Po, o rob të Allahut, duhet të kuroheni, sepse vërtet, Allahu nuk ka krijuar asnjë sëmundje e që të mos e ketë siguruar ilaçin, përveç një sëmundjeje. Ata e kanë pyetur: Cila është ajo sëmundje? Ai u përgjigj: Pleqëria."(5)
Gjithashtu, Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: "Për çdo sëmundje ekziston ilaçi."(6)
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka vënë në spikamë rëndësinë e studimit të shkencave mjekësore para praktikumit të tyre, andaj për këtë ka tërhequr vërejtjen: "Kush ofron trajtim mjekësor, por nuk di asgjë nga mjekësia, është fajtor."(7)
Dituria, pa marrë parasysh për cilin lëmë të mjekësisë bëhet fjalë, obligon individin të kryejë detyrën në mënyrën më të mirë. Andaj, mjeku duhet të jetë i aftësuar tepër mirë në profesionin e tij, ngase ai në duart e tij ka qenien njerëzore, andaj një gabim i tij apo injoranca mund të verë në rrezik jetën e pacientit të tij.
Për këtë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i ka këshilluar pasuesit e tij të kërkojnë ndihmën mjekësore nga ai i cili është profesionalist në lëmin përkatës.
Transmetohet nga Xhabiri, r.a., që, kur u sëmur Ubej bin Kab, Pejgamberi, s.a.v.s., e dërgoi mjekun që ta kuronte.(8)
M. M. Sharifi pohon se i vetmi mjek i njohur në kohën e Pejgamberit ka qenë Harith bin Kaladi, hebreu arab, i cili më vonë pranoi Islamin.(9)
Në fushën e sëmundjeve infektive, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka dhënë një leksion tejet praktik. Ai ka thënë: "Kur murtaja është prezente në një regjion, mos shkoni aty ... ; por nëse qëlloni aty mos dilni nga ai vend."(10)
Ky hadith vërteton masat moderne të karantinës, të cilat kanë për qëllim izolimin e atyre personave të cilët tashmë janë të infektuar nga sëmundjet ngjitëse.
Për Njeriun, meqë është i përbërë nga trupi dhe shpirti, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., i përshkruan dy lloje balsami të cilët veprojnë në të dy komponentët. Ai përfundon: "Kemi dy ilaçe në dispozicion, mjaltin dhe Kuranin."(11)
Nga ky hadith mund të nxirret përfundimi se myslimanët e kanë obligim të anojnë kah shëndeti fizik, njësoj sikurse kah ai shpirtëror. Sot është e qartë se mjalti ka cilësi shëruese, si gjatë përdorimit të brendshëm, duke e konsumuar, ashtu edhe për përdorim të jashtëm, duke e vendosur në plagë. Sa i përket sëmundjeve shpirtërore, Imam Ibn Kajjim el Xhevziu na mëson se Kurani si ilaç preferohet sidomos te sëmundjet e zemrës, sëmundjet e dyshimit dhe pasigurisë dhe sëmundjet psikike.
Më parë është theksuar që Kurani i ka përcaktuar pijet alkoolike si haram, duke urdhëruar abstenim të ashpër nga çdo gjë që deh. Pejgamberi, s.a.v.s., u ka ndaluar myslimanëve përdorimin e haramit si ilaç, për çka flet qartë hadithi vijues: Ebu Davudi e shënon në Sunnenin e tij që Ebu Derdai, r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: "Allahu e ka krijuar sëmundjen, por gjithashtu për secilën sëmundje Ai e ka siguruar ilaçin. Për këtë kurohuni, por mos u kuroni me gjëra të ndaluara."(12)
Imam Buhariu shënon transmetimin nga Ibn Mes'udi, r.a., që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: ''Allahu i Plotfuqishëm nuk ju ka ofruar ilaç në atë çka ka ndaluar."(13)
Imam Muslimi shënon që Tarik bin Suvejd el Xha'fijj, r.a., e ka pyetur të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., për pijet dehëse (hamr) dhe ai ia ka ndaluar përdorimin e tyre. Kur Tariki i tha që ai e ka përdorur si ilaç, ai u përgjigj: "Ky nuk është ilaç, por sëmundje."(14)
Pejgamberi, s.a.v.s., duke nxitur pasuesit e tij të kërkojnë kujdesin mjekësor, ka dëshiruar që myslimanët t'i qasen seriozisht secilës sëmundje pa marrë parasysh çfarë pasojash lë ajo pas vetes, qofshin të vogla, të mëdha apo joepidemike. Më tej, ai nuk u ka ndaluar pasuesve të tij asnjë rrugë apo mënyrë që ndikon në mposhtjen e sëmundjes.
Kjo do të thotë që myslimanët mund të shërbehen me sistemin alopatik (metodë e shërimit me mjete të cilat veprojnë kundër shenjave ekzistuese të sëmundjes) ose me sistemin e shërimit homeopatik, apo me ndonjë mënyrë tjetër të trajtimit mjekësor. Andaj, nga kjo, pa mëdyshje, del se myslimanit i lejohet të shërbehet me metodat moderne, biomjekësore.
Gjithashtu myslimanët mund të kërkojnë ndihmë nga secili mjek, qoftë mysliman apo jomysliman, dhe për këtë bindemi nga fakti që i vetmi mjek i njohur në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ishte hebre arab dhe po ai i kuronte pacientët myslimanë edhe para se ai vetë të bëhej mysliman.
Më tej, hadithi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., i cili në formë eksplicite tha që për secilën sëmundje ekziston ilaçi, i ka motivuar myslimanët për studimin serioz të mjekësisë e që më vonë rezultoi me suksese të shumta në degë të ndryshme të mjekësisë. Kjo i frymëzoi që të ndërtojnë spitale në të cilën pacientëve u ofrohej kujdesi adekuat mjekësor.
Historia na mëson se spitali i parë, të cilin e ndërtuan myslimanët, ka qenë në Damask në vitin 706, gjatë kohës së kalifit Velid ibn Abdul Maliku. Tërë kujdesi dhe shërbimet mjekësore aty kanë qenë falas.


_____________________________
1. Ibn Sina, Ebu Ali el Husejn ibn Ali: El Kanun fi et-tibbi (Kairo: Mu'assasa el Halabi ve Shurekatru li el-Nashr ve el- Tevzi) vol. 1, fq.3.
2 Musnedi i El Imam Ahmed ibn Hanbelit, vol.6, fq.167
3. En Nahl, 69.
4. Nasr, S.H: Shkenca dhe civilizimi në Islam (Pakistan: Suhail Academy, 1968) fq. 192-193.
5. Ebu Davud Sulejman ibn el Asab: Sunen Ebu Davud ''Kitab et tibb”, Bejrut, pjesa e IV, fq.3.
6. Sahih el Buhari, "Kitab et tibb", vëllimi III, pjesa e VII,fq. 158.
7 Sunen Ebu Davud ''Kitab ed-dijjah", pjesa e IV, fq.195.
8. Sunen Ibn Maxheh, "Kitab et tibb'; pjesa e II, nr.3493,fq.1156.
9. Sharif MM, Istoria Islamske filozofije, vëllimi II, fq. 334.
10. Ibn Hanbel Ahmed, vëllimi I, fq. 192.
11. Sunnen Ibn Maxheh, ''Kitab et tibb", pjesa II, fq:1142.
12. Sunnen Ebu Davud, "Kitab et tibb", pjesa e IV, fq. 7
13. Sahihul Buhari, ''Kitab el-ashribah", vëllimi III, pjesa VII, fq, 143.
14. Sahih Muslim, "Kitab el-asbribah", vëllimi V, fq. 666.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ka filluar mësim-besimi fetarë në rreth 20 xhami të qytetit dhe të fshatrave të Gjakovës