U mbajt Seminari Ndërkombëtar “Vakëfet në Turqi dhe në vendet e Ballkanit”


Më 27 janar 2021 u mbajt Seminari Ndërkombëtar “Vakëfet në Turqi dhe në vendet e Ballkanit”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë dhe Instituti Ndërkombëtar për Vakëfe nga Malajzia.

Qëllimi i seminarit është shkëmbimi i përvojave mbi sistemet e vakëfeve në Turqi dhe vendet e Ballkanit në mënyrë që të kuptohet më mirë roli i vakëfeve në përparimin ekonomik dhe shoqëror të komuniteteve myslimane në këtë rajon. Seminari mblodhi së bashku përfaqësues të komuniteteve myslimane dhe vakëfeve nga vendet e Ballkanit, nga Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Bullgaria dhe Kroacia.

Bashkësia Islame e Kosovës në këtë seminar u përfaqësua nga Këshilltari i Myftiut Vedat ef. Sahiti me prezantimin me temë: “Pronat vakëfnore në Kosovë dhe përvoja e Bashkësisë Islame të Kosovës në menaxhimin e vakëfeve dhe zhvillimin e vakëfeve përmes prezantimit të projekteve të vakëfeve të realizuara në Kosovë viteve te fundit”.

Seminari ndërkombëtar trajtoi rregulloret dhe ligjore në lidhje me vakëfet, menaxhimin dhe investimet në asetet e trashëgimisë kulturore fetare, si dhe u prezantuan shembuj të projekteve të realizuara, e po ashtu u diskutua edhe për sfidat dhe vështirësitë në kthimin e vakëfeve ne vendet e Ballkanit.