Reflektimi edukativ i dashurisë për Allahun dhe dashurisë për hir të Tij në jetën e besimtarit

Degë tjetër e besimit është edhe dashuria për Allahun xh.sh. dhe dashuria për hir të Tij. Përzgjedhja e Ibën Hibanit për të qenë kjo në kuadër të veprave të zemrës, flet për rëndësinë që ka kjo dashuri dhe për efektet edukative të saj. Dashuria për Allahun xh.sh. dhe për hir të Tij është më shumë se ndjenjë dhe emocion, është koncept i cili përcaktohet nga feja, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Dashuria është pjesë e programit të çdo feje, por ajo që e dallon dashurinë për Allahun në Islam, është koncepti për vetë Allahun xh.sh., si i denjë për ta dashur dhe si i përsosur në çdo gjë.(1)

Ky koncept i dashurisë lidhet ngushtë me njohjen dhe mirënjohjen:

1. Njohjen, ngase nuk mund të imagjinohet dashuri pa njohje:
"Kush e njeh Allahun, e do, e kush e do, drejtohet kah Ai...!"(2) Nga kjo perspektivë, dashuria për Allahun është definuar si ngazëllim i shpirtit dhe lumturi e tij me Zotin për shkak të përsosmërisë, madhërisë, bukurisë dhe bamirësisë së Tij.(3)
2. Mirënjohjen, për mirësitë dhe begatitë që na i ka dhënë.(4) Dashuria për Allahun xh.sh., nënkupton përveç tjerash bindjen se, Allahu xh.sh. është bamirës ndaj robërve.(5)
Së këndejmi, dashuria, siç e shpjegon Imam Gazaliu, është pozita dhe grada më e lartë dhe se çdo gjë që pason pas saj është fryt i saj, si p.sh., ridaja apo kënaqësia me caktimet e Allahut xh.sh., sikur që çdo gjë që pjesë para saj është pararendëse apo prolog i saj, si p.sh. pendimi, durimi, asketizmi etj.(6)
Dashuria është vetë feja, ngase kjo e fundit nuk mund të imagjinohet pa dashurinë për Allahun xh.sh. Robëria fetare (devotshmëria, përkushtimi) është e lidhur për dashurinë, kurdo që të zgjidhet (humbet) dashuria, humbet edhe devotshmëria.(7)
Për këtë qëllim, sa herë që flitet për dashurinë për Allahun xh.sh., për të dëshmuar se dashuria është pjese kyçe dhe identifikuese e besimit, dijetarët argumentojnë me ajetin:
"Ka njerëz që në vend të Allahut marrin disa gjëra të tjera për zota dhe i duan ata si Allahun, ndërsa ata që besojnë, e duam shumë më tepër Allahun ... " (El Bekare, 165)
Nga kjo, siç nënvizon Imam Gazaliu dhe të tjerët, dashuria për Allahun xh.sh. është farz(8) dhe jo vetëm. Asaj duhet dhënë përparësi para çdo gjëje tjetër.(9) Dashuria nuk mund të jetë pretendim, pra duhet të dëshmohet praktikisht. Ajeti i 31-të, i sures Ali Imran konsiderohet ajeti testues.(10) Disa njerëz kishin pretenduar se e donin Allahun xh.sh., e për ta testuar këtë pretendim të tyre, Allahu xh.sh. shpalli: "Thuaju (O Muhamed): "Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t'ju dojë dhe t'ua falë gjynahet!"

Efektet edukative të dashurisë për Allahun xn.sh

Dashuria për Allahun xh.sh. ka edhe një dimension tjetër, atë të reflektimit edukativ në sjelljes dhe veprat e besimtarit.

1 . Gjallëria shpirtërore

Dashuria për Allahun xh. sh. i dhuron besimtarit një forcë shpirtërore, një motrvim të brendshëm, një shëndet shpirtëror, çfarë ai nuk mund ta imagjinojë atë. " ... Dashuria është ushqim i zemrave dhe shpirtrave, është jeta pa të cilën njeriu radhitet në mesin e të vdekurve (edhe nëse është gjallë)."(11)

2. Krenaria dhe mburrja me besimin

Dashuria për Allahun paraqet elementin dallues nga idhujtarët. Kjo ka rëndësi ngase besimtarit i jep përkatësi, e bën atë të shquhet për vlera dhe virtyte. Allahu xh.sh. thotë:
"Ka njerëz që në vend të Allahut marrin disa gjëra të tjera për zota dhe i duan ata si Allahun, ndërsa ata që besojnë, e duam shumë më tepër Allahun ... " (El Bekare, 165)

3. Kultivimi i aspektit adhurues te besimtari

Dashuria ndaj Allahut xh.sh. është forcë shtytëse, është lëvizje drejt veprave konkrete, drejt asaj që dëshiron Allahu xh.sh. Ibën Kethiri, në komentin që i bën ajetit të 31, të sures Ali Imran ka thënë: ''Askush nuk është i sinqertë në pretendimin e dashurisë përderisa nuk e pason fenë në të gjitha fjalët dhe veprat e veta."(12) Për këtë qëllim, afrimi tek Allahu xh.sh. bëhet me vepra, jo me pretendime. Në një hadith kudsij, Allahu ka thënë: "Robi nuk më afrohet me diç që e dua më shumë se me atë që ia kam bërë farz (obligim) ... "(13)

4. Kultivimi i bindjes dhe mendimit të mirë për Allahun

Prej shenjave të dashurisë ndaj Allahut xh.sh. është edhe pranimi me kënaqësi i vendimeve të Tij, në mesin e së cilave edhe ato për sprova. Pranimi ka një interpretim interesant, është shenjë e dashurisë së Allahut ndaj robit. Pejgamberi a.s. ka thënë:
"Kur Allahu e do robin, e sprovon atë." Pra, sprova është tregues i dashurisë. Kjo bën që besimtari ta trajtojë me maturi çdo gjë që i ndodhë në jetë, dhe për asnjëherë të vetme të mos ketë mendim të keq për Allahun.

5. Përvetësimi i tipareve që Allahu i do dhe ikja nga tiparet që Ai i urren

Për ta dëshmuar dashurinë, duhet ta bëjmë të kënaqur Allahun, duke bërë atë që Ai e do dhe duke u larguar nga ato që Ai i urren. Kurani dhe Suneti na ofrojnë shembuj të vlerave në fjalë. Shembuj të vlerave që Allahu i do janë: devotshmëria,(14) bamirësia,(15) pendimi dhe pastrimi fisnik dhe shpirtëror,(16) durimi,(17) mbështetja në Allahun,(18) drejtësia,(19) adhurimet nafile,(20) etj. Shembuj të veprave që Allahu nuk i do: tejkalimi i kufijve,(21) çrregullimi,(22) zullumi,(23) kufri dhe mëkatet,(24) mendjemadhësia dhe mburrja,(25) tradhtia.(26) shfrenimi,(27) etj.

6. Nxitja për kultivimin e moralit dhe përgjegjësisë

Në kuadër të veprave që Allahu i do është edhe morali. Ndër veprat që më së shumti i do Allahu xh.sh., Pejgamberi a.s. ka përmendur mirësjelljen me prindërit,(28) gruan,(29) dhe farefisin.(30) Lidhja e këtyre veprave me dashurinë për Allahun është nga aspekti i normës që kanë. Kush e adhuron Allahun dhe nuk i respekton prindërit, sipas Kuranit(31) konsiderohet se nuk e ka adhuruar Allahun xh.sh. Vështruar sipas tematikës sonë, mund të themi se, kush e do Allahun, por nuk i respekton prindërit, konsiderohet se nuk e do as Allahun xh.sh.

Dashuria ndaj njëritjetrit për hir të Allahut xh.sh.

Koncepti i dashurisë për njëri-tjetrin për hir të Allahut xh.sh.
Dashuria për hir të Allahut është pjesë e besimit, për faktin se besimi nuk plotësohet pa këtë element dhe se kjo dashuri përcaktohet prej tij, pra prej besimit. Pra, nuk është slogan apo parullë, por është besim, sepse ndryshe nuk mund të arrihet deri te kjo dashuri. Është imazhi i vëllazërisë që arrihet nëpërmjet fesë. Allahu xh.sh. thotë: " ... dhe Ai, i bashkoi zemrat e tyre. Sikur ti të shpenzoj e tërë atë pasuri që gjendet në Tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato, - Ai, me të vërtetë është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (El Enfal,63)
Pra, nuk ka pasuri dhe nuk ka asgjë tjetër që mund ta realizojë një lidhje të këtillë, një vëllazëri të këtillë. Ajo nuk përcaktohet nga sjellja e tjetrit me ne, por nga besimi. Nga perspektiva e dashurisë për hir të Allahut, është thënë se, nuk shtohet me mirësjellje dhe as nuk pakësohet me mungesë të saj.(32) Ajo para çdo gjëje është besim. Muhamedi a.s. ka thënë:
"Lidhja më e fortë e besimit është miqësi mi për hir të Allahut dhe armiqësimi për hir të Allahut, dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut."(33) "Nuk ndodhë që dy veta ta duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, e që të mos jetë më i dashur tek Allahu, ai që e do shokun më shumë."(34)
Arsyeja pse është më i mirë është për shkak të nivelit më të lartë të besimit nga i cili rrjedh kjo dashuri.(35) Madje, është reflektim i dashurisë për Allahun xh.sh., sepse kush e do Allahun, i do edhe ata që e duan Atë. Në hadithin e transmetuar, lidhur me atë që mori rrugën për ta vizituar një vëlla, thjesht nga dashuria për hir të Allahut, shprehet qartë kjo dashuri e Allahut, edhe si shkak, por edhe si shpërblim. Pra, e ka vizituar shokun pse e do për hir të Allahut dhe në këmbim të kësaj e ka fituar dashurinë e Allahut.(36) Dashuria ndaj njëritjetrit është kusht për ta plotësuar besimin, sipas së cilit hyhet në xhenet. (37) Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk do të hyni në xhenet përderisa nuk besoni dhe nuk do të besoni derisa të mos e doni njëri-tjetrin ... "(38)

Efektet edukative të dashurisë ndaj njëri-tjetrit për hir të Allahut xh.sh.

1. Forcimi i lidhjeve me Allahun xh.sh.

Duke qenë se është fryt i dashurisë për Allahun,(39) atëherë, dashuria për
hir të Tij shërben në forcimin e lidhjeve me Allahun.

2. Përkushtimi ndaj njëri-tjetrit Dashuria nuk është deklarim verbal, por angazhim konkret.

Muhamedi a.s. ka thënë: "Nuk ka besuar plotësisht askush, përderisa të mos ta dojë për vëllain atë që e do për vete."(40) Ajo që kërkohet nga besimtari në këtë hadith është që, të angazhohet për vëllain besimtar ashtu sikur që angazhohet për vete, jo vetëm për t'ia sjell të mirat, por edhe për t'ia larguar të këqijat. Kjo sjellje dhe ky përkushtim është interpretuar nga Pejgamberi a.s. në formë të trupit dhe gjymtyrëve të tij.

3. Shoqëria ideale

Shoqëria ka rëndësi të madhe në përcaktimin e rrugës që do të ndjek besimtari. Për të qenë në rrugën e drejtë dhe për të vazhduar në këtë rrugë, duhet përzgjedhur shoqëria e mirë, me të cilët dashuria për Allahun është arsye e bashkimit. Pejgamberi a.s., kur përmend njerëzit që do ta gëzojnë hijen e Arshit në Ditën e Llogarisë, përmend edhe: "... dy persona të cilët janë dashur për hir të Allahut, janë bashkuar dhe ndarë për hir të Tij ... "(41) Siç kanë shpjeguar dijetarët, kjo dashuri është e atillë që nuk mbaron kurrë. Besimtarët bashkohen për hir të Allahut dhe ndahen për hir të Tij, pra nuk merr fund kjo dashuri as pas ndarjes fizike nga njëri-tjetri.(42)

4. Nxitja për punë të mira

Nëse dashuria për të mirët është pjesë e fesë, atëherë ndjekja e hapave të tyre është po kështu pjesë e fesë. Hasan el Basriu ka thënë: "Nuk do të arrish të bëhesh si vepër mirët (ebrarët) nëse nuk vepron sikur ata."(43)

5. Dëshmia e pjekurisë fetare

Dashuria ndaj njëri-tjetrit përkthehet në të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Besimtarët janë vëllezër dhe ndiejnë se kanë obligime karshi njëritjetrit, siç qëndron në Kuran.(44) Këto detyrime në fakt paraqesin pjekurinë fetare të besimtarit. Gjërat që janë personale, si namazi, agjërimi etj., janë për të na kalitur për detyrimet të cilat janë kolektive. Kur është folur për Ebu Bekrin, për arsyen se pse ka qenë më i miri, respektivisht për atë sekretin që fshihej në zemrën e tij, kanë përmendur dy gjëra: dashurinë për Allahun dhe këshillat për njerëzit.(45) Pra, ne nuk do të mund të bëhemi besimtarë të mirë nëse nuk e kryejmë këtë obligim të patjetërsueshëm. Siç është e njohur, me rastin e besatimit për fe, Pejgamberi a.s. kërkonte edhe deklarimin për gatishmërinë e këshillimit të njëritjetrit.(46) Nuk mund të gjej fjalë më të bukura për ta përmbyllur këtë temë, se lutjen e Abdullah ibën jezid Hatimiut:(17) “O Allahu im! Më begato me dashurinë tënde dhe me dashurinë e çdokujt, dashuria e së cilëve me bën dobi te Ti!”


_______________________________________
1. M. Es-Suhajmi, Vlerat qytetëruese në mesazhin e Profetit Muhamed a.s., përktheu: dr. Sedat Islami, (Prishtinë: Profeti i mëshirës, 2018), f. 107.
2. El-Gazali, Ihjau ulumiddin, Bejrut; 4/294.
3.M. Et-Tuvejxheri, Meusatu fikhi el-kulub, Amman: , 2006), f. 2672.
4. Ibrahim: 34; Nahl: 18; 53.
5. H. El-Halimi, El-minhaxhu fi shuabi el-iman, ver. Hilmi Muhammed Feude, Damask:, 1979, 1/497.
6. Gazali, vep. cit., 4/294.
7. Tuvejxheri, Meusatu fikhi el-kulub, vep.cit . f. 2673.
8. Gazali, vep.cit, 4/294. Kazvini, Muhtesar shuabi el-Iman, Damask, 1405, f. 28.
9. Shih ajetin 24 nga kaptina Teube dhe hadithin e shënuar nga Buhariu (21) dhe Muslimi (43).
10. Xhunejdi. El-mehabbetu lil-Lahi subhaneh, vep.cit., f. 34.
11. Ibën Kajjimi, Medarixh essalikine ... , vep.cit., 3/6.
12. Ibën Kethir; Tefsir el-Kur'ani el-Adhim, vep. cit., 1/493-494.
13. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 614.205. Ali Imran 76; Teube 4, 7.
15. Bekare, 195;, Ali Imran, 134, 147; Maide, 13, 93.
16 Bekare, 222; Teube, 108.
17. Ali Imran, 146.
18. Ali Imran, 159.
19. Shih: Maide, 42; Huxhurat, 9; Mumtehine, 8.
20. Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 621.205. Bekare: 190, Maide 87.
22. Bekare, 205; Maide, 64; Kasas, 77.
23. Ali Imran, 57; 140; Shura, 14.
24. Bekare, 276; Ali Imran, 32.
25. Nisa, 36; Nahl, 23; Llukman, 18; Hadid, 23.
26 Shih: Nisa, J07; Enfalë, 58.
27. Kasas, 76.
28. Hadithi 527 në Sahihun e Buhariu dhe hadithin 87 në Sahihun e Muslimit.
29. Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen, nr. 3895.
30. Hadithin e shënon Ebu Ja'la në Munsed, nr. 6839.
31. Nisa: 36.
32. A.El-Hamid, El-hubbujil-Lah, Rijad, 1992, f 11.
33. Hadithi është i saktë. Sahih el-Xhami, 2539.
34. Albani në Essilsiletu essahihah, nr. 450, e saktëson.
35. El-Hamid, El-hubbu fil-Lah, vep. cit., f. 11.
36 Ibën Hibbani në Sahih, nr. 572; 576.
37. Suhajmi, vep.cit.f. 111-112.
38. Muslimi në Sahih, nr. 53.
39. A. Ferid, El-hubbujil-Lah ve hukuk el-uhuvveh, Kajro, 1990, f. 12. Shih hadithin: "Kur Allahu ta dojë robin. ... " Buhariu në Sahih, nr. 7485, dhe Muslimi në Sahih, nr. 2637.
40. Buhariu dhe Muslimi.
41. Buhariu në Sahih, nr. 660, dhe Muslimi në Sahih, nr. 1031.
42. J.En-Nevevi, El-minhaxh sherhu Sahihi Muslim bin el-Haxhaxh, Bejrut, 1392, 7/121; A.Muhammed, Mirkatu el-mefatih..., Bejrut, 2002, 2/594.
43. A.Ferid, El-hubbu ..., vep.cit. f. 20.
44. Teube, 51.
45. S.El-Affani, Tertibu el-efvah ..., Kajro, 1999, 2/352.
46 Buhariu, 57; etj.; Muslimi, 56, etj.
47. Xhunejdi, El-mehabbetu ... , vep.cit. f. 39.


Artikulli radhës
Shkencëtarët e hutuar