Populli i Beninit falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për ndihmat e dërguara


Ndihmat e dërguara nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e cila funksionin në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, kanë filluar të shpërndahen për banorët e shtetit të Beninit, në Afrikën Perëndimore. Pranimi dhe shpërndarja e këtyre ndihmave u bë nën udhëheqjen e drejtorit të Asociacionit Humanitar për Zhvillim e Promovim Social në shtetin e Beninit, z. Kasim Jusufit. Z. Jusufi shprehu falënderime dhe mirënjohje të lartë për ndihmat e dërguara nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, e që u tubuan nga njerëzit e vullnetit të mirë nga e gjithë Kosova, për çka ai luti Zotin që t’ua shtojë të mirat e Tij.

Anëtari i Asociacionit Humanitar për Zhvillim e Promovim Social, Muhamed ebu Bekri, shprehu falënderimet e tij të sinqerta për popullin e Kosovës, duke vlerësuar se këto janë një mirësi e madhe, andaj lusim Zotin që këtë bamirësi t’ua pranojë Zoti dhe t’i shpërblejë me të mirat e Tij “Ne tani kemi filluar shkarkimin e ndihmave dhe shumë shpejtë do të fillojmë me shpërndarjen e tyre për nevojtarët. Me këtë rast, ju konfirmoj se amaneti ka arritur në vendin e duhur. Ju njoftoj se një pjesë e ndihmave do të shpërndahet në pjesën veriore të shtetit të Beninit,” – tha ndër të tjerash Muhamed ebu Bekri.

Shoqata Humanitare “Bereqeti” para një muaji nisi maunën me afro një mijë pako me veshmbathje për banorët e shtetit të Beninit. Përfaqësuesit e kësaj shoqate shprehen tejet të kënaqur që ndihmat e tyre arritën në duart e nevojtarëve, ndaj me këtë rast, falënderon të gjithë bamirësitë në Kosovë që mundësuan realizimin e këtij aksioni. Ata shprehën gatishmërinë e tyre që aksione të tilla të ketë edhe në të ardhmen, gjithnjë në ndihmë qytetarëve në nevojë, brenda Kosovës por edhe jashtë saj.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pjesë nga fjalimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava për luftën e UÇK-së