Arbnora Fejza-Idrizi zyrtarisht në Guinness me flamurin më të madh shtetëror në origami


Arbnora Fejza-Idrizi ka marrë konfirmim nga “Guinness World Records” se mozaiku i punuar nga ajo me letra prej origami me flamurin shtetëror të Kosovës prej 1.216 metra katrorë, është bërë mozaiku më i madh i këtij lloji në botë.
Ajo tha se për këtë punë i është dashur rreth një vit kohë për t’u përgatitur dhe katër muaj për të krijuar mbi 120 mijë fletëpalosje origami, e cila u përmbyll me një punë intensive prej 13 orësh me vendosjen e letrave në sallën e sporteve në Skenderajit.
“Me shumë emocione dhe krenari, dua t'ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami - Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t'i ndajmë me ju nesër. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund ç'do herë. 1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intenzive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror.”, shkroi ajo në facebook.
Rekordi i ri është publikuar edhe në faqen zyrtare të Guinness, ku shpaloset shkurtimisht puna që ka bërë mësimdhënësja nga Skenderaji bashkë me 25 nxënës për të shënuar edhe simbolikisht 17 Shkurtin - Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Deri më tani, rekordin në këtë kategori e ka mbajtur një shkollë në Mongoli, me një punim prej 1.167 metrash katrorë.