Përhapja e medhhebit hanefi në Ballkan (1)


Shkolla e Irakut

Abdullah b. Mesudi ishte imam i ixhtihadit racional; ai ishte një nga konsulentët më të afërt të Omerit r.a.
Në veprën “Kitabul Haraxh”, të Ebu Jusufit, emri i Omerit është përmendur 124 herë dhe mendimi i tij, nëpërmjet Ibën Mesudit, ka ndikuar dukshëm në formulimin e mendimeve të shkollës hanefite.
Aliu r.a. me fetfatë dhe gjykimet e tij është bërë udhërrëfyes për irakianët. Shabiu e ka ushqyer me hadithe rajonin e Irakut. Alkameja, Esvedi dhe Ibrahimi janë nga Nehaja, ndërsa Mesruku dhe Shabiu nga Hemedani. Neha dhe Hemdan janë dy fise të Jemenit. Shurajhi dhe Hamadi kanë lidhje me Jemenin. Përfaqësuesi kryesor dhe më i famshëm i ixhtihadit racional, Muadh b. Xhebeli, është dërguar në Jemen nga Pejgamberi i Allahut për ta mësuar popullatën dhe për të gjykuar drejt në mes të asaj popullate.(1)


Metoda e Ebu Hanifes r.a.


Ebu Hanife thotë: “E pranoj pa diskutim atë që është në librin e Allahut. Nëse nuk e gjej në të, atëherë veproj sipas synetit të Pejgamberit a.s., që është transmetuar nga transmetuesit autentik. Nëse nuk e gjej edhe aty atëherë marr mendimin e atij që dua prej as’habëve, nuk anashkaloj mendimin e tyre; por kur është fjala për Ibrahimin, Sha’biun, Atain, atëherë edhe unë mund të bëj ixhtihad si edhe ata.(2)


Ebu Hanifeja dhe Hadithi


Ka prej atyre që janë të mendimit se Ebu Hanife bazohej tek arsyeja dhe i refuzonte hadithet autentike. Ndërkaq, Imam Ebu Hanife i jepte përparësi hadithit nda kijasit edhe në qoftë se hadithi është mursel. Ai gjithashtu i jepte përparësi edhe hadithit të dobët/daif ndaj kijasit. Analizat kanë provuar se ai, në ixhtihadet e veta, ka përdorur përafërsisht 4 mijë hadithe.(3)
Ebu Hanife thotë: Shpifin kur thonë se ne i japim përparësi kijasit tonë kundrejt Sheriatit. A ka nevojë të përsiatet kur ekziston teksti i shenjtë.”(4)
Për sa i përket refuzimit të haditheve, ai i ka refuzuar ato hadithe për autencitetin e të cilave ka pasur dyshime, me fjalë të tjera, për shkak se ato nuk janë përputhur me rregullat e autenticitetit të haditheve që i ka venë Ebu Hanife.(5)


Kijasi (analogjia)


Kijasi është gjykim në bazë të analogjisë, respektivisht përfundim në bazë të parimit të dhënë në Kuran, Sunet ose Ixhma, të mishëruar në shembullin paraprak që një rast i ri të përfshihet nën parimin e njëjtë ose është i ngjashëm me atë shembull për shkak të karakteristikës së përgjithshme thelbësore të quajtur “shkak” (il-le).”(6)
Ixhtihadi nuk mund të shkojë kundër kuptimit evident të mësimeve të Kuranit dhe Sunetit. Ai është përpjekje për gjykim vetjak në mungesë të çfarëdo teksti aplikues, kurse mund të kryhet vetëm deri sa mendimi i tillë i lirë nuk i kundërvihet Kuranit dhe Sunetit.(7)
Muhamedi a.s. e kishte emëruar Muadh bin Xhebelin gjyqtar në Jemen. Para se të shkonte ta pranonte detyrën, Pejgamberi a.s. e pyeti Muadhin: “Me çka do të gjykosh?” Ai u përgjigj: “Sipas Librit të Zotit.” “E nëse aty nuk gjen asgjë?” “Sipas Sunetit të Pejgamberit të Zotit”. “E nëse aty nuk gjen asgjë?” “Atëherë do të përpiqem të formoj gjykimin tim vetjak.” Pejgamberi pas kësaj ka thënë: “I lartësuar qoftë Zoti që e drejtoi emisarin e Pejgamberit të Tij drejt asaj me çka është i kënaqur Pejgamberi i Tij.”(8)
Ixhtihadi, si një përpjekje për të depërtuar në domethënien dhe thelbin e ligjit të Zotit, është privilegji i shkencëtarëve më të ditur, doktorëve të ligjit islam, të cilët, përveç njohurive të hollësishme të shkencave tradicionale islame, kanë shikim “të mprehtë” dhe i njohin rrethanat e vendit dhe kohës në të cilën ata jetojnë.Ibën Abdil Berri thotë se Ebu Hanifeështë akuzuar për shkak të kijasit. Ndërkaq, kijasi/analogjia është zbatuar që nga periudha e as’habëve dhe secili prej imamëve pak a shumë e ka përdorur këtë metodë. Por, Ebu Hanifeja:
• E ka sistemuar dhe i ka vënë rregullat e kijasit,
• E ka përdorur në masë të madhe;
• E ka zbatuar edhe në ngjarjet hipotetike(9)
Prof. Muhamded Ebu Zehre përmend një citat prej Sehl b. Muzahimit, në të cilin thuhet: “Procedura e Ebu Hanifes gjatë nxjerrjes së dispozitave ka qenë:
1. Miratimi i pa kundërshtim i teksteve autentike;
2. Refuzimi i rreptë i sjelljes jo të hijshme; dhe
3. Shqyrtimi i sjelljeve njerëzore me qëllim që të gjendet ajo që është më e mirë për interesin njerëzor dhe stabilitetin e tyre.”(10)



Sistematizimi i mësimeve të shkollës hanefite


Shkolla e Ebu Hanifes është më e hershmja, më tolerantja dhe më e madhja. Ajo u zhvillua më tej dhe u sistematizua prej dy nxënësve të tij, Ebu Jusufit (vdiq më 181/797) dhe Muhamed esh Shejbanit (vdiq më 189/805). Kjo shkollë u favorizua nga abasitët. Ishte me seli në Bagdad. Karakterizohej me shprehjen e men-dimit të lirë, prandaj u bë objekt i përshtatshëm për akuzat e Ehl El Hadithit në shekullin II dhe III, duke qenë se këta e refuzonin në mënyrë energjike mendimin e lirë.(11)
Çdo shkollë u quajt medheb në arabisht dhe kishte pikëpamje paksa të ndryshme. Një shkollë priret të sundoj një hapësirë. Shkolla hanefite dominoi në atë çka do të ishin perandoritë otomane dhe mogule, kurse shkolla malikite në Afrikën e veriut, shkolla shafite në Egjiptin e poshtëm, në Afrikën lindore, në Arabinë jugore dhe në Azinë juglindore dhe shkolla hanbelite në Arabinë Saudite (ku vehabistët e Nexhdit ndoqën parimet e Ibën Tejmies, 1263-1328, një ndjekës i Ibën Hanbelit). Në qytetet e mëdha, si Kajro, bashkëjetojnë dy e më shumë shkolla. Sot idetë e imamëve mbizotërojnë mendimin ritual dhe intelektual midis miliona njerëzve, ndërsa sfilitësit e tyre janë figura të harruara në librat e historisë.(12)


Jetëshkrimi i Ebu Hanifes (80/699 – 150/767)


En Numan b. Thabit b. Zuta. Gjyshi i tij Zuta ishte sjellë si skllav nga Irani në Irak dhe më pas ishte liruar nga pronari i tij. Babai i tij, Thabiti, kishte lindur si i lirë dhe mysliman. Në moshë të re ishte takuar me Aliun r.a. dhe ai ishte lutur për mirësinë e tij dhe të pasardhësve të tij. Nga një familje e tillë doli Ebu Hanife. Ishte imam i devotshëm, dijetar që punoi me dijen që i dhuroi Allahu. Ebu Hanifeja është takuar me dijetarët e lartë të tabiinëve dhe ka mësuar dituri dhe etikë prej tyre. Ai në fëmijëri është takuar me disa nga as’habët. I takon gjeneratës së dytë të tabinëve. Në mesin e mësuesve të tij nga tabinët më së shumti ka mësuar prej Hamad b. Ebi Sulejmanit.(13)
Hamad b. Ebi Sulejmani ishte mësuesi më me ndikim tek Ebu Hanifeja. Hamadi kishte marrë fikhun nga Ibrahim en Nehai, i cili kishte marrë fikhun nga Alkamete en Nuhai, ky e kishte marrë fikhun nga Abdullah ibën Mesudi.(14)


Shërbimet në shkencën e fikhut


“E ka mbjellë” Abdullah ibën Mesudi, “e ka ujitur” Alkameja, “e ka korrur Ibrahim en Nehaiu, “e ka shirë” Hamadi, “e ka bluar” Ebu Hanifeja, “e ka bërë brumë” Ebu Jusufi dhe “e ka bërë bukë” Muhamedi, “kurse njerëzit e tjerë hanë prej kësaj buke”.(15)


Të tjerët për Ebu Hanifen


Ai kishte inteligjencë dhe aftësi të lartë rozonuse. Imam Maliku thotë: “Ebu Hanifeja është një person i cili po të tha se nën këtë dru ka ari, ka fuqi edhe ta argumentoj atë.”Imam Shafiu: “Në krahasim me Ebu Hanifen njerëzit konsiderohen fëmijë në lëndën e fikhut.”16Ibnul Mubarek: “Nuk kam parë të ngjashëm me Ebu Hanifen në fikh, por, gjithashtu, nuk kam parë edhe më fetar se ai.”(17)


Mësuesit e Ebu Hanifes


Numri i mësuesve të Imam Ebu Hanifes (Allahu i Madhërishëm e mëshiroftë), arrin në katër mijë, prej tyre 7 janë nga sahabët e të Dërguarit s.a.v.s., 93 nga tabi’inët, kurse të tjerët janë nga tabi’i-tabi’inët. Nuk është çudi që mësuesit e tij të jenë në këtë numër. Ebu Hanifeja ka jetuar 70 vjet, plot 55 herë ka qenë në haxh, në këtë vend janë takuar dijetarët e vendeve të ndryshme të botës islame, gjashtë vjet ka banuar në Mekë, në kohën kur iu kërkua ta pranonte postin e kadiut në Kufe, ai e refuzoi dhe iku në Mekë në vitin 130 hixhri dhe qëndroi rreth 6 vjet.(18)
Kufeja në atë kohë ka qenë qendra e hadithit dhe e diturisë, e mbushur përplot me dijetarë të shquar. Nuk është çudi që brenda 55 vjetëve të takohej me katër mijë dijetarë dhe të marrë dituri prej tyre, shumë apo pak, qoftë edhe një hadhit apo një mesele. Imam Ebu Hafs el-Kebir, pasi përmend numrin e mësuesve të Imam Ebu Hanifes, thotë: “Emrat e mësuesve të tij janë të radhitur sipas shkronjave të alfabetit dhe të përmbledhur në një vëllim.”(19)
Njëri prej mësuesve të tij ka qenë edhe dijetari i famshëm i gjeneratës së tabinjve- Amir b. Sherahil el Kufi esh Shabiu. Ky konsiderohet mësuesi më i njohur i Ebu Hanifes, sepse kishte arritur t’i takonte mbi 500 as’habë të Pejgamberit a.s. Ebu Hanifeja mori mësime edhe prej Ata b. Ebi Rebahut, i cili kishte takuar mbi 200 as’habë.(20)
Halifët e fundit emevi dhe halifi abasi, Mensuri i propozuan Ebu Hanifes të bëhet kryegjykatës (kadil kudat), por ai nuk pranoi, për pasojë, Mensuri e burgosi në vitin 150/767 në Bagdad dhe ai vdiq në burg.


Nxënësit e Ebu Hanifes


Nxënësit e Ebu Hanifes kanë qenë të panumërt. Salihiu në veprën “Ukudul Xheman,” f.183, thotë: “Ebu Hanifen e shoqëruan dhe mësimet e tij pëlqyen shumë nxënës, një gjë që nuk mund të thuhet për asnjërin prej imamëve të mëdhenj, pas tij. Salihiu, në kapitullin e pestë, përmend disa emra njerëzish nga Meka, Medina, Damasku, Basra etj., të cilët kanë marrë mësime prej Ebu Hanifes. Sipas tij, dijetarët që kanë marrë mësime drejtpërsëdrejti nga Ebu Hanife arrin në 800.(21)
Nxënësit më të njohur të Ebu Hanifes janë Ebu Jusufi dhe Muhamedel- Shejbani.
Ebu Jusufi (vdiq më 798) është nofka për Jakub ibën Ibrahim el-Ensariun. Nxënës i Ebu Hanifes. Përhapi influencën e shkollës hanefite nëpërmjet shkrimeve të tij dhe pozitave qeveritare që ai mbajti. U emërua gjykatës në Bagdad, më vonë kryegjykatës (kadi el-kudat) nën halifin abasit Harun err-Rashid me autoritetin për të emëruar gjykatësit në shtetin abasit. Vepra e tij më e famshme ështëKitab el-haraxh, një traktat mbi tatimet dhe problemet fiskale të shtetit, të përgatitura për halifin. Ai ka përpiluar veprën më të hershme të njohur të parimeve të jurisprudencës islame (usul el-fikh). Një pjesë e veprës i kushtohet së drejtës ndërkombëtare.(22)
Ebu Abdullah Muhamed ibën el-Hasan ibën FarkadEsh Shejbani, (vdiq më 804) jurist dhe nxënës i Ebu Hanifes dhe Malik ibën Enesit. U arsimua për jurisprudencë në shkollat e Irakut dhe ato të Medinës. Insistonte për rolin ven-dimtar të hadithit në ligjin islam. Ka mbajtur një post të lartë në oborrin abasit, që i mundësoi atij që të përhapte shkrimet dhe idetë e shkollës hanefite. Juristi i parë që e shkroi mendimin ligjor hanefit. Shkroi një vepër të detajuar mbi ligjin e trashëgimisë dhe traktatin e parë gjithëpërfshirës mbi ligjin e xhihadit. Formuloi doktrinën e së drejtës ndërkombëtare (sijar).(23)


Zhdukja e medhhebeve


Historianët shënojnë formimin e një numri të shkollave juridike gjatë shekujve II-III, prej të cilave një pjesë e konsiderueshme u zhdukën nga skena historike. Kjo ngase ato nuk mundën ta përballonin verifikimin praktik.(24)
Disa nga medhhebet sunite kanë mbijetuar deri më sot dhe kanë ithtarët e tyre. Ndërkaq disa të tjera, për shkak se nuk ju kanë mbetur ithtarë, janë shkrirë dhe kanë ngelur në të kaluarën. Disa nga këto medhhebe janë shuar për shkak se nuk kanë pasur reprezentues me famë që t’i promovojnë opinionet e tyre, ndërsa disa të tjera, si dhahiritë, janë shuar për shkak të sistemeve të brendshme, për shkak të përqendrimit të verbër në kuptimin e jashtëm të teksteve, mohimit të analogjisë dhe mos pasjes përgjigje për nevojat e kohës. Ato janë të përmendura në librat e fikhut.(25)


____________________
1. Hayreddin Karaman, Historia e të drejtës Islame, nga fillimi deri në kohën tonë, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2014, Logos-A, f. 178.
2. Taha Xhabir El Ulvani, Kultura e dialogut në Islam, Shkup, 2000/1421, Logos-A, f. 38.
3. Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, kryejuristi mysliman, libër në dorëshkrim, f. 63.
4.Seid Ramadan, E drejta islame, Burimi dhe zhvillimi, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2007, Logos – A, f. 92.
5. Hayreddin Karaman, op. cit., f. 187.
6. Vehbi Sulejman Gavoçi, op. it., f. 63.
7.Seid Ramadan, f. 79.
8. Po aty, f. 76.
9. Hayreddin Karaman, op. cit., f. 187.
10. Muhamed Ebu Zehhreh, Ebu Hanife, f. 309, sipas: Seid Ramadan, op. cit., f. 105.
11. Fazlur Rrahman, Islami, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, Logos – A, f. 182.
12. Akbar S.Ahmed, Zbulimi i Islamit, duke kuptuar shoqërinë dhe historinë Islame, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2012, f. 116-118.
13. Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, çështje të fikhut sipas Kuduriut II, Prishtinë, 2010, f. 233.
14. Një grup autorësh, Tarihut teshri, Xhide, 2005/1425, f. 225.
15. Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 231.
16. Taha Xhabir El Ulvani, op. cit., f. 131.
17. Hayreddin Karaman, op. cit., f. 180.
18. Një grup autorësh, Tarihut teshri, op. cit., f. 225.
19. Vehbi Sulejman Gavoçi, op. cit., f. 22.
20. Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 234.
21. Muhamed Ashik Ilahi el Bureni, op. cit., f. 234.
22. The Oxford Dictionary of Islam, John L. Esposito, United States of America, 2003, f. 5-6.
23. Po aty, f. 290.
24. Fikret Karciq, Historia e së drejtës së Sheriatit, Prizren, 1994, f. 61. 25. Hayreddin Karaman, op. cit., f. 167.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim ef. Morina - Pjesë nga Kurani